• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUVENDI I KOSOVËS NISI SEANCËN E JASHTËZAKONSHME PËR QEVERI TË RE

June 3, 2020 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës sot në seancë të jashtëzakonshme me axhendë zgjedhjen e Qeverisë së re/

-Lëvizja Vetëvendosje nuk po merr pjesë në seancë, të cilën nuk po e kryeson kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa  Osmani e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga kjo parti nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, po kryeson seancën. Ai tha se për të kryesuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka autorizimin kryeparlamentares

– Pikërisht para 4 muajëve, në seancën e Kuvendit pasditen e 3 Shkurtit 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Kosovës. Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, më shumë se një orë para mesnate,  votoi me 82 vota pro,  32 kundër  e  1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të Kryeministrit Albin Kurti

-Zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës: Duke pasur parasysh që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë edhe ballkonin, do të jetë në dispozicion të deputetëve, në respektim të masave të ndërmarra për shkak të situatës pandemike, prezenca mediave në këtë seancë do të jetë e pamundur

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 3 Qershor 2020/Kuvendi Kosovar 120 anëtarësh nisi sot, pas orës së paraparë 11:00, seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të axhendë zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të kërkuar me nënshkrimet e 61 deputetëve – një më shumë se gjysma, votat e të cilëve janë minimumi i mundshëm për të marrë vendimin pro.

Lëvizja Vetëvendosje nuk po merr pjesë në seancë, të cilën nuk po e kryeson kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa  Osmani e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga kjo parti nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, po kryeson seancën. Ai tha se për të kryesuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka autorizimin kryeparlamentares.

Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, më shumë se një orë para mesnate,  votoi me 82 vota pro,  32 kundër  e  1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të Kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës.

Në mbrëmjen e 28 Majit 2020 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës njoftoi vendimin që i hapë rrugë zgjedhjes së qeverisë së re pa zgjedhje të reja, pasi shqyrtoi kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje të datës 30 Prill 2020 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës,  me të cilin Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës iu propozua Kuvendit si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Pikërisht para 4 muajëve, në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurtit 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e Kryeministrit  Albin Kurti –  liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 Tetorit 2019, LVV dhe LDK, që ishin parti opozitare, dolën fituese – në vendin e parë e të dytë, ndërsa partia më e madhe e koalicionit qeverisës që ishte – PDK doli e treta.

Pas rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje, LDK synon të krijojë Qeverinë e re në marrëveshje me AAK-në, Nismën e AKR-në, parti që ishin në koalicionin qeverisës me PDK-në, si dhe me Listën Serbe e deputetë të komuniteteve tjera pakicë.

Zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës ka dërguar një njoftim lidhur me qasjen e mediave në punimet e seancës, e cila mbahet në kushte të masave të ballafaqimit me pandeminë.

Abdullah Hoti.

“Duke pasur parasysh që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë edhe ballkonin, do të jetë në dispozicion të deputetëve, në respektim të masave të ndërmarra për shkak të situatës pandemike, ju njoftojmë se prezenca mediave në këtë seancë, do të jetë e pamundur.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju njoftojmë se Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance, nëpërmjet:  Ueb faqes së Kuvendit, Kanalit zyrtar të Kuvendit në youtube, si dhe RTK-së, si medium publik”, thuhet në komunikatë.

Sot, nga ora 10:00, një orë para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Qeverisë së Kosovës në detyrë, e cila mund të jetë e fundit para zgjedhjes së Qeverisë së re.
Para seancës së sotme të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur dje mbledhje të përbashkët të Kryesisë me Grupin e saj Parlamentar. 

“Aty u diskutua situata politike në Kosovë, sidomos zhvillimet e fundit.

U kritikua ashpër Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që e vulosi këtë Gjykatë si të kapur, madje edhe më fort se shteti ynë në përgjithësi. Përjashtimi edhe i zgjedhjeve edhe i fituesit është i pashembullt dhe e bën këtë Aktgjykim të padrejtë e të papranueshëm”, thekson LVV në një njoftim.

Bëhët e ditur se në mbledhjen e Vetëvendosjes u vlerësua mbështetja e madhe e qytetarëve, puna e mirë e Qeverisë në detyrë, dhe organizimi nga aktivistët i peticionit “Duam Zgjedhje!”. 

“Duket qartë se ky peticion do t’i thyejë të gjitha rekordet duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës.

U kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër. Kjo qeveri do të ishte qeveri e presidentit. Ajo nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe. Asisoj, negociatat brenda-qeveritare të saj do të bëheshin negociata ndër-shtetërore me Serbinë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes, e cila paralajmëron se “protestat po bëhen të pashmangshme”. 

Megjithatë, sipas njoftimit,  LVV nuk do të organizojë protestë sot. 

“Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve”, përfundohet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kur ishte në opozitë në kundërshtimet e saj ka hedhur edhe gaz lotësjellës në seanca Kuvendi për t’i pamundësuar e shpërndarë ato.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari Kuvendi, Kuvendi i kosoves, Seanca e Jashtzakonshme

Kuvendi i ri i Kosovës i zgjedhjeve të 6 Tetorit sot në seancë konstituive

December 26, 2019 by dgreca

-LVV e LDK ende pa marrëveshje koalicioni për qeverinë e re të Kosovës

-Në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, grupi më i madh parlamentar (LVV) do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK) në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK) në anën e majtë-

-Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme-

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  26 Dhjetor 2019/ Nis sot pasdite, në orën 15:00, seanca konstituive e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila mund të zgjasë edhe ditëve tjera, pasi dy partitë opozitare – LVV e LDK, që janë e para dhe e dyta në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të para më shumë se dy muaj e gjysmë – 6 Tetorit 2019 ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës që e kishin paralajmëruar në deklarata dhe në takimet e zhvilluara për programin dhe ndarjen e posteve.

Herën e kaluar, Kuvendi i Kosovës i Legjislaturës VI, i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 Qershorit 2017 është konstituuar pas gati tre muajsh – në  7 Shtator, kur u zhvillua vazhdimi i shtatë i seancës konstituive të nisur në 3 Gusht.

Atëherë, vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ftua pasi edhe gjatë mbrëmjes së një dite më parë – 6 Shtatorit ishin zhvilluar bisedime mes koalicionit parazgjedhor fitues të zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma dhe Listës Serbe, që rezultuan me marrëveshje. Më parë koalicioni fitues i zgjedhjeve nënshkroi marrëveshje me AKR-në që kishte 4 deputetë, e cila e braktisi koalicionin me LDK-në që e kishte lidhur para zgjedhjeve.

Për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, të ftuar për sot, në axhendë janë tre pika: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve; Dhënia e betimit të deputetëve; Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri,  deputetja Fjolla Ujkani.

Sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270%  të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK  me 24.548% të votave 28 deputetë. Këto dy parti së bashku kanë gjithësej 57 deputetë dhe u duhen së paku edhe 4 vota tjera për t’i bërë 61, një më shumë se gjysmsa e Kuvendit, për të kaluar në votim kryetari dhe Kryesia e Kuvendit si edhe qeveria e re dhe për këtë llogaritet në votat e komuniteteve pakicë joserbe që kanë 10 deputetë dhe pritet të udhëheqin me një ministri.

Partitë shqiptare të koalicionit të kaluar qeverisës do jenë në opozitë: PDK me 21.234% të votave do ketë 24 deputetë, AAK me 11.515% të votave -13 deputetë, Nisma dhe AKR që ishin në koalicion parazgjedhor do të kenë 6 deputetë pasi me 5.002% të votave për pak e kanë kaluar pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Lista Serbe me 6.402% të votave ka të 10 vendet e deputetëve në Kuvend të Kosovës të garantuara me Kushtetutë për komunitetin pakicë serb, pasi partitë tjera serbe nuk arritën të fitojnë ndonjë vend deputeti. Kushtetuta e Kosovës komunitetit pakicë serb ia garanton edhe përfaqësimin në qeveri, ku pritet ta ketë një ministër në qeverinë e re me numër të ministrive gati të përgjysmuar – 12, sipas deklaratave nga LVV dhe LDK. Në qeverinë e kaluar të Kosovës me 21 ministri komuniteti pakicë serb kishite tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër. Dy ministra i kishin komunitetet tjera pakicë.

Në 18 Dhjetor 2019, në mbledhjen përgatiore për seancën konstituive të Legjislaturës VII, Kryesia e Kuvendit të Kosovës e Legjislaturës VI ka përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare. Konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar (LVV) do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK) në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK) në anën e majtë të kryesuesit.

Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.

Kosova kishte zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe para më shumë se dy vitesh  në 11 Qershor 2017  pas mocionit të mosbesimit – rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga LDK me vota të bashkuara edhe nga partia më e madhe e maxhorancës PDK me opozitën dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit në 10 Maj, tre vjet pas zgjedhjeve paraprake të 8 Qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.

Zgjedhjet e parahshme të 6 Tetorit 2019 u mbajtën pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Në mbledhjen e 111-të të qeverisë që e drejtonte, të premtën e 19 Korrikut 2019, kryeministri Haradinaj njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim, duke theksuar se nuk dëshironte në asnjë mënyrë të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe se para drejtësisë do të përballet si individ, me besim të thellë në pastërtinë dhe drejtësinë  e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Haradinaj dha dorëheqje nga kreu i qeverisë që e drejtoi rreth 100 ditë në 8 Mars 2005, menjëherë pasi u njoftua për ngritjen e aktakuzës dhe të nesërmen iu dorëzua vullnetarisht Tribunalit të Hagës, i cili e shpalli të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës në 3 Prill 2008 dhe përseri në 29 Nëntor 2012 pas rigjykimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Legjislatura e re

KOSOVË-KUVENDI PËR BUXHETIN 2019, “TREPÇËN”…

February 2, 2019 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës në seancë për Buxhetin e Shtetit 2019, “Trepçën” dhe 7 pika tjera në axhendë/
-Para fillimit të seancës së Kuvendit, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka marrë vendim dhe ka liruar nga detyra ministrin Nenad Rikalo të Listës Serbe/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 2 Shkurt 2019/ Buxheti i Shtetit 2019 dhe Statuti i gjigantit ekonomik “Trepça” janë dy nga nëntë pikat e axhendës së seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të dytës këtë vit – të sesionit pranveror, e cila nisi me më shumë se një orë vonesë, ndërsa ishte e ftuar për në orën 10:00.
Projektligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 është sot në  shqyrtim të dytë, pasi u debatua gjatë dy ditëve, në 6 e 7 nëntor dhe miratua në parim në 21 dhjetor 2018 me votat e 62 deputetëve të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh. Deputetët e dy partive opozitare, LDK e LVV, nuk ishin të pranishëm në procesin e votimit.
Në Buxhetin e Shtetit të Kosovës të vitit 2019 të hyrat e përgjithshme pritet të jenë 2 miliardë e 370 milionë euro, ndërsa shpenzimet në vlerë 2 miliardë e 365 milionë.
Në debatin në Kuvend, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019 do të sigurojë një rritje ekonomike prej 4.7%, ndërsa theksoi se projektligji i propozuar është hartuar në bashkëpunim të plotë me FMN-në.
Por, sipas deklaratave nga opozita me paralajmërime votimi kundër, rritja ekonomike e paraparë në projektligj paraqet dështimin e zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas opozitës, qeveria në fillim të mandatit të saj rritjen ekonomike e proklamonte deri në 10%.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e miratimit në 26 tetor 2018 ka theksuar se, Projektligji parasheh një rritje të konsiderueshme të të hyrave buxhetore që reflekton qëndrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Gjatë prezantimit të Projektligjit, poashtu, është theksuar se përgatitjet e propozimit të Buxhetit për vitin 2019 janë zhvilluar në pajtim me legjislacionin dhe janë në përputhje me të gjithë parametrat financiarë dhe ekonomikë të Kosovës.
Në Projektligj parashihet rritje e pensioneve bazë prej 20 përqind si dhe atyre të kontributdhënësve prej 15 përqind, kurse do të rritet buxheti për prioritetet e qeverisë për vitin 2019, siç janë mbrojtja, rendi, shëndetësia, arsimi dhe mjedisi.
Miratimi i Buxhetit 2019 në Kuvendin e Kosovës ka vonesa në pritje të sigurimit të votave. Për krahasim, Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, i cili parashihte të hyra të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë, është shqyrtuar për herë të dytë dhe mratuar në 22 dhjetor 2017.
Shkaku i voneses në miratimin e Buxhetit të Shtetit 2019, sot në axhendën e Kuvendit është edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A. është sot në axhendën e Kuvendit, pasi i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në 25 janar 2019. Versionin e ri të Projekt-Statutit Qeveria e dërgoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për “Trepçën”.
 Statuti i “Trepçës” përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.
Emërtimi i shoqërisë aksionare është “Trepça” Sh.A dhe selia është në Parkun Industrial të Mitrovicës.
Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A. do të mundësojë zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i ri është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, është theksuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Në axhendën e seancës së Kuvendit sot janë edhe: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura;  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zyrtarët publikë; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike; Propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc  për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social.
Kuvendi i Kosovës në 30 janar nisi sesionin pranveror me seancën plenare të parë në vitin 2019 me 30 pika në axhendë, derisa ditëve të kaluara kishte disa takime të komisioneve parlamentare.
“Shqyrtimi i parë i Projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve”, ishte një nga pikat e axhendës.
Në 31 dhjetor Kuvendi i Republikës së Kosovës njoftonte përmbylljen e sesionit vjeshtor të punimeve.
“Konform Rregullores së Kuvendit, sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, përkatësisht më 21 janar 2019”, theksonte njoftimi.
Përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh ka dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, ndërsa seanca konstituive me zgjedhjen e kryeparlamentarit me 61 vota dhe Kryesisë është mbajtur në 7 shtator, e në 9 shtator është zgjedhur me 62 vota Qeveria e re.
KOSOVË-LIROHET NGA DETYRA MINISTRI RIKALO I LISTËS SERBE
PRISHTINË, 2 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bën të ditur se, sot ka marrë vendim dhe ka liruar nga detyra Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.
“Z. Rikalo i shprehi falënderim për bashkëpunim gjatë kohës sa ishte aktiv si ministër në Qeverinë e Kosovës.
Në proceset politike para vetes, do të respektoj angazhimin e secilit. Ministri Rikalo ishte ministër i respektuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Bashkëpunimi me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, do të vazhdon palëkundur”, shprehet Haradinaj.
Shkarkimi i Rikalos, një nga 3 ministrat e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve edhe zëvendëskryeministër, e që ka gati një vit që nuk marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë, është një nga pesë kushtet e partisë opozitare PSD të 12 deputëtëve të ndarë nga VV për votimin sot në Kuvend të Buxhetit të Shtetit 2019.

Filed Under: Kronike Tagged With: Buxheti 2019, Kuvendi i kosoves, Trepca

Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë

October 31, 2018 by dgreca

1 Kuvendi

Kuvendi i Kosovës ka filluar me seancën e jashtëzakonshme në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Për mbajtjen e seancës u vendos në Kryesinë e Kuvendit pas kërkesës Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbështetur nga 42 deputetë.

Në emër të LDK-së, parti kjo që ka kërkuar këtë debat, shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti kërkoi mbështetjen e deputetëve për të miratuar një rezolutë me të cilën presidentit Hashim Thaçi do t’i pamundësohej të negociojë me Serbinë çështjen e kufirit të Kosovës.

Ai tha se qasja e presidentit që në negociata me Serbinë të diskutohet çështja e kufirit, është jokushtetuese dhe e dëmshme.

Hoti tha se presidenti Thaçi është duke mashtruar kur thotë se ka mbështetje ndërkombëtare për idenë e korrigjimit të kufijve. Ai e ka quajtur korrigjimin e kufjeve ide të Beogradit dhe Moskës për të penguar zhvillimin dhe fuqizimin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës.

“Dëmet tani janë bërë për këto veprime të presidentit. E para, është krijuar pasiguri e madhe qytetare, ekonomike dhe sociale si asnjëherë më parë. Vlerësimet tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve ka arritur nivelin rekord, me mbi 80 për qind të qytetarëve që janë të pakënaqur me rrjedhat politike në Kosovë. E dyta, janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë të Kosovës dhe të shteteve mike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është e qartë se këto veprime të presidentit janë anti-kushtetuese”, tha Hoti.Sipas Hotit, rishikimi i kufjeve të Kosovës, nënkupton ribërjen e shtetit të Kosovës.

LDK propozoi që dialogu me Serbinë të vazhdojë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme dhe pas formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniq, tha se kjo parti politike e përkrahë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se duhet konsensus politik për të përfunduar këtë proces.

“Ne jemi pro dialogut, si mënyra më e mirë për arritjen e qëllimeve tona si shtet, por në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit dhe i shtetësisë së Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë, i funksionimit unitar të shtetit dhe të kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu çfarëdo marrëveshje që do të mund të arrihet me Serbinë, nuk mund të jetë e vlefshme pa u ratifikuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se janë vetëm spekulime ato që thuhen sa i takon ndarjes apo ndryshimit të kufijve.

Korrigjimin e kufirit, Krasniqi e quajti ide të rrezikshme dhe tha se do ta dëmtojë Kosovën në procesin e bisedimeve duke krijuar argumente pikërisht në favor të oponentëve që janë kundër Kosovës dhe që dëshirojnë ndarjen e vendit.

Në emër të koalicionit qeverisës, Memli Krasniqi ka dhënë disa propozime të cilat, sipas tij, duhet të jenë baza e çfarëdo rezolute që do të nxjerrë Kuvendi pas debatit të sotëm. Në mesin e pikave është mbështetja e procesit të dialogut me rezultat final, njohjen reciproke.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se me çdo kusht duhet që presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi t’i kufizohen temat për të cilat ai mund të bisedojë në Bruksel.

Konjufca ka propozuar që në rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës të përfshihet edhe një pikë përmes së cilës presidentit Thaçi i ndalohet që të takohet me përfaqësuesit politik nga Serbia dhe t’i ndalohet që të marrë vendime në emër të Kosovës.

“Për herë të parë një president i ka kontestua kufijtë e vet. Kjo ja mundëson Serbisë që t’u thotë faktorëve ndërkombëtarë që për Kosovën diçka nuk është në rregull dhe që dialogu po vazhdon, prandaj kjo me të vërtetë i ngadalëson dhe i jep një goditje të pakthyeshme edhe procesit të njohjeve të Kosovës, sepse nëse krejt njohjet kanë ndodhur për shkak se Kosova po e kompleton shtetin e vet, tash për një moment edhe drejtimi politik i temave ndërron të cilat ne i flasim në Kosovë. Kjo është një favor i jashtëzakonshëm për Serbinë”, tha Konjufca.

Ai tha se hapja e çështjes së kufijve përpos problemeve politike që i ka shkaktuar, shkakton edhe dëme ekonomike, pasi asnjë investitor nuk dëshiron të shkojë në një vend ku ende diskutohet për kufij.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Vesli kërkoi që të gjitha subjektet politike së bashku të ulën dhe të krijojnë një rezolutë, platformë për dialog.

Veseli u shpreh se nëse arrihet një konsensus dhe subjektet politike ulën së bashku për të dalë me një qëndrim të përbashkët, atëherë sipas tij, edhe presidenti Hashim Thaçi do të respektojë çdo pikë të rezolutës që do të mund të votohej për dialogun me Serbinë.

“Ejani ulemi bashkërisht edhe njëherë. Ndahen grupet parlamentare, ulën, e konsumojmë debatin, krejt deputetët flasin, deri në fund për mos i me i mbetur borxh askujt, por ajo çka është kryesore, një marrëveshje duhet ta kemi sot. T’i dërgojmë një mesazh një të riu në Kosovë, një ndërmarrësi në Kosovë, një partneri të Kosovës se Kosova e ka një qëndrim”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili është emëruar nga Qeveria për të udhëhequr ekipin negociator të Kosovës, ka thënë se kërkesa e ekzekutivit për t’u bërë bashkë, nga opozita duhet të shihet si nivel i ngritur i përgjegjësisë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë që të vijë dhe të lusë Kuvendin për të zhvilluar negociata. Por, kjo çfarë ne po bëjmë sot, po duam një format tjetër, që të jemi të përgjegjshëm, sepse nuk ka pasur nevojë që të vijmë këtu për të kërkuar as votë as asgjë për të zhvilluar negociata sikur që ka ndodhur në të kaluarën, por rezultatet i kemi keq. Qeveria e përgjegjshme e Kosovës, po dëshiron, ka dëshirë, duhet që Parlamenti i Kosovës, të gjitha grupet, të jemi bashkë dhe ky proces të jetë edhe transparent edhe i përgjegjshëm dhe në fund me rezultat pozitiv”, theksoi Limaj.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje partive opozitare dhe atyre në pushtet që të angazhohen në gjetjen e një forme të përbashkët për harmonizuar një rezolute.

“Në rast se këto tri i shkrijmë në një, atëherë unë jam i sigurt që del një e gjetur e mirë dhe i japim mandat ekipit tonë negociues, po ashtu i dërgojmë edhe përfaqësuesit nga partitë e tjera opozitare dhe të shkojmë si njerëz, sikur e patëm te ushtria unitetin e përbashkët, ta kemi edhe në dialog me Serbinë. Ata zotërinjtë janë duke ecur me të madhe në avans para Kosovës. Kurse Kosova nuk është duke avancuar në çka i kërkohet”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Kosovës aktualisht nuk i duhet rezolutë, por platformë për bisedimeve. Molliqaj ishte kritik si ndaj opozitës ashtu edhe ndaj Qeverisë.

“Kosova nuk ka më nevojë për rezolutë, sepse siç po e shihni, asnjë nga rezolutat nuk po dallon, as e opozitës as e pushtetit e as e opozitës. Kosova sot ka nevojë që të mbërrijë dhe të ndërtojë platformë për dialogun. Pse nuk po ndodh kjo? Sepse opozita po thotë meqenëse Qeveria nuk i ka votat për dialog, ne duam zgjedhje legjitime. Pse po i dëshiron zgjedhjet? Për të shkuar në pushtet. Prapë legjitime. Pse s’po i dëshiron Qeveria ose pushteti zgjedhjet? Prapë për të qëndruar në pushtet. Edhe kjo legjitime. Por, në anën tjetër duhet thënë sot se dikush dëshiron zgjedhje para dialogut e dikush dëshiron zgjedhje pas dialogut e mundësisht deri në fund të mandatit”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se rezoluta e propozuar nga LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk do të ketë asnjë lloj efekti politik.

Mbajtja e një seance me të njëjtën kërkesë ishte provuar edhe javë më parë, por kishte qenë e pamundur për shkak të mungesës së kuorumit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar kohë me parë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai do të paraqesë idenë e tij, siç e quan ai, të “korrigjimit të kufirit”. Sipas presidentit Thaçi, kjo ide nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: dialogu, korniza, Kuvendi i kosoves

KUVENDI I KOSOVËS, SHTYRJE PAS SHTYRJE, NESER SEANCA E JASHTËZAKONSHME

September 4, 2018 by dgreca

LAJMI I FUNDIT: NUK KA SOT VIJIM TË SEANCËS SË JASHTËZAKONSHME TË KUVENDIT TË KOSOVËS, PARALAJMËROHET PËR NESËR NË ORËN 14:00/

Seanca jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e ftuar pas kërkesës së qeverisë, e nisur dhe ndërprerë paraditen e sotme, nuk vijoi as  pas “pauzës deri në orën 18:30”, dhe as në ora 20:00 nuk ka njoftim zyrtar dhe nuk dihet kur do vijojë.

Seanca e jashtëzakonshme, sipas paralajmërimeve pas orës 20:00 pritet të vijojë nesër në orën 14:00./1 Kuvendi Kosoves

Shtyrje pas shtyrje ka  vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të ftuar pas kërkesës së qeverisë, për sot në ora 9:00 dhe të nisur me një orë vonesë, me vetëm një pikë në axhenë:  “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Seanca e bojkotuar nga opozita, nisi me vetëm 61 deputëtë të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh, mes tyre Teuta Rugova nga grupi më i madh parlamentar i LDK-së opozitare, që e bënte forumin me numër minimal – një më shumë se gjysma.

Pas debatit, kur pritej të votohej për ekipin negociator të emëruar dje nga qeveria e që sot kryeministri Ramush Haradinaj ia prezantoi Kuvendit,  u dha pushim 15 minutësh, i cili po zgjatë me orë, duket në pritje të sigurisë për kuorum e vota të mjaftueshme.

Në dy njoftime të dërguara nga Kuvendi u njoftuan dy shtyrje të seancës gjatë pasditës.

Në njoftimin e parë bëhej e ditur se, “me kërkesë të iniciuesit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit shkon në pauzë deri në orën 16:30”, ndërsa në njoftimin e dytë  theksohej se pushimi-pauza shkon “deri në orën 18:30”.

Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar, me kërkesë të opozitës, por ende as që ka nisur fare, seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, shtyrje pas shtyrje

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË / SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI
  • 2023 A Consequential Year for Cybersecurity – Albania, Example of What Can Happen
  • Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish
  • Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës
  • Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike
  • SA PËR RIKUJTIM!
  • FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË
  • THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
  • PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT