Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Korrik 2015/-Në një verë me vapë të këtyre ditëve në Kosovë, Kuvendin e presin edhe më punë para se të shkojë në pushim. Miratimi i Ligjit që i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2015, ishte vendimi i fundit i Kuvendit të Kosovës në këtë javë, 16 korrik, pasi për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e projektligjeve seanca plenare ndërpreu punimet.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 kaloi shqyrtimin e parë dhe të dytë në procedurë të përshpejtuar pasi në 24 korrik Bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria i është dhënë një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Vazhdimi i seancës së ndërprerë të Kuvendit të Kosovës pritet javën e ardhshme, duke nisur me votimin e Projektligjit për Sigurimet, të shqyrtuar tashmë për herë të parë.
Qeveria e Kosovës, në 17 qershor, ka miratuar Projektligjin për Sigurimet, i cili përcakton procedurat, parimet dhe rregullat themelore për licencimin dhe mbikëqyrjen e siguruesve, re siguruesve, ndërmjetësuesve të sigurimit. Projektligji rregullon funksionimin e industrisë së sigurimeve në Republikën e Kosovës në mënyrë të sigurt, të qëndrueshme dhe transparente si dhe mbrojtjen e interesave të policë mbajtësve, ka theksuar qeveria.
Në Kuvendin e Kosovës pritet edhe që qeveria të riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale pasi për këtë edhe të sigurohet numri i nevojëshm prej dy të tretave.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Dy të tretat e votave duheshin, por nuk u arritën, edhe për zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në seancën e 16 korrikut të Kuvendit kosovar.
Për axhendën e mëtejme dhe përgatitjet e seancës plenare në fillimjavë pritet të ftohet mbledhja e përbashkët e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare.
Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në 9 dhjetor 2014, për vitin 2015 ka parashikuar të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.