*Njofton Korrespondenti i Diellit ne Prishtine, gazetari Behlul Jashari/
-Në Kosovë, edhe pas mëse 17 viteve pas luftës, sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Janar 2016/ Me homazhet që kanë nisur në Kompleksin Përkujtimor dhe me një akademi në mesditë, kujtohet sot në 17 vjetor masakra në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, ku në 15 janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë.
Homeazhe në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut bëjnë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili edhe mban fjalë rasti në Akademinë përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Pjesëmarrës në përkujtime, si edhe në vitet tjera të pasluftës, është edhe ambasadori amerikan William Ëalker, i cili derisa ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e masakrës e cilësoi atë krim kundër njerëzimit.
Ndërsa, rreth dy muaj pas masakrës së Reçakut, aviacioni i NATO-s, në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin e Kosovës, filloi bombardimet kundër caqeve të forcave kriminale serbe, të cilat zgjatën 78 ditë, deri në kapitulimin e Slobodan Milosheviçit, kreut shtetëror në Beograd, i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Në Kompleksi Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.
Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, edhe pas mëse 17 viteve pas luftës, sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999. Të zhdukur ende të pagjetur janë 173 femra, 1056 meshkuj, 104 nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.