-Kosova inauguron “autostradën” energjetike drejt Shqipërisë/
-Kryeministri kosovar Isa Mustafa: Kam kënaqësinë e veçantë që sot të marrë pjesë në përfundimin e punëve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, dhe po ashtu do të kem kënaqësinë që para mesit të vitit të ardhshëm edhe në Shqipëri të gëzojmë përfundimin e këtyre punëve, në mënyrë që sistemi të jetë operativ në tërësi/
-Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, ka përcjellur urimet e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministrit Damian Gjiknuri për përfundimin e punimeve në Kosovë në linjën interkonektive 400 kV, duke paralajmëruar edhë përfundimin e punimeve në Shqipëri në pranverë/
-Nesër nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për Termocentralin ‘Kosova e Re’ në mes të Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë amerikane Contour Global/
Nga BEHLUL JASHARI/ PRISHTINË, 17 DHJETOR 2015/ Në Kosovë, është inauguruar sot pasdite “autostrada” energjetike, projekti “Rregullimi sekondar frekuencë-fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Ceremonia solemne u zhvillua në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B, në Kastriot, afër Prishtinës, i cili do lidhet me Nënstacionin Tirana 2 – te kryeqyteti shqiptar.
Kryeministri kosovar Isa Mustafa ka vlerësuar rëndësinë e madhe që kanë për Kosovën këto zhvillime, të cilat do të përmirësojnë sistemin energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe do të krijojnë lidhje të veçantë ndërmjet dy vendeve dhe me BE-në.
“Kam kënaqësinë e veçantë që sot të marrë pjesë në përfundimin e punëve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, dhe po ashtu do të kem kënaqësinë që para mesit të vitit të ardhshëm edhe në Shqipëri të gëzojmë përfundimin e këtyre punëve, në mënyrë që sistemi të jetë operativ në tërësi. Kosova dhe Shqipëria tanimë kanë marrë obligimet por edhe po krijojnë kushtet për fuqizimin dhe furnizimin e sistemit me energji elektrike, po krijojnë kushte për standard më të lartë dhe arritjen e standardeve të vendeve të zhvilluara, si të prodhimit, transmisionit dhe shpërndarjes tek konsumatori. Qëllimet tona janë që të arrijmë nivel të lartë të cilësisë së furnizimit, të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe mjedis të pastër të prodhimit të energjisë elektrike, në suaza të pakos së tretë, që përfshinë edhe vendet tjera në rajon”, tha kryeministri kosovar.
Kryeministri Mustafa theksoi se linja e interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri është një mundësi me shumë përparësi për të dy vendet tona, duke u bazuar në diversitetin e resurseve energjetike, që janë kompatibile për t’u arritur një nivel më i lartë i rendimentit të prodhimit të energjisë elektrike dhe të këmbimit të energjisë elektrike.
“Përfundimi i kësaj linje konsideroj se është një sukses i yni i përbashkët, i cili do të mundësojë optimizimin e këtyre dy sistemeve, jo vetëm në ngritjen e sistemeve transmetuese, por edhe në ngritjen e besueshmërisë së ekonomisë dhe qytetarëve tanë, për t’u furnizuar në mënyrë të rregullt me energji elektrike”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur mirënjohje për qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në mëvetësimin e sistemit energjetik të Kosovës.
Po ashtu, kryeministri Mustafa, ka falënderuar posaçërisht qeverinë gjermane për financimin e këtij projekti në një shumë të madhe të parave dhe Bankën Gjermane për Zhvillim, për një shumë prej 33.5 milionë eurove, e cila në një formë ndahet në dysh ndërmjet donacionit të qeverisë gjermane dhe Bankës Gjermane për Zhvillim. Kryeministri Mustafa theksoi se ky është një kontribut i drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në prosperitetin e Kosovës, duke shprehur konsiderata të larta edhe për punën e përkushtuar të të gjithë profesionistëve dhe menaxhmentit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT për një periudhë të gjatë në realizimin e këtij projekti.
“Konsideroj se, si rezultat i kësaj autostrade energjetike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, do të mundësohet një këmbim shumë më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona, dhe sidomos një mundësi e ngritjeve të kapaciteteve gjeneruese të planifikuara. Po ashtu, vlerësoj se ky është një hap shumë i mirë që ne të punojmë në të ardhmen bashkërisht, jo vetëm në sistemin e transmisionit, por ndoshta edhe në sistemin e prodhimit të energjisë dhe gjenerimit të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar mundësitë alternative Kosovë-Shqipëri, përkatësisht resurset tona që i kemi komplementare, dhe të cilat pastaj do të mundësojnë që ne të pavarësohemi tërësisht dhe të sigurojmë energji elektrike”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se ky është një hap shumë i rëndësishëm i furnizimit të qytetarëve dhe ekonomisë.
Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka përgëzuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në kuadër të këtij projekti për ta bërë të mundur realizimin e tij.
“Kjo ngjarje, së bashku me ngjarjen e ditës së nesërme (nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për Termocentralin ‘Kosova e Re’ në mes të Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë amerikane Contour Global), përbëjnë një kapitull të ri në sektorin energjetik të vendit tonë, një kapitull në të cilin ne përfundimisht do ta transformojmë për ta bërë gati për zhvillimet e ardhshme. Të gjithë ne këtu, e në veçanti partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti, e dinë që edhe proceset ndërkombëtare, proceset e integrimit, në të cilat ne marrim pjesë së bashku me Republikën e Shqipërisë kanë për qëllim që të gjithë ne në një të ardhme të afërt të jemi pjesë e një tregu rajonal duke i plotësuar tre kushte themelore: 1) që të kemi siguri të furnizimit me energji elektrike, 2) që të bëjmë një ndërlidhje sa më të mirë të rrjeteve tona, dhe 3) që të bëhemi pjesë e një tregu rajonal po ashtu edhe me kushte të reja të operimit duke liberalizuar tregun”, tha Stavileci. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, po ashtu, tha se në këtë drejtim Kosova dhe Shqipëria po bëjnë hapa progresivë dhe po japin një shembull për shtetet tjera të rajonit lidhur me avancimin e axhendës së Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke bërë të ditur se ky projekt i interkoneksionit, i kësaj linje të transmisionit është njëri në mesin e 35 projekteve më të rëndësishme që i kanë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, po ashtu, ka vlerësuar lartë rëndësinë që ka kjo ngjarje për të dy sistemet energjetike, duke pas parasysh edhe zhvillimet e mëtejshme dhe rëndësinë që ka nënshkrimi i marrëveshjes midis të dy qeverive.
Bejtja foli për përfitimet që do të kenë dy vendet nga ky bashkëpunim dhe për mundësitë e fuqizimit të mëtejmë të sistemeve energjetike të dy vendeve që ato të jenë pjesë e Bashkimit Evropian si paraprijëse të proceseve tjera integruese. Ai, po ashtu, ka përcjellur urimet e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Damian Gjiknuri, për në inaugurimin e projektit dhe përfundimin e punimeve në linjën interkonektive 400 kV, duke shprehur besimin se e njëjta gjë do të inaugurohet në Shqipëri në pranverë.
Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Mustafë Hasani, tha se vënia në funksion i linjës 400 kV dhe projekti i rregullimit sekondar me një kosto kapitale 33.5 milionë eurosh janë projektet më të mëdha pas luftës, për sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe të Shqipërisë.
“Ndërtimi i kësaj linje interkonektuese të tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve ndërmjet dy vendeve, rajonit, ngritjen e sigurisë, besueshmërisë, sistemeve tona elektroenergjetike, si dhe do të mundësojë zhvillimin e tregut të të dyja vendeve, dhe tregut rajonal dhe panevropian”, tha Hasani.
Përfaqësuesja e qeverisë gjermane, Henriette Kotter, theksoi se sektori i energjisë është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit në Kosovë dhe se kjo është arsyeja pse një linjë si kjo është shumë me rëndësi.
“Qeveria Gjermane bashkë me qeverinë e Kosovës ka zgjedhur energjinë si një prej zonave kryesore të fokusit për zhvillim. Gjermania ka mbështetur Kosovën në këtë sektor që nga viti 1999 me mbi 150 milionë euro. Ne patëm filluar 15-16 vjet më parë me masa emergjente në miniera qymyri, dhe në termocentrale dhe së bashku kemi ofruar masa për energji efiçiente dhe për ngrohje të qytetit. Rrjeti i transmisionit do të përfshijë rrjetin e Kosovës dhe kjo është në pajtim me axhendën e bashkëpunimit që promovohet nga Kancelarja e Gjermanisë për shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e Konferencës së Berlinit dhe Konferencës së Vjenës së këtij viti. Linja mes Kosovës dhe Shqipërisë do të lidh edhe pjesë të tjera të Ballkanit dhe do të krijojë kushte për të shkëmbyer ngarkesën e energjisë nga qymyri dhe nga hidrocentralet në Shqipëri. Për Gjermaninë kjo paraqet një prej projekteve më të mëdha”, tha Kotter.
Esther Gravenkoetter, drejtoreshë e Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, e ka quajtur nder për këtë Bankë që të jetë pjesë e një prej projekteve më të rëndësishme në Kosovë, së bashku me pjesën shqiptare, në një projekt të rëndësishëm edhe për rajonin. “Ky projekt ka qenë i mundshëm vetëm falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer. KOSTT është njëra prej kompanive më të mira që keni këtu në Kosovë, dhe duhet të jetë shembull edhe për kompanitë në rajon.
Ne shpresojmë se do të vazhdojmë bashkëpunimin me KOSTT-in, me qeverinë e Kosovës, në vitet në vijim, me projekte të rëndësishme për Kosovën dhe për gjithë rajonin”, tha Gravenkoetter.
Administratori i Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri, Engjëll Zeqo, tha se fillimi i këtij projekti të rëndësishëm për sistemet e transmetimit të dy vendeve shënon edhe fillimin e materializimit të këtij projekti të veçantë dhe të rëndësisë siç është optimizimi i punës të dy sistemeve, rritja e besueshmërisë dhe sigurisë së këtyre dy sistemeve.
Kosova ka përfunduar “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, në 14 dhjetor u bë energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.
Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.
Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë gjithë “autostradën” energjetike, paralajmëronte kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë në një konferencë për shtyp në verë, muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.
“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.
Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.
Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar nënstacionin 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhej për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri.
Me atë rast u theksua se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, ku 1/3 e projektit ishte përfunduar, rriste pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundonte pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.