PRISHTINË/ Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Rasko Konjevic, nënshkruan sot në Prishtinë një marrëveshje për bashkëpunim policor.
Duke falenderuar ministrin malazias, Konjeviç, për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dyja vendeve, ministri Rexhepi theksoi se ky bashkëpunim është i një niveli të lartë.
“Me marrëveshjen për bashkëpunim policor do të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të ndryshme”, theksoi Rexhepi.
Kjo marrëveshje përfshinë edhe çështjen për patrullime të përbashkëta mes dy policive, bën të ditur Ministria e Brendshme e Kosovës në njoftimin zyrtar të dërguar.
“Sot diskutuam që gjatë sezonit veror të ketë patrullime të përbashkëta në disa pika turistike të Malit të Zi, të cilat frekuentohen nga një numër i madh i qytetarëve nga Kosova”, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Konjeviç, tha se vizita e tij në Republikën e Kosovës ishte shumë produktive. Ai theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim policor, do të përparojë marrëdhëniet mes të Malit të Zi dhe Kosovës.
Të dy ministrat pohuan se biseduan edhe për procesin e demarkacionit të kufirit, mes Kosovës dhe Malit të Zi, ku u tha se në një të ardhme të afërt, në bazë të procedurave të rregullta, të nënshkruhet edhe Marrëveshja e demarkacionit të kufirit.
Gjithashtu u bisedua edhe për promovimin e komunitetit malazez në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, ministrat e të dyja vendeve nënshkruan edhe marrëveshjen për rregullimin e regjimit të trafikut kufitar, marrëveshjen për hapjen e pikë-kalimit kufitar Kotllovë-Kuqishtë, për trafikun rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve, marrëveshjen për përcaktimin e pikë-kalimit kufitar rrugor ndërkombëtar Kullë-Savino Vodë, Protokollin për mbajtjen e takimeve të rregullta të policisë kufitare në të gjitha nivelet e menaxhimit, Protokollin për zbatimin e kontrollit kufitar të përbashkët dhe pagesën e shpenzimeve të krijuara në punë në kalimin kufitar të përbashkët Kotllovë-Kuqishtë si dhe Protokollin për formimin e patrullave të përbashkëta përgjatë kufirit të përbashkët shtetëror.
Të gjitha këto marrëveshje kontribuojnë në avancimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian për të dy shtetet.