-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në Tiranë ka takuar homologun shqiptar, Ditmir Bushati/
Tiranë-Prishtinë, 13 Qershor 2016/ Gazeta Dielli-B.Jashari/ Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka pritur homologun e tij nga Kosova, Enver Hoxhaj.
MPJ e Kosovës ka dërguar këtë njoftim: Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka qëndruar sot pasdite në Tiranë, ku është takuar me homologun shqiptar, Ditmir Bushati.Në këtë takim Hoxhaj dhe Bushati janë koordinuar për tema të ndryshme të politikës së jashtme para një turi intensiv diplomatik të Kosovës në muajt e ardhshëm.
“Me ministrin Bushati diskutuam për koordinimin më të mirë të temave dhe aktiviteteve për jetësimin e partneritetit strategjik Kosovë-Shqipëri”, ka thënë ministri Hoxhaj.Përveç kësaj Hoxhaj e Bushati kanë disktuar edhe për takimin e radhës në Paris që është vazhdimësi e procesit të Berlinit.
Ditë më parë ministri Hoxhaj ka qëndruar në SHBA, në vizitën e parë zyrtare pas emërimit në pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, përfundon njoftimi.
Qeveria e Kosovës, në 2 qershor, është kompletuar me emërimin e zëvendëskryeministrit të parë, Hajredin Kuçit, i cili vazhdon të jetë edhe ministër i Drejtësisë, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt, të cilat poste i mbante Hashim Thaçi deri në zgjedhjen President i Republikës në muajin shkurt.