-Për herë të parë që kur ka nisur dialogu teknik me Serbinë, Zyra e Kryeministrit ka prezantur para kabinetit qeveritar Raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, i cili është dorëzuar në takimin e dytë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës nga Grupi i veçantë për normalizim/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 6 Korrik 2018/ Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, për herë të parë që kur ka nisur dialogu teknik me Serbinë, Zyra e Kryeministrit ka prezantur para kabinetit qeveritar Raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, i cili është dorëzuar në takimin e dytë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës nga Grupi i veçantë për normalizim.
Raporti evidenton të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel me autoritetet e Beogradit si dhe hapat dhe sfidat në realizimin e këtyre marrëveshjeve. Ky raport paraqet tërësinë e të dhënave të pranuara nga ekipet teknike që kanë qenë të përfshira në procesin e dialogut, përkatësisht shpreh gjendjen aktuale në procesin e dialogut.
Raporti do të dërgohet edhe në Kuvendin e Kosovës dhe do të publikohet në mënyrë që të jetë i qasshëm edhe për publikun në të gjitha gjuhët zyrtare në Kosovë.
Të dielën e 24 qershorit 2018 është zhvilluar takimi i parë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për takimin e ri në Bruksel.
Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i të dielës së 24 qershorit 2018 do jetë i katërti, ndërsa i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.
Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut, të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.
Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.