• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVË-SHQIPËRI, HEQJE KONTROLLEVE NË KUFIRIN E PËRBASHKËT

February 5, 2019 by dgreca

-Drejt nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët/

1 Qeveria.jpg

 -Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019/

-Qeveria e Kosovës i jep statusin investitorit të parë strategjik, investim prej 170 milionë euro/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË, 5 Shkurt 2019/ Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e pasditës  së sotme, të 88-en, aprovoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrim të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.

Marrëveshja synon heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë në kufijtë e përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe të garantojë lirinë e kalimit të kufirit për qytetarët dhe për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.

Marrëveshja do të garantojë kalimin në çdo pikë kufitare pa kryer kontrollin e personave, mirëpo në situata të kërcënimit të sigurisë apo situatave të veçanta  mund të rivendoset kontrolli përkohësisht deri në 30 ditë por që mund të zgjatet deri në rivendosjen e gjendjes normale.

Qeveria kosovare në mbledhjen e fundit të vitit 2018, në 28 dhjetor, ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë të nesërmen, në 29 dhjetor, në pikëkalimin kufitar Morinë-Vërmicë.
“Qëllimi i Marrëveshjes është që palët të angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave”, është theksuar me këtë rast.

Në 15 janar 2019 është bërë hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, e cila sic u thekua “është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe një stacion tjetër i rrugëtimit tonë të projektuar së bashku në mbledhjen e dy qeverive”.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, në 26 nëntor 2018,  në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 , të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës në 27 nëntor 2017 në Korçë.

PROJEKTLIGJ PËR QEVERINË E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme fillimisht është informuar për statusin e hartimit të Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas informatës Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës është pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019. Me këtë Projektligj, përcaktohen parimet e punës së Qeverisë e cila në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv, bazuar në parimin e ligjshmërisë, përgjegjshmërisë, transparencës, si dhe parimin e efikasitetit dhe efektshmërisë.

Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përcakton përbërjen, mandatin e  Qeverisë, fillimin dhe përfundimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë, si dhe kufizimet në kompetencat e Qeverisë në dorëheqje. Po ashtu, me këtë Projektligj përcaktohet statusi i anëtarëve të Qeverisë si dhe aktet me të cilat vendos Qeveria.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar të rëndësishme aprovimin e tri ligjeve të rëndësishme për reformën e administratës publike nga Kuvendi i Kosovës:  Ligji për administratën shtetërore;   Ligji për zyrtarët publikë;  Ligji për pagat.

Me kalimin e kësaj pakoje, po e përmbyllim një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Axhendës së Reformave Evropiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Këto projektligje konsiderohen si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij dhe të cilat i japin vendit qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit dhe të orientojnë shoqërinë kah Bashkimi Evropian, ku është e ardhmja jonë.

Kabineti qeveritar ka aprovuar rekomandimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit të investitorit strategjik për subjektin investues “SOWI KOSOVO L.L.C. Vlera e kapitalit të këtij investimi strategjik është 169,093,575.00 euro.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar nismat për:   Aderimin e Kosovës në ICMP, Komisioni Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur;  Për lidhjen e Marrëveshjes për Sigurime Sociale me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë;  Për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi;   Për negocimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Unionin Ndërkombëtarë për Ruajtjen e Natyrës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, HEQJE KONTROLLEVE NË, Kosovë-Shqipëri, KUFIRIN E PËRBASHKËT

Serbia po e mban të bllokuar linjën energjetike Kosovë – Shqipëri

May 27, 2018 by dgreca

1 Linja energjitikeKa dy vjet që është inauguruar linja e interkoneksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë, por e cila ende mbetet jofunksionale për shkak të bllokimit të lëshimit në qarkullim nga ana e Serbisë, thonë zyrtarët në Qeverinë e Kosovës.

Kjo linjë, ishte shpallur e përfunduar, inauguruar dhe testuar në qershor të vitit 2016. Linja interkoneksionit 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka një shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës, ka kushtuar 75.5 milionë euro.

Mbi 33 milionë euro u financuan nga Kosova, ndërsa 42 milionë të tjera nga Shqipëria.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë se trysnia e Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi është rritur shumë.

Por, Beogradi zyrtar, sipas tij, po pengon zhbllokimin e linjës, duke insistuar që marrëveshja energjetike të ngritët në bisedimet Prishtinë – Beograd, që po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Kjo punë ka marrë një hov më të madh, jemi shumë më dinamik. Tashmë kemi edhe një negociator gjerman, ish ministrin e ambientit të Gjermanisë, Klaus Toepfe, i cili po na ndihmon në zgjidhjen e problemit, në mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Jemi në diskutime e sipër. Në takimin e fundit që kemi qenë se bashku jemi pajtuar që të shikojmë edhe në një takim në nivel politik në Berlin, në mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e ish ministrit gjerman për të shikuar zgjidhjen e problemit në mënyrë sa më të shpejtë”, ka thënë Lluka për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, ish-ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në këtë drejtim po mungon një angazhim më serioz i Qeverisë së Kosovës, por që edhe Bashkimi Evropian, sipas saj, nuk po bën presion sa duhet ndaj Serbisë.Tani kur Kosova e ka filluar procesin drejtë zbatimit marrëveshjes së Asociacionit, shprehet ajo, është koha që edhe Serbia të zbatojë marrëveshjen energjetike, por edhe marrëveshjet tjera të arritura të cilat nuk po zbaton.

“Atëherë në një mënyrë Bashkimi Evropian nuk është një ndërmjetësues i cili po përcjell agjendën kohore dhe obligimet e të dyja e palëve”.

“Pastaj, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e zëshme, unë nuk po e shoh se është e zëshme. Kjo qeveri vetëm një herë ka mbajtur takim teknik në Bruksel dhe në atë ka dështuar. Pra, nuk po shoh angazhime serioze në këtë drejtim nga ana e Qeverisë sonë”, thotë Tahiri.

Ajo tha po ashtu se Beogradi po zvarritë zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Prishtinën, duke u munduar që ato t’i bartë për fazën finale të bisedimeve.

Ndryshe, nga moszbatimi i marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, shteti i Kosovës humb rreth 25 milionë euro në vit, thotë në anën tjetër, ministri Lluka, duke përfshirë këtu edhe bllokimin e linjës energjetike Kosovë- Shqipëri.“Rreth 10 milionë euro nga inkasimi i tarifave të transmisionit, që energjia kalon transit përmes Kosovës, kurse Serbia i inkason mjetet në emër të Kosovës. Kemi deri 11 milion euro që qytetarët e veriut nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar, 2 milion euro humbin për shkak mos të aktivizimit të linjës dhe po ashtu rreth 2 milion euro që paguhen për kthimin e kredisë që është bërë investimi në rrjet”, tha Lluka.

Linja e interkonesionit Kosovë – Shqipëri është bllokuar për shkak të mos zbatimit të marrëveshjes energjetike në mes Prishtinës dhe Beogradit, që është arritur në Bruksel.

Në bazë të kësaj marrëveshje kusht për Serbinë është edhe regjistrimi i një kompanie të re serbe, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë më energji konsumatorët në katër komunat veriore më shumicë serbe.

Autoritetet kompetente të Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për regjistrimin e kësaj kompanie, por që Serbia nuk po e bën një veprim të tillë.(Kortezi: Nadie Ahmeti)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: bllokon, Kosovë-Shqipëri, Linjen energjitike, Serbia

Roli i autostarëdës Kosovë-Shqipëri po rritet

February 11, 2017 by dgreca

unnamed (1)

-Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa së bashku me ministrat Hykmete Bajrami, Memli Krasniqi, Avdullah Hoti dhe Valon Murati, kanë shpalosur planet për avancimin e politikave ekonomike dhe punën që po bëhet që ambienti i biznesit të përmirësohet/

unnamed (2)

PRISHTINË, 11 Shkurt 2017-B.Jashari/ Infrastruktura e Kosovës tajkalon atë të disa vendeve fqinje, tha sot kryeministri Isa Mustafa, duke theksuar veçmas rrugën e kombit që lidhet me pjesën e ndërtuar më parë në Shqipëri drejt bregdetit shqiptar. “Roli i autostarëdës ‘Ibrahim Rugova’ që na lidhë me Durrësin dhe me Shqipërinë po rritet dita-ditës. Kurse, hapja e kësaj autostrade me Serbinë do të krijojë korridore të daljes me vendet e Ebvropës qendrore dhe perëndimore”, u shpreh ai.Kreu i qeverisë kosovare më tej shtoi se, autostrada tjetër drejt Shkupit po bëhet arterie shumë e rëndësishme, e cila do e lidhë Kosovën me Maqedoninë, Greqinë, Turqinë dhe vendet tjera aziatike.

“Edhe rekonsturimi i hekurudhave, për  çka kemi siguruar fonde të nevojshme, poashtu do jetë një resurs shumë i rëndësishëm i transportit edhe për mallara, edhe për udhëtarë”, theksoi kryeministri i Kosovës.Kryeministri Mustafa po merr pjesë në konferencën “Ambienti i Biznesit 2017”, organizuar në Prishtine në kuadër të  aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, ku po prezantohen planet e qeverisë së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat.
“Tani ne po punojmë në axhendën e reofrmave evropiane. Jam i bindur se kjo axehendë na afron me Bashkimin Evriopian dhe se rruga më e mirë drejt integrimit është edhe fuqizimi i sektorit ptivat”, u shpreh kryeministri i Kosovës.Ai theksoi se në Kosovë në vitin 2015 dhe 2016 rritja reale ekonomike ka arritur 4 % . “Vlerësoj se në bazë të trendëve që ne i kemi tani, mund të presim që rritja ekonomike në vitin 2017 të jetë rreth 5 %”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.Kryeministri Mustafa së bashku me ministrat Hykmete Bajrami, Memli Krasniqi, Avdullah Hoti dhe Valon Murati, kanë shpalosur planet për avancimin e politikave ekonomike dhe punën që po bëhet që ambienti i biznesit të përmirësohet duke iu mundësuar bizneseve vendore të jenë konkurrentë me prodhimet e tyre, me bizneset e vendeve të Bashkimit Evropian.

Pas fjalëve hapëse, kryeministri Mustafa dhe ministrat e qeverisë së Kosovës kanë bashkëbiseduar me bizneset ku i janë përgjigjur dhjetëra pyetjeve dhe kanë trajtuar detajisht mundësitë e zhvillimit të mëtejmë ekonomik si dhe tejkalimin e sfidave si dhe çështjet tjera të rëndësishme për sektorin privat.

***

Kryeministri Mustafa bashkëbisedon me bizneset, trajtohen detajisht mundësitë e zhvillimit të mëtejmë ekonomik
 Prishtinë, 11 shkurt 2017/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën “Ambienti i Biznesit 2017”, e organizuar në kuadër të  aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, ku ka prezantuar planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat.
Kryeministri Mustafa së bashku me ministrat Hykmete Bajrami, Memli Krasniqi, Avdullah Hoti dhe Valon Murati, kanë shpalosur planet për avancimin e politikave ekonomike dhe punën që po bëhet që ambienti i biznesit të përmirësohet duke iu mundësuar bizneseve vendore të jenë konkurrentë me prodhimet e tyre, me bizneset e vendeve të Bashkimit Evropian.
Pas fjalëve hapëse, kryeministri Mustafa dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë bashkëbiseduar me bizneset ku i janë përgjigjur dhjetëra pyetjeve dhe kanë trajtuar detajisht mundësitë e zhvillimit të mëtejmë ekonomik si dhe tejkalimin e sfidave si dhe çështjet tjera të rëndësishme për sektorin privat.
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa.
Ndoshta po e filloj fjalën time në mënyrë pak të pazakontë, por dëshiroj të shpreh mospajtimin tim dhe irritimin tim me të gjithë ata që për arsye të ndryshme ndjejnë kënaqësi duke konstatuar se Kosova është shteti më i pazhvilluar, duke thënë se jemi shtet me papunësinë dhe me varfërinë më të madhe, se jemi shteti me korrupsionin më të madh dhe me arsimin më të keq. Nuk shohin asgjë të bardhë në këtë vend, por nëse i shohim ata veç e veç, gjithë i kanë punët mirë.
Dëshiroj po ashtu të theksoj se ne kemi përqafuar ekonominë e tregut, të bazuar në iniciativën private, por se akoma kemi probleme me pak mendësi socialiste, sidomos në sektorin e punësimit.
Shumica nuk e trajtojnë veten tamam të punësuar, nëse nuk janë të punësuar në sektorin publik, ku pagat janë më të larta, siguria në punë është më e madhe, mundësitë për të mos punësuar janë shumë më të mëdha, edhe mundësitë për të abuzuar janë më të mëdha, ndryshe nga sektori privat ku efektet dhe angazhimi në punë është më i madh, ku të ardhurat nuk rriten jashtë rezultateve të arritura në treg, ku kemi ballafaqime me riskun dhe ballafaqime me konkurrencën, dhe se dallimet në paga në sektorin publik dhe sektorin privat kanë ndikuar negativisht në tregun e punës.
Kur jemi te varfëria, mund të konstatoj se Kosova shumë shpejt do ta kalon pragun ndërkombëtar të varfërisë, dhe do të konsiderohemi si shtet me të ardhura të mesme. Prandaj, qysh në këtë pjesë të parë të vitit, ne presim që sipas kritereve të Bankës Botërore, nuk do të kemi më argumente që ta quajmë veten vend të varfër, por nuk do të kemi po ashtu mundësi që të shfrytëzojmë fondet nga institucionet  ndërkombëtare të cilat ndahen për vendet e varfëra. Ambienti në të cilin zhvillohet jeta ekonomike në Kosovë, po ashtu nuk varet vetëm nga masat e politikave makroekonomike të cilat ne i ndërmarrim, por varet edhe nga segmentet e tregut, nga politikat e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Fillimi i implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit paraqet hap të parë të daljes nga lëvozhga e ekonomisë lokale në një ekonomi e cila operon karshi ekonomive tjera të tregut të Bashkimit Evropian, dhe po ashtu ballafaqohemi me risqe dhe të mirat e kësaj rruge të cilën ne po e ndjekim.
Duhet nënvizuar po ashtu që jemi vendi i fundit i tranzicionit, pra vendi që 10 vite më vonë ka hyrë në tranzicion për shkak të luftës dhe për shkak të okupimit, se akoma nuk kemi përfunduar procesin e privatizimit dhe se shumë prona janë jashtë përdorimit ekonomik, se thënë kështu në gjuhën popullore “për kaçikun tonë”, kemi një shumë të madhe të parave, rreth 1.9 miliardë euro të Fondit të Privatizimit dhe të Trustit të Kursimeve Pensionale, përkatësisht 31 % të GDP-së të cilat qëndrojnë jashtë funksionit ekonomik, ndryshe për masën e këtyre mjeteve zvogëlohet kërkesa agrekate në treg dhe mundësitë që ne ta nxisim prodhimtarinë edhe ekonominë e brendshme, se investimet kapitale dominojnë në fushën e infrastrukturës ku kthimi nga investimet është shumë i ngadalshëm me efekte shumë indirekte, se kemi një bilanc tregtar shumë negativ me pjesëmarrje të madhe të importit sidomos të produkteve të cilat ne mund t’i prodhojmë brenda dhe mund t’i zëvendësojmë, por po ashtu duhet të konstatojmë se të gjitha këto procese janë ato të cilat ne duhet t’i tejkalojmë dhe duhet t’i marrim si objektive.
Po ashtu të konstatoj që ne jemi këtu dhe jemi të gatshëm që t’i bëjmë këto ndryshime. Themi se mund të shënojmë procese shumë të suksesshme, sepse çdo ditë e më tepër bizneset po tregohen të suksesshme dhe ndërmarrësit tanë po tregohen të suksesshëm. Për më tepër mua më gëzon fakti që kemi arritur të krijojmë një koalicion të përbashkët të ndërtimit të politikave ekonomike me biznese që është për tu vlerësuar në mënyrë të veçantë. Prandaj, sot edhe ne bashkërisht mund të krenohemi për rritje të qëndrueshme ekonomike, jo për rritje të cilën e kemi synuar dhe e synojmë, por për një rritje e cila në pikëpamje progresive po tregon rritje, pra edhe në pikëpamje matematikore është një rritje mbi rritje ekonomike.
Duhet të theksojmë se në vitin 2015 dhe 2016 rritja reale ekonomike ka rritur 4 %, duhet po ashtu të nënvizojmë se kjo rritje bazohet në ekonominë private, në bizneset private, pra gjeneron nga biznesi dhe jo nga investimet në sektorin publik, që është hera e parë që kemi këtë ndryshim, dhe se për dallim prej nesh që kemi një rritje mesatare prej 4 %, në vendet në regjion për këto dy vite ka qenë 2.9 %.
Dhe po ashtu më lejoni të vlerësoj se në bazë të trendëve që ne i kemi tani, mund të presim që rritja ekonomike në vitin 2017 të jetë rreth 5 %.
Produktet tona shikuar nga dizajni, nga cilësia, nga mënyra e prezantimit, nuk mbesin fare prapa produkteve të vendeve të BE-së, edhe pse ne nganjëherë dimë të nënçmojmë vetveten dhe prodhimtarinë vendore. Shërbimet tregtare, duke filluar nga infrastruktura, nga objektet tregtare, nga ofrimet e këtyre shërbimeve po ashtu janë konkurruese dhe të krahasueshme me vendet tjera. Infrastruktura rrugore  tejkalon atë të disa vendeve fqinje. Roli i autostradës “Ibrahim Rugova” që na lidh me Durrësin dhe me Shqipërinë po rritet dita-ditës, kurse hapja e kësaj autostrade me Serbinë do të krijoj korridore dalëse me vendet e Evropës qendrore dhe të Evropës perëndimore.
Autostrada tjetër për në Shkup po bëhet arterie tepër e rëndësishme e cila do të lidh me Maqedoninë, me Greqinë, me Turqinë dhe vendet tjera aziatike, rekonstruimi i hekurudhës për të cilën kemi siguruar fondet e nevojshme, do të jetë po ashtu një resurs shumë i rëndësishëm i transportit edhe për mallra edhe për udhëtarë.
Të nderuar pjesëmarrës
Gjatë kësaj periudhe ne kemi lidhur shumë marrëveshje për financim për projekte të ndryshme me shumë vende perëndimore, kemi lidhur me Gjermaninë, me Austrinë, me Francën, Zvicrën, Luksemburgun, me Suedinë, kemi përgatitur marrëveshjen me Hungarinë, janë në vijim marrëveshjet me Italinë, kemi arritur të plotësojmë kushtet për të qëndruar në programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe të përfitojmë nga financimi i projekteve nga ky fond, nga Banka Botërore, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Banka Evropiane për Investime dhe nga Banka Gjermane për Zhvillim.
Me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës do të ndërtojmë Termocentralin Kosova e Re, një investim prej mbi 1 miliard euro, po realizojmë projektin e veçantë me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe përfundimisht, gjitha këto marrëveshje dhe gjithë ky bashkëpunim flet se ne jemi të orientuar për zhvillim ekonomik që na lidh me botën perëndimore, pra orientimi ynë ekonomik është evropian dhe amerikan, politikat tona ekonomike, politika që vlerësojnë tregun dhe kushtet e tregut, por edhe në efekte sociale të tyre.
Për herë të parë kjo qeveri e koalicionit ka një buxhet zhvillimor me një rritje për investime kapitale prej rreth 50 %, në krahasim me vitin që e lam pas. Këto investime në mënyrë direkte apo indirekte do të kenë efekte në angazhimin e bizneseve dhe efekte në punësim. Kritikuesit do të thonë çfarë buxheti është ky, i cili bazohet në huazime, por logjika ekonomike thotë se për sa më tepër investojmë në infrastrukturë publike, në arsim e shëndetësi, si investime produktive, për aq më shpejt do të kemi kthim nga këto investime, do të kemi kushte për rritje më të hershme ekonomike të vendit.
Po ashtu ju keni sprovuar se investimet përmes kreditimit në rrethana stabile ekonomike krijojnë kushte që fitimi në asetet vetanake të jetë më i lartë.
Jemi të interesuar po ashtu që të shpejtojmë procesin e privatizimit dhe unë me këtë rast dëshiroj që të përgëzoj për punën e mirë që po e bënë Bordi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit, prandaj ne bashkërisht do të identifikojmë projektet dhe pasuritë për të cilat do të kërkojmë investitorë strategjik, sipas Ligjit mbi Investimet Strategjike i cili tash ka hyrë në fuqi.
Dua të them po ashtu se sektori bankar gjithnjë më tepër po përshtatet për nevoja e kreditimit të bizneseve, veçmas të prodhimit, si në pikëpamje të zbutjes të normave të interesit, në pikëpamje të afateve të kreditimit, dhe në pikëpamje të kushteve të kolateralit.
Edhe risku i moskthimit të kredive tek ne është gjithnjë e në rënie në krahasim me vendet në regjion dhe më gjerë. Ne kemi intensifikuar agjendën e reformave tani po punojmë në pakon e dytë fiskale e cila ka për qëllim që ne të barazojmë kushtet e të bërit biznes për të gjitha bizneset, jo vetëm brenda por edhe me bizneset tjera në pikëpamje të konkurrencës. Rezultatet e këtyre reformave janë të njohura dhe në Raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore. Ky raport e rendit Kosovën në disa vende më lartë në krahasim me atë që kemi qenë më parë, dhe ne do të vazhdojmë për të lehtësuar kushtet e të bërit biznes.
Mendoj se këto reforma kanë reflektuar edhe numrin e bizneseve që janë hapur gjatë këtyre dy viteve. Janë 10 mijë e 549 biznese të cilat janë regjistruar në vitin 2016. Një numër i rëndësishëm i këtyre bizneseve janë të fushës së bujqësisë, janë të sektorit të prodhimit dhe janë të sektorit të teknologjisë informatike.
Sipas të dhënave të Agjencionit të Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë dhe sipas të dhënave krahasuese të vendeve tjera, shihet qartë se rritja e vazhdueshme e numrit të regjistrimit të biznesve duke arritur numrin më të madh në vitin që e lam pas, është më e madhe sesa në vendet në regjion, ndërsa shuarja vullnetare e bizneseve është bindshëm më e vogla. Do të thotë në vitin 2016 janë shuar 2 mijë 379 bizneseve prej 10 mijë e 549, prandaj kemi një rritje neto të bizneseve prej 8 mijë biznese të reja, dhe në qoftë se këtë e shndërrojmë në efekte të punësimit, e shohim që është me rëndësi shumë të madhe.
Mund të konstatoj po ashtu se duke përjetuar një trend normal të krijimit dhe të zhvillimit të biznesve, dhe të shuarjes së tyre, ky trend është pozitiv në raport me vendet fqinje. Gjatë vitit 2016 në Serbi janë shuar 84 % e bizneseve në krahasim me ato që janë regjistruar, në Maqedoni 72 % e bizneseve, në Mal të Zi 63 %, në Kroaci kemi rënie negative, sepse janë shuar 26 për qind më shumë biznese sesa ato që janë regjistruar gjatë vitit, kurse edhe në Slloveni kemi një trend negativ sepse më shumë janë shuar sesa që janë regjistruar për një vit.
Në qoftë se e marrim Gjermaninë si një vend të zhvilluar, kemi shuarjen prej 67 për qind të bizneseve në raport me ato që regjistrohen gjatë vitit.
Investimet e huaja direkte gjatë dy viteve të fundit kanë pas po ashtu performancë relativisht të mirë. Në vitin 2015 investimet e huaja direkte kanë arrit në 360 milionë euro, në vitin 2016 në 220 milionë, që përbëjnë 4.5 % të GDP-së ose pjesëmarrjen në GDP.
Kjo e bënë Kosovën një vend me performancë mesatare për investime të jashtme, jemi më mirë se disa vende, do të thotë më mirë se Bosnja, se Maqedonia, por jemi më keq se Mali i Zi, se Shqipëria dhe ne duhet të bëjmë përpjekje që të përmirësojmë performancën në këtë fushë.
Kemi ngec me liberalizimin e vizave. Unë jam i vetëdijshëm që kjo e dëmton shumë biznesin tek ne, i dëmton shumë qytetarët  e Republikës së Kosovës, por po ashtu jam i bindur që deputetët të cilët po kundërshtojnë ta bëjnë këtë, nuk i kanë bërë mirë llogaritë e tyre as llogaritë e vendit të cilin ata e përfaqësojnë.
Është një çështje tjetër të cilën desha ta hap para jush, është problemi i ekonomive në trancizion dhe ballafaqime të tyre me korrupsionin. Me këtë dukur ballafaqohemi edhe ne jemi të shqetësuar për raportet që flasin për korrupsionin tek ne. Në raportin e  fundit të Transperency International, raportohet se 65 % e qytetarëve tanë e shohin korrupsionin si problemin kryesor në vend, në anën tjetër qytetarët e Kosovës shprehën se 10 për qind e tyre janë ballafaquar me kërkesa të drejtpërdrejta për mito në shërbime të ndryshme. Në këtë rast shohim se perceptimit realiteti sa i përket korrupsionit nuk janë në harmoni me njëra-tjetrën.  Por pa marrë parasysh këtë, si kryeministër i vendit, unë edhe sot ju bëjë ftesë juve, biznesmenëve, mediave, shoqërisë civile, qytetarëve, që të paraqitni çdo kërkesë korruptive e cila eventualisht ju paraqitet nga zyrtarët shtetërore.
Ne korrupsionin duhet ta luftojmë për aq sa ekziston, nuk guxojmë të lejojmë që korrupsioni të jetë pengesë e zhvillimit ekonomik, pengesë e investimeve të huaja dhe pengesë e qytetarëve në institucionet e vendit.
Punësimi si objektiv i yni tjetër mbetet i prioritetit të lartë. Por në punësim po ashtu kemi rezultate të cilat janë të pamohueshme. Brenda dy viteve norma e papunësisë sipas të dhënave statistikore ka rënë prej rreth 35 % në vitin 2014, në rreth 26 % në vitin 2016.  Për dy vite ne llogarisim se kemi krijuar 40 mijë vende pune, shumica prej tyre janë vende të reja të punës, megjithatë bindja ime është që papunësia është edhe më e ulët, sesa që figuron, sepse sidomos në sektorin e bujqësisë, sipas anketës të fuqisë punëtore dhe ATK-së, ka vështirësi të identifikohet papunësia reale.
Statistikat zyrtare flasin se ne kemi 10 mijë të punësuar në bujqësi, por vlerësimet e specializuara vlerësojnë se kemi rreth 0 mijë vende të punës në bujqësi por të cilat nuk janë të formalizuara. Në anën tjetër shprehet edhe mungesa e punëtorëve në disa regjione të cilët nevojiten për bujqësi. Aktualisht janë 110 mijë persona që janë të regjistruar si punëkërkues, në zyret e punësimit, dhe ky numër është edhe rezultat i masave të cilat janë marrë nga investimet e jashtme nga bashkatdhetarët tanë dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në ndërmjetësime në punësim.
Mund të presim që në vitin 2017 të kemi rreth 25 mijë vende të reja të punës, dhe po ashtu jam i bindur që në vitin 2017 ta ulim normën e papunësisë nën shifrën prej 20 për qind.
Të nderuar pjesëmarrës
Tani ne po punojmë në reformën e agjendës evropiane. Kemi mjaft shumë punë për të bërë punë, por këtë punë duhet ta bëjmë bashkërisht.
Kjo reformë ka të bëjë me rritjen e konkurrencës, përkatësisht me rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve tona, ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe ka të bëjë me punësimin dhe lidhjen e drejtpërdrejt të punësimit me arsimin, e cila lidhje akoma po na mungon, sepse ne kemi disproporcion mes tregut të punës dhe asaj që ne prodhojmë përmes arsimit, qoftë publik apo provat.
Unë jam i bindur se kjo agjendë neve na ofron me vendet e Bashkimit Evropian dhe po ashtu jam  i bindur se rruga më e mirë drejt Bashkimit Evropian është fuqizimi i sektorit privat, dhe me këtë dëshiroj t’ju uroj sukses në këtë punë dhe t’ju shpreh përkrahjen e plotë të Qeverisë.
Faleminderit.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Isa Mustafa, Kosovë-Shqipëri, po rritet, Roli i autostarëdës

Prizren-Zhvillohet Forumi i parë Ekonomik Kosovë-Shqipëri

February 10, 2017 by dgreca

MF-03-Me vepra përkrahet, fuqizohet dhe thellohet bashkepunimi ekonomik/MF-01MF-01

-Ministri i Financave Avdullah Hoti:Jemi duke punuar drejt unifikimit të plotë ekonomik ndërshqiptar/

MF-01

PRIZREN, 10 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Me vepra konkrete duhet dhe mund të perkrahet, fuqizohet dhe thellohet bashkepunimi ekonomik ne mes te Kosoves dhe Shqiperise, u konstatua në Forumin e parë Ekonomik Kosovë-Shqipëri, i cili po mbahet sot në Prizren, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.

Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti duke folur në Forumin e parë Ekonomik Kosovë-Shqipëri, theksoi se integrimi ndërshqiptar bëhet edhe përmes kësaj forme të bashkëpunimit.

“Dy ekonomitë po unifikohen çdo ditë, po shfrytëzojnë komplementaritetet në turizëm, bujqësi, energjetike dhe sektorë të tjerë.  Jemi duke punuar drejt unifikimit të plotë ekonomik ndërshqiptar”,tha ministri Hoti.Ai gjithashtu bëri të ditur se diskutimet e të dy krerëve të përfaqësuesve të bizneseve dhanë mesazhet e tyre të qarta sa i përket bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos  bashkëpunimit ndërinstitucional.“Unë kam gjetur një gjuhë shumë të mirë me homologët e mi në Shqipëri dhe shumë prej çështjeve janë zgjidhur dhe brenda dy ose tre viteve ne mund të flasim për unifikim të ekonomive tona. Për, aq sa kam njohuri për bizneset ka shumë fusha ku janë komplementare. Jam maksimalisht nacionalist në promovimin ekonomik”, u shpreh ministri i Financave të Kosovës, Hoti.Ai më tej shtoi se  shtoi se, “jemi duke shikuar në çfarë mase marrëveshja e CEFTA-së është duke i mbrojtur bizneset, sepse shumë vende fqinje nuk po i respektojnë të drejtat që dalim nga kjo marrëveshje. “Kemi bërë progres relativisht të mirë te njohja e certifikatave të ndryshme me Shqipërinë, ku janë mbi 20 që janë pranuar në mënyrë reciproke”, theksoi ministri kosovar, Hoti.

Ndërsa, Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë tha se ky aktivitet ka një rëndësi për të ofruar një të ardhme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.“Sot është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kjo vuloset nga prezenca e madhe këtu. Sot jemi këtu për të ofruar një të ardhme tjetër dhe lëvizje tjetër për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe këtë nuk do ta bëjmë me fjalë dhe deklarata të nacionalizmit, por me veprime”, tha Jaka.

“Ne mblidhemi shpesh dhe diskutojmë për problemet dhe hallet që kemi, por qeveritë tona duhet të na krijojnë mekanizmin se si të suportohen produktet tona. Do të bëja një thirrje qeverive se nuk mjafton vetëm mbështetja, heqja e burokracive, por që tani duhet të mendojmë për një strategji afatgjate, në mënyrë që qeveritë tona të krenohen me sipërmarrësit tanë”, tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se pjesëmarrja e të gjithë aktorëve në këtë takim dëshmon për forcimin e urave të bashkëpunimit në mes dy shteteve dhe të një populli të ndarë.

“E veçanta e krejt kësaj në këtë takim është se kemi një preminencë të aktoreve që janë të rëndësishëm për ekonominë e dy shteteve. Hapja e perspektive për bashkëpunim dhe avancim është hapja e rrugës për të hequr sfidat që kanë dy shtetet. Jeni të atakuar nga një konkurrencë agresive, i njollosin produktet e Kosovës dhe të Shqipërisë për të bllokuar bashkëpunimin ekonomik”, tha Gërxhaliu.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Forumi i parë Ekonomik, Kosovë-Shqipëri, Prizren-Zhvillohet

Kosova i ofron asistencë Shqipërisë për Kadastrën Fiskale

January 19, 2017 by dgreca

2 Hoti ahmetajMinistri i Financave i Republikës së  Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj, të mërkurën në Tiranë nënshkruan Memorandumin për Bashkëpunim, me qëllim mbështetjen teknike mbi realizimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Shqipërisë.
1 ahmetaj HotiNënshkrimi i këtij Memorandumi ka për objektiv përcaktimin e kuadrit të përgjithshëm të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë për asistencë teknike për realizimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Shqipërisë, bazuar në eksperiencën e krijimit dhe funksionimit të Kadastrës Fiskale në Republikën e Kosovës.Për realizimin e këtij Memorandumi, Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë merr përsipër të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës duke vënë në dispozicion strukturat dhe kapacitetet e nevojshme me qëllim realizimin e Kadastrës Fiskale në Shqipëri.Ndërsa, Ministria e Financave e Republikës së Kosovës merr përsipër të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet dhënies së asistencës përgjatë  procesit të realizimit të Kadastrës Fiskale në çdo hap të tij, duke siguruar informacionet që lidhen me objektin e Memorandumit si dhe merr përsipër që bazuar në eksperiencën e saj mbi funksionimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Kosovës, të ofrojë asistencë lidhur me infrastrukturën ligjore që aplikon për administrimin dhe mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme.Ministrat Hoti dhe Ahmetaj takimit të përbashkët në Tiranë, ku pjesë e delegacionit ishin edhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore Sakip Imeri, u.d. drejtori i përgjithshëm i Doganës Fahri Gashi, si dhe drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë Shkelzen Morina shprehën gatishmërinë e ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit për funksionalizimin e pikës së përbashkët Doganore në Portin e Durrësit dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe informacioneve nga fushëveprimi i doganave dhe administratave tatimore të të dyja vendeve. Ministri Avdullah Hoti tha se “Në këtë takim u bë e ditur se është bërë progres në shumicën e çështjeve që janë dakorduar gjatë takimeve të mëparshme ndërmjet dy ministrive, gjithashtu kemi identifikuar disa çështje, për të cilat pritet një intensifikim më i shtuar siç është luftimi i ekonomisë jo formale, krijimi i lehtësirave të ndërsjella për zhvillimin e bizneseve si dhe krijimin e një pike të përbashkët Doganore në Portin e Durrësit si masë për qarkullim më të shpejtë të mallrave të cilat hyjnë në Shqipëri dhe kanë destinacion Kosovën dhe për këtë falënderoj edhe ministrin Arben Ahmetaj dhe Qeverinë e Shqipërisë për gatishmërinë që po na ofron në këtë drejtim”.Ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një klime më të favorshme për të bërë biznes dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë që sektori privat si promotor i zhvillimit ekonomik  i të dy vendeve të merr një kahje më të mirë zhvillimore.Ndërsa, ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj duke i uruar mirëseardhje Ministrit Hoti, në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë u shpreh se takimet e tilla çdo herë janë frytdhënëse dhe në dobi të të dyja vendeve.“Shqipëria dhe Kosova nuk janë dy tregje. Ne kemi bërë hapa konkretë në funksion të unifikimit të tregjeve tona, rritjes së volumit tregtar dhe nxitjes së shkëmbimeve dypalëshe”, shtoi Ministri Ahmetaj.Ai gjithashtu shtoi se “Sistemi i Përbashkët i Tranzitit, i finalizuar në dhjetor 2016, përmes ndërlidhjes automatike të sistemeve elektronike, u mundëson tashmë bizneseve nisjen e një procedure tranziti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe mbylljen e tij në vendin tjetër, duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitar dhe reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për sipërmarrjen”.Ndërsa, sa i përketë nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunimin mbi realizimin e kadastrës fiskale, ministri Arben Ahmetaj tha se “Sistemi i katastrit fiskal është një mundësi e mirë . Kjo ndihmonë Shqipërinë për një administrim më të mirë dhe u jep vlerë pronave të Shqipërisë. Unë dua të kopjoj Kosovën për sistemin e fiskalizimit të pronave”, ka thënë ndër të tjera Ahmetaj. Gjatë ditës po ashtu të dy ministrat vizituan edhe pikën doganore në Portin e Durrësit, ku bënë të ditur se Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare pranë Degës së Doganës Durrës. Ministri Hoti dhe Ministri Ahmetaj këtë pikë doganore e cilësuan si projekt me shumë rëndësi sidomos për qarkullim më të shpejtë të mallrave të cilat hyjnë në Shqipëri dhe kanë destinacion Kosovën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bashkepunim, Kosovë-Shqipëri, per kadastren fiskale

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT