“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë kryeministrat kosovar Isa Mustafa pas takimit në Bruksel me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç/
-Gjatë takimit Mustafa-Mogherini është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen/
AAK: Mustafa nuk ka më legjitimitet të bisedojë me Serbinë/
PRISHTINË, 28 Janar 2016-B.Jashari/ Në Bruksel, mbrëmë, ka përfunduar raundi i 30-të i dialogut në nivel të lartë Kosovë-Serbi, me takimin e përbashkët trilateral të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, pasi i takoi veçmas duke nisur pasdite.
Në këtë raund bisedimesh për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe rrugën përpara në dialog, sipas raportimeve nga Brukseli, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Në njoftimin e dërguar nga Brukseli nga delegacioni kosovar bëhet e ditur se, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Gjatë takimit është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen.
Ishte vlerësim i të gjithëve që dialogu në Bruksel dhe thellimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian është interes madhor i Republikës së Kosovës në rrugën e saj përpara në integrimet euroatlantike”, theksonte njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit bilateral të shefes së diplomacisë evropiane, Mogherini me kreun e qeverisë kosovare Mustafa, që u pasua me takimin me kryeministrin serb Vuçiç.
Ndërsa, pas takimit të përbashkët trilateral Mustafa-Mohgerini-Vuçiç, ndërmjetësuesja e BE-së, përmes një deklarate për media, ka falënderuar kryeminsitrat për, siç ka thënë, përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të normalizuar më tej marrëdhëniet e tyre në kuadër të dialogut.
“Takimet e sotme kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara me një qasje shumë konstruktive. Ne të gjithë e kemi parasysh nevojën për të sjellë përfitime të drejtpërdrejta dhe konkrete për të gjithë njerëzit në Serbi dhe në Kosovë, të cilët dëshirojnë të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Mogherini, duke shtuar se të dyja palët janë pajtuar për të nisur bisedimet për lidhje direkte ajrore dhe hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa ka deklaruar për median se bisedimet kanë qenë të mira dhe konstruktive. Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të zbatohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrëveshjes së parë (të nënshkruar në Bruksel në raundin e 10-të në 19 prill 2013) dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë (të miratuar nga Kuvendi i Kosovës)”.
“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se nuk është rënë dakord për asnjë afat kohor për formimin e Asoaciacionit.
Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Vuçiç, ka insistuar se nuk pranon asnjë vendim të, siç ka thënë, të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.
“Bisedimet nuk janë të lehta dhe po kërkojmë mënyra se si të zhbllokohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohet nga opozita kosovare me bllokim të seancave të Kuvendit të Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës e me protesta, prej më shumë se katër muajsh dhe me paralajmërime edhe në vazhdimësi.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët edhe tash janë pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme. Raundi djeshëm ishte i shtati i takimeve në Bruksel të kryeministrave Mustafa e Vuçiç, i pari në vitin 2016.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.
Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.
***
AAK: Mustafa nuk ka më legjitimitet të bisedojë me Serbinë
PRISHTINË, 28 Janar 2016/ Partia opozitare e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, reagon pas raundit të 30-të të dialogut Kosovë-Serbi, të zhvilluar dje në Bruksel.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, deklaroi sot se, “konsideron se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku konstatohet se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është në kundërshtim me Kushtetutën, kryministri i Kosovës e ka humbur legjitimitetin që ta përfaqësojë Kosovën në çfarëdo bisedimesh”.
“Aq më tëpër ai nuk mund të ketë mandat që të diskutojë të njejtat çështje, të cilat i ka negociuar një herë dhe i ka nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën”, shtohet në deklaratë.
“Krejt çka mund të bëjë ai, është që të kthehet në Kosovë dhe ta hapë rrugën që vendi të dalë nga kriza politike, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme”, përfundon AAK.