• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIALOGU ME ARMIKUN-SHTETIN KRIMINAL SERB

June 14, 2021 by dgreca

-Shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër, aq të shkurtër sa që xhelatët e tyre i thërrasin miq pas një kohe të shkurtër- Leo Freundlich

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ */

         E zgjodha këtë thënie të publicistit dhe politikanit të njohur austriak me prejardhje hebreje, autorit të  dokumentit për krimet serbe të quajtur “Golgota shqiptare”, jo për ta vërtetuar “budallallekun kombëtarë”, por për t’ia treguar vlerat njerëzore të kombit shqiptar botës demokratike. Vlera të cilat i mungojnë kombit serb. Hegjemonizmi, shovenizmi, johumaniteti dhe armiqësia agresive serbe është e hapët dhe plotësisht e dokumentuar. Planet e tyre për çfarosjen e popullit shqiptar dhe grabitjen e tokave shqiptare datojnë që nga Naçertanja e Grashaninit ( 1884 ) dhe memorandumi i Vasa Çubriloviqit “Zhdukja e shqiptarve”( 1937).  Faktet tmerruese dëshmojnë për vrasjet sistematike të popullsisë civile dhe shpërnguljen me dhunë të qindramijërave shqiptarëve në Turqi dhe vende të tjera të botës. Gjithë kjo përpjekje kulmoi me gjenocidin serb ndaj shqiptarve në vitin 1999. 

          Pas të gjitha këtyre mizorive serbe, shtrohet pyetja, si mund të bisedohet në mënyrë të barabartë me një armik kaq të ulët dhe kaq të rrezikshëm ?! Me një shtet katil të udhëhequr nga politikanë që nuk dallojnë fare nga krimineli i luftës Millosheviq, të cilët nuk janë penduar por janë të dëshpëruar pse nuk ia arritën qëllimit ta zhdukin popullin shqiptar. Qeveria shoveniste serbe e thotë haptas dhe pa kurrëfarë dileme. SERBIA NUK E NJEH KURRË PAVARËSINË E KOSOVËS. Kjo është e vetmja deklaratë e tyre e sinqertë. Të gjitha të tjerat, për kinse gatishmërinë e tyre për dialog, janë gënjeshtra dhe propagandë me qëllim të manipulimit të bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj qëllimet e ulëta serbe duhen ekspozuar.

         Realisht dhe drejtësisht, përderisa pala serbe sillet si armike, duhet edhe të trajtohet si armike. Me te nuk do të duhej biseduar fare, derisa ta pranojë fajin, të kërkojë falje për gjenocid, t’i dorëzojë kriminelët e luftës t’i kthejë të pagjeturit e fshehur dhe t’i paguaj dëmet e luftës. Por, dialogun e kërkon dhe e pret bota demokratike të cilit Qeverisja e Republikës së Kosovës nuk mund t’i iki. Megjithatë, ai duhet të jetë real dhe i bazuar në fakte, jo për t’ja bërë qejfin dhe shërbyer interesave të bashkësisë ndërkombëtare, jo për ta gjymtuar shtetin e Kosovës dhe zgjeruar shtetin serb, jo për interesa personale karrieriste, jo me përulje dhe nënshtrim siç e bëri qeverisja e gjerëtanishme në krye me Thaçin dhe Mustafën. Disa parime dhe interesa qenësore, njerëzore dhe shtetërore nuk bënë dhe nuk mund të shkelen. Përndryshe, dialogu e humbë kuptimin dhe nuk na duhet fare. 

         SERBIA MUND DHE DUHET TË MUNDET VETEM ME ZOR. Me forcën e argumenteve, drejtësisë dhe të së vërtetës. Të gjitha këto janë në anën tonë. Veçse  duhet përgaditje, përkushtim, dituri, mençuri, sinqeritet, trimëri dhe diplomaci për ta fituar këtë betejë shumë të vështirë. Bota demokratike të ballafaqohet me parime dhe vlera të cilat vetë i kultivon dhe i predikon pandalë, të cilat nuk mund t’i nënçmon, mohon dhe nuk mund t’i shkelë haptas. Suksesi mund të arrihet me veprim  paralel në dy drejtime, FORCIMI I SHTETIT DHE DIALOGU. 

