-Kryeministri i Kosovës, Hoti pas takimit të sotëm me Presidentin e Serbisë Vuçiç në Bruksel: Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi. Me kërkesën tonë, dy temat e takimit ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike/
PRISHTINË, 16 Korrik 2020- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar sot në Bruksel, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit 2018.
Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012 në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.
Nga Brukseli është njoftuar se nikoqir i takimit të sotëm Kosovë-Serbi ishte Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Kryeministri i Kosovës Hoti në deklaratën pas takimit me Presidentin e Serbisë Vuçiç ka konfirmuar se një nga temat e diskutimit sot në Bruksel ishte edhe çështja e të zhdukurve të luftës në Kosovë, të përfunduar para më shumë se 21 viteve.
Deklarata e plotë e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është kjo:
Pas 20 muajsh, sot e rifilluam procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi.
Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme. Jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre.
Destinacioni i Kosovës është integrimi euro-atlantik. Dialogu nuk ka alternativë. Me mbështetjen e miqve do të arrijmë qëllimin tonë, sepse është në interes të Kosovës dhe Serbisë, në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe në interes të BE-së dhe SHBA-së.
Gjatë këtij procesi të vështirë, ne besojmë plotësisht në miqtë tanë ndërkombëtarë, siç kemi besuar në të kaluarën kur ata e mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.