-Përkujtohet Enver Maloku, i vrarë para 20 viteve derisa ishte shef i Qendrës për Informim të Kosovës/
PRISHTINË, 11 Janar 2019-Gazeta DIELLI/ Përkujtohet sot gazetari Enver Maloku, i vrarë para 20 viteve derisa ishte shef i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila ishte një agjenci lajmesh pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci. Ishte një nga bashkëpunëtorët e afërt të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili e vlerësonte gazetar të madh të Kosovës dhe të botës shqiptare, trim e të mençur.
Sot në meditë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës organizohet Akademi Përkujtimore për Enver Malokun nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Kryesia e së cilës paradite bën homazhe te përmendorja në vendin e vrasjes, në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë.
“Enver Maloku, bashkëpunëtor i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe shef i QIK-ut gjatë viteve të 90-ta, kishte punuar për të afirmuar vlerat demokratike të vendit tonë, për të njoftuar vendin dhe botën mbi veprimet e regjimit të Milloshevicit në Kosovë në kohërat më të vështira kur Kosova ishte në një terr informativ”, përkujton sot kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Ai thekson se, Enveri tërë jetën i kushtoi lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës, me një përkushtim e vendosmëri të pafund.
“Zbardhja e vrasjes së Enverit është detyrim jo vetëm ndaj tij dhe familjes së tij ose ndaj LDK-së, por është një obligim ligjor, shtetëror e moral ndaj shtetndërtimit të një Kosove ku mbizotëron drejtësia, rendi dhe ligji”, shprehet Mustafa.
Në kohë të rënda të okupimit të Kosovës, Enver Maloku është vrarë në pasditen e 11 janarit 1999 pak metra prej banesës së tij në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë. Vrasësit e tij kurrë nuk janë arrestuar dhe vënë para drejtësisë./b.j/
ARKIV: PRESIDENTI RUGOVA NË VITIN 2005: ENVER MALOKU MBI 10 VJET AFIRMOI NË BOTË MESAZHIN E POPULLIT TË KOSOVËS PËR LIRI, PAVARËSI DHE DEMOKRACI
Prishtinë, 12 korrik 2005 – Me një solemnitet madhështor, sot në Prishtinë, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, përuroi monumentin kushtuar gazetarit, publicistit dhe ish-drejtorit të Qendrës për Informim të Kosovës, Enver Maloku.
Për ta nderuar këtë ngjarje të rëndësishme, në lagjen Kodra e Diellit kishin ardhur me mijëra qytetarë, por edhe personalitete të njohura të jetës politike dhe kulturore, si kryeparlementari Nexhat Daci, ministra, deputetë, kryetarë të komunave të Kosovës, shkrimtarë, gazetarë si dhe miq të shumtë të Enver Malokut dhe anëtarë të familjes së tij.
Presidenti Ibrahim Rugova, duke folur në këtë ditë të shënuar, tha në fillim:
“Gjendemi sot këtu në këtë lagje të kryeqytetit në Kodrën e Diellit për një moment të rëndësishëm, për zbulimin e monumentit kushtuar gazetarit të madh të Kosovës dhe të botës shqiptare, Enver Malokut”.
Më tej Presidenti Rugova vlerësoi se zbulimi i këtij monumenti simbolik që do të quhet “Monument i Enver Malokut” ka rëndësi të madhe për gazetarinë e Kosovës dhe për gjithë Kosovën.
“Duke zbuluar këtë monument e kujtojmë figurën dhe veprën e madhe publicistike të Enver Malokut. Ai më shumë se 10 vjet ditën e natën lëshoi dhe afirmoi në botë mesazhin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, dhe ky mesazh i tij ndihet edhe sot”, nënvizoi Dr.Rugova.
Ndërkaq, më pas tha se së shpejti vepra e Enver Malokut dhe monumenti i tij do të zbukurohet me njohjen e pavarësis së Kosvës.
“Sot mund të themi, Enver Maloku i çmuar, se së shpejti vepra jote dhe ky monument do të zbukurohet me njohjen e pavarësis së vendit tonë. Monumenti që po zbulojmë sot e shton krenarinë tonë për Enver Malokun dhe e thellon bindjen se Kosova nuk i harron bijtë e vet, se Kosova i madhëron bijtë e vet. Po ashtu ndihemi krenarë se këtë monument të bukur po e zbulojmë së bashku me familjen tuaj, me miqtë tuaj dhe me gjithë Kosovën, z. Enver Maloku”.
Duke folur për simbolikën e monumentit, Presidenti Rugova, tha se ai “mishëron dhe figuron simbolikën e madhe kosovare, shqiptare, pra simbolin – plisin e bardhë mijëvjeçar dhe Kosovën si flakadan i lirisë dhe i pavarësisë që e kishim me mendje dhe në zemër dhe që e le pas me veprën tënde”.
Pasi falenderoi Kuvendin e Komunës së Prishtinës për këtë “monument të bukur e madhështor”, Presidenti Rugova tha:
“Kam kënaqësinë që të shpall zyrtarisht zbulimin e monumentit kushtuar gazetarit trim e të mençur, Enver Malokut, mikut dhe bashkëpunëtorit tim në agjencinë shtetërore të lajmeve, Qendra për Informim e Kosovës – QIK dhe në kabinetin tim të Presidentit të Republikës së Kosovës” dhe e përfundoi me fjalët:
“Me fat monumenti Enver Maloku! Zoti e bekoftë këtë monument kushtuar Enver Malokut! Zoti e bekoftë Kosovën”!
Në emër të institucioneve të komunës së Prishtinës, e cila ka financuar dhe është përkujdesur për ngritjen e monumentit kushtuar Enver Malokut, fillimisht foli Sami Hamiti, kryeshef ekzekutivi. Ai në fjalën e tij përuruese Enver Malokun e vlerësoi “gazetar shembëlltor të kulturës në fillim, pastaj për një dekadë gazetarin politik më të mirë që ka pasur Kosova në vitet ’90 të shekullit të kaluar”. Në vazdim z.Hamiti theksoi se në këtë vend ku është vendosur monumenti i Enver Malokut, “mbaroi jeta e tij e vrullshme”.
“Ky monument le të jetë vendi që nderon jetën dhe veprën e tij. Puna e tij në informin për ndodhjet në Kosovë dhe shqiptimi i kristaltë i idesë së madhe të shqiptarëve të Kosvoës për shtet të pavarur e demokratik janë të lidhura me agjencinë e parë të pavarur të lajmeve që ka pasur Kosova në historinë e vet, Qendrën për Informim të Kosovës – QIK”, u shpreh Sami Hamiti, duke shtuar se “ky monument lidh dhe shënon binomim e Enver Malokut – Qendra për Informin të Kosovës, sepse i pari dhe e dyta i kanë dhënë identitetin njëri tjetrit”.
Pushteti demokratik i kryeqytetit, tha më tej ai, “me ngritjen e këtij monumenti njeh institucionalisht punën e çmuar që ka bërë Enver Maloku në kushte të vështira, në kërkim të lirisë dhe të vlerave demokratike. “Vepra e tij ruhet në shkrimet e tij, një pjesë e të cilave është mbledhur në libër ndërsa monumenti është këtu për të na përkujtuar për çdo vjet se ai jetoi dhe punoi jo vetëm për vete”, tha kryeshefi i ekzekutivit të Prishtinës, Sami Hamiti.
Në fund të këtij solemniteti inaugurues dhe pas fjalëve përuruese, Presidenti Rugova bashkë me të bijen e Enver Malokut, Doruntinën, zbuloi dhe përuroi monumentin plot simbolikë moderne, në vendin, ku më 11 janar të vitit 1999, Enver Maloku u vra pabesisht në një atentat ende të padriçuar.
Autor i këtij monumenti është arkitekti Hazir Zhitia, kurse kompania “Paradiso” ka realizuar projektin, ndërkaq atë e ka financuar Kuvendi Komunal i Prishtinës.
***
Njoftimi- Kryesia e LDK-së bëri homazhe te përmendorja e Enver Malokut
Prishtinë, 11 janar 2019- Sot në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë, një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm z. Ismet Beqiri në emër të kryesisë së LDK-së, bëri homazhe te përmendorja e Enver Malokut, në 20 vjetorin e vrasjes së tij.
Enver Maloku është vrarë në pasditen e 11 janarit 1999 pak metra prej banesës së tij në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë. Vrasësit e tij kurrë nuk janë arrestuar dhe vënë para drejtësisë.
LDK – Zyra për Informim