          Ndërtimi dhe forcimi i shtetit të bëhet pavarësisht nga rrjedha e bisedimeve duke u bazuar në mundësinë reale që dialogu me Serbinë do të zgjasë pakufi. Duhet luftimi i pakompromis i korrupsionit, nepotizmit dhe familjarizmit ekstrem. Angazhimi i kuadrove të shkolluara profesionale në bazë të aftësive. Përmirësimi dhe forcimi i të gjitha institucioneve shtetërore dhe ngritja e shërbimeve shëndetësore dhe sociale. Zhvillimi ekonomik i orientuar nga Shqipëria dhe vendet e tjera mike, si dhe ato të cilat nuk tregojnë armiqësi të hapur ndaj shtetit të Kosovës. Forcimi i ligjit dhe sigurisë. Lehtësimi dhe thjeshtësimi i rregullave dhe ligjeve për investime të jashtme. Këto e forcojnë pozicionin e Kosovës në dialog.

         Nuk ka dialog dhe bisedime të suksesshme pa angazhimin  e drejtpërdrejt dhe rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Populli shqiptar e don dhe i beson Amerikës si vendi më i drejt dhe më demokratik në botë. Interesat strategjike të kombit amerikan, shumicës së shteteve evropiane dhe kombit shqiptar përputhen plotësisht. Amerika është i vetmi vend që mund ta bllokojë Rusinë. Për të siguruar përkrahjen e vazhdueshme për çështjen tone të drejtë, me Amerikën duhet  komunikuar dhe bashkëpunuar në mënyrë të përherëshme nëpërmjet  marëdhënieve zyrtare shtetërore, por paralelisht edhe me veprime lobiste në Kongresin amerikan. Shteti amerikan nuk bënë të kundërshtohet, por zyrtarët eventual pro-serb siç ishte ambasadori Grenell, mund të ballafaqohen dhe neutralizohen nëpërmjet kongresit amerikan me fakte dhe argumenta. Marrëveshja e tij për kinse “normalizim të marrëdhënieve ekonomike” midis agresorit dhe viktimës, ishte iluzion për interesa të kampanjës zgjedhore amerikane.

         Nuk ka forcë në botë, që mund t’ja imponojë zgjidhjen e konfliktit me Serbinë popullit të Kosovës në dëm të tij, pa dëshirën e tij. Një ndër gabimet më të mëdha historike në konfrontim me Serbinë është se populli shqiptar ka rezistuar gjithmonë në mbrojtje, si përgjigje ndaj terrorit të organizuar serb, pa plan dhe pa strategji. Tashti janë pjekur të gjitha kushtet që të kalohet në sulm të përhershëm, duke filluar nga dialogu. Me strategji të përgaditur mirë duke bërë kompromise në gjëra më të vogla e më pak të rëndësishme dhe duke ngulur këmbë në çështje të mëdha, ekzistenciale.  

-Integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës nuk mund të negociohet nga askush dhe me askend. Dhe: PIKË. PERIOD. TAÇKA.  ( për ta kuptuar të gjitha palët)

-Kërkesat serbe për asociacione të komunave të pastërta etnike brenda shtetit të Kosovës janë pa kurrëfarë baze dhe kundër vlerave multi-etnike amerikane dhe evropiane. Ato e nënkuptojnë kthimin e Serbisë në Kosovë dhe shkatërrimin e shtetit. Nuk bënë as të diskutohen. PIKË. PERIOD. TAÇKA.

-Serbia e ka humbur luftën dhe duhet të dënohet si agresore, të denazifikohet dhe shërohet nga  sëmundja e urrejtjes dhe iluzioneve për dominim.

-Bisha e tërbuar serbe duhet të ulet në bisht. Të konfrontohet me krimet dhe masakrat ç’njerëzore, në mënyra të ndryshme dhe të përhershme, përfshirë edhe dialogun, deri sa të bëhet e mundur padia ndërkombëtare për gjenocid. Duhet kërkuar hulumtimin e rolit të presidentit Vuçiq dhe të disa politikanëve të tjerë serb në krimet serbe. Atyre iu duhet bërë presion për tu deklaruar në përkrahje ose denoncim të krimeve të Milosheviqit, Karaxhiqit dhe Mladiqit.

– Shpresoj se Evropa është lodhur me përkdheljen e Serbisë me të cilën e ka kaluar çdo kufi.  Nëse dëshiron deri në vuajtje ta tërhjekë ate nga taborri ruso-kinez, gjë që është shumë e vështirë, mund t’i ofrojë  asaj diçka tjetër, jo tokat shqiptare.

-Me Serbinë mund të bisedohet vetëm për çështje ndërshtetërore, kurrsesi për punët e brendshme të shtetit të Kosovës.

-Brengat dhe të drejtat e pakicës serbe të Kosovës duhet të adresohen në mënyrë të përhershme duke biseduar me përfaqësuesit e tyre nga Kosova në prezencë ndërkombëtare (jo të Rusisë), kurrsesi nga Serbia. Nëse mediatorët insistojnë që këto të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, mund të bëhet vetëm dhe vetëm me përfshirjen në mënyrë të barabartë të shqiptarëve që jetojnë në tokat etnike të okupuara nga Serbia. Këtu vjen në shprehje reciprociteti dhe nuk ka tjetër.

– Reciprociteti ekonomik e ka rëndësinë më të madhe në rast të dështimit të bisedimeve dhe mund të bëhet kurdo, nuk i kalon koha. Kritikat e opozitës për mospërmbushjen e premtimit për reciprocitet si dhe pagesën e rrymës minoritetit serb nga qeveria Kurti, duhet injoruar. Pagesa e rrymës mund të përdoret në bisedime për t’ju treguar mediatorëve se serbët kanë të drejta më të mëdha se ju takojnë, më shumë se çdo minoritet tjetër në botë.

– Nuk ka nevojë as kurrëfarë arsye për të siguruar ekstraterritorialitet për objektet fetare ortodokse dhe monumentet kulturore. Ato janë pjesë e pasurisë kombëtare dhe shtetërore të Kosovës. Janë ruajtur dhe mbrojtur nga populli shqiptar gjatë gjithë historisë. Për këto ka fakte. Duhet kërkuar të formohet komision i përbashkët me historianë dhe shkenctarë ndërkombëtar që njëherë e përgjithmonë t’i mbyllet goja Serbisë për kinse Kosovën si “djep të civilizimit serb dhe pjesë të Serbisë”. Rëndësi ka që përfundimisht të dokumentohet dhe pranohet zyrtarisht e vërteta historike se, siç e thotë më së miri patrioti Bardhyl Mahmuti, KOSOVA ËSHTË DJEPI I BARBARISË DHE I GJENOCIDIT SERB NDAJ SHQIPTARËVE.

         Këto nuk janë gjëra të lehta. Janë detyrë, së pari e qeverisjes aktuale të Kosovës, por edhe e të gjithë të tjerëve, opozitës, gazetarve, shkrimtarve, historianve, lobistëve dhe organizatave të ndryshme në të gjitha Trojet etnike dhe diasporë. Qeveria Kurti i ka filluar mirë përgaditjet për dialog, me uljen e Serbisë aty ku duhet, në karrigen e agresorit, në Kombe të bashkuara dhe në takime rajonale.  Konsultimet me opozitën dhe figurat e rëndësishme me përvojë janë të nevojshme. Kontributi varet prej tyre, por është mirë ta dijnë se e kanë detyrë kombëtare për të ndihmuar. Opozita duhet të jetë pjesë e dialogut, por të dërgojë kuadro të reja dhe të afta, kurrsesi ata që me bisedime gati e shkatërruan shtetin.

         Populli i Republikës së Dardanisë i votoi me shumicë znj. Vjosa Osmani- Presidente dhe, Z. Albin Kurti-Kryeminister, për shumë arsye. Dy ishin pika kryesore, luftimi i korrupsionit dhe i armikut serb. Nga ata pritet fitimi i dialogut me Serbinë, si dhe shpëtimi dhe ndërtimi i shtetit të Kosovës. Nëse dështojnë në cilëndo prej tyre ata do ta humbin përkrahjen e popullit. Kritikat parimore të opozitës dhe kundërshtarëve politik është mirë të konsiderohen, të analizohen dhe të iu jepet përgjigje adekuate. Sharjet, fyerjet, ofendimet dhe kritikat joparimore është më së miri dhe më lehti të injorohen plotësisht.

