• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË DITËLINDJEN E SHËN NËNË TEREZËS AKADEMI SOLEMNE NË KATEDRALEN E PRISHTINËS

August 26, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 26 Gusht 2021/ Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 5 vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon Akademi Solemne, në mbrëmjen e ditës së sotme – 26 Gusht 2021, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Sipas programit, në akademinë që hapet nga Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, flet edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës. Pjesë e akademisë janë edhe pika muzikore dhe promovimi i dy librave: Libri i përkthyer në italisht i Don Lush Gjergjit “Conversazioni con Madre Teresa”, botues Velar & Edizioni Dotrinari – viti 2021, dhe libri i Don Fatmir Koliqit “Kulturë e krishterë. I. Dromca identitare”, botuese Drita – viti 2021.

Me rastin e 111 vjetorit të lindjes dhe në vigjilje të 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vendosi lule të freskëta pranë shtatores së saj në sheshin që mban emrin e saj, dhe me ç’rast mbajti një fjalë rasti. Para të pranishmëve, në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se “Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët”. Ai shtoi se sot përkulemi pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila “me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”. Çdo vit, Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup, organizon aktivitetet të ndryshme me rastin e ditëlindjes dhe shenjtërimin e Nënës Terezë. Këtë vit, ndryshe nga e kaluara, nga 26 Gushti deri 5 Shtator, në Shkup dhe Prishtinë do të mbahet manifestimi kulturore “Drita e Gonxhës”, gjatë së cilës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në nder të jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016). Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja, Nëna Terezë pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve. Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut. Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”. “Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në Qershor 2010 “Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi. Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”. Po ashtu, Zefi tregonte se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë. “Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë… Gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005, për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinali i Uashingtonit Teodor Mekkerik.“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Në Prishtinë, në festën e gurthemelit të Katedrales nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA ishin Agim Rexhaj tani President Nderi dhe Marjan Cubi tani anëtar i Kryesisë dhe arkatar, të cilët së bashku ishin edhe në 13 Gusht 2021 kur në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza u shfaq dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës, me regji të Ilir Buçpapajt, gazetarit të njohur të Radio Televizionit Shqiptar. Kërë verë dokumentari erdhi në Prishtinë nga Nju Jorku, ku më parë është shfaqur të dielën e 13 Qershorit 2021 në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”…Edhe në ceremoninë festive të shfaqjes së dokumentarit në kryeqytetin e Kosovës u theksua me shumë mirënohje se shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, me kryetar Marjan Cubin, në Nju Jork dhe rrethinë kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar. FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI TE SHTATORJA E NËNËS TEREZË NË PRISHTINË I nderuar Dom Lush Gjergji,I nderuar z. Skënder Asani, drejtor i Institutit të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup,Të nderuar ministra znj. Rozeta Hajdari e z. Hajrulla Çeku,Miq shkupjanë, z. Emin Azemi, z. Mehmet Prishtina, z. Anton Nikë Berisha,Të nderuar të pranishëm,Nënë Tereza, ky është emri botëror i Gonxhe Bojaxhiut. Po t’i rikthehemi historisë sonë, të hapërdarë nëpër fakte të historisë zyrtare të kombeve të tjerë, ne do të shquajmë emra shqiptarësh, papë e vezirë, perandorë e strategë, shkencëtarë e guvernatorë, poetë e kompozitorë. Duket pra sikur shqiptarët individualisht kërkojnë kauza përtej territorit të caktuar nga lindja për territore të caktuar nga ndonjë e vërtetë më e lartë. Jam këtu para mbartësve të kësaj nisme, dhe organizata juaj e ka në emrin e vet edhe shpirtëroren edhe kulturoren, pra edhe mistiken edhe konkreten. Sot ky institut po nderon Nënë Terezën. Nënë Tereza, ja një emër që zbulon në treva të largëta mjerimin që mund të gjendet në trevat tona, ende sot. Me sytë e kthjellët të mëshirës, kjo grua, kjo zonjë dalloi të njëjtën vulë të trishtimit mbi shtrirjet e globit. Aq sa e shtriu mëshirën, për aq e meritoi çmimin botëror të paqes. Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkoi në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto, që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve. Pikërisht këto vlera të tjera, të tjerët i dalluan, si vlera që ata nuk i kishin, e që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët.Ajo ishte një nga nënat shqiptare, e cila me mirësi dhe bujari, duke sakrifikuar edhe veten u ndihmoi atyre që kishin nevojë: fëmijëve që vuanin nga uria, të kërbulëve që u duhej përkujdesja, duke u shëruar plagët e tyre në kushte të pamundura. Ajo frymëzoi me qindra, pastaj me mijëra e mandej miliona njerëz, dhe ua ktheu dinjitetin e atyre që mbase mendonin që edhe Zoti i kishte harruar. Shpesh herë kam menduar se sa nëna shqiptare nuk e kishin atë fat, siç e kishte ajo kur kapërceu pragun e derës së atdheut, për të shpaluar vlerat e veta, dhe sa fatbardhë jemi ne si shqiptarë, pjesëtarë të edukatës nënëtereziane që shkojmë rrugës së saj. Ajo me lutje na përcjellë edhe sot, në rrugëtimin tonë si komb, aspak të lehtë, por një udhërrëfim ky, që jep shpresë dhe dritë.Duket sikur ne i kemi në gjirin tonë të gjitha format e besimit më të thellë, dhe sikur presim t’i shpallim universalisht prej trupave tanë individualë. Gonxhja lindi shqiptare.Gonxhe Bojaxhiu lindi këtu, në këto treva, mes njerëzve dhe kohëve tona. Me atë trup të thjeshtë e të brishtë, por me atë thellësi shpirtërore ku ka vend aq shumë, sa njerëzorja të gjejë shprehjen e saj më të thekshme të besimit. Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Tereza. Kur shpirtërorja e kthen një trup njeriu në bartësin e mirësisë pa kufij, atëherë e quajnë të shenjtë. Ata që janë të autorizuar të shpërndajnë tituj të tillë, e emërtuan e shenjta Nënë Terezë. Përmes kësaj zonje, përmes kësaj Nëne, dëshmia na vjen për lartësinë e shpirtit që në mundësitë tona e kemi të gjithë. Ajo është një shembull, ajo është e shenjta e mirësisë që njeriu, cilado qoftë treva e thjeshtë e origjinës së tij, mund ta shpërndajë nëpër rruzull. Diku para dhjetë vitesh, ndoshta pianisti më i madh në botë, Çikolini, tek e ndjente se do ta linte këtë jetë, u shfaq në qytetin e lashtë shqiptar të Shkodrës, në teatrin e famshëm të këtij qyteti shqiptar dhe dha një koncert. Para se të hapte koncertin, çuditërisht pa kërkuar asnjë pagesë, iu drejtua publikut më të vogël të jetës së tij: “Nuk mund të ndahesha nga kjo botë pa luajtur në piano për një prej vatrave të Nënë Terezës”. Ai e ndjente se po luante për njerëzit e saj. Në kohët që vijnë, le ta ndjejmë se ne do të shpërndajmë mirësi mes nesh, se do të ndajmë besim mes nesh, se do të vendosim besim mes nesh. Vetëm kështu, kohët që do të vijnë do të jenë të shenjtëruara. Sot po përkulem pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte por kur ai e meritonte.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Nene Tereza, Prishtine

Vizita e delegacionit amerikan synon jetësimin e marrëveshjes së Uashingtonit

September 21, 2020 by dgreca

Në Kosovë, të hënën do të qëndrojë një delegacion i qeverisë amerikane i kryesuar nga Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC).

Pjesë e këtij delegacioni, i cili deri më 25 shtator do të udhëtojë edhe në Beograd, Athinë, dhe Izrael, do të jetë edhe dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Në njoftim të DFC-së, theksohet se çështjet të cilat do të diskutohen kryesisht kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal si dhe në Lindje të Mesme.

Kjo vizitë në Kosovë do të ndodhë pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpine e Bardhë në Uashington më 4 shtator, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Deri më tani, është konfirmuar takimi me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Nga kabineti i tij është thënë se “kjo vizitë bëhet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë”.

Grenell, të dielen mbrëma, përmes Twitterit ka deklaruar se “implementimi i marreveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet i administratës së presidentit Trump”…


Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?

DFC pritet që bashkë me Bankën amerikane për Eksport-Import të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.

Ndryshe, Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, më 15 shtator kanë nënshkruar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.

“Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal, duke lidhur Nishin me Prishtinën. Po ashtu, do të shërbejë si simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re dhe transformuese të këtyre dy vendeve fqinje”, kishte thënë Boelher.

Nga Prishtina, delegacioni amerikan pritet të udhëtojë në Beograd, ku DFC do të hapë zyrën e vet.

Kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Delegacioni amerikan, Prishtine, Vizita e delegacionit

Ambasada Amerikane ne Prishtine: “Dialogu duhet kthyer në binarë!”

February 28, 2019 by dgreca

1 amb Press_Logo

DEKLARATË NGA AMBASADA E SHBA-ve NË PRISHTINË/

PRISHTINË, 28 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Korrespondenti i gazetes “Dielli” ne Prishtine mori nga Ambasada e SHBA në Prishtinë mbrëmjen e sotme këtë deklaratë:Zëvendësdrejtori i Lartë për Evropë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) John Erath, dhe Drejtori i NSC-së për Çështje Evropiane, Brad Berkley, u takuan dje me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, pas vizitës në Beograd dhe takimeve me udhëheqësit e qeverisë së Serbisë. Mysafirët erdhën për të përforcuar porosinë e Presidentit Trump “për të zënë këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë”. Në të dyja kryeqytetet ata theksuan shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë se Dialogu duhet kthyer në binarë, dhe se të dyja palët duhet të ndërprejnë veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për tu kthyer në tryezën negociuese. Mysafirët përsëritën mesazhin e tyre nga letra ndërinstitucionale e 11 shkurtit se taksat në prodhimet e Serbisë dhe Bosnies janë pengesë në rrugën drejtë progresit, e minojnë partneritetin tonë, dhe duhet të pezullohen në mënyrë që Dialogu me Serbinë të lëvizë përpara. Ata theksuan urgjencën që Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik.

 

28 February 2019

STATEMENT FROM U.S. EMBASSY PRISTINA

 

National Security Council (NSC) Deputy Senior Director for Europe John Erath and NSC Director for European Affairs Brad Berkley met yesterday with President Thaci and Prime Minister Haradinaj, following their visit to Belgrade and meetings with Serbian government leaders.  The visitors came to reinforce President Trump’s message “to seize this unique moment…and refrain from actions that would make an agreement more difficult to achieve.”  They stressed in both capitals the White House’s concern the Dialogue must get back on track, and both parties must cease provocative actions and take constructive steps to return to the negotiating table.   The visitors reiterated their message of a joint interagency letter February 11 that the tariffs on Serbian and Bosnian products are an impediment towards progress, undermine our partnership, and must be suspended to move the Dialogue with Serbia forward.  They emphasized the urgency of Kosovo reaching a comprehensive normalization agreement with Serbia and U.S.-Kosovo alignment on this shared strategic interest.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasada amerikane, deklarate, dialogu, Prishtine

Dy Amerikat dhe dy grupimet proamerikane në Prishtinë!

January 31, 2019 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

Taksa e qeverisë së Kosovës për mallrat serbe dhe boshnjake, e vendosur në dhjetorin e kaluar ka shkaktuar debate të mëdha brenda spektrit politik të vendit. Debati ka marrë drejtim aspak normal, sepse kundërshtarët e kësaj takse nën regjinë e presidentit Thaçi kanë filluar ta interpretojnë mosheqjen e saj si qëndrim antiamerikan të kryeministrit Haradinaj. Ndërkohë zoti Haradinaj, në përgjigje të kësaj akuze thotë se “Taksa nuk është kundër SHBA-ve, ajo drejtohet kundër Serbisë, prapa së cilës qëndron Rusia”! Debatin e ka nxit së tepërmi intervenimi intensiv i ambasadës amerikane me kërkesën ultimative për heqjen e kësaj takse. Madje në një deklaratë të saj thuhej se “mosheqja e taksës ndaj mallrave serbe është cënim i interesit straegjik të SHBA-ve”! Dje këshilltari për Siguri Kombëtare, Bolton, telefonoi në Prishtinë dhe përsëriti presionin për heqjen e kësaj takse. Sot ambasadori Philip S. Kosnett takoi autoritetet kryesore të Prishtinës dhe për të disatën herë kërkoi heqjen e taksës me Serbinë. Ndërkohë kryeministri paralajmëroi se në javën e ardhshme publiku do të ballafaqohet me ngjarje dramatike! Panorama është trishtuese, sepse gjithsa ndodh në Kosovën jostabile e të padefinuar përfundimisht si shtet sovran krijon huti dhe undësi që shteti të shkërmoqet. Heqja e taksës konsiderohet si kusht i vazhdimit të bisedimeve Beograd-Prishtinë, gjë për të cilën është i interesuar aq shumë Uashingtoni. Por këto bisedime tashmë janë kthyer në favor të politikës dhe diplomacisë së Serbisë dhe me shumë gjasa ato të përfundojnë në cënimin e integritetit territorial të Kosovës. Presidenti serb, Vuçiq, para pak ditësh pranoi publikisht se me bisedimet e Brukselit “Beogradi fitoi kohën e duhur për t’ju kundërvënë Kosovës”! Në këtë situatë avantazhi Beogradi bëri gjithçka që të nxisë aktorët amerikanë për të bërë presion në Prishtinë për heqjen e taksës. Në këtë aksion presidentit serb i erdhi në ndihmë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili udhëtoi disa herë në Uashington, i sponsorizuar prej Vuçiq, me qëllim që të bindë zotin Bolton për një zgjidhje të konfliktit në favor të Serbisë. Duke analizuar gjithçka ka ndodhur më duhet të theksoj mendimin tim se nëse SHBA-të janë të interesuara për vazhdimin e dialogut ato nuk kanë asnjë interes strategjik që ky dialog të çojë në cënimin e territorit të Kosovës. Edhe sikur interesi amerikan për këtë territor të jetë minor e i papërfillshëm, nga kjo zgjidhje do të përfitojë Serbia dhe Rusia. Një zgjidhje që favorizon Serbinë dhe Rusinë nuk mund të jetë interes jetik amerikan, me çka interpretohet ndërhyrja e Uashingtonit në Prishtinë. Taksa në vetëvete adresohet kundër Beogradit dhe Moskës ndërkohë që Moska shfaqet si armike e Amerikës dhe Beogradi ai aleat i Moskës! Kësisoj as heqja e taksës, as ndryshimi i kufijve nuk mund të jenë interes amerikan. Në një raport të inteligjencies amerikane të publikuar sot thuhet se “Mundësia e një konflikti të hapur ushtarak dhe ndikimi i Rusisë, mbeten kërcënimet kryesore për sigurinë e Ballkanit Perendimor për vitin 2019! Dhe nëse është kështu atëherë duket qartë se ndarja e Kosovës si interes rus nuk mund të jetë gjithashtu interes amerikan. Nëse kthehet kjo ndarje në “interes amerikan” për këtë kanë rol skenarët e hartuar në Beograd. Duke e ditur këtë fakt, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi kanë hartuar një strategji të re serbe, me qëllim që ta joshin Amerikën pro zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb me ndryshime kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë. Vuçiq ka premtuar dhe Rama e Thaçi kanë dëshmuar e garantuar, se “Serbia është e gatshme të anëtarësohet në NATO, nëse SHBA-të mbështesin ndarjen e territorit të Kosovës në favor të territorit serb”! Hyrja në lojën serbe të kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Kosovës i jep pamje të besueshme edhe procesit të bisedimeve dhe rezultatit të tij me ndarjen e Kosovës, si dhe jep më shumë garanci se “Serbia do të jetë në të ardhmen pjesë e NATO-s”, çka do të thotë se do të shndërrohet në bastion antirus në Ballkan dhe në Europë. A mund të ndodh kjo dhe si mund të përfitojë Kosova prej këtij procesi dhe përfundimi? Do ta pranojmë se Serbia pas marrjes së Trepçes do të jetë dakord të bëhet pjesë e NATO-s. E pranojmë dhe premtimin e Hashim Thaçit se “Serbia do ta njohë Kosovën”. Por a do ta pranojë Kosovën Moska?! Në rastin kur Serbia tërhiqet nga orbita ruse, Kremlini do të marrë pozicion antiserb e për pasojë do të vazhdojë të mos e njohë shtetin e Kosovës. Pa njohje në Këshillin e Sigurimit nuk mund të ketë ulëse në OKB! Që do të thotë se Kosova mbetet edhe më tej një problem i pazgjidhur, kësaj here me integritet territorial të cunguar. Ndërkaq anëtarësimi i Serbisë në NATO do të bënte që Kremlini të ndërhynte dhe vendi do të shkonte në luftë civile. Kurrë nuk do të pajtohej Vladimir Putin që vota e Beogradit t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut kundër tij! Ndaj ai do aktivizonte gjitha potencialet proruse në Serbi me qëllim rrëzimin e liderëve properendimorë. Në këtë rast do të dështonte edhe anëtarësimi i Serbisë në BE. Unë besoj se kjo llogari është bërë në hava! Refuzimi i Haradinajt për të mos heq taksën me Serbinë i ka dhënë shansin sponsorëve të ndarjes së Kosovës të venë bast për “miqësinë me SHBA-të”?! Hashim Thaçi foli sot për individë ose axhendë antiamerikane, ndërsa Xhavit Haliti dje kërkoi që prokuroria të hetojë ata “që prishin marrëdhëniet me SHBA-të”! Ky i fundit në vend të kërkojë hetimin e shefit të tij, presidentit të Kosovës, për cënim të integritetit territorial të vendit në favor të Serbisë, shpik si “shkelje penale, nëse dikush kundërshton një kërkesë të njërës Amerikë”! Po si qëndron e vërteta? Vënia e taksës ishte kërkesë amerikane. Ashtu siç është sot kërkesa për heqjen e saj po ashtu një kërkesë amerikane. Vënien e taksës e kishte rekomanduar sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mathis, si masë dhe kundër ndarjes së Kosovës . Mattis u shkarkua. Por kjo kërkesë ka sot mbështetjen e kongresmenëve demokratë e para së gjithash të kryetarit të Komitetit të Jashtëm, Eliot Engel. Ndërkohë nuk ka mbështetjen e Jon Bolton, i cili për fatin e keq të Kosovës, sot gjendet në krye të institucionit më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare në Amerikë. Jon Bolton ishte në shkurt të vitit 2008 kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndaj dhe nuk ka problem nëse procesi për Kosovën kthehet para 17 shkurtit të atij viti. Kësisoj shohim se Bolton mbështet dhe mbështetet nga ideatorët e ndarjes së Kosovës, Edi Rama e Hashim Thaçi, me të cilët ka zhvilluar bisedë telefonike dje dhe sot. Sponsiorët amerikanë të pavarësisë së Kosovës janë kundër Thaçit dhe Ramës, pra edhe kundër ndarjes së Kosovës e pro taksës ndaj Serbisë. Kështu Haradinaj gëzon mbështetjen e kësaj pjese të Amerikës, ndërkohë që kërcënohet nga Amerika e Bolton. Pala proserbe, Rama e Thaçi, mbështëtin e mbështeten te antikosovari, Bolton, Haradinaj te prokosovari i dëshmuar, Eliot Engel e të tjerë! Amerika është e ndarë aq sa mund të thuhet se Trump ka krijuar dy Amerika. Siç po shihet, njëra është me Kosovën dhe tjetra kundër saj. Duke qenë dy Amerika edhe në Prishtinë u krijuan dy grupime. Njëri proamerikan e në favor të Kosovës dhe tjetri proamerikan e në favor të Serbisë! Se Amerika bëhet dy ose tri pjesësh, ky është problem i saj. Po që presidenti i Kosovës t’i bashkohet Amerikës proserbe, kjo është përgjegjësi e Hashim Thaçit. Kështu që ndër dy grupet pro dy Amerikave, para drejtësisë duhet të shkojë grupi i atyre që mbështesin orekset e Serbisë për të pushtuar territoret e Kosovës! Apo jo Xhavit Haliti?! Tirane, 31.01.2019

Filed Under: Analiza Tagged With: d grupimet, Dy Amerikat, Prishtine, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Festa e Shën Nënë Terezës në Katedralen në Prishtinë

September 5, 2018 by dgreca

1 Kated jash-Para një viti, në 5 Shtator 2017, u bë shugurimi i Katedrales Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, në festën shumë solemne dhe madhështore me pjesëmarrje edhe shqiptarësh – vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet/2 Kated

-Para 15 viteve, në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003,  Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II, në pritjen në audiencë, me përgatitjet që po bënte Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë. 6 Katedr

Gurthemeli i Katedrales është vënë në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë/1 zefi ne qender

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*1 Marjani ne qender

PRISHTINË, 5 Shtator 2018/  Në Festën e Shën Nënë Terezës 2018, sot në mesditë në Katedralen me emrin e saj në Prishtinë mbahet Mesha solemne, e udhëhequr nga Delegati Apostolik për Kosovë,  Monsinjor  Juliusz Janusz dhe Ipeshkvi i Kosovës,  Imzot Dodë Gjergji.1 Imzot Dode Gjergji

“Sivjet, në mënyrë të veçantë do të kujtojmë 1 vjetorin e shugurimit të Katedrales dhe 90 vjetorin e nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës për misione në Kalkuta të Indisë”, theksojnë në Ipeshkvinë e Kosovës.1 Rugova

Në Kosovë, Ditët e Nënë Terezës nisën në përvjetorin e ditëlindjes së saj në 26 Gusht të vitit 1910 për t’u përmbyllur në 5 Shtator – në ditën e përvjetorit të kalimit në amshim në vitin 1997.1 Papa Pali II

Në ditën e parë, Ipeshkvia e Kosovës, me rastin 90 vjetorit të nisjes së Shën Nënë Terezës për në Indi organizoi Akademi kulturore-shpirtërore në Katedralen me emrin e Shenjëtëreshës Shqiptare, ku u hap edhe një ekspozitë me dokumente sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, në 550 vjetorin e vdekjes së tij,  e përgatitur nga studiuesi Dr. Gjon Berisha.1 NobelShqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).

Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë para një viti në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh- vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, atëherë Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Në vitin 2003, më 19 tetor, Presidenti Ibrahim Rugova në Vatikan ka marrë pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i Dytë ka lumturuar Nënën Terezën, së cilës Vatikani iu referohet si “Nënë Tereza e Kalkutës”.Në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003, ditë e  shtunë, Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II-të e priti në audiencë Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Audienca, që zgjati rreth 20 minuta, ishte shumë e përzemërt.
Në fillim Presidenti Rugova e falënderoi Papa Gjon Palin II për beatifikimin e Nënës Tereze. Pastaj, Presidenti Rugova e njoftoi Atin e Shenjtë me progresin që është arritur në Kosovë në të gjitha fushat e jetës.

Presidenti kërkoi nga Ati i Shenjtë që që të lutet dhe të ushtrojë ndikimin e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II me përgatitjet që po bën Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë.
Ati i Shenjtë e vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë dhe shprehu interesimin e tij për shumë çështje të zhvillimeve pozitive në Kosovë.
Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e përmendi edhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve.
Presidenti Rugova ia uroi Papës Gjon Pali II Këshëndellat dhe Vitin e Ri, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë. Poashtu, edhe Ati i Shenjtë i uroi Presidentit të Kosovës Kërshëndellat dhe Vitin e Ri.
Në fund të audiencës, Presidenti Rugova i dhuroi disa dhurata Papës Gjon Pali II: Medalonin e Nënës Tereze, Medalonin e Lidhjes së Prizrenit, si dhe kristale të çmueshme të Kosovës.

Ati i Shenjtë i dhuroi Presidentit Rugova medalje papnore të punuara me rastin e 25-vjetorit të shërbimit të tij si Papë.

Pas audiencës tek Ati i Shenjtë, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugiva u prit nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Hirësia e Tij, Kardinal Anxhelo Sodano, me të cilin pati një bisedë të gjatë miqësore e përmbajtësore.

Edhe 10 vite më herët, më 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Po më vitin 1993, më 27 Prill gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti Rugova është takuar me të në Tiranë dhe i ka dhuruar një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin.

Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Katedralja, Prishtine, Shen Tereza

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT