-Presidenti Thaçi: Vdekja e Akademikut Idriz Ajeti është një humbje e madhe/
-Kryeministri Haradinaj: Idriz Ajeti, njëri nga personalitetet më të ndritshme të historisë sonë të re/
-Në Prishtinë në 27 Janar 2017 Kosova dhe Shqipëria shënuan 100 vjetorin e lindjes së akademik Idriz Ajetit/
-Idriz Ajeti në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, 4 Dhjetor 1952: (…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…/
-31 Dhjetor 2004- Intervistë ekskluzive e gazetës Rilindja me Akademik Idriz Ajetin: SHKENCËS SË GJUHËSISË S’MUND T’I DALËSH ZOT PA NJOHUR PARIMET E SHËNDOSHA TË METODËS SHKENCORE/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 13 Shkurt 2019/ Ka ndërruar jetë më 13 shkurt 2019 në Prishtinë, në moshën 102 vjeçare, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Idriz Ajeti. Dijetar e erudit, personalitet shkencor, pa kontributet e të cilit studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot, akademik Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re, thekson sot në njoftim Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Lindi në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas lufte, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitet 1953-1960 punoi lektor në Degën e Albanologjisë në Beograd. Në vitin 1958 u doktorua me temën: “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Nga viti 1960 ka dhënë mësim në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës, një herë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar. Fushat kryesore të interesimit të tij shkencor kanë qenë studimet e dialekteve nga pikëpamja diakronike, raportet e shqipes me gjuhët fqinje, në rrafshin e studimeve ballkanologjike, trajtimi i dokumenteve të hershme gjuhësore, shkruar me alfabet arabo-turk etj. Është marrë dhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe dhe ka organizuar takime e konsulta gjuhësore për të kërkuar zgjidhjet e përhershme rreth njësimit të gjuhës shqipe. Prof. Ajeti ka merita të veçanta në proceset e standardizimit të shqipes.
Veprimtaria e tij shkencore është e gjerë dhe e gjithanshme. Ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.
Në vitet 1997-2002 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime.
Në bibliografinë e tij gjejmë qindra artikuj, studime, kumtesa të mbajtura në Konferenca shkencore, seminare, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht apo në gjuhë të tjera.
Me nismën e tij, si shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe pas hapjes së Fakultetit në Prishtinë (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare për të huaj.
Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës.
Anëtar i ASHAK u zgjodh me gjeneratën e parë ta akademikëve dhe menjëherë mori titullin akademik, ndërsa në vitin 1979 u zgjodh kryetar i saj deri më 1981. Më 1996 ai do të rizgjidhet kryetar dhe do ta drejtojë Akademinë deri më 1999.
Prania e Idriz Ajetit në jetën shkencore e kulturore si dhe në të gjitha zhvillimet shoqërore ka qenë e dukshme dhe thelbësore. Puna e tij është shtrirë edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe në veprimtarinë shoqërore. Akademik Idriz Ajeti ka qenë Kryetar i Parlamentit të Kosovës në njërën nga periudhat më të vështira të saj si dhe pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë.
Me vdekjen e Akademik Idriz Ajetit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë të punës shkencor te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm.
Hollësitë rreth varrimit dhe komemoracionit do të njoftohen gjatë ditës.
27 JANAR 2017: KOSOVA DHE SHQIPËRIA SHËNOJNË 100 VJETORIN E LINDJES SË AKADEMIK IDRIZ AJETIT
Në Prishtinë në 27 Janar 2017 Kosova dhe Shqipëria shënuan 100 vjetorin e lindjes së akademik Idriz Ajetit. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, organizuan Konferencën jubilare-shkencore “Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajetit”.
Gjatë kësaj konference, Çmimi i Karrierës Shkencore Akademike-2016, për rendin e parë të konkursit të shpallur për çmimet shkencore kombëtare vjetore iu dha akademikut Idriz Ajeti nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Muzafer Korkuti.
