Nga Behlul Jashari / PRIZREN, 15 Gusht 2015/ “Evropa fillon këtu” është fushata e nisur të premtën mbrëma në Prizren, derisa në këtë qytet më të madhin jugor të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest.
Ministria kosovare e Integrimit Evropian me këtë fushatë ka për qëllim të sensibilizojë qytetarët e Kosovës për procesin e integrimit evropian.
Gjatë lançimit në kuadër të DokuFest, në qytetin e Prizrenit, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi bëri të ditur se fushata do të përqendrohet në dy prioritete kryesore të axhendës evropiane, në procesin e liberalizimit të vizave si dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Përmes fushatës do të shpjegojmë se çfarë është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, pse është e rëndësishme për Kosovën dhe çfarë përfitime do t’i sjell vendit. Krahas kësaj, do të përpiqemi të sqarojmë për qytetarët se çfarë në të vërtet nënkupton procesi i liberalizimit të vizave, apo më mirë të themi çka nuk nënkupton liberalizimi i vizave. Pra, të adresojmë keqkuptimet e shpeshta rreth këtij procesi, si çështja e studimeve, e drejta e punës e çështje të tjera”, është shprehur zëvendësministri Ilazi.
Ai ka vlerësuar se janë vetë qytetarët e Kosovës ata që kanë një rol të rëndësishëm për ta bërë realitet integrimin e vendit në BE.
Përafrimi i Kosovës me BE-në nuk është një koncept gjeografik, ka thënë Ilazi, duke shtuar se, përmes integrimit evropian vendi po kalon nëpër një proces të transformimit demokratik dhe reformimit, gjë që qon drejt përforcimit të demokracisë, përmirësimit të standardeve të jetesës dhe përafrimit të shoqërisë me atë të BE-së në çdo sferë të jetës.
“Para së gjithash, është përafrim në mëndje dhe në zemër. Procesi i integrimit të Republikës së Kosovës në BE, nuk vjen nga jashtë. Ai fillon këtu”, ka theksuar zëvendësministri Ilazi.
Nga 8 deri 16 gusht, në qytetin e Prizrenit në Kosovë po mbahet DokuFest, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër. Tema qendrore e Festivalit në këtë vit është migrimi.