Nga Behlul Jashari PRISHTINË, 25 Gusht 2015/ Bisedime të vështira po zhvillohen sot në raundin e 28-të kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel, sipas burimeve të Beogradit.
Bisedimet kanë filluar para mëse 10 orësh, por ende nuk ka njoftime për takim të përbashkët të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësuesen, Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila krerët e dy qeverive i ka pritur në takime të ndara.
“Dialogu i Beogradit e Prishtinës po vazhdon dhe në qendër të vëmendjes janë katër tema – energjetika, telekomi, Bashkësia e komunave serbe dhe lëvizja e lirë nëpër urën në Mitrovicë”, citohet Ketrin Rej, zëdhënsja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, cituar nga media serbe.
Ndersa, Suzana Vasiljeviç, këshilltarja për media e kryeministrit të Serbisë, në Tviter ka shkruar se kanë nisur negociatat në Brukse dhe se janë duke u zhvilluar konsultime të delegacionit serb.
“Bisedime të vështira” për “4 çëshje kyçe: Bashkësia e komunave serbe, energjetika, ura dhe telekomunikacioni”, citohet një anëtar i delegacionit të Beogradit.
“Krijimi i një korridori territorial është jashtëzakonisht problematik”, shprehet kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka qenë ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa në Bruksel po negociohet Asociacioni-Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkohë, zhvillohen “konsultime të delegacionit serb në Bruksel”, bënin të ditur burime të Beogradit, derisa po zhvillohej raundi i 28-të kryeministror i dialogut Kosovë-Serbi.
Këshilltarja për media e kryeministrit të Serbisë në Tviter ka postuar një foto me anëtarë të delegacionit të Serbisë të kryeministrit Aleksandar Vuçiçi, i cili ka takuar Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pas takimit që ajo ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa, në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga raundi i 27-të deklaronte se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
Nga delegacioni i Kosovës nuk ka ende konfirmim të ndonjë marrveshje, ndërsa sipas medias serbe, deri tash është dakorduar zgjidhja për telekomin, ndërsa deri në fund të këtij raundi pritet të arrihet paketa e marrëveshjeve, që përfshinë edhe Bashkësinë e komunave serbe, energjetikën dhe urën e lumit Ibër në Mitrovicë.