-Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999 është hapur Shkolla e policisë dhe ka filluar trajnimi për pjesëtarë të Policisë së Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shtator 2015/ “Policia e Kosovës, vazhdon padyshim, të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin tonë”, tha sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
Ai mori pjesë në ceremoninë solemne të festimit të 16 vjetorit të Ditës së Policisë së Republikës së Kosovës, ku vlerësoi lartë profesionalizmin dhe sukseset e arritura.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se, “roli i Policisë, sikurse edhe i organeve tjera të sigurisë dhe të drejtësisë, jo vetëm tek ne por edhe në aspekte globale po sfidohet me probleme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”.
“Tani ne po përfundojmë Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm, dhe kjo strategji kërkon një sinergji të të gjitha subjekteve shtetërore dhe sociale të vendit tonë. Kemi synim të bëhemi pjesë e aleancës globale për siguri dhe stabilitet, prandaj presim edhe përkrahjen në anëtarësim tonë në Interpol dhe Europol”, u shpreh Mustafa.
Duke theksuar se Policia e Kosovës është bërë faktor i rëndësishëm i besimit në funksionimin e shtetit të Kosovës, kryeministri Mustafa ka siguruar se qeveria do të ofrojë të gjithë përkrahjen e nevojshme për zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Policisë kosovare.
Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.