• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Amerikan: Policia e Kosovës ndër më të mirat në Evropë

January 29, 2019 by dgreca

-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj: Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/1 a Policia vjen

-Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett: Policisë së Kosovës i uroj suksese të mëtejme përderisa vazhdon të ndërtojë namin si njëra ndër organizatat më të mira të policisë në Evropë/

1 b policia

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 28 Janar 2019/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj priti sot ambasadorin Amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett, i cili mori pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit trajnues që realizohet nga Zyra e Programit për Asistencë Kundër Terrorizmit (ATA). Ky trajnim, në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata, ka për qëllim rritjen  e kapaciteteve për zbatues të ligjit në Kosovë, avancimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës në zhvillimin e aftësive teknike si dhe për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.

Drejtori Qalaj në fjalën e tij të rastit tha se institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu si edhe qytetarët e saj, janë përcaktuar qartë për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Republikën e Kosovës, ku respektimi i të drejtave të njeriut, të lirive fundamentale, gjithëpërfshirja dhe sundimi i ligjit janë të garantuara për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, apo të dallimeve të tjera dhe po ashtu potencoi se jemi të përcaktuar qartë në orientimin proevropian dhe synimin për integrimin në institucionet dhe organizatat euro-atlantike.

Në frymën e kësaj, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative dhe krimit të organizuar në përgjithësi e veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Ndër të tjera drejtori Qalaj tha se Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Falë ndihmës, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave, si dhe përkrahjes së vazhdueshme nga SHBA-të, Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera vendore ka arritur të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj nga aktet e terrorizmit, andaj për këtë ju jemi mirënjohës dhe falënderues SHBA-ve.

Nga ana tjetër ambasadori Amerikan Philip S. Kosnett u shpreh se Ambasada Amerikane është krenare që po bashkëpunon në këtë trajnim dyditor, i cili ofron kornizën organizative të ligjeve dhe politikave për t’u marrë në konsideratë nga zyrtarët kur hetojnë apo gjykojnë terroristë. Kjo ngjarje është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për sigurinë rajonale.

FJALA E AMBASADORIT AMERIKAN NË KOSOVË PHILIP S. KOSNETT GJATË HAPJES SË PUNËTORISË: PËRDORIMI I TEKNOLOGJISË PËR QËLLIME TERRORISTE,  28 JANAR 2019

Zonja dhe zotërinj, mirëmëngjesi. Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ju faleminderit për fjalët e mira.

Para se të flas për temën e kësaj konference, dëshiroj ti them disa fjalë për Policinë e Kosovës.

Siç e dinë shumë njerëz, kam shërbyer në Kosovë para 15 viteve dhe më vjen shumë mirë kur e shoh sa ka përparuar Policia e Kosovës gjatë këtyre viteve. Profesionalizmi dhe guximi i Policisë së Kosovës janë më se të ditura.

Po ashtu, dëshiroj të vë në pah komentet e Drejtorit të Përgjithshëm për përkushtimin e organizatës për të ndërtuar forcë policore shumetnike. Unë besoj se të keni forcë policore që i përfaqëson të gjithë qytetarët e një vendi është jetike për zhvillimin e shoqërisë, si dhe për qëllimet specifike të policisë për luftimin e krimit. Dëshiroj t’ju nxis të vazhdoni në këtë drejtim.

Ti kthehemi tani temës së punëtorisë: “Përdorimi i teknologjisë për qëllime terroriste”. Ju faleminderit edhe njëherë për mundësinë për të folur sot.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të përqendruara për promovimin e sundimit të ligjit dhe të sigurisë rajonale. Si pjesë e këtij qëllimi, jemi duke mbajtur këtë program me vlerë 1.4 milionë dollarë për trajnim dhe asistencë kundër terrorizmit për mbështetjen e këtyre përpjekjeve në Kosovë. Na vjen jashtëzakonisht mirë që po i shohim pjesëtarët e palodhshëm të Policisë së Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët duke e ndjekur këtë kurs dyditor dhe njërin ndër shtatë kurset e sponsorizuara nga ATA.

Ambasada është krenare për bashkëpunimin për këtë trajnim dyditor, i cili iu jep udhëheqësve kornizën organizative dhe politikat që mund të shqyrtohen gjatë hetimit dhe ndjekjes penale të terroristëve. Kjo është ngjarje e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe sigurinë rajonale.

Askush, asnjë vend nuk është imun nga terrorizmi. Institucionet e Kosovës kanë kryer punë mbresëlënëse në vitin 2016 për të penguar një sulm të planifikuar gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael, duke përdorur dronët për të bartur dhe shpërthyer eksplozivin. Në maj të vitit të shkuar, tetë qytetarët të Kosovës janë dënuar pas akuzave për terrorizëm për rolin e tyre në këtë tentim të sulmit.

Para dy javëve, Policia e Kosovës ka arrestuar një individ për kërcënim ndaj kryeministrit Haradinaj përmes rrjeteve sociale dhe internetit. Këta shembuj tregojnë rritjen e hatashme në zhvillimin e aftësive dhe angazhimin me partnerët rajonalë dhe ne shpresojmë që do të vazhdojmë ta ndihmojmë Policinë e Kosovës për të vazhduar këto suksese.

Mentorët dhe instruktorët me përvojë të zbatimit të ligjit: Xhim Ficsimons (Jim Fitzsimmons), Majk MekTavish (Mike McTavish), Art Ihuan (Art Ehuan) dhe Shon Flëri (Shawn Fleury) kanë ekspertizën dhe shkathtësitë e duhura për të bartur njohurinë dhe për të trajnuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Përderisa Jim-i dhe Mike-u tashmë po punojnë dhe po ndihmojnë Njësitin kundër terrorizmit të Policisë së Kosovës, këtë trajnim do ta udhëheqin Shoni dhe Arti. Jemi të bindur se kjo punëtori do të jetë edukative dhe e leverdishme për Qeverinë e Kosovës përderisa teknologjia vazhdon të luajë rol jetik në veprimtaritë terroriste.

Më lejoni ta  mbylli fjalën time duke ju falënderuar edhe njëherë për mundësinë për të folur sot para jush. Shpresojmë që do të vazhdojmë angazhimin dhe bashkëpunimin me ju për këto çështje. Policisë së Kosovës i uroj suksese të mëtejme përderisa vazhdon të ndërtojë namin si njëra ndër organizatat më të mira të policisë në Evropë.

Ju faleminderit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, policia e Kosoves

KOSOVË-POLICIA AKSION NË VERI, ARRESTIME PËR VRASJEN E IVANOVIC

November 23, 2018 by dgreca

-Komunikatat dërguara nga Qeveria, Policia dhe Prokuroria e Shtetit të Kosovës/

Masked police officers carry their weapons as they stand guard in front of a court in Pristina September 17, 2014. Police in Kosovo arrested 15 people on Wednesday, including a number of imams, in the second major operation in weeks to stem the flow of young ethnic Albanians joining Islamist fighters in Iraq and Syria, a police source said. Most of Kosovo's 1.8 million people are ethnic Albanian Muslims and lead largely secular lives.    REUTERS/Hazir Reka (KOSOVO - Tags: POLITICS CRIME LAW CIVIL UNREST) - RTR46L0JPRISHTINË, 23 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Një aksion policor me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas hetimeve disa mujore, është zhvilluar sot në veri të Kosovës, arrestohen të dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovic në 16 janar 2018. Në vijim deklaratat e njoftimet e dërguara nga Qeveria, Policia e Prokuroria e Shtetit të Kosovës:

DEKLARATË E QEVERISË SË KOSOVËS

Prishtinë, 23 nëntor 2018- Qeveria e Republikës së Kosovës, deklaron se aksioni policor në veri të Kosovës që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhrit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Qeveria e Kosovës siguron të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik.Me këtë rast, Qeveria e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike, kryetarëve të komunave, posaçërisht atyre në veri dhe organeve të tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.Është më rëndësi që askush të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë.

KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS

Policia e Kosovës arreston disa persona të dyshuar, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e vrasjes së O. Ivanoviç

 Prishtinë, 23 nëntor 2018

 Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda nën udhëheqjen e Prokurorit Special të Prokurorisë Speciale të RKS-së, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, sot më 23.11.2018, pas hetimeve disa mujore dhe me urdhëresë të gjykatës, ka kryer kontrolle në katër lokacione në qytetin e Mitrovicës-Veri.

 Në këtë operacion janë arrestuar katër (4) persona, tre (3) prej tyre  që dyshohen se janë të përfshirë në veprën penale ,,Vrasje e rëndë”, kurse një (1) person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë;

  1. N.S.  viti i lindjes 1976, M/S/K, njëherit zyrtar policor  në Veri të Mitrovicës.
  2. M.R. viti i lindjes 1993, M/S/K;
  3. D.M. viti i lindjes 1970, M/S/K, po ashtu zyrtar policor në Veri të Mitrovicës.
  4. A.C.  viti i lindjes 1965, M/S/K;

Ndërsa personi  i cili  ende mbetet në kërkim policor, pasi nuk është gjetur në lokacionin e tij është;

  1. M.R. viti i lindjes 1978 po ashtu M/S/K;

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione po ashtu ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin, dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.Të gjitha veprimet e mëtutjeshme rreth rastit dhe personave të arrestuar, do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me organet e drejtësisë, gjegjësisht prokurorin kompetent të rastit.

NJOFTIMI NGA ZYRA E KRYEPROKURORIT TË SHTETIT

 Me urdhër të Prokurorisë Speciale arrestohen katër persona në veri të Mitrovicës

Prishtinë, 23 nëntor 2018 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, në orët e hershme të mëngjesit kanë realizuar një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar katër të dyshimtë se janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

 Me  qëllim që të zbatohen procedurat e ligjshme dhe të drejta për sigurimin e provave dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe urdhrit të lëshuar me shkrim nga  Gjykatësi i procedurës  paraprake i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë kontrolluar disa lokale dhe prona në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak  se është vlerësuar se ka gjasa reale se në  këto lokale, shtëpi dhe prona mund të zbulohen dhe konfiskohen prova të rëndësishme për veprën penale.Gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për kontroll, Policia e Kosovës ka gjetur armë pa leje dhe materie tjera që përbëjnë veprën penale, për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare.

KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS E 16 JANAR 2018

 Prishtinë, 16 janar 2018

           Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.

 Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.

Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: arreston, policia e Kosoves, vrasesit e Ivanovicit

Policia e Kosovës feston 17-vjetorin e themelimit

September 7, 2016 by dgreca

-Kryeministri Mustafa: Policia e Kosovës simbol i përkushtimit në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës/zkp-01

zkp-02-Policia e Kosovës vlerësohet se vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008/
 
zkp-03PRISHTINË, 6 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Policia e Kosovës festoi sot ditën e 17-vjetorit të themelimit, me një ceremoni zyrtare, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e quajti përvjetor të punës dhe sakrificës 17- vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, të cilin e quajti institucion të rëndësishëm dhe të besueshëm.“Mund të them se ju keni bërë një punë të mrekullueshme, se Policia e Kosovës e ka bërë një punë të lartë profesionale, ka treguar profesionalizëm, ka treguar disiplinë, ka treguar përkushtim për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në shërbim të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Ka zbatuar në mënyrë të përkushtuar ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës ”, ka thënë kryeministri.
 Më tej, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë që të ndihmoj edhe më shumë zhvillimin e këtij institucioni.
 “Ajo që mbetet të them si kryeministër është se ne mburremi me ju, mburremi me punën që e keni bërë, dhe do ta keni një përkrahje të pa rezervë, në mënyrë që ky institucion të zhvillohet ashtu siç është zhvilluar, dhe të kryej përgjegjësitë e saj në mënyrën më të mirë. Unë e di që ju nuk e keni pasur lehtë, sidomos kohëve të fundit, jeni ballafaquar me shumë sfida dhe probleme, por mund të them se të gjitha këto i keni menaxhuar mirë, e keni mbrojtur qytetarin e Kosovës, keni mbrojtur pasurinë e shtetit, e keni zbatuar ligjin. Ju përgëzoj për të gjitha punët e mira që i keni bërë dhe për sukseset që i keni arritur, juve, udhëheqësinë e juaj, Ministrinë e Punëve të Brendshme. Po ashtu dëshiroj që këto suksese bashkërisht t’i rrisim dhe t’i shtojmë edhe në periudhën e ardhshme”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
 Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se 17 vjet pas themelimit, Kosova ka arsye për të qenë krenare me polici profesionale, me integritet të madh njerëzor dhe profesional, e cila me përkushtim ka mbrojtur Republikën.
 “Ju të nderuar oficerë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, më mirë se çdo kush tjetër keni dëshmuar se jeni mbrojtës të pa kompromis të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Do të vazhdoni të përballeni me sfidat që jeni përball gjatë vitit që po e lëmë pas, por unë jam i sigurt që do të vazhdoni po me të njëjtin intensitet t’i adresoni ato sfida, me ekspertizë të pashoqe që e keni demonstruar gjatë vitit që po e lëmë pas, me integritet, me guxim edhe qytetar edhe institucional, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie etnie, përkatësie fetare, kulturore apo gjinore, ta ndjejnë veten të sigurt në shtëpinë e vet. E, shtëpia e të gjithë neve është Republika e Kosovës, që ndonjë i shkalluar mund edhe ta mohoj, mirëpo Republika e Kosovës po bëhet gjithnjë më e fuqishme, më e fortë dhe më e konsoliduar”, ka theksuar ministri Hyseni.
 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, foli për rrugëtimin e Policisë së Kosovës që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme, por edhe për përkushtimin dhe sfidat me të cilat u përballën.
 “Rrugëtimi 17-vjeçar i mijëra grave dhe burrave të Policisë së Kosovës të devotshëm për t’iu shërbyer qytetarëve çdo herë, ka bërë që Policia e Kosovës të gëzoj respekt dhe mbështetje nga të gjithë”, tha drejtori Maxhuni.
 Gjatë kësaj ceremonie u bë ndarja çertifikatave për zyrtarët policorë që janë shquar për punën e tyre dhe rezultatet e arritura.
Policia e Kosovës vlerësohet se vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008.
 Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur në qytetin e Vushtrrisë Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta. 

Filed Under: Kronike Tagged With: 17 vjetori, feste, Mustafa, policia e Kosoves

Policia e Kosovës parandaloi edhe incidente të karakterit terrorist

August 8, 2016 by dgreca

-Mbledhja e  Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së/

PRISHTINË, 8 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, kryesuar nga Daut Haradinaj, kryetaDrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka raportuar sot lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë lidhur me sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit, që ndodhi në 4 gusht

Me këtë rast, Maxhuni fillimisht ka vlerësuar se situata e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile, duke vënë në pah angazhimet konkrete të Policisë së Kosovës. “Kemi arritur që të parandalojmë edhe incidente të karakterit terrorist, ndërsa suksese kemi shënuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore”, tha Maxhuni.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, incidentin e sulmit në Kuvend, Maxhuni, e vlerësoi si një incident tejet serioz dhe siguroi se Policia do të ndërmarrë të gjitha masat për t’i nxjerrë akterët para drejtësisë. Ai sqaroi se lidhur me këtë çështje kanë intervistuar disa persona.

“Ju siguroj se Policia e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të bëjë çdo gjë që të shkojmë drejt zbardhjes së këtij rasti. Të gjitha njësitë relevante të policisë janë të kyçura dhe 24 orë po punohet për zbardhjen e këtij sulmi”, tha Maxhuni, duke shtuar se arma e cila është përdorur mbi ndërtesën e Kuvendit nuk është zolë. “Jemi në bashkëpunim me Prokurorinë e shtetit dhe këtë sulm e kemi cilësuar si akt me element terrorist, si dhe do të trajtohet si i tillë”, tha Maxhuni.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, lidhur me incidentin në festivalin e birrës në Prishtinë, Beer-Fest, duke sqaruar se ka pasur një konflikt verbal dhe gjuajtje me armë gazi. Për të dyja këto incidente, tha se nuk ka vend për panik.

Veç tjerash, Maxhuni është përgjigjur edhe ni pyetje për çështje tjera, si atë të sigurisë në trafik dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa u përmend edhe fakti se për çështjen e sigurisë është e domodoshme pajisja me kamera vëzhguese në kryeqytet dhe nëpër qendra tjera rajonale.

Filed Under: Komente Tagged With: edhe incidente, parandaloi, policia e Kosoves, të karakterit terrorist

Kosovë-Policia feston 16 vjetorin, institucion i besimit të madh

September 4, 2015 by dgreca

-Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999 është hapur Shkolla e policisë dhe ka filluar trajnimi për pjesëtarë të Policisë së Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shtator 2015/ “Policia e Kosovës, vazhdon padyshim, të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin tonë”, tha sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
Ai mori pjesë në ceremoninë solemne të festimit të 16 vjetorit të Ditës së Policisë së Republikës së Kosovës, ku vlerësoi lartë profesionalizmin dhe sukseset e arritura.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se, “roli i Policisë, sikurse edhe i organeve tjera të sigurisë dhe të drejtësisë, jo vetëm tek ne por edhe në aspekte globale po sfidohet me probleme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”.
“Tani ne po përfundojmë Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm, dhe kjo strategji kërkon një sinergji të të gjitha subjekteve shtetërore dhe sociale të vendit tonë. Kemi synim të bëhemi pjesë e aleancës globale për siguri dhe stabilitet, prandaj presim edhe përkrahjen në anëtarësim tonë në Interpol dhe Europol”, u shpreh Mustafa.
Duke theksuar se Policia e Kosovës është bërë faktor i rëndësishëm i besimit në funksionimin e shtetit të Kosovës, kryeministri Mustafa ka siguruar se qeveria do të ofrojë të gjithë përkrahjen e nevojshme për zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Policisë kosovare.
Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.

Filed Under: Kronike Tagged With: 16 vjetori, Behlul Jashari, policia e Kosoves

Artikujt e fundit

  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson
  • Thirrje !!! Ka kohe qe makina e jetes po “jep shpirt” !
  • “Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit
  • Qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës: Gjashtë kushte për Asociacionin…
  • Mirënjohje përjetë Senatorit Bob Dole
  • How Prosecutors Say a Top F.B.I. Agent Sold His Services Overseas
  • HISTORIA E HIDHUR E “KROIT TË LOTIT”
  • Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA
  • BUKËPJEKËSI ME ZEMËR TË MADHE
  • Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri
  • Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor
  • Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
  • Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT