Kosovë- Mirëpritet miratimi i Ligjit për Gjuhët në Maqedoni/
-Presidenti Thaçi: Shqipja gjuhë zyrtare në Maqedoni, një e arritur e lartë demokratike/
-Kryeministri Haradinaj: Miratimi i Ligjit për Gjuhët në Maqedoni, lajm i gëzueshëm për gjithë shqiptarët/
-Kryeparlamentari Veseli: Përgëzoj Kuvendin e Maqedonisë dhe gjithë bashkëkombasit tanë/
PRISHTINË, 11 Janar 2018-Gazeta DIELLI/
Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nga Parlamenti i Maqedonisë është një e arritur e lartë demokratike për këtë shtet fqinj, që ndër të parët njohu pavarësinë e Kosovës, deklaroi sot Presidenti Kosovar, Hashim Thaçi.“Rritja e të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoni garanton edhe më shumë unitetin qytetar dhe etnik të republikës fqinje.
Përgëzojmë qytetarët shqiptarë për këtë të arritur politike, administrative dhe kulturore”, thekson Thaçi në ‘facebook’.
Presidenti i Kosovës vlerëson se miratimimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm i zbatimit të Marreveshjes së Ohrit dhe forcon edhe më shumë bashkëjetesën dhe perspektiven evropiane të Maqedonisë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur lajmin për Miratimin e Ligjit për përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë.
Miratimi i këtij ligji, i jep gjuhës shqipe hapësirë më të madhe përdorimi, në të gjitha institucionet e këtij vendi. “Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është lajm i gëzueshëm dhe arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Njëkohësisht, është hap i rëndësishëm për tërë rajonin dhe të ardhmen euroatlantike. Ndërtimi i harmonisë ndëretnike promovon paqe dhe stabilitet rajonal. Maqedonia sot e ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë për ndërtimin e një të ardhme të ndritur për të gjithë”, ka thënë kryeministri Haradinaj në deklaratën e dërguar nga Kryeministria.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në ‘facebook’: Përgëzoj Kuvendin e Maqedonisë dhe gjithë bashkëkombasit tanë për votimin e ligjit për gjuhën shqipe. Ky është një hap i rëndësishëm në përmbushjen e të drejtave legjitime të popullit shqiptar në Maqedoni dhe do t’i kontribuojë forcimit të demokracisë, barazisë dhe harmonisë etnike në këtë shtet. Po ashtu, kalimi i këtij ligji përbën një arritje të madhe në realizimin e plotë të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe nga standardet e kërkuara në kuadër të integrimit evropian./b.j/