-Qeveria miratoi plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe e procedoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim. “Pjesë përbërëse të këtij Projektligji janë: 1.Marrëveshja për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë me datë 26 gusht 2015; 2.Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit shtetëror; dhe 3.Deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, e datës 16.02.2018”, thekson Qeveria./
PRISHTINË, 21 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është pika e vetme e axhendës së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të enjten, në 22 Shkurt 2018, në orën 11:00.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, me kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj pas dy mbledhjeve të qeverisë, të paraditës e pasditës së djeshme – 21 shkurtit.Në mbledhjen e paraditës qeveria mori vendimin për tërheqjen nga procedurat e miratimit në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Sipas njoftimit zyrtar nga qeveria, “vendimi për tërheqje nga shqyrtimi në Kuvend u bë me qëllim të plotësimit dhe ndryshimit të këtij Projektligji duke reflektuar në rrethanat e reja, përkatësisht në Aneks Marrëveshjen e nënshkruar në 16 shkurt 2018 ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për rishikimin dhe korrektimin e sektorëve në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”.
Ndërsa, në mbledhjen e pasditës qeveria miratoi plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe e procedoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim.“Pjesë përbërëse të këtij Projektligji janë: 1.Marrëveshja për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë me datë 26 gusht 2015; 2.Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit shtetëror; dhe 3.Deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, e datës 16.02.2018”, thekson qeveria.
Në të dy mbledhjet e djeshme të qeverisë, pas votimeve u konstatua se tre vota ishin abstenim dhe siç u pa janë nga përfaqësuesit e Listës Serbe. Megjithatë, kryeministri Haradinaj në konferencë shtypi tha se, “kjo ishte shumë shenjë e mirë që (ministrat serbë) ishin në takim të qeverisë, zakonisht në disa tema të ndieshme e keni vërejtë kanë munguar”.Procedimi më i ri, me vendimin e mbledhjes së 20 shkurtit 2018, i projektligjit për ratifikimin e demarkacionit nga qeveria në Kuvend është i treti.Procedimi i dytë ishte ishte me vendim të mbledhjes së qeverisë të 4 dhjetorit 2017.Procedimi i parë ishte në 4 gusht 2016 me vendim të mbledhjes së qeverisë së udhëhequr atëherë nga kryeministri Isa Mustafa me miratim njëzëri të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.Por, në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore.