MALISHEVË, 3 Gusht 2015/- Në Malishevë, mbrëmë, ka përfunduar festivali tradicional i folklorit “Oda e Llapushës”. Vendin e parë të festivalit e ndanë ansamblet “Shotë Galica” nga Drenasi dhe “Ramaja”, çmim të cilin, ju dha kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Në këtë festival, të dytin me radhë, morën pjesë ansamble, shoqëri, grupe dhe këngëtar të folklorit nga të gjitha trojet shqiptare.
Festivali “Oda e Llapushës” mbahet në kuadër të ditëve të mërgatës në Kosovë dhe me këtë rast Komuna e Malishevës ka ndarë mirënjohje për mërgimtarët, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për Malishevën dhe për Kosovën, ndërsa sonte, kryetari i Malishevës. Mirënjohje janë ndarë edhe për familjet nga Malisheva, që kanë kontribuar në kulturën shqiptare. Njoftimi dërguar nga komuna bën të ditur se, mirënjohjet janë ndarë për familjen e Sali e Feriz Krasniqit, për Sefë Mleqanin dhe për Nexhmije Pagarushën, emra këta që kanë lënë gjurmë dhe kanë histori në kulturën shqiptare.
Vendin e dytë në festivalin e folklorit “Oda e Llapushës” e kanë ndarë “Visaret e Krrabës” dhe Naim Krasniqi, ndërsa vendin e tretë e kanë ndarë Vëllezërit Kryeziu dhe Vëllezërit Bytyçi. Po ashtu, në kuadër të festivalit janë ndarë çmime për grupin më të kompletuar, pastaj çmimi i karrierës, i publikut, çmimi “Beqir Gashi” për debutantin e festivalit si dhe çmimi i veteranit të folklorit.
Në fund të festivalit, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi, njëherit edhe drejtoreshë e festivalit, i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje, pastaj të gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e festivalit, vullnetarët e Qendrës Rinore në Malishevë, dhe të tjerët që kanë dhënë kontribut në organizimin dhe mbajtjen e festivalit.
Edicioni i tretë i festivalit, do të mbahet vitin e ardhshëm./b.j/