-Viti i pestë i Kalendarit Kulturor Kosovë-Shqipëri. Ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nënshkruan sot Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi/
-Koncepti i Kalendarit të Përbashkët Kulturor është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRIZREN, 18 Qershor 2018/ Kosova dhe Shqipëria nënshkruan sot në Prizren Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi.
Ministri i Kulturës i Kosovës Kujtim Gashi dhe ministrja e Kulturës e Shqipërsë Mirela Kumbaro-Furxhi e nënshkruan Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor në një ceremoni në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
“Është për mua viti i pestë që si Ministre e Kulturës e Shqipërisë nënshkruaj këtë Kalendar”, tha Kumbaro në ceremoni.
Kalendari i sivjetmë i përbashkët kulturor do të realizojë aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit, ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve. Në fushën e teatrove do të mbahet festivali mbarëkombëtar i teatrit dhe do të realizohen shfaqje teatrale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Në fushën e filmit do të jepen premierat e pesë filmave. Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë. Këto aktivitete do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.
Nënshkrimin e këtij kalendari ministri Kujtim Gashi e ka cilësuar si ditë shumë të rëndësishme për të dy vendet. “Është ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Nënshkrimin e kalendarit vjetor kulturor e kemi ideuar në lokacion të veçantë në shtëpinë tonë të përbashkët. Ky akt hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë ministri.
Ministri Gashi ka pohuar se të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.
“Mendoj që ky është një moment që dy institucionet tona janë në krye të organizimeve pa e prekë pjesën e pavarur të institucioneve të kulturës. Besoj që ky vit është më i veçantë sepse jemi ndalë në aktivitetet specifike”, tha Gashi duke shprehur edhe vlerësim për punën e ministres shqiptare Kumbaro në raport me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Në anën tjetër, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, tha se kultura e dëshmon më së miri se nuk ka kufi tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrativë.
“Është për mua viti i pestë si Ministre e Kulturës të nënshkruaj këtë kalendar, por duke pranuar siç e tha edhe ministri që është një formalizim i një aktiviteti e një bashkëpunimi që merita në radhë të parë i shkon institucioneve të kulturës”, theksoi ministrja.
Ajo pati vlerësim për institucionet e kulturës dhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës.
“Ne kemi njohur gjithë energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës me të cilën duam ta kemi një bashkëpunim por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur në Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri. Kufijtë janë administrativë, e kultura është si lumenjtë. Lumenjtë kur kalojnë vijën nuk pyesin a ka kufi. Ne duhet te krijojmë të njëjtin mjedis për kulturën”, vlerësoi Kumbaro.
Që të dy ministrat thanë se koncepti i Kalendarit të Përbashkët Kulturor është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë
“Koncepti i Kalendarit të Përbashkët Kulturor është një koncept që është një skenë e hapur me Maqedoninë, me Malin e Zi, padyshim edhe me Greqinë por jo vetëm”, tha në fund ministrja shqiptare.
Në 11 janar 2014, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, menjëherë pas mbledhjes së parë historike të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.
Në mbledhjen janë shqyrtuar, mes tjerash, Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor.
Rreth një muaj më pas, në 14 shkurt 2014, në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, organizuar në bashkëpunim me Fototekën Kombëtare Marubi në Shkodër. Kjo ekspozitë, që sjellte në Prishtinë rreth 250 fotografi, shënonte edhe fillimin e zbatimit të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Kosovë – Shqipëri dhe të festimeve zyrtare për 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.