Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Korrik 2015/ -Sot po zhvillon seancë Kuvendi i Kosovës, ndërsa nesër Qeveria do të zhvillojë mbledhjen e rregullt, ku do të shqyrtojë dhe riprocedojë propozim-amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
“Riprocedimi në Kuvend, si dhe miratimi i këtyre amendamenteve kushtetuese nga ana e Kuvendit, është një hap me rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës në procesin e përmbushjes së obligimeve që shteti i Kosovës ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë me rastin e aprovimit në Kuvend, me dy të tretat e votave të deputetëve, të letërkëmbimit të Presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton, vitin e kaluar”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Kryeministria kosovare.
Theksohet se, “përmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, në asnjë mënyrë nuk e konteston luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të cenojë vlerat e luftës së popullit të Kosovës”. “Përmbushja e këtij obligimi nga institucionet e Kosovës, do të jetë në shërbim të zbardhjes së drejtësisë për dyshimet individuale që mund të lidhen me këtë proces dhe do të jetë një hap i rëndësisë së posaçme për proceset integruese euroatlantike, si dhe në shërbim të plotë të fuqizimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, përfundon njoftimi nga Kryeministria kosovare.
Ishte paralajmëruar se, Gjykata Speciale do rikthehet në axhendë e riprocedohet në Kuvendin e Kosovës pasi të sigurohen votat e mjaftueshme. Në seancën e 26 qershorit mungonin 5 nga numri i nevojshëm 80 i votave të Kuendit 120 anëtarësh, kur opozita nuk mori pjesë e nga pozita 7 ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin.
Për miratim ndryshimesh kushtetuese dhe disa ligjeve të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës duhen edhe dy të tretat e votave të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 prej të cilëve janë serbë.
THAÇI: PROCES NË NJË RRETHANË TË FAVORSHME PËR ANËTARËSIMIN E KOSOVËS NË UNESCO
Në Kuvendin kosovar, në seancën e sotme plenare, e cila është duke u zhvilluar, zv/kryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi tha se, një nga prioritetet kryesore të qeverisë për këtë vit është anëtarësimi i Kosovës si shtet në organizata të ndryshme rajonale, evropiane dhe ato botërore. “Në kuadër të kësaj është edhe përkushtimi dhe zotimi ynë që të anëtarësohemi sa më shpejtë në UNESCO, si një organizatë që do të na hapë perspektivë edhe për anëtarësimin edhe në shumë organizata tjera të OKB-së”, u shpreh ai, duke shtuar se mendonte se është një situatë e rrethanë e përshtatshme për Kosovën që të aplikojë dhe të anëtarësohet.
“Natyrisht se është bërë lobim i fuqishëm nga ana e Kosovës së bashku me partnerë ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë jemi dëshmitarë edhe të reagimeve shqetësuese të qeverisë së Serbisë. Por, ajo që është shumë me rëndësi mund të konfirmoj se i tërë procesi është duke shkuar në një rrethanë të favorshme për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”, theksoi Thaçi në përgjigje të një pyetje parlamentare.
Në 17 korrik, MPJ kosovare bënte të ditur se, Kosova sapo kishte aplikuar për anëtarësim në UNESCO, agjencionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsim, shkencë dhe kulturë, ndërsa anëtarësimi pritet në nëntor.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me deklarime jashtë rendit të ditës dhe me pyetje parlamentare, ndërsa në axhendën vijuese është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore dhe zgjedhja e 5 anëtarëve të bordit të Radio Televizionit publik, për të cilët u zhvillua procesi i votimit të fshehtë.
Në Kuvendin e Kosovës, ende nuk janë në axhendë ndryshimet kushtetuese drejt transformimit të FSK në FAK, për të cilin ka kushtëzime nga Lista Srpska.
Në 20 korrik, para se të futen në axhendë seance plenare të Kuvendit propozim-amendamentet kushtetuese të propozuara nga qeveria për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, me kërkesë të shumicës së përfaqësuesve të subjekteve politike, Kryesia e Kuvendit vendosi “t’u japë kohë partnerëve të koalicionit të zhvillojnë konsultimet”.
Lista Srpska, me 10 deputetë, pjesë e koalicionit qeverisës në deklarata ka shprehë qëndrimin se, “nuk do të votojë transformimin e Forave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës derisa të përmbushen katër kushte”, të cilat janë: Formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, emërimi nga komuniteti serb i zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, zëvendësi i komandantit të FSK-së të jetë poashtu nga radhët e komunitetit serb si dhe ndërprerja e privatizimit nëpër komuna, përfshirë Brezovicën (qendër turistike) dhe Trepçën (kombinatin xehtaro metalurgjik kimik ).
Derisa nuk ka as paralajmërime se kur do jenë në axhendë ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, sot në seancën e Kuvendit, në axhendë janë çështje të tjera, përfshirë edhe interpelancën e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, rreth të cilës pikë e pikave tjera të rëndit të ditës pati debat.
TRE PARTITË OPOZITARE, VV, AAK E NISMA DEKLARATA KUNDËR RIPROCEDIMIT TË GJYKATËS SPECIALE
Tre partitë opozitare të Kosovës, VV, AAK e Nisma, në deklarata të veçanta u rishprehën dje kundër riprocedimit në Kuvend të Gjykatës Speciale.
“Vendimi i Kuvendit është fuqiplotë dhe nuk mund të prapakthehet”, thekson Lëvizja Vetëvendosje.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës ka refuzuar miratimin e Amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Nenin 162). Ky vendim i Kuvendit të Republikës i bazuar në votën e lirë të deputetëve sipas përgjegjësisë së tyre është legjitim, fuqiplotë dhe i pandryshueshëm. Ai është i detyrueshëm për të gjithë”, thuhet në deklaratën e VV-së.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se Kuvendi ka votuar për amendamentet kushtetuese që lidhen me Gjykatën Speciale dhe rezultati ka qenë negativ. “Përpjekjen për ta rikthyer të njejtën çështje edhe një herë tjetër në votim e konsiderojmë të panevojshme dhe në kundërshtim me praktikat parlamentare dhe arsyeshmërinë e një hapi të tillë duhet ta japin PDK dhe LDK. Ne i kemi kundërshtuar me votë amendamentet kushtetuese dhe besojmë se kjo është krejtësisht e mjaftueshme, pa provuar forma të tjera të kundërshtimit të kësaj Gjykate”, thekson AAK.
Nisma për Kosovën përkujton se, në seancën e Kuvendit të mbajtur në 26 qershor, “pas një debati të gjatë dhe shterues, deputetët përmes vullnetit të tyre të lirë morën vendim të mos miratojnë amendamentin 24, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të Gjykatës Speciale”.
“Ky vendim është obligativ për të gjithë, pa përjashtim, sikur për ata që kanë votuar për ashtu edhe për ata që kanë votuar kundër. Zbatimi i këtij vendimi nuk ka alternativë”, sipas Nisma-s.
Një ditë pas mosarritjes së numrit të nevojshëm të votave në Kuvend për Gjykatën Speciale, qeveria në 27 qershor, në një mbledhje konsultative paralajmëroi riprocedim dhe për këtë edhe bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën. Por, tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma në një deklaratë të përbashkët shprehën dhe vazhdojnë të mbajë qëndrimin se, “vendimi i Kuvendit të Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
Por, nga liderët e partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, PDK e LDK, është kërkuar që deputetët të mos shkojnë në pushimet e verës para riprocedimit nga qeveria dhe vendimit të Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale.