-Liderët opozitarë, konferencë shtypi një ditë para seancës së Kuvendit për Presidentin e Kosovës/
-Opozita në ditën e tretë të protestës “non-stop”, maxhoranca paralajmëron nesër festë për zgjedhjen e Presidentit/
-Nuk është e sigurt nëse deputetët e Listës Serbe do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit, sipas medias serbe, e cila citon kryetarin e Listës, Slavko Simiç/
PRISHTINË, 25 Shkurt 2016-B.Jashari/ Liderët e opozitës sot pasdite në ora 16:00 mbajnë konferencë shtypi në shesh në Prishtinë, atje ku protesta “non-stop” kundër qeverisë, kundër seancave plenare të Kuvendit dhe kundër zgjedhjes së Presidentit të Republikës, e me kërkesë për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, ka kaluar natën e dytë dhe po vazhdon sot në ditën e tretë , ndërsa për nesër është paralajmëruar “gjithëpopullore” derisa në orën 11:00 Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.Por, “festa do jetë më e madhe se protesta”, janë paralajmërimet nga partia më e madhe e maxhorancës, PDK, lideri i së cilës, Hashim Thaçi, tashmë edhe zyrtarisht është kandidat për President Republike.“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit, konform nenit 69, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës janë nominuar dy kandidatë: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama”, ka njoftuar dje pasdite kryeparlamentari Kadri Veseli në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, ku nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti, nga VV, ka hedhur gaz lotsjellës e më pas është arrestuar.
Ndërkohë është njoftuar se, strukturat e degës në Mitrovicë të Partisë Demokratike të Kosovës “vendosën që të festojnë së bashku në Prishtinë”. “Urojmë që procesi i zgjedhjes së Presidentit të kaloj pa probleme, siç i ka hije vendit tonë!”, thuhet në njoftimin e tyre.“Zgjedhja e Thaçit president mes protestës e festës”, është një nga kryetitujt e ballinave të shtypit të sotëm në Prishtinë.Gazi lotsjellës që u hodh të mërkurën në mbledhje të Kryesisë nuk e ka parandaluar koalicionin qeverisës që edhe zyrtarisht për të premten ta caktojë seancën, kur Hashim Thaçi do të votohet president i Kosovës, shkruan Koha Ditore.Është hera e dytë që opozita, përveç sallës plenare, gaz lotsjellës hedh edhe në mbledhje të Kryesisë. Veprime të tilla brenda dhe jashtë Kuvendit opozitarët kanë paralajmëruar edhe ditën kur do të votohet presidenti i ri.
Ndërsa, PDK-ja ka disa ditë që po përgatit festë për aktivistët e vet ditën kur kryetari i tyre do të mund të inaugurohet shef i shtetit. Për shkak të procedurës që kërkohet, Thaçin formalisht do ta sfidojë bashkëpartiaku Rafet Rama.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka folur i nervozuar pas mbledhjes së Kryesisë, i ka ftuar qytetarët t’i ruajnë familjet e tyre. Ndërsa, situatën në të cilën po futet Kosova e ka përshkruar pak më shumë sesa serioze, shkruan gazeta. “E premtja e Thaçit”, është kryetitulli i gazetës Zëri, e cila thekson se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, do të votohet të premten në Kuvendin e Kosovës për president të shtetit. Kundërkandidat i tij do të jetë bashkëpartiaku, Rafet Rama, i cili do të dalë në votim vetëm për t’ia plotësuar “radhët”. Opozita ka paralajmëruar protestë kundër zgjidhjes së presidentit, ndërsa PDK-ja manifestim pro ngjitjes së Thaçit në “fron”.
“Haradinaj: Mos e thelloni krizën”, ësht tull balline i gazetës Epoka e Re, ku theksohet se, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se insistimi i qeverisë aktuale për ta vazhduar punën është duke e thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.
“Mungesa e reflektimit dhe insistimit për të vazhduar është duke e thelluar më shumë krizën politike në vend dhe po ia vonon Kosovës mundësinë për t’u nisë së mbari”, citohet Hradinaj në intervistë. “Deri në dorëheqje të qeverisë apo në shpalljen e zgjedhjeve ne do të jemi në shesh dhe nuk do të tërhiqemi”, ka paralajmëruar lideri i AAK-së, një prej tre subjekteve të opozitës së bashkuar.
Ndërsa sipas medias serbe, kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiç thotë se nuk është e sigurt nëse deputetët e Listës Serbe do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit në të cilin do të zgjidhet Presidenti i Kosovës.
Simiç i ka thënë agjencisë Beta se mbrëmë “demonstrativisht” e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila pas gazit lotsjellës ishte vazhduar në një sallë tjetër.
Ai ka shfaqur pakënaqësi që mbledhja e Kryesisë u thirr vetëm shtatë minuta para se të fillonte, transmeton Koha.net.
“Në vazhdim të mbledhjes kam thënë se jam kundër mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të mbahet të premten. Lista Serbe ka kërkesa që dalin nga Marrëveshja e Koalicionit PDK – LDK, si dhe kërkesa që dalin nga Marrëveshja e Brukselit që kanë të bëjnë me interesat e bashkësisë serbe në Kosovës e që nuk janë përmbushur”, ka thënë Simiç për median serbe, të cilës i referohet media në Kosovë.“Ne me partnerët tanë të koalicionit kemi pasur disa konsultime lidhur me mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, por nuk kemi pasur qëndrim zyrtar para se të mos i definojmë kërkesat tona që duhet të zgjidhin problemet e bashkësisë serbe në Kosovë”, ka saktësuar Simiç duke shtuar se “para se ta braktisja i kam mbledhjen e Kryesisë, kam lutur që seanca të mos caktohet të premten dhe derisa të mos merremi vesh për një dokument valid që do të garantonte se kërkesat tona të realizohen dhe kët dokument do ta nënshkruanim bashkërisht”.Sipas fjalëve të tij, nëse kjo nuk ndodh është e pasigurt jo vetëm nëse deputetë do të votojnë, por edhe a do të marrin fare pjesë në mbledhjen që në rend dite e ka zgjedhjen e presidentit të ri, raporton media.Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, në votimin e parë e të dytë duhen dy të tretat e votave, së paku 80 nga gjithësej 120 deputetët, e në votimin e tretë së paku një më shumë se gjysma – 61.Aktualisht, grupet parlamentare, i PDK-së me 35 e i LDK-së me 33, së bashku kanë 68 deputetë, votat e të cilëve mjaftojnë për zgedhjen e Presidentit në raundin e tretë. Ndërsa, për të pasur kuorumin e nevojshëm dhe zgjedhjen në raundin e parë e të dytë duhen së paku dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe votat e tyre.
Në rrethanat kur nuk mund të llogaritet në votat e opozitës, për zgjedhjen e Presidentit në raundin e parë e të dytë duhen edhe votat e komuniteteve pakicë, pjesë e koalicionit qeverisës – nga grupet parlamentare Lista Serbe me 11 dhe Gjashtë Plusi me 6, gjithësej 17 deputetë. Të katër grupet parlamentare të koaliciont qeverisës – PDK, LDK, Lista Serbe dhe Gjashtë +, së bashku kanë gjithësej 85 deputetë.
Pa grup parlamentar janë 4 deputetë dhe mund të llogaritet edhe në vota të tyre pro zgjedhjes së Presidentit. Por, në anën tjetër, ka ndonjë deklaratë nga deputetë të koalicionit qeverisës që kanë paralajmëruar votë kundër.
Ndërsa, opozita në Kuvendin e Kosovës ka gjithësej 31 deputetë (VV 16, AAK 9 e Nisma 6).
Sipas Kushtetutës, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
./Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari