-Komisioni i Jashtëm mblidhet të hënën për demarkacionin. Të hënën edhe takimi koordinues për mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë/-Të mërkurën e 17 janarit, për përgatitjet e seancës plenare vijuese të Kuvendit të Kosovës zhvillohet mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, e cila fillimisht ishte paralajmëruar për të hënën, por u shty/
-Ndyshimet në Ligjin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe pritjet e ish-punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore, përfshirë ata të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja/-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistat ekskluzive: Duhet të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë e përditshme tradicionale. Rilindja edhe me botime të kohëpaskohshme vazhdoi të jetë histori e shkruar e Kosovës/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/PRISHTINË, 14 Janar 2018/ Në Kuvendin e Kosovës përfundon pushimi dimëror e në nisjen e sesionit pranveror të hënën e 15 janarit vijon shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, në mbledhjen e parë të vitit 2018 të Komisionit për Punë të Jashtme.Ky Projektligj në këtë Komision parlamentar rinisi të shqyrtohet në 26 dhjetor 2017 në një mbledhje ku përfaqësues të Komisionit shtetëror për kufirin prezantuan raportin e prezantuar më pare në 4 dhjetor para qeverisë së Kosovës, e cila e miratoi dhe e procedoi në Kuvend bashkë me Projektligjin.
Komisioni për Punë të Jashtme u mblodh edhe pse më parë ishte njoftuar se Kuvendi i Kosovës ishte në pushim dimëror. “Konform përfundimit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimi në shqyrtim të dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit.Nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, Kuvendi është në pushim dimëror”, theksohej në njofimin zyrtar në 25 dhjetor.Në Kuvendin e Kosovës të hënën e 15 janarit mbahet edhe takimi koordinues për mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë. Ky komision për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 maj 2016, në të cilin vit, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor.Të mërkurën e 17 janarit, për përgatitjet e seancës plenare vijuese të Kuvendit të Kosovës zhvillohet mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, e cila fillimisht ishte paralajmëruar për të hënën, por u shty. Në axhendë janë janë 16 pika të njoftuara zyrtarisht, si dhe shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave, të cilat nuk janë bërë të ditura, por sipas raportimeve kanë të bëjnë edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Special.
Sipas axhendës së dërguar nga Kuvendi, një nga projektligjet në shqyrtim të parë është ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i cili është i rëndësishëm edhe për realizimin e të drejtave të ish-punëtorëve të shumë ndërmarrjeve shoqërore, asetet e të cilave janë shpronësuar me vendime të qeverisë.
Që nga viti 2008, qeveria e Kosovës ende nuk ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore, ndërsa ka marrë më shumë se 700 vendime për shpronësime, mes të cilave të Pallatit 18 katësh ku ishte gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cili është shëndrruar në objekt qeveritar, ndërsa 20 përqindëshi i vlerës duhet t’u shpërnndahet punëtorëve të ndërmarrjeve që ishin në atë ndërtesë.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila 2017-tën e punës së saj e ka vlerësuar vit shumë të suksesshëm dhe me rekorde, presin edhe më shumë mundësi për punë e rezultate edhe në realizimin e të drejtave të ish-punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore me kalimin në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të miratuar nga qeveria në 10 nëntor të vitit të kaluar.
Gazetarët dhe punëtorët tjerë të ndërmarrjes kanë kërkesë të vazhdueshme që të ridalë gazeta e përditshme tradicionale e Kosovës e privatizuar sikur gazetat tjera në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 73 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht para 16 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK në 21 shkurt 2002, ditë kjo kur doli numri i fundit i përditshëm i gazetës.
Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm, ndërkohë e regjistruar edhe në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit-Privatizimit si ndërmarrje shoqërore nën autoritetin e saj.
Numri i parë i jashtëzakonshëm-protestues, i kohëpasohshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 mars 2002, i përgtitur nga ekipi i saj special në një zyrë të improvizuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, derisa një ditë më parë në një seancë solemne e atmosferë festive Kuvendi i zgjedhjeve të para në liri rizgjodhi për president të Kosovës Ibrahim Rugovën, liderin historik të LDK, ndërsa për kryeministër Bajram Rexhepin nga PDK, kryetarin e parë të Mitrovicës pas luftës së përfunduar në vitin 1999.
Të posazgjedhurit, presidenti e kryeministri kosovar, kanë folur për gazetën Rilindja, e cila në ballinë në kryetitull citonte: “Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”
“Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”, është përgjigjur presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit.
Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në funddhjetorin 2002 për gazetën Rilindja, e cila vazhdoi të dalë me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm, Presidenti historik Ibrahim Rugova theksonte: “Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë. Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë…Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta Rilindja, t’i sigurohet vendi”.
“Është shumë mirë që gazeta Rilindja edhe nëkëto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt”, shprehej Rugova.
Në fund të intervistës, në falënderimin dhe urimin për Vitin e Ri 2003, Rugova u përgjegj: “Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për Rilindjen, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit”.
Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerësonte lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai priste njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me atë rast Presidenti Rugova më priti në Rezidencën e tij në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorit të Rilindjes, ku i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë mëse gjashtë dekadave ishte në jetën dhe në familjet e kosovarëve.
Nga intervista e botuar më 12 shkurt 2005:
“RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e Rilindjes, të drejtën legjitime të saj.
PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin”. Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para më shumë se 9 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni i OKB i pas luftës në Kosovë.