-Komunikatat dërguara nga Qeveria, Policia dhe Prokuroria e Shtetit të Kosovës/
PRISHTINË, 23 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Një aksion policor me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas hetimeve disa mujore, është zhvilluar sot në veri të Kosovës, arrestohen të dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovic në 16 janar 2018. Në vijim deklaratat e njoftimet e dërguara nga Qeveria, Policia e Prokuroria e Shtetit të Kosovës:
DEKLARATË E QEVERISË SË KOSOVËS
Prishtinë, 23 nëntor 2018- Qeveria e Republikës së Kosovës, deklaron se aksioni policor në veri të Kosovës që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhrit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Qeveria e Kosovës siguron të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik.Me këtë rast, Qeveria e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike, kryetarëve të komunave, posaçërisht atyre në veri dhe organeve të tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.Është më rëndësi që askush të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë.
KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS
Policia e Kosovës arreston disa persona të dyshuar, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e vrasjes së O. Ivanoviç
Prishtinë, 23 nëntor 2018
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda nën udhëheqjen e Prokurorit Special të Prokurorisë Speciale të RKS-së, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, sot më 23.11.2018, pas hetimeve disa mujore dhe me urdhëresë të gjykatës, ka kryer kontrolle në katër lokacione në qytetin e Mitrovicës-Veri.
Në këtë operacion janë arrestuar katër (4) persona, tre (3) prej tyre që dyshohen se janë të përfshirë në veprën penale ,,Vrasje e rëndë”, kurse një (1) person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë.
Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë;
- N.S. viti i lindjes 1976, M/S/K, njëherit zyrtar policor në Veri të Mitrovicës.
- M.R. viti i lindjes 1993, M/S/K;
- D.M. viti i lindjes 1970, M/S/K, po ashtu zyrtar policor në Veri të Mitrovicës.
- A.C. viti i lindjes 1965, M/S/K;
Ndërsa personi i cili ende mbetet në kërkim policor, pasi nuk është gjetur në lokacionin e tij është;
- M.R. viti i lindjes 1978 po ashtu M/S/K;
Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione po ashtu ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin, dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.Të gjitha veprimet e mëtutjeshme rreth rastit dhe personave të arrestuar, do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me organet e drejtësisë, gjegjësisht prokurorin kompetent të rastit.
NJOFTIMI NGA ZYRA E KRYEPROKURORIT TË SHTETIT
Me urdhër të Prokurorisë Speciale arrestohen katër persona në veri të Mitrovicës
Prishtinë, 23 nëntor 2018 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, në orët e hershme të mëngjesit kanë realizuar një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar katër të dyshimtë se janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Me qëllim që të zbatohen procedurat e ligjshme dhe të drejta për sigurimin e provave dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe urdhrit të lëshuar me shkrim nga Gjykatësi i procedurës paraprake i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë kontrolluar disa lokale dhe prona në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak se është vlerësuar se ka gjasa reale se në këto lokale, shtëpi dhe prona mund të zbulohen dhe konfiskohen prova të rëndësishme për veprën penale.Gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për kontroll, Policia e Kosovës ka gjetur armë pa leje dhe materie tjera që përbëjnë veprën penale, për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare.
KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS E 16 JANAR 2018
Prishtinë, 16 janar 2018
Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.
Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.
Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.