-Qeveria në detyrë me ministra të rinj në mbledhjen e gjashtë pas zgjedhjeve të para dy muajve në Kosovë/
-Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është ftuar për të hënën e javës së ardhshme/
-Kur do ketë Kosova qeverinë e re të votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit ende nuk dihet/
PRISHTINË, 11 Gusht 2017-Behlul Jashari/ Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të para tre viteve, zhvilloi sot edhe me disa ministra të rinj mbledhjen e 152-të, të gjashtën të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të para pikërisht dy muajve, 11 qershorit, të shtatën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi.Në hapje të mbledhjes, kryeministri në detyrë Isa Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar me ndryshimet e bëra në qeveri, pas zgjedhjes së disa ministrave për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Janë këtu prezentë disa prej plotësimeve që janë bërë dje, që praktikisht i kemi përmbyll dhe nuk e kemi lënë asnjë ministri pa mbulesë. Është zëvendësministri i Punëve të Jashtme i cili është autorizuar të kryej detyrën e ministrit, Emanuel Demaj. Është Kurtan Kajtazi prej Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili poashtu sot e ka marrë autorizimin që të ushtrojë detyrën e ministrit dhe kemi Valentin Toçin, i cili tani është në krye të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kështu që të gjithë sektorët i kemi të mbuluar me përgjegjës, përderisa të kemi punë, atëherë e bëjmë këtë punë dhe e përmbyllim në mënyrë komplete”, tha kryeministri Mustafa.
Më parë, në 7 gusht, bëhej e ditur se kryeministri Mustafa mori vendim për emërimin e katër ministrave të rinj në kuadër të qeverisë së Kosovës.
Në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kryeministri Mustafa ka emëruar ministër të Financave zëvendësministrin e deritashëm Agim Krasniqi, ministre të Kulturës, Rinisë dhe Sportit shefen e deritashme të Stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, ministër të Infrastrukturës zëvendësministrin e deritashëm, Hanefi Muharremi, si dhe ministër të Punës dhe Mirëqenies Social, zëvendësministrin e deritashëm, Safet Kamberi.
Paralajmërohej se, në vijim kryeministri Mustafa do të marrë vendim për emërimin edhe të ministrave të tjerë në vend të ministrave të deritashëm, të cilët janë zgjedhur deputetë.
Ministrat e rinj do të ushtrojnë këto detyra deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës, bënte të ditur njoftimi dërguar nga qeveria në detyrë.
Kur do ketë Kosova qeverinë e re të votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të para dy muajve ende nuk dihet.
Mbledhja e 2 gushtit mund të ishte e fundit e kësaj qeverie, pasi për një ditë më pas ishte ftuar mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pas së cilës mund të zgjidhej qeveria e re, por seanca vetëm nisi dhe mbeti e papërfunduar, pa zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nisi në 3 gusht paradite me vonesë dhe vijoi me tre pushime dhe një ndërprerje në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma. As në 4 gusht nuk vijoi seanca meqë vijoi mungesa e deputetëve të koalicionit fitues, ndërkohë që vetëm gjysma e tyre kishin ardhur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës edhe dje gjatë vazhdimit të seancës konstituive nuk arriti të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pasi përsëri nuk merrte pjesë koalicioni PDK-AAK-Nisma, i cili si fitues i zgjedhjeve është i vetmi subjekt që ka të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të para tre viteve.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është ftuar sot nga kryesuesi-deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, për të hënën e javës së ardhshme, 14 gusht, me të vetmen pikë në axhendë: Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Të mërkurën e kësaj jave në takimin e dytë konsultativ të partive parlamentare me kryesuesin koalicioni PDK-AAK-Nisma ka kërkuar edhe një takim tjetër pas një jave dhe më pas thirrjen e seancës në 17 a 18 gusht.
“Nuk pati konsensus lidhur me propozimin që vazhdimit të seancës t’i paraprijë një takim tjetër konsultativ të mërkurën e ardhshme, në 16 gusht 2017”, theksonte njoftimi dërguar nga Kuvendi. Kryesusi i seancëse konstituive, i cili është nga Lëvizja Vetëvendosje, sot ka deklaruar se nuk do ftojë më takime konsultative të partive parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në takime konsultative duke theksuar se ato janë të panevojshme dhe se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit është në kompetencë të kryesuesit.
Pa zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve nuk përmbyllet konstitumi i Kuvendit dhe nuk mund të kalohent në votimin e kryeministrit e qeverisë së re të Kosovës.
Rezultatet e zgjedhjeve nuk i kanë dhënë numra të mjaftueshëm koalicionit fitues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Këto rezultate as nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, që do ishin të dytat brenda vitit 2107, kur janë edhe zgjedhjet e rregullta lokele në 22 tetor.