– Kryeministri Mustafa: Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, afirmimin e mirëkuptimit, afirmimin e ndihmës, afirmimin e raporteve të mira dhe korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë/
-Qeveria e Republikës së Kosovës ka rishqyrtuar dhe miratuar Programin Legjislativ për vitin 2016 në të cilin përfshihet hartimi dhe miratimi i 87-të projektligjeve të reja dhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve të vjetra/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Janar 2016/ Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës, e deklaroi sot qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 70-të, ku rishqyrtoi programin legjislativ. Ishte kjo mbledhja e tretë në këtë vit, pas dy mbledhjeve brenda ditës së 8 janarit.
Kryeministri Mustafa, ka prezantuar iniciativën e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, që viti 2016 të cilësohet simbolikisht si Viti i Nënë Terezës në Kosovë. “Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, afirmimin e mirëkuptimit, afirmimin e ndihmës, afirmimin e raporteve të mira dhe korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.
Kabineti qeveritar unanimisht është pajtuar me këtë iniciativë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka rishqyrtuar dhe miratuar Programin Legjislativ për vitin 2016 në të cilin përfshihet hartimi dhe miratimi i 87-të projektligjeve të reja dhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve të vjetra.
Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni për Planifikim Strategjik, i cili do të kryesohet nga kryeministri i Kosovës dhe që do të drejtojë procesin e Planifikimit të Integruar të Kosovës. Ky planifikim përfshin përcaktimin e prioriteteve strategjike të qeverisë, monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, monitorimin e Planit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, strategjitë sektoriale, politikën fiskale, finalizimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, çështjet strategjike të investimeve publike dhe planin vjetor të punës së qeverisë.
Është aprovuar nisma e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW Frankfurt Am Main, për financimin e projektit “Largimi i Ujërave të Zeza në Jug-Perëndim të Kosovës, faza e IV”, në Komunën e Pejës. Projekti është një bashkëfinancim i fondeve të ndryshme, ndërsa marrëveshja parasheh një kontribut financiar të Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, në vlerë prej 9 milionë eurosh, për realizimin e këtij projekti.
Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Financave që të bëjë transferet e mjeteve deri në vlerën prej 40 mijë eurove nga programi Shpenzimet e Paparashikuara.
Është aprovuar edhe kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensimin e shtesave dhe të stimulimit financiar për 74 gjyqtarët e krimeve të rënda për vitin 2016 në shumë prej 279,720 euro. Shtesa bruto për këta gjyqtarë është treqind euro në muaj.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin udhëzohet Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për operim të ndërmarrjet së re “MTS” D.O.O. Vendimi do të hyjë në fuqi ditën që autoriteti ndërkombëtar i telekomunikimeve do t’i ndaj Republikës së Kosovës kodin telefonik.
Kabineti qeveritar është informuar me Raportin mbi Performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2015. Raporti evidenton se gjatë viti 2015 janë realizuar të hyra buxhetore në vlerë prej 1 miliard e 452 milionë euro, që paraqet realizimin e të hyrave në masën prej 98,4% të të hyrave të projektuara, që janë 9% me të larta se vitin e kaluar. Shpenzimet në total kapin shifrën prej 1 miliard e 553 milionë euro, që është 95.2% e shpenzimeve të parashikuara, që janë 5.7% më të larta se vitin e kaluar.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, sipas të cilit në këtë këshill do të jenë anëtarë edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Këshilli i Investitorëve Evropian.
Vitin e ri qeveria e Kosovës e nisi me vendimin për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro si bazë fillestare, në mbledhjen e parë ku kryeministri Mustafa kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, në çështjen e zbatimit të Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet e ligjit për pagat.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri Mustafa ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri në ditën e sotme, 15 janar, të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.
“Bashkimi Evropian nuk e ka më asnjë arsye politike që Kosovës mos t’i jap liberalizimin e vizave”, tha dje kryeministri Mustafa, në takim me kryetarët e komunave.
Në dinamikën e axhendës, po dje, pasdite kreu i qeverisë kosovare zhvilloi një takim tjetër për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës – Trepçës, ku u shpreh “i bindur se zgjidhja e këtij problemi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Kosovës, përmes rritjes së eksporteve, përmes krijimit të një potenciali të zinxhirit prodhues, me vlerë të shtuar, të rritjes së punësimit dhe të rigjallërimit ekonomik të vendit”.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.