Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit e ditës, ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka konstatuar se në sallën ku po mbahet seanca, tashmë janë të pranishëm 67 deputetët nga 120 sa ka Kuvendi. Deputetët e Listës Serbe nuk janë të pranishëm në seancë.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti ka prezantuar marrëveshjen e arritur me partitë e koalicionit në pushtet, përfshirë minoritetet joserbe.
Pas votimit në favor të shmangies procedurale të paraparë me Rregulloren e Kuvendit, kryeparlamentari Veseli ka kërkuar pauzë në seancë, me qëllim që shefat e grupeve parlamentare t’i harmonizojnë qëndrimet për projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i cili më pas do të nxirret në votim para deputetëve.
Ndërkaq, Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, me shumicë votash ka votuar në favor të plotësimit të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Projektligji i plotësuar, pas harmonizimit të partive shqiptare në pushtet dhe asaj opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të nxirret për votim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në aspektin kohore, mund të shtyhet seanca për votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
“Mund të ndodhë të shtyhet seanca nëse e kalkulojmë në aspektin kohor sepse disa deputetë shqiptarë janë në Podgoricë”, tha Haradinaj.
Javën e kaluar, Kuvendi në dy raste provoi por nuk arriti të përmbyllë seancën me votim, ngaqë nuk ishin siguruar 80 votat e domosdoshme për kalimin e Marrëveshjes për Demarkacionin.
Gjatë fundjavës, partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës arritën një marrëveshje, por ajo ende nuk i ka siguruar dy të tretat, apo 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Demarkacionit.
Aktualisht, subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk po e mbështesin ratifikimin e Demarkacionit.
Sipas “matematikave” të tashme, janë rreth 76 – 78 vota të deputetëve, në favor të Demarkacionit.
Çështja e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje po zgjatë që nga viti 2015, kur Prishtina dhe Podgorica e kishin nënshkruar atë në Vjenë. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar tashmë marrëveshjen, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm politik.
Dështimi eventual i ratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, besohet se do të krijonte pasoja të mëdha politike për Kosovën, qoftë për kah dështimi i marrëveshjes me Malin e Zi apo edhe me humbjen e rastit për liberalizimin e vizave, ngase ratifikimi mbetet kusht i Bashkimit Evropian për hapjen e perspektivës për qytetarët e Kosovës për lëvizjen e lirë, pa viza.
Po sot, delegacioni më i lartë i BE-së, i kryesuar nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn pritet të vijnë në vizitë në Prishtinë.
Ndonëse vizita e tyre nuk ka të bëj me Demarkacionin, por me prezantimin e strategjisë së re të BE-së për zgjerimin, megjithatë besohet se vendimi i Kuvendit, për apo kundër Demarkacionit, do të prodhojë shumë efekte për Kosovën.