

-Deklarata të president të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, në takime me ministren e Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide/
PRISHTINË, 25 Qershor 2019 – Gazeta DIELLI/ Presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova do që njëherë e përgjithmonë ta qartësojë raportin e saj si shtet me shtetin e Serbisë dhe mund të vihet deri tek një marrëveshje ligjërisht obligative, me garancat e nevojshme ndërkombëtare, por nevojitet më shumë vullnet, largpamësi dhe pragmatizëm politik.
“Kosova është e përkushtuar për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Është shumë i rëndësishëm vazhdimi i dialogut, por ky dialog duhet të rifilloj pa kushtëzime”, theksoi presidenti Thaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj, po ashtu theksoi se “Kosova është e përkushtuar për një dialog të kornizuar dhe përmbajtësor me Serbinë që çon në një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe me njohje reciproke mes dyja vendeve”.
Ministri i Jashtëm Behxhet Pacolli tha se “dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë nuk ka alternativë dhe vetëm në mënyrë të barabartë, si dy shtete sovrane dhe me respekt të ndërsjellët, ne mund të normalizojmë marrëdhëniet mes nesh duke ruajtur paqen në rajon për të ardhmen e popujve”.
Këto deklarata u bënë gjatë takimeve me ministren e Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide, e cila mbrëmjen e djeshme kishte një darkë pune me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sot kishte pritje të veçanta nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
“Norvegjia mbështet dialogun dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë kryediplomatja norvegjeze.
Norvegjia është shteti i 35-të që ka njohur Kosovën në 28 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt./b.j/