PRISHTINË, 1 Shkurt 2017-Behlul Jashari/ Prishtina dhe Beogradi në Bruksel, ndërmjetësuar nga BE, kanë përfunduar pas orës 23:00 takimin në nivelin më të lartë, pas të cilit palët nuk kanë bërë deklarata për median.
Ndërsa, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si ndërmjetësuese e dialogut, tha se “është e inkurajuar me angazhimin konstruktiv, që kanë treguar të dyja palët”.“Ky angazhim dhe vullnet politik kontribuon ndjeshëm në reduktimin e tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”, tha Mogherini përmes një deklarate me shkrim.“Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është i rëndësishëm për të ruajtur paqen dhe për të avancuar drejt BE-së. Kjo është thelbësore për Evropën dhe stabilitetin rajonal”, tha Mogherini.
Ajo shtoi se të gjithë pjesëmarrësit në bisedime “kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre për të punuar së bashku brenda dialogut”.
Kosova dhe Serbia zhvilluan sonte në Bruksel takimin e dytë brenda një jave në nivelin më të lartë me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Realizimi i marrëveshjeve ishte në fokus të takimit sonte në vazhdimësi të takimit të kaluar të 24 janarit 2017 për t’u dhënë fund të situatave tensionuese e retorikave ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.
Nga Kosova, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Isa Mustafa, e nga Serbia Presidenti Tomislav Nikoliç e Kryeministri Aleksandar Vuçiç, u ulen sonte sërish së bashku në tryezën e dialogut të ftuar e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht zhvilloi takime të veçanta me delegacionet, fillimisht të Prishtinës pasi herën e kaluar së pari takoi atë të Beogradit.“Ky takim është vazhdim i atij të 24 janarit, ku të dy palët u dakorduan të lënë prapa tensionet dhe të përqendrohen në punë përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, theksohej në njoftimin nga zyra e Mogherinit. Përfaqësuesja e Lartë dhe Nënpresidentja Mogherini, shtohej më tej, pret me padurim vazhdimin e diskutimeve për çështje me rëndësi dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe që ta çojnë përpara dialogun.
“Progresi drejt BE-së është i lidhur për të dyja, për Serbinë dhe Kosovën, përbrenda dialogut”, thuhej në njoftimin e zyrës së Mogherinit.Në zhvillimet pas takimit në mbrëmjen e së martës së javes së kaluar në Bruksel, në Prishtinë dhe Beograd deklaratat ishin të matura e nuk kishte retorika, ndërsa dy herë, të shtunën e 28 janarit dhe sot disa orë para takimit të dytë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilluan biseda telefonike.
“U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka bërë të ditur Thaçi pas bisedës së parë telefonike.
Presidenti kosovar Thaçi edhe sot tha se paradite kishte edhe një bisedë telefonike me kryeministrin serb Vuçiç, në frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.“Është me rëndësi që po angazhohemi maksimalisht për uljen e tensioneve dhe që gjithëçka të zhvillohet në kuadër të dialogut për një bashkëpunim më të mirë në mes të vendeve tona. Gjithashtu, që të shkojmë drejt një normalizimi të plotë të fqinjësisë më të mirë dhe mundësisë për një pajtim mes popujve tanë. Në kuadër të kësaj ka qenë edhe biseda ime me Kryeministrin e Serbisë”, u shpreh Presidenti Thaçi për median e Kosovës.
Në 25 janar, Presidenti Thaçi, i sapokthyer nga Brukseli tha në Prishtinë se në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi, të një dite më parë, qëllimi kryesor, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve, është arritur.
“Mund të them që jam i kënaqur që qëllimi kryesor i këtij takimi, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve të panevojshme, është arritur. Mirëpo, na mbetet shumë që të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore”, theksoi Thaçi.
Pas takimit të javës së kaluar, media e Beogradit njoftonte se “Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se me delegacionin e lartë nga Prishtina, me mbështetjen e BE-së, u dakorduam që të vazhdojë seria e dialogut në nivel të lartë, si dhe që të ‘ulet topi’ në deklaratat e zyrtarëve”.
Në zhvillimet pas takimit në mbrëmjen e së martës së javes së kaluar në Bruksel, në Prishtinë dhe Beograd deklaratat ishin të matura e nuk kishte retorika.
Ndërkohë, ndodhi edhe një zhvillim i shmangies së tensioneve të mundëshme: Në pritje të zgjidhjes përmes dialogut, nga autoritetet e Prishtinës nuk u rrënua muri ilegal në veri të Mitrovicës edhe pse dje ishte dita e fundit e afatit të përcaktuar me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga media u tha se vetë serbët lokalë do e rrënojnë dhe për këtë po bisedohet.
Një zhvillim tjetër është se, treni provokues që shkaktoi tensione me nisjen në mesin e janarit nga Serbia drejt Mitrovicës së Veriut, por që nuk u lejua nga autoritetet kosovare që dërguan njësinë speciale të Policisë në kufi, sipas një njoftimi të mbrëmshëm nga Beogradi, nuk do qarkollojë në relacionin drejt Merdares, vendkalimit kufitar me Kosovën, me nisje prej sot siç ishte paralajmëruar më herët, por në një relacion tjetër – drejt Vërshacit (qytet në krahinën e Vojvodinës, në Serbi).
Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.
Deri tani, në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.