• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT DHE ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NE MAQEDONI

March 3, 2019 by dgreca

1 Xhelal Zejneli

Nga Xhelal Zejneli/

Thuhet se me të hyrë në fuqi Ligji për përdorimin e gjuhëve, rrumbullakohet edhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

                Po qe se Marrëveshja e Ohrit qenkësh implementuar tërësisht, atëherë del se faktori politik shqiptar në Maqedoni, paska mbetur pa kauzë. I mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar e ka vështirë të veprojë në skenën politike. Përse?! Për arsye se shqiptarët në Maqedoni i ka mbajtur të mobilizuar kryesisht kauza kombëtare apo çështja kombëtare.

Historia dëshmon se popujt vihen në veprim për objektiva politikë, kryesisht kur janë të robëruar. Shqiptarët në Jugosllavi, që nga viti 1912 e këndej, kanë qenë të robëruar. Si të tillë, më tepër se një shekull, shqiptarët kanë qenë të mobilizuar rreth kauzës kombëtare.

Implementimi “i plotë” i Marrëveshjes së Ohrit, duket sikur i lë shqiptarët pa kauzë. Si pasojë, mobilizimi apo veprimi i shqiptarëve për objektiva kombëtarë, mund të shënojë rënie.

I mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar e ka vështirë t’i mobilizojë qytetarët për veprime politike.

Popujt e robëruar janë mësuar të mobilizohen rreth çështjeve të mëdha apo rreth ideve madhore. Ide madhore për popujt që duan liri, në radhë të parë janë idetë kombëtare. Kur në një moment historik, idetë e mëdha realizohen, ato edhe fillojnë të shteren. Shterja e tyre ndërkaq shpie në çmobilizimin e masave popullore.

Mund të ketë individë apo grupe politike për të cilët kauza shqiptare në Maqedoni nuk ka marrë fund. Të tillët do të kërkonin ndryshimin e flamurit të shtetit, të himnit të shtetit apo të stemës së shtetit.

Mund të ketë të tillë që do të kërkonin federalizimin e Maqedonisë, të tillë të cilët do të kërkonin që shqiptarëve në Maqedoni t’u njihet statusi i popullit shtetformues.

Mund të ketë edhe nga ata që do të kërkonin që Maqedonia të jetë shtet me dy entitete: me entitetin shqiptar dhe me entitetin sllavo-maqedonas.

Mirëpo, nuk duhet harruar se sipas qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës, si dhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Berlinit, me implementimin “e plotë” të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët në Maqedoni vështirë mund të shtrojnë kërkesa të reja që nuk kanë qenë të parashikuara me Marrëveshjen e Ohrit.

Kërkesa jashtë Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët mund të paraqesin vetëm në momente historike të reja si dhe në rrethana historike të reja që mund të lindin apo të shfaqen pas 30 vjetëve apo pas gjysmëshekulli.

* * *

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë pasur potencial të mjaftueshëm politik dhe intelektual që kërkesat primordiale të veta t’i realizonin në vitin 1991, përkatësisht në vitet ’90 të shekullit XX.

Për ta realizuar të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare, shqiptarët “vepruan”, d.m.th. pritën plot 28 vjet.

Si rrjedhojë e zvarritjes dhe e pritjes së pafund, shqiptarët nuk u entuziazmuan gjithaq nga realizimi i së drejtës së përdorimit të gjuhës amtare. Megjithëkëtë, kaluam më mirë se Estragoni i cili vazhdon të presë Godonë në teatrin absurd beketian.

Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur.

Si pasojë e pritjes së pafund të sendërtimit të të drejtave kombëtare themelore, shumë të rinj shqiptarë i lanë vatrat e veta dhe morën në sy rrugët e botës.

Që nga viti 1945, Maqedonia u ndërtua si shtet i nacifikuar sllavo-maqedonas. Edhe në periudhën e pluralizmit, Maqedonia mbeti shteti më i nacifikuar i rruzullit tokësor.

Sot po flitet për një frymë të re në këtë vend. Po qe se vërtet po ndërtohet një frymë e re, atëherë një prej punëve të para që duhet të bëhet në Maqedoni, është denacifikimi i saj dhe respektimi i përbërjes dyetnike të saj.

Ndonëse i mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar nuk do të thotë se s’ka ç’ka t’i ofrojë popullit. Tani nëpër tubimet që do të mbaheshin në ndonjë klasë të shkollës së katundit, partitë politike mund t’u premtojnë qytetarëve investime nga jashtë, ndërtim fabrikash dhe çelje të mijëra vendesh pune, pa harruar të shtojnë se ishin pikërisht ato që e futën vendin në NATO. Nëpër këto tubime dhe takime të mbajtura në salla fizkulture dhe në çajtoret e lagjeve, partitë politike do të kenë rastin e papërsëritshëm për t’i amplifikuar arritjet e veta të deritashme.

* * *

Është thënë nga shumë politikanë dhe analistë se hyrja e Maqedonisë në NATO është interes strategjik i këtij vendi, e sidomos i shqiptarëve. Hyrja e këtij vendi në Aleancën Veri-Atlantike, e parandalon penetrimin e Rusisë në këtë pjesë të gadishullit. Tani Rusisë i mbetet vetëm Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjën dhe Hercegovinës.

Duke qenë se hyrja e Maqedonisë në NATO u prolongua sa s’bën, rrjedhimisht, aderimi i saj në këtë organizëm nuk ngjalli ndonjë entuziazëm të madh ndër qytetarët e saj.

Ky ishte një akt i vonuar dhe i stërvonuar. Hyrja e Maqedonisë në NATO duhej të ishte bërë para nja 20 vjetëve. Përgjegjësia për këtë vonesë i takon të ashtuquajturës klasë politike të Maqedonisë, d.m.th. faktorit politik sllavo-maqedonas si dhe faktorit politik shqiptar.

Përgjegjësia për këtë vonesë u takon edhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Berlinit. Shkupi me Athinën bashkë, nuk kanë qenë më të forta se Uashingtoni dhe Berlini.

* * *

Kohët e fundit është folur në Maqedoni për nepotizmin. Duhet thënë se nepotizëm në Maqedoni ka pasur që nga vitit 1991 e deri në ditët tona. Nepotizëm ka pasur, si në organet e pushtetit vendor, ashtu edhe në organet e pushtetit qendror. Nepotizmin e kanë zbatuar të gjithë partitë politike që kanë qenë në pushtet, si partitë politike sllavo-maqedonase, ashtu edhe partitë politike shqiptare. Maqedonia është një ndër vendet me administratë vendore dhe qendrore më të stërngarkuar në Evropë, në mos dhe në botë. Me një administratë përmasash gjigante, nuk mund të hyhet në BE.

Krahas nepotizmit, në 28 vitet e kaluara, partitë politike, si ato shqiptare ashtu edhe ato sllavo-maqedonase, kanë kryer politizimin dhe partizimin e skajshëm të institucioneve publike, si të nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror. Partitë politike i kanë punësuar pa kritere profesionale dhe morale ushtarët dhe militantët partiakë, shumë prej tyre – diletantë.

* * *

Së shpejti në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet për kryetar shteti. Kryetari i përtashëm – Gj. Ivanovi dy herë është zgjedhur me votat e shqiptarëve. Herën e parë, me votat e BDI-së, ndërsa herën e dytë me ato të PDSH-së. Ndonëse u zgjodh me votat e shqiptarëve, Ivanovi e refuzoi dhe e injoroi çdo kërkesë të shqiptarëve.

Nuk ka asnjë dyshim dhe kurrfarë hamendjeje se do të kishte qenë më mirë që faktori politik shqiptar në këto zgjedhje të dilte me një kandidat të përbashkët – shqiptar. Me një kandidat shqiptar, të mbështetur nga tërë spektri politik shqiptar, faktori shqiptar në Maqedoni do të kishte mundësinë të manifestonte forcën e vet politike.

Lidhur me zgjedhjet për kryetar shteti, faktori politik shqiptar duhet të ketë parasysh se:

– një pjesë e shqiptarëve janë të zhgënjyer nga veprimet dhe nga sjelljet e BDI-së dhe të PDSH-së, pa harruar këtu edhe dështimet e PPD-së;

– një pjesë tjetër e shqiptarëve mund mos të jenë të gatshëm të votojnë për një kandidat sllavo-maqedonas;

– një përqindje tjetër e shqiptarëve mund të demotivohen për mosdaljen e faktorit politik shqiptar me një kandidat të përbashkët;

– shumë shqiptarë ndërkaq, janë të lodhur nga proceset politike, të përshkuara me turbulenca, etiketime dhe polarizime ndëretnike dhe brendaetnike, e që zgjasin plot 28 vjet, pa kurrfarë rezultati ekonomik për shqiptarët;

Proceset politike në Maqedoni janë të vonuara dhe kjo ka lënë pasoja të pariparueshme. Shpërnguljet në masë të të rinjve janë rezultante e proceseve politike të zvarritura dhe të prolonguara deri në pafundësi.

* * *

Mbështetja e kandidatit të LSDM-së nga BDI-ja apo nga PDSH-ja dhe Alternativa , nuk shkon në favor të këtyre partive. Përkundrazi, shkon në dëm të tyre.

Duket sikur BDI-ja mbështet opsionin e krijimit të shtetit qytetar.

Maqedonia kurrë s’ka për të qenë shtet qytetar. Ajo është shtet dyetnik, shqiptar dhe sllavo-maqedonas dhe e tillë do të mbetet deri sa të mos lindin rrethana të reja historike për ripërkufizimin eventual të hartës politike të gadishullit.

Ka LSDM-istë që thonë se duhet punuar në ndërtimin e shtetit qytetar. Këta mbase vërtet duan shtet qytetar, por me dominimin e plotë të tyre. Ata duan shtet qytetar në të cilin shqiptarët do të kishin vetëm 1% pushtet, aq sa kanë sot, sidomos në lëmin ekonomik, financiar apo bankar.

* * *

Mbështetja e kandidatit të LSDM-së, përkatësisht mbështetja e Stevo Pendarovskit prej votuesve shqiptarë, sidomos në raundin zgjedhor të dytë, do të ishte në funksion të parandalimit të fitores së kandidates së VMRO-së, parti kjo skajshmërisht antishqiptare.

Fitorja eventuale e kandidates së VMRO-së në zgjedhjet për kryetar shteti, do të shënonte për Maqedoninë hap prapa dhe do të vinte në dyshim legjitimitetin e Marrëveshjes së Prespës. VMRO-istët do të brohoritnin se referendumi për ndërrimin e emrit të shtetit, nuk ka kaluar.]

Marrëveshjes së Prespës i nevojitet, jo vetëm legjitimiteti i fituar në procedurën parlamentare, por edhe legjitimiteti popullor.

Fitorja e kandidatit të LSDM-së, i cili tani promovohet si kandidat konsensual, përballë kandidates së VMRO-së, do të ishte në funksion të zbatimit të reformave, si conditio sine qua non për fillimin e bisedimeve për integrimin e Maqedonisë në BE, në qershor të vitit në vazhdim.

Pjesë e reformave është edhe Ligji – në fuqi – për përdorimin e gjuhëve.

Duhet shtuar se me VMRO-në antishqiptare kanë bashkëqeverisur, PDSH-ja në vitet 2006-2008, e sidomos BDI-ja në vitet 2008 e këndej.

* * *

Dy partitë e reja, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, hiqen apo veprojnë sikur kanë kauzë, për dallim nga BDI-ja dhe PDSH-ja, të cilat kanë mbetur pa kauzë.

Madje, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa paraqiten edhe si mbartës të vetëm të kauzës, hiç më pak se të kauzës kombëtare. Po qe se këto dy parti politike nuk qëndrojnë përballë BDI-së, atëherë ato lehtë mund të shndërrohen në bishta apo në nëndegë të saj.

Por nuk duhet harruar se një grup politik që është nusprodukt i vonuar i partisë nënë, mund t’ia dalë të jetë edhe pjesë e bashkëlidhjes qeverisëse, por vështirë mund ta zgjidhë çështjen shqiptare.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Maqedoni, shqiptaret, Xhelal Zejneli, Zgjedhjet Presidenciale

Përgjumja e shqiptarëve në Maqedoni

December 20, 2018 by dgreca

“Një popull që flen, ai popull vdes”. (Ismail Qemal Vlora)/

arben-llalla

Nga Arben LLALLA/

Më në fund partitë politike shqiptare hoqën dorë butësisht nga kërkesat e shqiptarëve për barazi me qytetarët sllavë në Maqedoni. Prej shumë vitesh shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të mashtrohen nga intelektualët me kapacitete të kufizuara për interesa të tyre personale. Kaluan kaq vite dhe shqiptarët ende janë qytetarë të kategorisë së dorës së dytë ku i mohohet shkollimi në gjuhën amtare si në shek.19, flamuri kombëtar tashmë me ligj është zvogëluar duke e humbur krenarinë shqiptare, shkatërrimi ekonomik i ndërmarrjeve të mëdha, degradimi i fesë etj. Për të larguar vëmendjen nga këto probleme shoqërore që ndeshen shqiptarët në Maqedoni prej shumë vitesh sistemi shtetëror i ndihmuar nga grupe të ndryshme intelektualë shqiptar të vënë në shërbim të interesave sllave shpikin probleme të reja të cilat nuk kanë lidhje fare me atë se çfarë po ndodh në të vërtetë me shoqërinë shqiptare. Kjo lloj metodë hynë në luftërat e qeta të cilat zhvillohen me “Armët e heshtur”. Armët e heshtura janë avancuar si pasojë e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik këto 30 vitet e fundit. Kjo ka bërë që pushteti të veprojë në kohën e duhur me anë të elitave të saja për të ndalur zhvillimin e klasës së mesme e cila gjithnjë historikisht ka udhëhequr revolucionet. Kështu, sistemi shtetëror ka më shumë kontroll mbi popullin dhe pushtetin e gjerë duke bërë të mundur izolimin e tyre. Kuptohen se të gjitha këto bëhen që shqiptarët të mbeten të prapambetur dhe mos të kenë informacionet e duhura se çfarë po ndodh me botën përreth.

Kujtesa e dobët e votuesve shqiptar ka bërë që askush të mos flasin dhe të shkruaj për të dënuarit padrejtësisht të rastit të Sopotit, për vrasjen dhe burgosjen e ish-ushtarëve të UÇK-së, rasti i Kondovës, për vrasjen e një studenti shqiptar më 2005 në dhomën e tij nga policia në Tetovë, për vrasjen e Harun Aliut, për burgosjen e shqiptarëve, rastit Mostra, rasti i Kumanovës, për rrahjet e nxënësve shqiptar nëpër autobuzë, për premtimet që partitë shqiptare u betohen votuesve të tyre, etj.

Shqiptarët në Maqedoni protestuam disa herë për luftërat qytetare në Egjipt dhe Siri duke kërkuar me të drejtë ndaljen e tyre dhe paqja të mbizotërojë në këto shtete, por shqiptarët kanë disa vite që nuk po protestojnë për të drejtat e tyre që shkelen çdo ditë me të dyja këmbët në Maqedoni. Deputet shqiptar, ata papagallët xhuxhmaxhuxh që dikur çirreshin në emër të luftës dhe viteve të burgjeve të ish-Jugosllavisë janë fshehur pas gishtit sepse i mbushën xhepat duke siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre me pasuri të bërë në emër të Patriotizmit.

Është për të zënë kujën kur shikon familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së 2001 në një varfëri të thellë, prej kaq vitesh ata u mashtruan për pensione dhe përkrahje nga partia që thirren në emër të luftës, por në të vërtetë ajo është thjeshtë parti si shumë partitë të tjera që u përkasin vetëm 2-3 personave për përfitime biznesesh personalë. Dikur një ministër çirrej se janë ngritur komisione të punës për të krijuar bazën ligjore për tu dhënë pensione, por në të vërtet asgjë nuk u bë, çdo deklaratë e këtij ministri kokëtul kishte qenë gënjeshtër si shumë gënjeshtra që thonë përditë përfaqësuesit e votës shqiptare në Maqedoni.

            Ende vazhdon të qarkullojë Enciklopedia e famshme sllave që ofendon kombin shqiptar dhe asgjë nuk u bë, as nuk u ndal e as nuk u korrigjua. Fëmijët shqiptar mësojnë nëpër shkolla me tekste shkollor që ofendohet kombi i tyre dhe asnjë inspektor i arsimit nuk ka kërkuar ndalimin e këtyre teksteve shkollorë.

Jemi dëshmitarë që arsimi shqip po degradon sot duke e ulur cilësinë e sajë dhe na ushqyer me injorancë dhe mediokritet. Shtresat e ulëta sociale shkollohen me modesti duke bërë të mundur që hendeku midis klasës shoqërore të lartë dhe të ulët të ketë një hapësirë ndarje të pakapshme. Shumë njerëz janë pajisur me diploma të pamerituara, në fund të çdo viti shkollor brenda natës 10 njëshat mund të bëhen 10 dysha.

Dikur studentët shqiptar quheshin me të drejtë studentë heronj, por sot Unionet e studentëve janë kthyer në vegla të partive politike edhe një Union i studentëve të pavarur që funksionojnë diku nga viti 2005-2007 u zhduk bashkë me daljen në “pension” të kryetarit të saj. (Siç duket shumica e shoqatave, partive apo organizatave shqiptare funksionimin e tyre e lidhin vetëm me emrin dhe figurën e kryetarit të saj). Nuk kemi dëgjuar prej kaq vitesh që Unionet e studentëve shqiptar të protestojnë për të drejtat e tyre, siç duket studentët janë të kënaqur me jetën e tyre studentore dhe programet mësimore në universitet që ndjekin. Ishte nder të diplomoje në Universitetin e Tetovës, tashmë ndihemi në turp kur shikojmë se si diplomohen në Universitetin Shtetëror të Tetovës individë që nuk kanë mundur të marrin me meritë diplomën e shkollës së mesme. Nëpër institucionet shtetërore punësohen militant partiak të cilët i përkasin shtresës së ulët të shoqërisë dhe jo individë që mund ti ofrojnë zhvillim vendit dhe shoqërisë.

Shqiptarët në Maqedoni duken sikur janë përgjumësh, por kur do zgjohen atëherë shqiptarët në Maqedoni? Shqiptarët do zgjohen kur të hanë shpulla deputetët e tyre në Kuvendin e Maqedonisë, kur do të hanë shpulla ministrat shqiptar nga huliganët sllavë. Kjo gjë ka ndodhur edhe dikur me deputetët shqiptar në Kuvendin e Perandorisë Osmane. Ishte Marsi i vitit 1911, deputeti Ismail Qemal Vlora kërkoj llogari për shpifje në një shkrim të botuar në gazetën turke “Le Jeune Turc” dhe deputeti xhonturk Dervish Beu duke vërejtur tonin e lartë të zërit, atëherë i ra me shpullë Ismail Qemal Vlorës. Deputeti shqiptar Hasan Prishtina reagoj duke thënë “Zotërinj, ta dini mirë se kjo ngjarje do të sjellë shumë të liga”. Më tej deputetët xhonturq i kërkuan falje Ismail Vlorës, por shpulla e Dervish Beut e kishte bërë të vetën, nacionalistët shqiptar ishin zgjuar nga gjumi i thellë nën jorganin e Perandorisë Osmane dhe pas më shumë se një viti Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 1912.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, ne Maqedoni, Përgjumja e shqiptarëve

ZYRTARIZIMI I SHQIPES NË MAQEDONI

April 7, 2018 by dgreca

NGA XHELAL ZEJNELI/Akti juridik që ka të bëjë me gjuhën, mban titullin Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ka të bëjë me qytetarët e Maqedonisë që flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja, e që përbëjnë të paktën 20% të popullsisë. Çështja e përdorimit të gjuhës është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit. Me miratimin e tij, mund të thuhet se rrumbullakohet pjesa më e madhe e implementimi të saj. Kjo çështje duhej të zgjidhej qysh në vitin 2004. Që atëherë kanë kaluar plot 14 vjet. Shkrimtari i BH-së – Mesha Selimoviqi thotë: “Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe nga ajo siç ka ndodhur”. Me miratimin e këtij ligji, nuk cenohet karakteri unitar i shtetit dhe Maqedonia nuk federalizohet. Ligji është në përputhje me amendamentin 5 të Kushtetutës së RM-së. Në këtë ligj, njashtu si edhe në Marrëveshjen e Ohrit, askund nuk përmenden shqiptarët apo gjuha shqipe. Në vend të shqiptarëve përdoret sintagma ”qytetarët që flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja e që përbëjnë të paktën 20% të popullsisë”. Gjuha shqipe me këtë ligj nuk është gjuhë zyrtare në tërë territorin e RM-së. E tillë mbetet maqedonishtja dhe alfabeti i saj cirilik. Shqipja bëhet zyrtare vetëm në rajonet në të cilat shqiptarët përbëjnë të paktën 20% të popullsisë, përfshi edhe një pjesë të madhe të institucioneve shtetërore të nivelit qendror. Në zona të caktuara, me këtë ligj përfshihet edhe e drejta zyrtare e përdorimit e gjuhës turke, serbe dhe rome. Për lexim të parë, ligji hyri në Kuvendin e RM-së me yllin, që paraqet simbolin e Bashkimit Evropian. Me këtë nënkuptohej se propozimi i ligjit duhej të miratohej me procedurë normale, të papenguar dhe pa obstruksione. Simboli i BE-së tregonte se ky ligj është në përputhje me standardet evropiane të përdorimit të gjuhëve nga bashkësitë etnike që nuk përbëjnë shumicë. Shembuj të tillë kemi në Zvicër, në Belgjikë etj. Kuptohet, ky ligj ka edhe dimension politik ngase do ta forcojë kohezionin ndërmjet bashkësive etnike në RM. Madje, është edhe pjesë e rrugëtimit të vendit drejt  organizmave euro-atlanitkë. Miratimi i këtij ligji në Kuvendin e RM-së me 64 vota për, është një arritje për shqiptarët, eliminon një padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe i jep fund politikës diskriminuese dhe restriktive, karakterit unitar, centralist dhe monoetnik të shtetit me përbërje dyetnike. Maqedonia duhet të pushojë së qeni shteti më i nacifikuar në Evropë. Pra, duhet të bëhet denacifikimi i saj.

Që kur Maqedonia është shkëputur nga amalgama jugosllave, kanë kaluar 28 vjet. Që atëherë, shqiptarët merren me çështjen e gjuhës. Pra gati tri dekada. Gjatë gjithë kohës së pluralizmit çështja shqiptare në Maqedoni sillej midis scilës dhe haribdës. Gjatë gjithë kohës së tranzicionit, kërkesat primordiale të shqiptarëve kanë hasur në vox clamantis in deserto. Faktori politik maqedonas, duke e shtruar çështjen shqiptare në shtratin e Prokrustit, i detyroi shqiptarët që vite me radhë të merren me çështjen e gjuhës. Si rrjedhojë, rajonet e banuara me shumicë shqiptare, ngecën në pikëpamje ekonomike. Nëpër qytezat tona, në vend të ndërmarrjeve prodhuese dhe institucioneve kulturore dhe shkencore, kanë vërshuar kazinotë, bastoret, çajtoret, tavernat dhe byrektoret. Ka edhe bordele apo shtëpi publike. Duke mos parë perspektivë, shumë të rinj u detyruan t’i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit. Për këtë vonesë historike, faktori politik shqiptar, në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim, duhet të mbajë përgjegjësi. Në vend që t’i japë llogari këtij populli, faktori politik shqiptar synon t’i amplifikojë arritjet e veta në skenën politike.

*   *   *

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka një shtrirje të caktuar horizontale si dhe dimension vertikal. Përfshin organet e pushtetit vendor si dhe pjesë të mëdha të pushtetit qendror. Në bazë të këtij ligji, gjuha shqipe dhe alfabeti i saj do të flitet, përkatësisht do të shkruhet në të gjitha organet e pushtetit qendror të RM-së, në institucionet qendrore, në ndërmarrjet publike, nëpër agjencitë, drejtoritë, në organizata, në ente, në komisione.

Shqipja do të përdoret në sistemin gjyqësor të vendit, në gjykata, në prokuroritë publike etj. Qytetarët do të kenë të drejtë ta përdorin shqipen gjatë komunikimit në organet e pushtetit qendror, siç janë Kuvendi i RM-së, Kryetari i RM-së, Qeveria e RM-së, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, përfshi edhe procesin zgjedhor, veprimtarinë e radiopërhapjes (radiodifuzionit), veprimtarinë noteriale, dokumentet personale, lëmin e financave etj.

Funksionarët shqiptarë të zgjedhur apo të emëruar në institucione, përfshi edhe ato me seli në kryeqytet, gjatë komunikimit zyrtar do ta përdorin gjuhën shqipe. Shqipja bëhet zyrtare edhe në punën e Qeverisë së RM-së. Por, seancat e Qeverisë së RM-së udhëhiqen në gjuhën maqedonase. Shqipja përdoret në seancat e Qeverisë së RM-së vetëm atëherë kur ato udhëhiqen nga funksionari shqiptar – i zgjedhur apo i emëruar. Në seancat e qeverisë, në komisionet qeveritare dhe në kolegjiume, funksionari shqiptar – i zgjedhur apo i emëruar, do ta përdorë shqipen. Kartëmonedhat etj. do të përmbajnë simbole të trashëgimisë kulturore shqiptare. Uniformat e policisë etj. shkruhen edhe në shqip. Teksti i vulave të institucioneve, përfshi edhe të atyre  me seli në Shkup, shkruhet edhe në shqip. Shqipja përdoret edhe në Ueb faqet e institucioneve. Të gjitha aktet e qeverisë dhe të institucioneve të tjera nxirren edhe në shqip. Nuk është e qartë nëse një projektligj i një dikasteri të udhëhequr nga një ministër shqiptar, hartohet në shqip që pastaj të përkthehet në maqedonisht, apo një e drejtë e tillë nuk parashikohet.

Shqipja është gjuhë zyrtare në Kuvendin e RM-së. Stenogramet e seancave të Kuvendit (si dhe të Qeverisë) ruhen edhe në shqip. Funksionari i zgjedhur apo i emëruar i Kuvendit të RM-së materialet i merr dhe i dorëzon në shqip. Kur seancën e Kuvendit e udhëheq deputeti shqiptar, atëherë seanca udhëhiqet në shqip.

Ligji përmban 25 nene të përfshira në 12 faqe. Me pjesën e arsyetimit, ligji ka 19 faqe. Në grosso modo kjo do të ishte përmbajtja e tij. Ndonëse nuk është zyrtare në tërë territorin e RM-së, megjithëkëtë ky ligj paraqet avancim të përdorimit të shqipes.

Duhet shtuar se gjuha shqipe nuk do të përdoret në komunikimin ndërkombëtar, në Armatën e Republikës së Maqedonisë, në polici, në kartëmonedha.

 

*   *   *

Lidhur me çështjen e gjuhës, faktori politik shqiptar nuk ka qenë sa duhet transparent. Megjithëkëtë, për këtë ligj flitet qe nëntë muaj. Ka pasur debate në të gjitha mediumet elektronike. Opinione rreth kësaj çështjeje janë paraqitur edhe nëpër mediumet e shkruara. Në debate kanë qenë të përfshirë persona lëmenjsh të ndryshëm, si në hapësirën mediatike shqiptare, ashtu edhe në atë maqedonase, kështu që ligji nuk është përvjedhur nëpër deriçkë, por ka kaluar nëpër një procedurë parlamentare të rregullt. Partitë politike shqiptare, në fazën e hartimit të projektligjit, janë këshilluar me ekspertë të kushtetutës, në mënyrë që asnjë nen i tij të mos jetë në kolizion me Kushtetutën e RM-së.

 

*   *   *

Sot e tutje, në organet e pushtetit vendor me shumicë shqiptare, të gjitha vendimet, aktvendimet, raportet, rregulloret, udhëzimet, dokumentet ekonomike, financiare, juridike dhe politike duhet të hartohen, të nxirren dhe të miratohen në gjuhën shqipe, e pastaj të përkthehen në maqedonisht. Kjo vlen edhe për njësitë rajonale të pushtetit qendror që janë të vendosura në komunat me shumicë shqiptare. Kjo nuk është një punë e lehtë. Përkundrazi, është një çështje komplekse. Për realizimin e kësaj detyre, nevojitet vullnet i mirë, ndërgjegje e lartë e sidomos kapacitet profesional. Duhet pasur kujdes që mos ta ngatërrojmë punën, e të dalë më keq se ç’ishte. Megjithëkëtë, duhet të besojmë se puna do të shkojë mbarë. Për shqiptarët, ligji paraqet një sfidë. Për t’u ballafaquar me të, nevojitet përkushtim. Negligjenca, indolenca dhe papërgjegjësia mund të shpijnë në dështim. Tani shqiptarët duhet të manifestojnë kapacitet shtetformues. Tani e tutje s’kemi sesi i fajësojmë të tjerët. Filozofi dhe shkrimtari ekzistencialist francez – Zhan-Pol Sartrë thotë: Njeriu, vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet.

 

*   *   *

Tekstet shkollore të shkollave fillore dhe për ato të mesmet kryesisht përkthehen nga maqedonishtja. Përkthimet kryhen në mënyrë diletante, d.m.th. joprofesionale. Ka raste kur pjesë dhe kapituj të tërë, për të mos thënë i tërë teksti, janë të papërdorshëm. Gabimet janë të natyrave të ndryshme – teknike, drejtshkrimore, sintaksore dhe terminologjike. Përkthimi nuk është punë e tezgaroshëve. Çështja e gabimeve nëpër tekste nuk zgjidhet me gjoba. Gjobitja është puna më e vogël. Kjo çështje kërkon ngritjen e nivelit tonë arsimor, ngritjen e cilësisë në arsim, kërkon reforma të thella në sistemit e arsimit. Ky është një proces i gjatë. Në parim, përkthimi flet për inferioritet, pozitë të nënshtruar, tregon varësi por edhe diskriminim. Në këtë lëmë, shqiptarët duhet t’i marrin punët në duart e veta. Duhet të jenë autorë dhe jo interpretues. Duhet të krijojnë vepra burimore dhe jo të punojnë me kopjime. Shpesh themi se kemi disa universitete, kemi individë me tituj akademikë. Të tillët duhet t’u dalin zot punëve të veta dhe t’i arsyetojnë titujt apo gradat shkencore.

Përveç kësaj, ka tekste shkollore, si për filloristët, ashtu edhe për nxënësit e shkollave të mesme, që janë hartuar pa kritere shkencore apo me kritere shkencore të dyshimta, që janë me ngarkesa ideologjike dhe nacionaliste. Të tillat nuk i shërbejnë bashkëjetesës, ndaj duhet të flaken nga procesi arsimor. Është mirë që ndërmjet Tiranës dhe Shkupit të arrihet një marrëveshje që tekste të caktuara, të paktën ato të matematikës dhe të shkencave të natyrës, të vijnë nga autorët e Shqipërisë. Ndërkaq tekstet e lëndëve siç janë gramatika e gjuhës shqipe, historia e gjuhës shqipe, letërsia shqiptare, arti figurativ, arti muzikor, historia kombëtare, gjeografia kombëtare – duhet të vijnë nga Shqipëria. Kuptohet, edhe këtu në Maqedoni kemi autorë shqiptarë të cilët mund të hartojnë tekste shkollore cilësore. Të mos harrojmë, ne ende s’kemi një abetare të përbashkët.

 

*   *   *

Për zbatimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet e shtetit do të themelohet edhe Agjencia e zbatimit të gjuhës. Atë e themelon Qeveria e RM-së, e cila emëron edhe drejtorin e saj. Kjo agjenci, për punë e vet çdo vit i paraqet raport qeverisë. Ndërkaq, në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë, në cilësi të personit juridik, do të formohet edhe Inspektorati i zbatimit të gjuhës. Për organet dhe për institucionet që e shkelin ligjin, parashikohet gjobë prej 4.000 deri në 5.000 euro. Me 30% të shumës së sipërthënë gjobitet për shkelje të dispozitave të ligjit edhe personi përgjegjës i organit. Themelimi i kësaj agjencie apo i këtij inspektorati, që në krye të herës të çon të dyshosh në mundësinë e zbatimit në praktikë të ligjit. Nuk duhet të jemi ithtarë të dënimeve apo të gjobitjeve. Me këtë ligj nuk rregullohet qarkullimi rrugor, për shkeljen e të cilit parashikohen dënime apo gjoba. Ligji i përdorimit të gjuhëve duhet të zbatohet me vullnet të mirë, me ndërgjegje, me vetëdije dhe në mënyrë profesionale. Zbatimi i tij nuk shkon në dëm të askujt. Përkundrazi, shkon në dobi të çdokujt. Sidomos është në funksion të stabilitetit të shtetit.

Zbatimi i ligjit, sidomos në organet dhe në institucionet e pushtetit qendror mund të hasë në vështirësi llojesh të ndryshme. Do të ketë mungesë kapaciteti profesional, por nuk përjashtohen as obstruksionet eventuale. Zbatimi i ligjit kërkon njohuri të mëdha në fushën e gjuhës. Zbatuesit do të ballafaqohen edhe me çështjen e njohjes së terminologjisë, në lëmenj të ndryshëm, siç janë terminologjia administrative, juridike, ekonomike, bankare, financiare, komunale, politike, gjyqësore, postare, arsimore, shëndetësore, infrastrukturore, arkitekturore, kriminalistike, informatike, sportive etj.

Shqiptarët në Maqedoni, të diskriminuar gjatë dekadave, nuk kanë traditë të duhur në administratë. Nuk kanë as klasë politike, ngase klasa politike ekzistuese, e periudhës së pluralizmit, nuk ka qenë veçse dekor i faktorit politik maqedonas. Dallohet gjuha gjatë përdorimit privat nga ajo që përdoret në jetën publike apo në profile profesionale të ngushta. Shqiptarët në Maqedoni, në sferën e njohurive të gjuhës amtare, sidomos gjatë të shkruarit të saj, kanë zbrazëtira serioze. Një përqindje e madhe e personave me tituj akademikë kanë njohuri tejet të kufizuar në të shkruarit e shqipes.

Kur është fjala për zbatimin e ligjit, politizimi dhe partizimi i administratës, tanimë është një luks. Gjuha kërkon dituri, sot, si asnjëherë deri tani. Flitet për lektorë, për korrektorë, për përkthyes etj. Po ku t’i marrim ata, ku t’i gjejmë?! T’i kërkojmë si Diogjeni me qiri ditën. Inspektori mund të inspektojë sa të dojë, por brumin e administratorëve brenda në administratë, kurrë s’mund ta ndryshojë. Brumin e nomenklaturës dhe të establishmentit s’e përmirëson dot kush. Për ta mësuar këtë punë kolosale, shqiptarëve u nevojitet të paktën dhjetë vjet përvojë. Në raportet të cilat agjencia do t’ia dërgojë qeverisë, gjendja e përdorimit të gjuhës do të paraqitet e zbukuruar, njashtu siç e paraqitnin të zbukuruar realitetin, krijuesit letrarë dhe artistikë të periudhës së real-socializmit, në kohën e Zhdanovit. Në raporte, realiteti shpeshherë shtrembërohet. Shkrimtari kroat Kërlezha thotë: Askund nuk gënjejnë më shumë se në armatë. Për çdo punë në ushtri thuhet se është kryer dhe është realizuar për notën maksimale.

 

*   *   *

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ernest Koliqi, në cilësinë e ministrit të Arsimit, dërgoi në këto anë dhe në Kosovë qindra mësues për ta filluar arsimimin e nxënësve shqiptarë në gjuhën amtare. Për punën e zbatimit të suksesshëm të shqipes, ndërmjet Shkupit dhe Tiranës duhet të ketë kontakte të rregullta dhe komunikim të rregullt. Duhet marrë përvojat e administratës së Shqipërisë, të organeve dhe të institucioneve të saj, si të pushtetit vendor, ashtu edhe atij qendror. Shkresat e të gjitha dikastereve, ato të gjyqësisë, të administratës, të financave etj., është mirë t’u vihen në dispozicion administratorëve shqiptarë në Maqedoni. Është me rëndësi që shqiptarët të mendojnë shqip dhe të shkruajnë shqip, duke e flakur ndikimin nga gjuhët sllave. Është me rëndësi parësore që në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, të përdoret terminologji unike dhe jo laramane, në mos dhe e gabuar. Për këtë çështje mund të krijohen edhe komisione ndërshqiptare për njëjtësimin e terminologjisë. Në funksion të kësaj, duhet të vijnë nga Tirana fjalorë terminologjikë lëmenjsh të ndryshëm, përfshi edhe literaturën profesionale. Në këtë pikëpamje, mund të vendoset komunikim edhe me Prishtinën për arsye se administrata e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, duke qenë dikur pjesë e administratës së ish-Jugosllavisë, janë kompatibile dhe kanë ngjashmëri të caktuara.

 

*   *   *

Shqiptarët në Maqedoni kanë të meta serioze në të shkruarit e shqipes. Kuptohet, edhe në të folurit e saj. Kjo është pasojë e sundimit shekullor sllav. Sllavët e kanë penguar arsimimin e shqiptarëve. Një popull i diskriminuar e ka vështirë të arrijë arsimim normal dhe cilësor. Megjithëkëtë, shqiptarët në Maqedoni kanë arritur shumë. Reforma në arsim duhet të ketë. Por, së pari duhet ta reformojmë veten. Reforma, jemi ne. Ato janë në ne. Kush t’i bëjë reformat? Kush t’i zbatojë ato? Ndryshimet kozmetike nuk mund të quhen reforma. S’ka shkop magjik që e drejton drurin e shtrembët. Ç’pret prej një shoqërie ku injoranti merr titull akademik apo gradë shkencore, pa e ditur as edhe një gjuhë të huaj?! Dituria nuk është ekzibicionizëm, reklamë, propagandë dhe paraqitje në studiot televizive të qytezave tona. Si mund të sugjerohet ndarja e letërsisë dhe e gramatikës në dy lëndë të veçanta, derisa edhe fondi ekzistues i orëve, sidomos i atyre të gramatikës, nuk shfrytëzohet në mënyrë efektive?! Një prej reformave është kur nxënësi i shkëlqyeshëm do të bëhet mësues, i cili të ketë 1.000 euro rrogë dhe të punojë me nxënës të zgjedhur, në kushte shkollore bashkëkohore. Çdo njeri nuk duhet të ketë arsimim universitar. Ka njerëz me fakultet që mezi dinë të shkruajnë. Naimi thotë: …dhe dritë e diturisë, përpara do na shpjerë.

 

*   *   *

Ka perënduar koha kur për shqiptarët kërkonin dhoma gazi, kur brohoritej vdekje për shqiptarët, shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur. Ka kaluar koha e ksenofobisë, e antishqiptarizmit dhe e fyerjeve degutante. Janë klithmat e fundit të një ideologjie në shuarje. Është në të mirë të VMRO-së që të shkëputet nga ideologjia retrograde, anakronike dhe antihistorike. Nacionalizmi romantik i tipit të shekullit XIX, në qindvjeçarin XXI është anakronik. Në funksion të paqes dhe të stabilitetit të vendit dhe të rajonit, kjo parti duhet të reformohet sa më parë. Janë drithërimat e fundit të forcave të mundura. Një ditë mund të vijë puna që VMRO-ja, për të krijuar shumicën parlamentare, të kërkojë koalicion me ndonjë parti politike shqiptare. Cila do të ishte ajo parti shqiptare e cila do të bashkëqeveriste me një VMRO të këtillë?! Thuhej se me themelimin e Universitetit të Tetovës do të shembet bota, por s’ndodhi kjo. Po kjo, thuhej edhe për ndarjen territoriale. In ultima linea, mendim për Ligjin e përdorimit të gjuhëve le të japë Gjykata Kushtetuese apo Komisioni i Venecias.

Pala maqedonase duhet ta dijë se ka shumë shqiptarë që nuk pajtohen me shtrirjen e kufizuar të gjuhës shqipe. Në Zvicër, gjuha retoromane është gjuhë zyrtare, ndonëse retoromanët përbëjnë vetëm 4% të popullsisë së atij vendi. Shqiptarët në Maqedoni ndërkaq, përbëjnë rreth 30% të popullsisë dhe janë popull autokton. Rrjedhimisht, maqedonasit nuk mund të jenë mbartës të vetëm të shtetësisë, as trashëgues të vetëm të shtetësisë. Te të gjitha palët duhet të mbizotërojë arsyeja dhe jo veprimet irracionale. Të mos ushqehemi me mite dhe me legjenda. E ardhmja është sot.

                  Vigjilenca, puna me përkushtim, ndershmëria në punë, sakrifica, ideali, puna me përgjegjësi, niveli profesional, qasja profesionale, bashkëpunimi i ndërsjellë, dashuria për gjuhën dhe për kombin do të bëjnë të mundur jetësimin e aktit juridik për përdorimin e shqipes. Gjuha shqipe duhet të përdoret pikë për pike në të gjitha poret e shtetit, sikundër parashikohet me ligj. Është një moment historik për të cilin shqiptarët kanë sakrifikuar një shekull. Kryetari i RM-së – Ivanovi refuzoi nënshkrimin e ligjit dhe shkeli Kushtetutën e vendit. Tani për tani, ligji pret nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit të RM-së, si pjesë e procedurës për të hyrë në fuqi.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Maqedoni, Xheladin Zenjeli, ZYRTARIZIMI I SHQIPES

Kosovë- Mirëpritet miratimi i Ligjit për Gjuhët në Maqedoni

January 11, 2018 by dgreca

Treshja

Kosovë- Mirëpritet miratimi i Ligjit për Gjuhët në Maqedoni/

-Presidenti Thaçi: Shqipja gjuhë zyrtare në Maqedoni, një e arritur e lartë demokratike/

-Kryeministri Haradinaj: Miratimi i Ligjit për Gjuhët në Maqedoni, lajm i gëzueshëm për gjithë shqiptarët/

-Kryeparlamentari Veseli: Përgëzoj Kuvendin e Maqedonisë dhe gjithë bashkëkombasit tanë/

PRISHTINË, 11 Janar 2018-Gazeta DIELLI/

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nga Parlamenti i Maqedonisë është një e arritur e lartë demokratike për këtë shtet fqinj, që ndër të parët njohu pavarësinë e Kosovës, deklaroi sot Presidenti Kosovar, Hashim Thaçi.“Rritja e të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoni garanton edhe më shumë unitetin qytetar dhe etnik të republikës fqinje.
Përgëzojmë qytetarët shqiptarë për këtë të arritur politike, administrative dhe kulturore”, thekson Thaçi në ‘facebook’.

Presidenti i Kosovës vlerëson  se miratimimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm i zbatimit të Marreveshjes së Ohrit dhe forcon edhe më shumë bashkëjetesën dhe perspektiven evropiane të Maqedonisë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur lajmin për Miratimin e Ligjit për përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë.

Miratimi i këtij ligji, i jep gjuhës shqipe hapësirë më të madhe përdorimi, në të gjitha institucionet e këtij vendi. “Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është lajm i gëzueshëm dhe arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Njëkohësisht, është hap i rëndësishëm për tërë rajonin dhe të ardhmen euroatlantike. Ndërtimi i harmonisë ndëretnike promovon paqe dhe stabilitet rajonal. Maqedonia sot e ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë për ndërtimin e një të ardhme të ndritur për të gjithë”, ka thënë kryeministri Haradinaj në deklaratën e dërguar nga Kryeministria.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në ‘facebook’: Përgëzoj Kuvendin e Maqedonisë dhe gjithë bashkëkombasit tanë për votimin e ligjit për gjuhën shqipe. Ky është një hap i rëndësishëm në përmbushjen e të drejtave legjitime të popullit shqiptar në Maqedoni dhe do t’i kontribuojë forcimit të demokracisë, barazisë dhe harmonisë etnike në këtë shtet. Po ashtu, kalimi i këtij ligji përbën një arritje të madhe në realizimin e plotë të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe nga standardet e kërkuara në kuadër të integrimit evropian./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Haradinaj, Mirëpritet miratimi i Ligjit, ne Maqedoni, për Gjuhët, Thaci, Veseli

Muhamed Zekiri nuk mund të përfaqësoj shqiptarët në Maqedoni

April 26, 2017 by dgreca

Nga Skënder Karaçica/SHSHA në Çikago/

1 Muhamed Zekiri
Ne Foto:Muhamed Zekiri/
SHSHA në Çikago përmes reagimit të sotëm për opinion,kërkon që ndaj deputetit të LSDM-së Muhamed Zekiri,të dsitancohen të gjitha partitë politike shqiptare dhe votuesit shqiptarë në Maqedoni,që me ,,dashamirësinë,,e tij për karrigën politike,ia kthej shpinën çështjes së (pa)zgjidhur shqiptare në hapësirën etnike dhe u bë vasal i Zoran Zaevit.
Gazetari në TV ,,Alsat M,,me apetitet e tij politike ndaj karriges dhe privilegjeve alla sulltance(sic!)përmes propagandës mediale,i mashtroi më se 70 mijë votues shqiptarë për kinse,,shpëtimin,,e tyre dhe ,,përspektivën,,me ligjet e pashkruara,vetëm që të dëmtojë elektoratin shqiptar në Maqedoni,që nuk ka ndodh askund që një numër kaq i madh votuesish të lënë bllokun politik shqiptar dhe të rreshtohen pas një partie sllavo-maqedonase.Kjo ka ndodh në Maqedoni dhe me skenarët tashti të (deputetit maqedonas)dhe jo shqiptar të Muhamed Zekirit,i cili me turp dhe me tradhëtinë alla Esad Pashë Toptani ia kthej shpinën popullit të vet shqiptar dhe shkoj atje që të bëhet një zë i vetmuar,që nuk mund të flasë dhe nuk mund të përfaqësojë shqiptarët në institucionet e shtetit në Maqedoni,thuhet në fund të reagimit të SHSHA-së në Çikago.
 
 Skënder Karaçica
 Executive Director
Albanian-American Association

of Intellectuals Businessmen and Activists

Filed Under: Komente Tagged With: Muhamed Zekiri, ne Maqedoni, nuk mund të përfaqësoj, shqiptaret, Skender Karacica

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PЁRTEJ  MJEGULLЁS  SЁ  HISTORISЁ
  • LE MATIN (1914) / JA ÇFARË MENDON KRYEMINISTRI SHQIPTAR TURHAN PASHA PËR PRINC VIDIN (INTERVISTA)
  • Princess by Gerta, markë që po rritet çdo ditë, së shpejti me qendër në Amerikë dhe Angli
  • Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier
  • SHKUPI, SHPREHJE E REVITALIZIMIT SHPIRTËROR E KULTUROR TË HAPËSIRËS SONË KOMBËTARE
  • ÇUDIRA SHQIPTARE…
  • Fjala më e vjetër
  • « Doda », një mësim në fushën e kinematografisë dokumentare
  • “Daja i Evropës”

  • Shqipëria dorëzon zyrtarisht në KiE rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t: Të rishikohen pretendimet për trafik të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë
  • Vulgu dhe intelektualët
  • Një ikje e parakohshme kolegu
  • Telenovela Broja Vazhdon
  • “Në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe”
  • Kolë Bojaxhiu, në ditëvdekjen e tij …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT