-Gazetarët, thirrje që të zbatohen rekomandimet e Raportit të Komisionit Evropian/
PRISHTINË, 10 Nëntor 2015-B.Jashari/ Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpret vlerësimet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, në fushën e lirisë së shprehjes dhe mbetet i shqetësuar për kushtet e pafavorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë në Kosovë.
“Rritja e sulmeve, kërcënimeve si dhe mos ndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve, janë dëshmi për cënimin e vazhdueshëm të fjalës së lirë në Kosovë, që rezulton edhe me progres të munguar në këtë fushë”, thuhet në deklaratë.
Asociacioni i Gazetarëve kundërshton çdo lloj presioni mbi gazetarët dhe njëherësh kërkon nga organet e sigurisë dhe drejtësisë që të marrin masa duke i hetuar dhe gjykuar në kohë cënuesit e fjalës së lirë.
“Kjo do të forconte mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe krijimin e një ambienti të sigurtë për punë sa më profesionale”, vijon deklarata.
AGK u bën thirrje mediave që të zbatojnë rekomandimet e Komisionit Evropian në këtë raport për krijimin e kodeve individuale etike dhe profesionale, të cilat do të ndihmonin në pavarësinë e gazetarëve dhe redaktorëve si dhe dhe mbrojtjen e standardeve profesionale në gazetari.
“Gjendja e rëndë me të cilën përballen gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të jetë preokupim jo vetëm për institucionet, por për tërë shoqërinë”, thekson deklarata.
AGK zotohet të vazhdojë angazhimin maksimal në mbrojtjen e të drejtave të garantuara të gazetarëve dhe krijimin e hapësirës që mediat në Kosovë të jenë të lira dhe të pavaruara në punën e tyre.