Kosovë-Shqipëri, korriku 2015 shënon fluks të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare/PRISHTINË, 5 Gusht /ATSH-Behlul Jashari/.- Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, në korrik 2015 ka pasur gjithsej 1 023 970 hyrje dalje të personave, ose 481 933 më shumë se në korrikun 2014, kur kishe 542 037 hyrje dalje.
Ndërsa numri i automjeteve në hyrje- dalje në korrik 2015 ishte 274 899, ose 75 622 më shumë në krahasim me korrikun 2014, kur kishte 199 277 hyrje- dalje të automjeteve. Krahasuar me qershorin 2015, në korrik kishte 30 600 automjete më shumë.
Për personat, gjatë korrikut 2015, në Vërmicë kishte 528 590 hyrje e 420 685 dalje. Në Qafë Prush 15 259 hyrje e 10 052 dalje. Në Qafë Morinë 27 071 hyrje e 22 313 dalje. Në këto tre porta kufitare, gjithsej kishte 570 920 hyrje e 453 050 dalje të personave.
Ndërsa, për automjetet në korrikun 2015 shifrat janë këto: Në Vërmicë kishte 91 783 hyrje e 84 357 dalje. Në Qafë Prush 5 236 hyrje e 4 419 dalje. Në Qafë Morinë 7 144 hyrje e 6 338 dalje. Gjithsej kishte 104 163 hyrje e 95 114 dalje të automjeteve.
Për fluksin e hyrjeve e daljeve në tre portat kufitare shifrat i bëri të ditura ekskluzivisht për ATSH-në Major Baki Kelani, shef i Zyrës për Infomim dhe Marrëdhënie me Publikun – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, në Prishtinë.
Kosove-Shqiperi-pota-Vermice-Morine-23mars2015-foto-ATSH-Behlul-JashariNë vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19,312 % dhe të automjeteve për 21,883 %, krahasuar me 2013-ën, bënte të ditur në fillim të 2015-ës policia kosovare.
Në 1 korrik 2015 ka nisur zbatimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit për patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë. Pas një konference të përbashkët për shtyp në vendkalimin kufitar në Vërmicë-Morinë, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në përpjekje për rritjen e elementëve të sigurisë rrugore, nisi turni i parë i zyrtarëve policorë të trafikut nga Kosova për të patrulluar bashkërisht me njësitet e trafikut të policisë shqiptare, në Shqipëri.
U bë e ditur se, gjatë sezonit turistik ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy shtetet, prandaj është parë e nevojshme realizimi i kësaj marrëveshje të përbashkët.
Kosove-Major-Baki-Kelani-shef-i-Zyrës-për-Infomim-dhe-Marrëdhënie-me-PublikunMe synim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta si dhe me qëllim ngritjen e sigurisë në trafik për pjesëmarrësit e të dy shteteve janë vlerësuar të nevojshme dhe të suksesshme patrullimet e përbashkëta në Shqipëri.
Patrullimi i përbashkët është siguri e përkujdesje për të gjithë qytetarët në fluksin e rritur në verë në akset rrugore Shqipëri-Kosovë, kanë theksuar policitë e të dy vendeve.
Këtë verë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës jep parashikimin e motit edhe për bregdetin shqiptar, drejt të cilit është rritur shumë fluksi i kosovarëve në këtë sezon pushimesh. “Mot i nxehtë dhe me temperatura të larta, do të mbajë përgjatë vijës bregdetare shqiptare. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 21-26 gradë celsius. Ndërsa, maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 36-39 gradë celsius”, është parashikimi për këtë javë.