        Grumbullimi i opozitës së Republikës së Kosovës në “oborrin” e kryeministrit të sapozgjedhur (me dallavere) të Shqipërisë, Edi Rama, është i çuditëshëm dhe tregon shenja të këqija. Veprimet e tij të gjerëtanishme ishin haptazi anti-kombëtare, nënshtrim i tij i plotë dhe i turpshëm ndaj  shovinistit Vuçiq dhe interesave serbe. Nëse vazhdon kështu ai do të përfundoi në “Murin e Turpit” të historisë shqiptare. Bashkë me te edhe një pjesë e opozitës së Kosovës. Inkurajon këndshëm mosprezenca e liderit të ri, të mënçur dhe largëpamës të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku. Nga ana tjetër, ishte dëshpëruese pjesëmarrja e luftarit të vërtetë të lirisë, gjeneralit të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Arësyeja e vërtetë nuk dihet, por ai nuk e ka vendin të shoqërohet me tipa si Rama, Mustafa dhe Veliu. 

         Kërcënimet e shovenistëve serb me luftë, janë të zbrazëta, naive dhe qesharake. Me hyrjen e forcave të NATO-s luftat në Evropën Juglindore kanë përfunduar përgjithmonë. Është më reale të pritet vazhdimi i aktivitetit armiqësor serb me  metoda të ndryshme, duke shfrytëzuar objektet fetare dhe kërkesat e minoritetit serb, përfshirë edhe trazirat eventuale nga bandat e infiltruara brenda tij në disa pjesë të Kosovës. Por, kombi shqiptar duhet të jetë i përgaditur, gjithmonë gati për tu mbrojtur me forcë nëse guxon ta sulmojë Serbia. UÇK-ja e heroit Adem Jashari dhe etja për liri nuk shuhen kurrë në zemrat, shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve.      

           E vërteta është se nëse populli i Dardanisë dhe Trojeve të tjera shqiptare, organizohet dhe reagojnë si komb, është më i fortë se Serbia. E ka përkrahjen e pafund dhe parezervë të mërgatës patriotike, shumë të fuqishme. Punë e madhe fort nëse Republiken e Kosovës nuk e njeh Serbia. Vetëm në kohën më të re, për dy dekada që nga viti 1981, Kosova ka qëndruar, ekzistuar dhe mbijetuar terrorin institucional serb. Për dy dekada të tjera, që nga çlirimi dhe fitorja e luftës kundër regjimit serb në vitin 1999, ka vazhduar jetën pa njohje nga Serbia, edhe pse me qeverisje të pahajrit, përveç kohës së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Me qeverisje të hajrit Kosova mund të ecë në rrugën e vet të lavdishme, pa njohje nga Serbia, për sa të ekzistojë bota.

         Reagimi si komb e nënkupton edhe angazhimin e të gjithëve në drejtim të bashkimit kombëtarë i cili ishte dhe është dëshirë dhe ideal i patriotëve më të mëdhenj të kombit. Është nevojë dhe e drejtë legjitime e çdo kombi, sidomos e popullit shqiptar të ndarë padrejtësisht në 6 shtete. Këte e di fare mirë Evropa dhe Amerika. Shqiptarët nuk kanë nevojë të kërkojnë ndryshim të kufijve me forcë, gjë që nuk e përkrahë bota demokratike. Bashkimi kombëtar mund të arrihet gradualisht, në mënyrë paqësore, duke hequr barrierat shtetërore, me lëvizje të lirë dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet. 

Ky nuk mund të krahasohet kurrë me projektin e errët serb për “Serbi të madhe” duke vrarë e masakruar qindra-mijëra njerëz me qëllim të grabitjes së tokave të tyre.

         Kombi shqiptar është komb i lashtë me traditë dhe vlera të larta njerëzore, i papërkulur dhe i pathyeshëm. 

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alickaj, dialogu, Dialogu me Serbine

Ambasada Amerikane ne Prishtine: “Dialogu duhet kthyer në binarë!”

February 28, 2019 by dgreca

1 amb Press_Logo

DEKLARATË NGA AMBASADA E SHBA-ve NË PRISHTINË/

PRISHTINË, 28 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Korrespondenti i gazetes “Dielli” ne Prishtine mori nga Ambasada e SHBA në Prishtinë mbrëmjen e sotme këtë deklaratë:Zëvendësdrejtori i Lartë për Evropë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) John Erath, dhe Drejtori i NSC-së për Çështje Evropiane, Brad Berkley, u takuan dje me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, pas vizitës në Beograd dhe takimeve me udhëheqësit e qeverisë së Serbisë. Mysafirët erdhën për të përforcuar porosinë e Presidentit Trump “për të zënë këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë”. Në të dyja kryeqytetet ata theksuan shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë se Dialogu duhet kthyer në binarë, dhe se të dyja palët duhet të ndërprejnë veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për tu kthyer në tryezën negociuese. Mysafirët përsëritën mesazhin e tyre nga letra ndërinstitucionale e 11 shkurtit se taksat në prodhimet e Serbisë dhe Bosnies janë pengesë në rrugën drejtë progresit, e minojnë partneritetin tonë, dhe duhet të pezullohen në mënyrë që Dialogu me Serbinë të lëvizë përpara. Ata theksuan urgjencën që Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik.

 

28 February 2019

STATEMENT FROM U.S. EMBASSY PRISTINA

 

National Security Council (NSC) Deputy Senior Director for Europe John Erath and NSC Director for European Affairs Brad Berkley met yesterday with President Thaci and Prime Minister Haradinaj, following their visit to Belgrade and meetings with Serbian government leaders.  The visitors came to reinforce President Trump’s message “to seize this unique moment…and refrain from actions that would make an agreement more difficult to achieve.”  They stressed in both capitals the White House’s concern the Dialogue must get back on track, and both parties must cease provocative actions and take constructive steps to return to the negotiating table.   The visitors reiterated their message of a joint interagency letter February 11 that the tariffs on Serbian and Bosnian products are an impediment towards progress, undermine our partnership, and must be suspended to move the Dialogue with Serbia forward.  They emphasized the urgency of Kosovo reaching a comprehensive normalization agreement with Serbia and U.S.-Kosovo alignment on this shared strategic interest.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasada amerikane, deklarate, dialogu, Prishtine

DIALOGU-KOSOVA PARALAJMËRON NDËRPRERJE, SERBIA KUSHTËZON

November 9, 2018 by dgreca

PRISHTINË, 9 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI/ Për dialogun Kosova paralajmëron ndërprerje, Serbia kushtëzon – janë raportimet e shtypit të sotëm të Prishtinës ndërkohë që dje në Bruksel u zhvillua një takim tjetër i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Shefja e  Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini:KOSOVA PARALAJMËRON NDËRPRERJEN E DIALOGUT ME SERBINË NËSE NUK KA LIBERALIZIM TË VIZAVE-

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe zëvendësi i tij, Enver Hoxhaj, kanë përmendur mundësinë e ndërprerjes së dialogut me Serbinë nëse Këshilli i Ministrave të BE-së në muajin dhjetor nuk e vendos në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ata e kanë vlerësuar të arsyeshëm ndërlidhjen e këtyre dy proceseve në qoftë se BE-ja nuk e mban pretimin e dhënë për vizat, shkruan gazeta “Epoka e re”.

Sipas tyre, nuk është e drejtë që Kosovës t’i bëhet presion për dialog duke ua mohuar qytetarëve të saj të drejtën për të lëvizur pa viza në Zonën Shengen.

 SERBIA KUSHTËZON VAZHDIMIN E DIALOGUT ME TËRHEQJEN E TAKSËS PËR MALLRAT SERBE NË KOSOVË

Takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndodhi në Bruksel të enjten mbrëma, edhe pse kishte spekulime se mund të mos vinte deri tek ai takim për shkak të acarimit të Serbisë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të vendosur taksa për mallrat që importohen nga Serbia.

Por edhe pse ndodhi, takimi ishte më i shkurtër sesa që pritej, shkruan sot Koha Ditore.

Si zakonisht, lehtësuesja e dialogut, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, së pari pati takime dypalëshe, fillimisht me presidentin e Kosovës e pastaj me atë të Serbisë, për të vazhduar në një takim jo edhe aq të gjatë me të dy presidentët së bashku.

Por pas takimit të të dy presidentëve, Vuçiqi tha se vazhdimi i dialogut varet nga “pala shqiptare”, e cila “nuk po zbaton asnjë marrëveshje që ka nënshkruar”, duke kritikuar Kosovën për shkelje të Marrëveshjes për CEFTA me vendosjen e taksës prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia, si dhe për atë që ai e quajti “kërcënim ndaj serbëve të veriut”, duke menduar në deklaratën e kryeministrit Haradinaj për vendosjen e një togu të ushtrisë së Kosovës edhe në veri./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: dialogu, Kosova nderpreje, Serbia-Kushte

Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë

October 31, 2018 by dgreca

1 Kuvendi

Kuvendi i Kosovës ka filluar me seancën e jashtëzakonshme në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Për mbajtjen e seancës u vendos në Kryesinë e Kuvendit pas kërkesës Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbështetur nga 42 deputetë.

Në emër të LDK-së, parti kjo që ka kërkuar këtë debat, shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti kërkoi mbështetjen e deputetëve për të miratuar një rezolutë me të cilën presidentit Hashim Thaçi do t’i pamundësohej të negociojë me Serbinë çështjen e kufirit të Kosovës.

Ai tha se qasja e presidentit që në negociata me Serbinë të diskutohet çështja e kufirit, është jokushtetuese dhe e dëmshme.

Hoti tha se presidenti Thaçi është duke mashtruar kur thotë se ka mbështetje ndërkombëtare për idenë e korrigjimit të kufijve. Ai e ka quajtur korrigjimin e kufjeve ide të Beogradit dhe Moskës për të penguar zhvillimin dhe fuqizimin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës.

“Dëmet tani janë bërë për këto veprime të presidentit. E para, është krijuar pasiguri e madhe qytetare, ekonomike dhe sociale si asnjëherë më parë. Vlerësimet tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve ka arritur nivelin rekord, me mbi 80 për qind të qytetarëve që janë të pakënaqur me rrjedhat politike në Kosovë. E dyta, janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë të Kosovës dhe të shteteve mike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është e qartë se këto veprime të presidentit janë anti-kushtetuese”, tha Hoti.Sipas Hotit, rishikimi i kufjeve të Kosovës, nënkupton ribërjen e shtetit të Kosovës.

LDK propozoi që dialogu me Serbinë të vazhdojë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme dhe pas formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniq, tha se kjo parti politike e përkrahë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se duhet konsensus politik për të përfunduar këtë proces.

“Ne jemi pro dialogut, si mënyra më e mirë për arritjen e qëllimeve tona si shtet, por në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit dhe i shtetësisë së Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë, i funksionimit unitar të shtetit dhe të kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu çfarëdo marrëveshje që do të mund të arrihet me Serbinë, nuk mund të jetë e vlefshme pa u ratifikuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se janë vetëm spekulime ato që thuhen sa i takon ndarjes apo ndryshimit të kufijve.

Korrigjimin e kufirit, Krasniqi e quajti ide të rrezikshme dhe tha se do ta dëmtojë Kosovën në procesin e bisedimeve duke krijuar argumente pikërisht në favor të oponentëve që janë kundër Kosovës dhe që dëshirojnë ndarjen e vendit.

Në emër të koalicionit qeverisës, Memli Krasniqi ka dhënë disa propozime të cilat, sipas tij, duhet të jenë baza e çfarëdo rezolute që do të nxjerrë Kuvendi pas debatit të sotëm. Në mesin e pikave është mbështetja e procesit të dialogut me rezultat final, njohjen reciproke.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se me çdo kusht duhet që presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi t’i kufizohen temat për të cilat ai mund të bisedojë në Bruksel.

Konjufca ka propozuar që në rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës të përfshihet edhe një pikë përmes së cilës presidentit Thaçi i ndalohet që të takohet me përfaqësuesit politik nga Serbia dhe t’i ndalohet që të marrë vendime në emër të Kosovës.

“Për herë të parë një president i ka kontestua kufijtë e vet. Kjo ja mundëson Serbisë që t’u thotë faktorëve ndërkombëtarë që për Kosovën diçka nuk është në rregull dhe që dialogu po vazhdon, prandaj kjo me të vërtetë i ngadalëson dhe i jep një goditje të pakthyeshme edhe procesit të njohjeve të Kosovës, sepse nëse krejt njohjet kanë ndodhur për shkak se Kosova po e kompleton shtetin e vet, tash për një moment edhe drejtimi politik i temave ndërron të cilat ne i flasim në Kosovë. Kjo është një favor i jashtëzakonshëm për Serbinë”, tha Konjufca.

Ai tha se hapja e çështjes së kufijve përpos problemeve politike që i ka shkaktuar, shkakton edhe dëme ekonomike, pasi asnjë investitor nuk dëshiron të shkojë në një vend ku ende diskutohet për kufij.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Vesli kërkoi që të gjitha subjektet politike së bashku të ulën dhe të krijojnë një rezolutë, platformë për dialog.

Veseli u shpreh se nëse arrihet një konsensus dhe subjektet politike ulën së bashku për të dalë me një qëndrim të përbashkët, atëherë sipas tij, edhe presidenti Hashim Thaçi do të respektojë çdo pikë të rezolutës që do të mund të votohej për dialogun me Serbinë.

“Ejani ulemi bashkërisht edhe njëherë. Ndahen grupet parlamentare, ulën, e konsumojmë debatin, krejt deputetët flasin, deri në fund për mos i me i mbetur borxh askujt, por ajo çka është kryesore, një marrëveshje duhet ta kemi sot. T’i dërgojmë një mesazh një të riu në Kosovë, një ndërmarrësi në Kosovë, një partneri të Kosovës se Kosova e ka një qëndrim”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili është emëruar nga Qeveria për të udhëhequr ekipin negociator të Kosovës, ka thënë se kërkesa e ekzekutivit për t’u bërë bashkë, nga opozita duhet të shihet si nivel i ngritur i përgjegjësisë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë që të vijë dhe të lusë Kuvendin për të zhvilluar negociata. Por, kjo çfarë ne po bëjmë sot, po duam një format tjetër, që të jemi të përgjegjshëm, sepse nuk ka pasur nevojë që të vijmë këtu për të kërkuar as votë as asgjë për të zhvilluar negociata sikur që ka ndodhur në të kaluarën, por rezultatet i kemi keq. Qeveria e përgjegjshme e Kosovës, po dëshiron, ka dëshirë, duhet që Parlamenti i Kosovës, të gjitha grupet, të jemi bashkë dhe ky proces të jetë edhe transparent edhe i përgjegjshëm dhe në fund me rezultat pozitiv”, theksoi Limaj.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje partive opozitare dhe atyre në pushtet që të angazhohen në gjetjen e një forme të përbashkët për harmonizuar një rezolute.

“Në rast se këto tri i shkrijmë në një, atëherë unë jam i sigurt që del një e gjetur e mirë dhe i japim mandat ekipit tonë negociues, po ashtu i dërgojmë edhe përfaqësuesit nga partitë e tjera opozitare dhe të shkojmë si njerëz, sikur e patëm te ushtria unitetin e përbashkët, ta kemi edhe në dialog me Serbinë. Ata zotërinjtë janë duke ecur me të madhe në avans para Kosovës. Kurse Kosova nuk është duke avancuar në çka i kërkohet”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Kosovës aktualisht nuk i duhet rezolutë, por platformë për bisedimeve. Molliqaj ishte kritik si ndaj opozitës ashtu edhe ndaj Qeverisë.

“Kosova nuk ka më nevojë për rezolutë, sepse siç po e shihni, asnjë nga rezolutat nuk po dallon, as e opozitës as e pushtetit e as e opozitës. Kosova sot ka nevojë që të mbërrijë dhe të ndërtojë platformë për dialogun. Pse nuk po ndodh kjo? Sepse opozita po thotë meqenëse Qeveria nuk i ka votat për dialog, ne duam zgjedhje legjitime. Pse po i dëshiron zgjedhjet? Për të shkuar në pushtet. Prapë legjitime. Pse s’po i dëshiron Qeveria ose pushteti zgjedhjet? Prapë për të qëndruar në pushtet. Edhe kjo legjitime. Por, në anën tjetër duhet thënë sot se dikush dëshiron zgjedhje para dialogut e dikush dëshiron zgjedhje pas dialogut e mundësisht deri në fund të mandatit”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se rezoluta e propozuar nga LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk do të ketë asnjë lloj efekti politik.

Mbajtja e një seance me të njëjtën kërkesë ishte provuar edhe javë më parë, por kishte qenë e pamundur për shkak të mungesës së kuorumit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar kohë me parë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai do të paraqesë idenë e tij, siç e quan ai, të “korrigjimit të kufirit”. Sipas presidentit Thaçi, kjo ide nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: dialogu, korniza, Kuvendi i kosoves

Kompromiset, mundësi të vetme për konsensus për dialogun

October 30, 2018 by dgreca

1 THaci VucicÇështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka polarizuar skajshëm pozicionet e partive politike në Kosovë dhe ajo ende mbetet “mollë sherri” ndërmjet partive në pushtet dhe opozitë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas tyre, arritja e një konsensusi të spektrit politik lidhur me këtë temë është mjaft e vështirë, ndonëse jo e pamundur. Përderisa ditëve të fundit, liderët institucional dhe të partive politike, kryesisht të atyre në pushtet, kanë bërë thirrje për arritjen e një uniteti lidhur me qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi, Kryesia e Kuvendit të Kosovës tashmë ka vendosur që të mërkurën, më 31 tetor, të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, me kërkesën e partive opozitare.

Temë e debatit të kësaj seance, siç është thënë, do të jetë “angazhimi i presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufijve’ në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që, për të ndryshuar situatën në të cilën partitë politike janë pozicionuar skajshëm, është i domosdoshëm vullneti politik dhe veprimet konkrete, të cilat kanë munguar deri më tash. Ai thekson që lidhur me dialogun kanë qenë dy tema për të cilat është diskutuar, përfaqësimi apo kush do ta udhëheqë dialogun dhe “vijat e kuqe” apo çështja e moscenimit të territorit.

“Nëse do të shkohet me idenë që nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëmbim të territoreve, besoj që në këtë pikë do të mund të merreshin vesh pak më lehtë. Mirëpo, kur vjen puna te përfaqësimi, ekziston ajo ‘molla e sherrit’ që quhet president i Republikës së Kosovës, sepse Partia Demokratike e Kosovës është në përkrahje të asaj që presidenti të udhëheqë me dialogun. AAK-ja dhe Nisma nuk është se kanë ndonjë pozicionim shumë të prerë, sepse varësisht se si po zhvillohen ngjarjet politike, janë për ose kundër”.

“Ka pasur lëvizje të vazhdueshme në këtë pozicionim. Ndërkaq, e dimë qëndrimin e subjekteve opozitare, të cilat janë duke kundërshtuar fuqishëm dhe konsensusi është pak sa më i vështirë të arrihet për çështjen e përfaqësimit”, theksoi Murati.(Kortezi:Bekim Bislimi RFL)

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dialogu, Kompromiset, konsensus

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Skënderbeu, strateg dhe arkitekt i një projekti europian për Shqipërinë
  • Strategjia e Izraelit dhe Mësimet e Tukididit
  • NEOSHQIPTARIZMI SI VIZION E MISION KOMBËTAR
  • Akademik Zymer Neziri është përzgjedhur anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, Humanistikës dhe Letërsisë (Akademia Europaea)
  • 1922 / LETRA E BEQIR HAÇIT, QË FITOI ÇMIMIN E PARË, DREJTUAR TË RINJVE AMERIKANË TË KRYQIT TË KUQ
  • Vatra kërkon drejtësi për “Kumanovën”
  • 𝟗 𝐌𝐀𝐉𝐈 – 𝐃𝐈𝐓𝐀 𝐄 𝐄𝐕𝐑𝐎𝐏𝐄̈𝐒
  • Book Promotion Event: “Who Cursed Us…!?” & “Sorrow and Hope”
  • Kush është Robert Prevost, Papa i ri Leoni XIV?
  • “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”
  • “LIVIA”, ROMANI PËR FAMILJEN DHE DEVIJIMET GLOBALISTE
  • Konsullata e Kosovës në Iowa, dhuroi Abetare për shkollën shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago
  • Promovohet në Tiranë poema e Luan Ramës “Ode për tempujt që nuk u harruan”
  • Shqipëria dhe Kosova – një lis me dy degë
  • VATRA TELEGRAM URIMI VATIKANIT PËR ZGJEDHJEN E PAPA LEONIT XIV SI KREU I RI I KISHËS KATOLIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT