-Në mesditën e 5 shkurtit 2017 nisën punët në rrënimin e murit ilegal afër urës në veri të Mitrovicës, të ngritur nga serbët lokalë/
–Media serbe: Në vend të murit në Mitrovicë së shpejti konstruksioni i ri/!
-“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”, bëhej e ditur në komunikatën e përbashkët, të dërguar nga qeveria dje në orën 02:00 pas mesnate/
-Media serbe: Në vend të murit në Mitrovicë së shpejti konstruksioni i ri/PRISHTINË, 5 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Mitrovicën e Veriut sot në mesditë sapo nisën punët për largimin e murit të ngritur afër urës kryesore të qytetit në dhjetorin e vitit të kaluar nga serbët lokalë, e të kundërshtuar, si ilegal dhe ndarës të qytetit, nga autoritetet e Kosovës në Prishtinë. Punimet zhvillohen nën masa të shtuara të sigurisë të Policisë së Kosovës. Veprimet e para të rrethimit të zones së punimeve për rrënimin e murit janë kryer që mbrëmë.
Ndërsa, dje është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, ku është prezantuar e miratuar edhe një marrëveshje lidhur me murin që ishte arritur mes Ministrisë së Ambientit e Planifikimit Hapësinor të Kosovës dhe autoriteteve lokale, të njoftuar dy orë pas mesnate.
Pas arritjes së marrëveshjes, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, është shprehur se, “Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë”.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka theksuar se, “Mitrovica do të jetë qytet i bashkuar dhe i lirë në lëvizje dhe qendër e emancipimit qytetar në Republikën e Kosovës”.
Një deklarim i qeverisë së Kosovës pritet në një konferencë shtypi të paralajmëruar për sot pasdite.
“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”, bëhej e ditur në komunikatën e përbashkët, të dërguar nga qeveria dje në orën 02:00 pas mesnate.
“Së bashku, ne kemi arritur një zgjidhje, e cila do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”, thuhej në komunikatë.
“Gjatë ditëve në vijim, ne do të njoftojmë publikun me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën”, thekson komunikata.
“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, përfundon komunikata e përbashkët.
Në 29 dhjetor 2016 Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë të harmonizuar nga subjekte të maxhorancës e opozitës, ku kërkohej rrënimi brenda muajit janar të vitit 2017 i murit ilegal të ngritur në dhjetor 2016 nga serbët në veri të qytetit të Mitrovicës, afër urës mbi lumin Ibër.
MEDIA SERBE: NË VEND TË MURIT NË MITROVICË SË SHPEJTI KONSTRUKSIONI I RI
Në Mitrovicën Veriore ka nisur sot largimi i murit, i cili “sipas planit të rregullimit do zëvendësohet me konstuksion të ri”. Kështu raporton media serbe e Beogradit, që në minutat e para të fillimit të punimeve të rrënimit të murit ilegal me një eskavator, sot në mesditë. “Në vend të murit në Mitrovicë së shpejti konstruksioni i ri”, është titull i raportimit të medias serbe.