Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Prishtina në mbrëmje vere – Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës/
-Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/
-Kuvendi i Kosovës në seancë plenare, demarkacioni nuk është në axhendë. Protestë në shesh kundër procedimit të demarkacionit/
-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u kërkon deputetëve votën kundër versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi/
PRISHTINË, 4 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti sot mbledhjen e 103-të, të 35-tën në 2016-tën, në të cilën njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Kryeministri Isa Mustafa gjatë mbledhjes iu ka referuar debatit të zhvilluar një ditë më parë lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.“Dje ka pas ballafaqim të argumenteve të Komisionit Shtetëror dhe deputetëve dhe disa specialistëve të cilët kishin ardhur që të shprehin pikëpamjet e tyre lidhur me kufirin dhe me vijën kufitare. Unë konsideroj se ajo që ka punuar Komisioni Shtetëror është vërtetuar se ka qenë çdo gjë në rregull, se iu është përmbajtur mandatit që e ka pas me vendim si Komision Shtetëror. Është vërtetuar se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë me këtë, dhe po ashtu me ligj këtë që ministri tani e tha ne e kemi lënë mundësinë që herë dokurdo në qoftë se vërtetohet ndonjë paqartësi ose ndonjë fakt juridik mbi të cilin ne mund të themi se ndonjë pëllëmbë e territorit ose një pjesë ka kaluar andej ekziston mundësia që me mirëkuptim me Malin e Zi ta rishqyrtojmë dhe ta rregullojmë edhe atë çështje. Për neve është me rëndësi themelore që ta ratifikojmë Marrëveshjen për Demarkacionin, që të krijojmë kushte të fqinjësisë së mirë dhe të stabilitetit me Malin e Zi, sepse është një vend i cili na ka përkrahur vazhdimisht dhe me të cilin kemi pas marrëdhënie të shkëlqyera. Vend që tani po pranohet në NATO, do të thotë kemi të bëjmë me një shtet të NATO-s. Para së gjithash, si argument mund të themi se pasi është nënshkruar marrëveshja në Vjenë, na shërbejnë edhe vlerësimet e Komisionit Ndërkombëtar, të themeluar nga presidentja e vendit, e cila ka vlerësuar se kufiri është aty ku e ka caktuar Komisioni Shtetëror. Edhe vlerësimet e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe përkrahja që presidenti Obama i ka dhënë, por edhe Marrëveshja e Kumanovës, e cila ka krijuar obligimin e Kosovës me rastin e hyrjes së forcave të NATO-s, që ne t’i përmbahemi këtij territori, por po ashtu edhe Pakoja e Ahtisaarit dhe Deklarata e Pavarësisë, të cilat ndërlidhen në momentin kur e kemi shpallur pavarësinë dhe me territorin me të cilin ne e kemi shpallur pavarësinë, atë që në Pakon e Ahtisarit është 31 dhjetori i vitit 1988, si territor që e ka trashëguar Kosova nga ish-Jugosllavia, përkatësisht nga Republika e Serbisë. Prandaj, mendoj se jo vetëm që ne duhet ta procedojmë këtë, por duhet edhe të punojmë me opinionin dhe t’i bindim qytetarët dhe opinionin se një vendim i tillë është i drejtë dhe se kauza e opozitës lidhur me këtë është e paqëndrueshme, është artificialisht e krijuar. Nuk ka argumente që një çështje e tillë tani të kthehet ose që të pengohet, sepse na pengohen shumë procese të integrimeve evropiane dhe euroatlantike me këtë.
Në Kuvend ky projektligj do të shkojë me procedura të rregullta. Ne do t’i procedojmë sot në Kuvend dhe Kuvendi pastaj do të vendos kur do të mbahet mbledhja e Kuvendit lidhur me këtë çështje.Konstatoj se Qeveria aprovoi njëzëri Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Prezantimin e projektligjit para kabinetit qeveritar e bëri ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
“Ky Projektligj ka tri shtylla kryesore të ndërtuara në tri nene. Së pari ratifikohet Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi të nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015. Neni i dytë ka të bëjë me dispozitat e marrëveshjes. Dispozitat e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi janë nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015. Nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve. Dispozitat e kësaj marrëveshje mund të ndryshohen sipas procedurës së njëjtë të paraparë me miratim. Me pajtimin e palëve për ndryshimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe arbitrazh ndërkombëtar. Pjesa e tretë apo shtylla e tretë e këtij projektligji e ndërtuar në nenin e tretë, ka të bëjë me pjesët përbërëse të këtij ligji. Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi e nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015 është pjesë e këtij projektligji, edhe dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Pas një procesi të gjatë nga viti 2012 deri në ditët e sotme, kërkoj nga ju që ta mbështesim këtë projektligj”, tha ministri Enver Hoxhaj.
Qeveria kosovare, e mbledhur sot herët në mëngjes, deklaroi mbrëmë se vlerëson lartë debatin e zhvilluar gjatë ditës lidhur me procesin e shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Për procedim të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, qeveria e Kosovës nuk zhvilloi mbledhjen e ftuar për dje në mbrëmje, e cila u mbajt sot në mëngjes. “Kryeministri Isa Mustafa merr pjesë në mbledhjen e qeverisë së Republikës së Kosovës në orën 19:00”, ishte njoftimi zyrtar i dërguar dje. Ndërsa, njoftimi i dërguar sot herët në mëngjes theksonte se, “ mbledhja e qeverisë së Republikës së Kosovës nis në orën 08:15”.
Në mjediset e Kuvendit të Republikës së Kosovës përfundoi mbrëmë vonë pa përfundime të dakorduara debati profesional-shkencor 12 orësh mes Komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe grupit të njohësve që kanë kërkuar debatin për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit Kosovë – Mali i Zi.
KUVENDI I KOSOVËS NË SEANCË PLENARE, DEMARKACIONI NUK ËSHTË NË AXHENDË
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot një seancë plenare me 17 pika në axhendë, por jo edhe atë për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të miratuar sot herët në mëngjes dhe të proceduar nga qeveria e Kosovës.
Ndërsa, në shesh po zhvillohet protestë pasi subjekti më i madh opozitar kosovar, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët e aktivistët që sot në orën 10:00, kur ishte paraparë të nisë seanca plenare, të mblidhen para Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se “është momenti vendimtar që ta mbrojmë Republikën tone” dhe se, “demarkacioni nuk do të kalojë”.
“Nëse nuk tërhiqet qeveria, gjendja do të dalë jashtë kontrollit dhe rezistenca do të jetë edhe më e ashpër se kurdoherë”, paralajmëron Vetëvendosje derisa edhe dy partitë tjera opozitare, AAK e Nisma janë vendosmërisht kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në variantin çfarë është.
AAK U KËRKON DEPUTETËVE VOTËN KUNDËR VERSIONIT AKTUAL TË DEMARKACIONIT ME MALIN E ZI
Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deklaroi sot se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi e ka marrë përgjigjen dje në konferencën shkencore, ndërsa tash mbetet që kjo përgjigje të formalizohet edhe me votën kundër të deputetëve në Kuvend.
“Vota kundër që nënkupton mosratifikimin e versionit aktual të kufirit me Malin e zi, shënon edhe fillimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje që e ka mbajtur peng vendin për afro një vit”, thekson deklarata e AAK-së, dërguar pak më parë.
Demarkacioni me Malin e zi, vijon deklarata, është një çështje jetike për Kosovën, dhe ky proces duhet të zhvillohet me profesionalizëm të plotë dhe në përputhje me standardet dhe me interesat e të dyja shteteve.
“Ky proces është mbipartiak. Konkluzat e një grupi deputetësh në fund të konferencës së djeshme, mund të jenë një hap fillestar i zgjidhjes së kësaj çështjeje”, vlerëson AAK.
Kjo parti thekson se, çdo përpjekje e presionit mbi deputetë, ose edhe përpjekje për ta kontrabanduar ose blerë votën pro kësaj marrëveshjeje, është papërgjegjësi totale, e cila druajm se do të mund të eskalojë në zhvillime të dhunëshme.
“Institucionet e shtetit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, sot më shumë se kurrë, kanë përgjegjësi që të vihen në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe të interesave e të stabilitetit në vend”, përfundon deklarata e AAK.
Kjo parti po vazhdon bojkotin së bashku me subjektin tjetër opozitar Nisma dhe nuk po merr pjesë as në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.