Në motivacionin e këtij çmimi thuhet:…
“Dijetar me një veprimtari të gjatë dhe të frytshme akademike e universitare; i pranishëm në mënyrë të pandërprerë e të suksesshme prej shtatë dekadash në shkencat albanologjike; me kontribute origjinale e themelore në gjuhësinë historike e të krahasuar, në marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera në arealin ballkanik, në dialektologji e histori shkrimi, në procesin e njësimit të shqipes letrare; personalitet me ndikim të mirënjohur në jetën qytetare të Kosovës dhe në historinë e mendimit shqiptar; që, me modelin e urtësisë dhe ndjeshmëritë e larta ndaj së drejtës, i lartësoi dhe u dha nder përgjegjësive e detyrave të rëndësishme që ka ushtruar”. thuhej në motivacionin e këtij çmimi.
Profesori Idriz Ajeti ka tre data të lindjes të shënuara, u tha në konferencë, ndërsa u theksua se 27 janari është data e lindjes e shënuar në pasaportën e tij dhe kjo ishte zgjedhur për t’u shënuar sot 100 vjetori. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, theksoi se kohët e shkuara të shqiptarëve ishin të rënda, por dijetarët tanë ishin njerëz të veçantë të cilët kontribuuan shumë për vendin.
“Kur përmendet emri i profesorit në mjedisin tonë akademik, kulturor dhe shoqërorë, të gjithë e dimë që bëhet fjalë për profesor Idriz Ajetin, sikur në Tiranë kur përmendet emri i Eqrem Çabej. Historia e gjuhësisë dhe shkencave albanologjike dhe e kulturës shqiptare nuk mund të merret me mend pa profesorin Ajetin”, tha akademik Islami.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema, e vlerësoi porfesorin Ajeti si një ndër personalitetet më të shquara të shkencës, kulturës dhe arsimit në Kosovë. “Me emrin e tij lidhen një varg procesesh që janë zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, procese këto të cilat i sigurojnë profesor Idrizit vend meritor në formimin dhe zhvillimin e institucioneve arsimore dhe shkencore. Emri i tij tashmë është i skalitur në opusin e shkencës dhe arsimit në Kosovë. Universiteti i Prishtinës e konsideron Ajetin si xhevahir të tij dhe i është skajshmërisht falënderues për punën, mundin dhe djersën e derdhur në këtë Universitet. Figura morale dhe atdhetare e tij do të shkëlqejë gjithnjë në panteonin e qytetërimit të kulturës sonë kombëtare. Lum ne që të kemi”, u shpreh rektori Dema.
Akademik Idriz Ajeti, i lindur në katundin Tupallë të Jabllanicës së Epërme – Luginë e Preshevës, me fjalën e shkruar është shprehur:
“Nuk e kam zgjedhur unë që ta kem një shekull mbi supet e mija dhe as që e kam menduar që natyra e Zoti do të më japin këtë jetëgjatësi dhe njëkohësisht forcën që të shohë e përjetoj gjithë zhvillimin tonë si shoqëri e si shtet dhe ndjejë që përgjegjësinë për ecjen tonë si shtet e kemi pasur ne. Unë kam ardhur nga një fshatë i vogël, i gatshëm dhe i etur për të ndryshuar rrjedhat e shoqërisë. Por unë kam ardhur me idenë për të gjetur copëzat e shpërndara të gjuhës shqipe, për t’i bërë bashkë ato me një mëndje dhe një shpirt.
Unë do të ju flasë për gjuhën edhe në këtë 100 vjetorë timin dhe mbase fjalimet e mia për të edhe në këtë ditë ku së bashku po shënojmë këtë jetëgjatësi timen do të jenë të pafundme, sa i pafund është thesari i saj, sa e pafund ka qenë ideja për ta bërë një të përbashkët e të plotë. Gjuha duhet të jetë pandashmërisht pjesë e evoluimit, e përmbushjes së nevojave të një populli që flet me dialekte por që rrënjën e ka të përbashkët dhe prandaj përpjekjet tonë në shekullin e kaluar për ta bërë bashkë tani duhet të jenë përpjeke për ta përmbushur pa e tundur themelin e saj. Përparimi ynë si shtet bazohet në dije, shkencë e arsim. Jetëgjatësia më ka ofruar këtë privilegj, të qenit dëshmitar i rrjedhave të historisë”.
27 Janar 2017: PRESIDENTI THAÇI DEKORON AKADEMIK IDRIZ AJETIN NË 100 VJETORIN E LINDJES: JENI ÇABEJ I KOSOVËS!
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 27 Janar 2017 e ka dekoruar akademik Idriz Ajetin me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Këtë medalje, presidenti Thaçi ia ka ndarë akademik Idriz Ajetit në 100 vjetorin e lindjes për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës.
“Ju që këtë vit po mbushni një shekull, për mua jeni Çabej i Kosovës në fushën e studimeve albanologjike”, ka thënë presidenti Thaçi.
“Ju falënderoj për këtë nderim që po ma bëni”, u shpreh akademik Idriz Ajeti.
Me veprimtarinë e tij, akademik Idriz Ajeti ka kontribuar shumë edhe në forcimin e identitetit tonë kulturor.
13 SHKURT 2019- PRESIDENTI THAÇI: VDEKJA E AKADEMIKUT IDRIZ AJETI ËSHTË NJË HUMBJE E MADHE
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shprehet sot, 13 Shkurt 2019: Vdekja e akademikut Idriz Ajeti është një humbje e madhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe tërë shoqërinë tonë. Profesorin Idriz Ajeti do ta kujtojmë gjithmonë si një prej intelektualëve më të dalluar, që punoi shumë për albanologjinë. Ai dha kontribut të madh në jetën shkencore e kulturore në vendin tonë. Ngushëllimet më të thella për familjen Ajeti, ASHAK-un dhe gjithë kolegët e miqtë e akademikut Idriz Ajeti!
KRYEMINISTRI HARADINAJ: IDRIZ AJETI, NJËRI NGA PERSONALITETET MË TË NDRITSHME TË HISTORISË SONË TË RE
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet: Bota shqiptare humbi sot njërin nga personalitetet më të ndritshme të historisë sonë të re, albanologun e shquar Idriz Ajetin. Gjatë 70 vjet karrierë shkencore, Akademik Ajeti la gjurmë të pashlyeshme në gjuhësinë dhe zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës. Kontributi i tij në vitet ’90 ishte i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të vërtetës së Kosovës. Kalimi i tij në amshim është humbje për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare. Ngushëllime të thella familjes Ajeti, komunitetit akademik dhe miqve të shumtë.
Idriz Ajeti në RILINDJA, 4 Dhjetor 1952: GJUHA AMNORE
(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore… (Idriz Ajeti në RILINDJA, 4 Dhjetor 1952. Akademik, në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës)
NGA GAZETA RILINDJA E 31 DHJETORIT 2004:
Intervistë ekskluzive e Rilindjes me Akademik Idriz Ajetin
SHKENCËS SË GJUHËSISË S’MUND T’I DALËSH ZOT PA NJOHUR PARIMET E SHËNDOSHA TË METODËS SHKENCORE
INTERVISTOI: SYLË OSMANAJ
Në gjuhësinë shqiptare akademik prof. dr. Idriz Ajeti është emër i shquar dhe këtë shquarësi ai e krijoi në saje të rezultateve që shënoi tash sa vjet, me disiplinë e me kriter shkencor, duke hulumtuar dhe duke studiuar refelekset e qenies së shqipes, të strukturës dhe të funksionit të saj. Në rrafsh të interesimeve ai vuri dorë të rreptë studimore në disa fusha: të dialektologjisë historike, të etimologjisë dhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit. Trajtoi probleme morfosintaksore, bëri kërkime në dialektet shqiptare, dha ndihmesë rreth njësimit të gjuhës letrare shqipe, studioi çështje të toponimisë dhe të onomastikës etj. Intervista që bëmë me Të kishte për qëllim të prezentonte, aq sa ka mundësi ta bëjë një intervistë e këtij karkteri, disa nga arritjet në fushë të studimeve gjuhësore, të grishte në shkallë të provokimit të sinqertë pikat e interesimit tematik dhe përkushtimet tematike që zgjuan kërshërinë e gjuhëtarit dhe, kuptohet, të shiheshin prirjet e zhvillimit të mëtutjeshëm të studimeve të shqipes. Prekëm me këtë rast, shtruar e qartë, edhe çështjen, sot për sot të ditës, të zbatimit të drejtë të gjuhës letrare në mediumet, të shkruara e të folura, publike shqiptare etj.
Trajtim serioz dialektologjik i të folmes së Zarës
Mund t’i përmendni, me këtë rast, zotëri Ajeti, disa nga problemet kryesore gjuhësore që keni ndriçuar deri më tashti?
Jam marrë me gjurmimet e studimet e dialektologjisë historike të shqipes: në këtë fushë, së pari, kisha rimarrë kërkime të dialektit arbënesh të Zarës (1961) pas kërkimeve që kishin bërë para meje dy linguistë të njohur në fushën e studimeve ballkanologjike dhe albanistike: Gustav Ëeigand dhe linguisti italian Carlo Tagliavini (1937) te L’Albanese di Dalmazia, i pari pse duke qëndruar një kohë të shkurtër ndër arbëneshët e Zarës materiali dialektor, i pa verifikuar, i dilte i retushuar – i korrigjuar; ndërsa i dyti pse materialin dialektor nuk e kishte regjistruar e shënuar vetë, por gjithë punën e mbledhjes dhe të regjistrimit ua kishte lëshuar të rinjve arbëneshë të papërvojë në punë këso dore. Punimi ynë me titull: Zhvillimi historik i së folmes gege të arbëneshëve të Zarës merrte parasysh të metat e këtyre studiuesve; ky yni dallonte nga të studiuesve para meje me krahasimin që i bëja materialit dialektor, të mbledhur në Shestan – te Kraja në Mal të Zi – atdheut të hershëm të arbëneshëve të Zarës dhe materialit dialektor të qëmtuar në ishullin arbënesh pranë Zarës.
Kjo monografi dialektologjike qysh e quan edhe albanologu polak Cimochoëski në recensionin e tij të rrallë që iu soll këtij punimi shkencor, është studimi i tretë gjuhësor me pretendime shkencore që merr në vëzhgim veçoritë dialektore të kësaj enklave të vogël të shqiptarëve pranë Zarës në Dalmaci. Indoevropianisti dha albanologu profesor Henrik Bariq s’kishte qenë i kënaqur me përfundimet që u kishin dalë gjurmuesve të posazënë ngoje të këtij ligjërimi të izoluar të arbëneshëve të Zarës, prandaj, në takimin e parë, ma rekomandoi ta rimerrja edhe unë dhe ta vështroja këtë ligjërim gegë, mbartësit e të cilit ishin shkëputur nga djepi i hershëm i shqiptarëve të Brisk-Shestanit në gjysmën e parë të shek. XVIII (1726-1733). Kur bashkohen këto tri monografi që rrihnin të shpjegonin tiparet e përgjithshme dialektore të së folmes gege të oazës së vogël gjuhësore shqipe të Dalmacisë, qysh ia ka ënda ta emërtonte këtë ligjërim shqip të Dalmacisë albanologu italian Tagliavini, ne nuk mund të mos shprehim bindjen se për kohën e vet, ato japin një pasqyrë reale të së folmes së arbëneshëve të Zarës.
Një kohë jam marrë me studime dorëshkrimesh të shkruara shqip po me alfabetin arabo-turk; i pari dorëshkrim shqip me atë alfabet me titull Emni Vehbije (dhuratë) i autorit Tahir ef. Gjakova a Boshnjaku, që daton nga viti 1835, një tjetër i shkruar po me atë alfabet me titull: Divani, hartuar prej sheh Maliqit të Rahovecit (nga fundi i shekullit XIX). Autori i Vehbije-s, sikur u tha është Tahir efendi Gjakova, njeri me kulturë të gjerë teologjike dhe njohës i mirë i së folmes së vendlindjes (nga Gjakova).
Hetimi i kësaj literature ka një rëndësi të dorës së parë për kërkimet e të folmeve shqiptare në truallin gjuhësor të Kosovës. Vepra Vehbije dhe autori i saj Tahir ef. Boshnjaku, s’kishin mbetur pa u studiuar; studimeve të tyre u prin, do të thoshim ne, Hasan Kaleshi, orientalisti më i përgatitur, me njohuri të gjera të filologjisë arabe e turke, i cili te Godišnjaku – revistë e Institutit Ballkanologjik të Sarajevës në vitin 1957: Arbanaška književnost na arapskom alfabetu.
Me këtë lloj literature, në kohë të fundit, ka zënë të merret edhe zoti Muhamet Pirraku; Pirraku nuk është filolog, është historian, i cili në veprën e tij të vëllimshme, disa faqe u rezervonte veprimtarëve shqiptarë që ishin marrë me shkrime – thuaja letrare – në gjuhën shqipe me alfabetin arab.
Sipas tij, ndryshe nga të tjerët që si dokument të parë të shqipes së shkruar me alfabet arab mbajnë Vehbijen e Tahir ef. Boshnjakut, të vitit 1835, në Kosovë, shumë para Vehbijes – shkruan Pirraku, ka ekzistuar tradita e përqendruar mirë e shkrimit të gjuhës shqipe me alfabet arab.
Në kuadrin e studimeve dialektologjike shqiptare kam studiuar tekstin dorëshkrim Djali plangprishës në të folët shqip të Istrisë, i cili ishte gjetur në arkivin e Bibliotekës Ambrosiana të Milanos, duke i bërë e kryer transliterimin dhe transkriptimin të shoqëruar me shpjegime të veçorive fonetike të këtij dialekti të një grupi të shqiptarëve që jetonin dhe vepronin në Poreç të Istrisë.
Do të përmend punimin tonë: “Tiparet e l-së në dialektet shqiptare të Brisk-Shestanit – interesant nga se dialektologu i njohur Branko Miletiæ (E folmja e Crmnicës) SD Zbornik IX, 1940, i cili, gjoja, në Shestan, ndër shqiptarët e atjeshëm kishte diktuar e konstatuar në atë të folme shqipe tre tipa të tingullit l (l’, l, ll). Unë, edhe në këtë mes konstatova bindshëm se gjuha shqipe ka pasur dhe ka dy tipa të këtyre fonemave (l-ll), një palatale l dhe një tjetër velare ll.
Me rastin e vizitës sonë në Preshevë, në rrethin e saj dhe në disa fshatra të Bujanovcit, munda të shënoja karakteristikat më kryesore të të folmeve shiqiptare të këtyre trevave shqiptare.
Po të ishte e mundur që dialekteve gege të Preshevës me rrethe dhe të të folmeve shqiptare të Brisk-Shestanit t’u kthehesha edhe një herë, do të kërkoja të vërtetoja me saktësi që në ato të folme shqiptare përdorimin e zanores hundore, , sepse atëherë kur po mblidhja dhe regjistroja materialin dialektor ndër ato mjedise shqiptare nuk isha i bindur fort për praninë e kualitetit të asaj fonemeje të shqipes së atjeshme.
Në lidhje me problemin e huazimeve që shqipja ka marrë së jashtmi prej gjuhëve të tjera, nuk mund të mos theksohet një fakt që përqendron në të vërtetën se numri i leksikut të huaj i ardhur së jashtmi në gjuhën shqipe është i madh, por do të thuhet, gjithashtu se ky numër është paraqitur nga studiuesit albanologë shumë më i madh sesa ishte në të vërtetë; Albanologu i madh gjerman Gustav Meyer thoshte tekstualisht: “Mund të thuhet se vetëm me mund të madh shqipja shpëtoi nga romanizimi i plotë dhe se për pak në vend të saj një gjuhë romane do të kishim”. Është thënë megjithatë se tek një lagje albanologësh të huaj kishte një si prirje e kohës që ky numër huazimesh të shqipes të paraqitet jo realisht.
Do të pranojmë se s’janë albanistët ata që fajësohen, por (është gjendja e studimeve albanologjike e kohës fajtore) faji është tek gjendja e studimeve albanologjike e jo tek studiuesit albanologë të kohës. Albanologët e asaj kohe mbajnë përgjegjësinë, pra janë përgjegjës pse ndaj çështjes së huazimeve mbanin qëndrim shpërfillës, duke studiuar vetëm numrin e huazimeve marrëse e jo edhe ato dhënëset për të cilat përligjeshin duke pohuar se shqipja nuk ka mundur të ushtronte ndikim tek gjuhët e tjera për mungesë të një roli politik të shqiptarëve në agjendat politike ballkanike dhe evropiane.
Në trevat e viset e përziera etnikisht: me shqiptarë – serbë, në Kosovë, shqiptarë-malazezë në anën lindore të Malit të Zi, në Maqedoninë Perëndimore – jo vetëm në leksik të këtyre popujve sllavë, por edhe në toponiminë e tyre, banorët shqiptarë kanë ushtruar ndikim të dukshëm në fqinjët sllavë jo vetëm në kohë më të vona, por që në mesjetë – në Mal të Zi, sidomos në anët lindore të tij: Kuçi me fshatra përreth si dhe më thellë në atë shtet: Fundana, Krusa Glavica, Krusi dolovi, katundi Æeret në Zagaraèin e Poshtëm, Rogami Bushat, Bukëmira, Bukëmir, Koçe (Goçe) – katuni te Kuçi, origjina e toponimeve Ligatiæi dhe Ligate – njëri në Hercegovinë, tjetri në Bosnjë – prej të shqipes Ligatë, derivat nga lag+atë- Lëgatë, ligatë. Lopari me kuptimin e loparit “bariut t lopëve” – (lidhet me të shqipes lopë).
Qendra e Kuèit, e përmendur sipër, që nga mesjeta, përfshinte shumë katunde dhe fshatra: Pantalesh, Barzan (Bardhan), Bankeç, Bytidosi (Bythëdosë), Lazaci. Këto katune, si dhe emërtimet e tjera me origjinë shqiptare, kanë marrë prapashtesa të gjuhës serbe: Leškoviæi, Lopari, Vjeduši, Bardiæi, Kuèi, mbi të cilat kemi dhënë shpjegime në studimin tim te Gjurmimet albanologjike, seria e shkencave filologjike, IV (1974) dhe te Vepra 4 e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2001.
“Porse, për sa i përket faktit që ai pat mbiçmuar rëndësinë e elementit latin të gjuhës shqipe si dhe në përgjithësi huazimet nga gjuhë të tjera, mund të thuhet se ndërtimi i gjuhësisë historike shqiptare, është merita e tij”, te Della lingua e della letteratura albanese, Nuova antolgia, 1885, f. 592, vëll. 50, seria IV = Carlo Tagliavini, Storia della linguistica, Patron, Bologna, f. 217 (1970).
Kultivimi i kritikës shkencore e bën të pashtyshme nevojën e nxjerrjes së revistës Kritika
Një vërshim botimesh të shumëllojshme, pa farë kontrolli, redaktimi serioz dhe kritike shkencore, që për çdo ditë dalin si kërpudhat pas shiut, me të meta gjithfarësh janë të pashmangshme, natyrisht, këtu nuk mendohet vetëm për të meta të natyrës teknike, redakturë gjuhësore, por për asosh të karakterit metodologjik: shpeshherë ndeshemi me veprues diletantë të atillë që as degën shkencore së cilës duan t’i dalin zot, s’e njohin veçse sipërfaqësisht, pa zotëruar parimet e shëndosha të metodës shkencore. Një soj i tillë diletantësh dhe quasishkencëtarësh me një bagazh të varfër dijeje, shumë lehtë rrëshqasin në nacionalizëm; disi janë të prirë që çështjet t’i vështrojnë me një ngushtësi të theksuar pa u shquar nga fryma objektive.
Brezat e tjerë të rinj shkencorë e kanë kapërcyer atë stad ëarasjlemcpr. Ata sot në punën e tyre kërkimore operojnë me parime bashkëkohore, racionale. Mjerisht, me një përjashtim një gjë të tillë nuk e kemi në fusha të tjera, bie fjala, në lëmin e gjurmimeve e të hulumtimeve historike apo gjuhësore-onomastike, etj. Për fat në truallin kërkimor, studimor linguistik, ndeshen punonjës të zellshëm me reuzultate shumë të dobishme, por pa bërë bujë për çka bëjnë – puna e të cilëva ka marrë e është shtrirë gjithandej, pra, ka një lagje të mirë, të aftë studiuesish që bagazhin letrar, artistik e bëjnë më së miri e me kompetencë që nuk ia le dalë kujt në punë të tilla.
Ana e zymtë dhe e errët e kësaj gjendjeje mund të ndryshohet me masa profilaktike, parandaluese me ngritjen e nivelit shkencor e frymë objektive të punonjësit shkencor, me ngritjen e kulturës së përgjithshme të kërkimtarit e të studiuesit. Kultivimi i kritikës shkencore e dhënë gjithherë me frymë objektive, që do të ndiqte gjithë prodhimin kulturor, shkencor dhe ta thoshte fjalën e vet pa anësi, në rrethanat e gjendjes aktuale tonën, bën të pashtyshme nxjerrjen e revistës Kritika, qysh do ta quanim ne organin e ri të përhershëm shkencor. Këtë organ, këtë revistë me emrin Kritika do ta udhëhiqte ekipi prej tre vetësh që do t’i shquante guximi, drejtësia, fryma objektive në gjykimin dhe vlerësimin e çështjeve kulturore-shkencore, toleranca, sjellja (“sjellja e zbukuron njeriun”).
Po t’i vështrosh rezultatet e studimeve gjuhësore përmes metodave krahasimtare, ç’thoni: ku qëndrojnë, aq sa keni arritur të keni ju informacione, studimet e shqipes kundruall studimeve të gjuhëve të tjera?
Sa për rezultatet e studimeve gjuhësore me anë të metodave krahasimtare se ku qëndrojnë studimet e shqipes kundruall studimeve të gjuhëve të tjera – këto të fundit janë shumë të avancuara, që është e kuptueshme, ndërsa ne jemi në fillim, porse në fillim të mbarë.
Si qëndron çështja e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e sotme të zhvilluara: çka i karakterizon këto marrëdhënie ndërgjuhësore?
Nëse me këtë pyetje kërkohet të dihet se çfarë marrëdhëniesh ka shqipja me gjuhët e mëdha: anglishten, gjermanishten, frengjishten etj., mund të thuhet se në shqipien aktualisht drejtpërdrejt ushtron ndikim vetëm anglishtja, sidomos në Kosovë, me të përmendurat e tjera nuk ka farë lidhjeje të pandërmjetme a të drejtpërdrejtë.
Njësimi i shqipes letrare është rezultat i natyrshëm i proceseve të zhvillura
Si e shihni ju anën e zbatimit të gjuhës së njësuar shqipe në të gjitha shkallët e saj të komunikimit, e veçanërisht në shkallë të respektimit të normës letrare në mediumet, të shkruara dhe të folura, shqiptare?Në historinë politike dhe kulturore shqiptare muaji nëntor ka marrë si një simbolikë të rëndësishme sepse gjatë atij muaji, muajit nëntor të kohëve të ndryshme janë zhvilluar ngjarje me rëndësi të madhe në populin dhe për popullin shqiptar: në vitin 1912, intelektuali shqiptar Ismail Qemali – vlonjat, shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor, duke hyrë si një shtet i ri në Bashkësinë evropiane të kohës; katër vjet më parë, po në nëntor të 1908, në qytetin e Manastirit të Maqedonisë, atëherë ende nën sundimin otoman, po mbahej Kongresi i Manastirit, Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe, që ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare. Alfabeti i Stambollit përmbushte parimin e njohur shkencor: një tingull – një shkronjë, zgjidhja e të cilit e bënte këtë alfabet bazën e alfabetit të sotëm, duke caktuar kështu raportin midis shkronjave e tingujve të shqipes.
Gjuha letrare shqipe e epokës sonë të sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit, e cila e stabilizuar njëherë e mirë, po zbatohet gjithandej në të gjitha kontekstet kulturore e shoqërore të mjediseve shqiptare. Këtij akti historik i kishte paraprirë Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968), kur edhe aty u përsëdyt, u theksua se përpjekjet për njësimin e gjuhës letrare janë rezultat i natyrshëm i proceseve të zhvilluara, sidomos nga Rilindja e këtej. Këtu po sjellim e po kujtojmë dy “simpoziumet shkencore për problemet e kulturës së gjuhës, të mbajtura në Prishtinë e Tiranë (1980-1984) që pandehen aksioni më i madh i gjuhësisë normative pas Kongresit të Drejtshkrimit” (1972).
Përpara gjuhësisë shqiptare edhe pas fitores historike të arritur me përpjekjet e një vargu brezash veprimtarë në fushën e kulturës dhe pas një sërë botimesh, doracakë që synojnë të ndihmojnë kapjen sa më të lehtë të normës letrare shqipe, shtrohen detyra të shumëllojshme.
Norma letrare e gjuhës sonë ndryshon, natyrisht në disa nivele të strukturës së saj prej sistemit dialektor të shqipes, sidomos të gegërishtes verilindore, prandaj kërkohen përpjekje të pandërprera nga të gjithë ata që merren me shkrime të shtojnë kujdesin e tyre për gjuhën letrare, sepse studimi i gjithanshëm i saj është bërë detyra themelore e gjuhësisë sonë.
Më 11 e 12 nëntor, në 30-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në Konferencën Shkencore: “Gjuha standarde shqipe dhe shoqëria shqiptare sot”, parashtruan arritjet dhe rrahën mendime për çështje të përgjithshme e të veçanta të shqipes standarde.
U konstatua se praktika e përdorimit të shqipes standarde gjatë 30 vjetëve në të gjitha fushat e veprimtarisë zyrtare e shoqërore ka dëshmuar se zgjidhja e dhënë nga Kongresi i Drejtshkrimit i ka qëndruar provës së kohës dhe se shqipja standarde është bërë një faktor i dorës së parë për gjallërimin e jetës shoqërore e kulturore.
Në Konferencë u shpreh me theks të veçantë shqetësimi për nivelin e pakënaqshëm të kulturës gjuhësore, ndaj ndërtimeve jo të rregullta të fjalëve, shqetësime për përdorimin e tepruar të fjalëve të huaja të panevojshme, për ndikime të huaja në ndërtimin e fjalisë që dhunojnë strukturën sintaksore të shqipes.
Situata e gjuhës standarde shqipe në Kosovë është pakëz ndryshe, ajo atje, ç’është e vërteta, vuan nga po ajo dergjë veçse kronike; është fjala për trysnitë shumë dekadash sllave që ushtronin ndikim në mënyrë intensive tek shqiptarët e gjuha e tyre, sidomos në mesjetë, kur me serbët bënin jetë të përbashkët në simbiozë – që nga 1912 dyfish intensive dhe drejtpërdrejt.
Sidomos nuk mund të mbyllen sytë përpara faktit që dygjuhësia në Kosovë ka lënë gjurmët e saj (XH. Lloshi).
Gjuha standarde shqipe tashmë është shtrirë në tërë Kosovën, duke qenë e detyrueshme për të gjitha institucionet shtetërore, për shtypin, TV, për mbarë sistemin shkollor me përfshishjen e të gjitha niveleve të tij.
Po të pritet që unë të shprehem nëse studiuesit e gjukhësisë sonë normative janë të kënaqur me shkallëln e arritur të gjuhës standarde shqipe, ne do të pohonim se niveli i përdorimit të gjuhës standarde shqipe në Kosovë, përgjithësisht, mund të thuhet se është relativisht i kënaqshëm me tendencë rritjeje të vazhdueshme të tij.
Rezervat tona gjejnë mbështetjen e tyre tek pohimet e studiuesve tanë të gjuhësisë normative se nuk mund të mbyllen sytë përpara faktit që dygjuhësia në Kosovë ka lënë gjurmët e saj ku shtohet si edhe në libra të autorëve të shquar të Kosovës ndeshen ndikime të serbishtes standarde.
Në veprimtarinë e kulturës së gjuhës nuk mund të arrihet kurrfarë suksesi po s’u edukua dashuria për gjuhën amtare, ndjenja e përgjegjësisë dhe qëndrimi i ndërgjegjshëm ndaj saj. Ka plot të drejtë një autor italian kur thotë: Chiamo uomo qui e padrone della sua lingua materna (quaj njeri atë që është zot i gjuhës së vet amtare).
Analizohen proceset e zhvillimit të gjuhës me qëllim që të përparohet e të përsoset gjuha standarde
Fenomene të ndryshme për ta mbijetuar shkapërderdhjen e qenies, manifestojnë prirjen për t’iu nënshtruar proceseve integruese, ndërkaq në gjuhësinë shqiptare, në shkallë “ndërdialektore”, vërehen tendenca “copëzimi”: si do ta shpjegonit, me mjete socio-gjuhësore dhe socio-kulturore, këtë prirje?
Një palë intelektualësh në jetën shoqërore të shtetit të mëparshëm shqiptar duke mos qenë të kënaqur me zgjidhjen e çështjes së gjuhës së përbashkët letrare, zunë të shprehnin pakënaqësinë e tyre përse në bazë të saj vihej varianti letrar toskë. Njëri prej tyre “nuk e gjente të përligjur që shqiptarët të kenë gjuhë standarde të veten, sepse, fjala e tij, nuk e paska atë asnjëri nga popujt e Ballkanit, tjetri deklaronte se ai i njihte vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, por nuk pajtohej me manipulimet e A. Kostallarit”. Dyshimi u përhap shpejt edhe në Kosovë, duke prekur aty-këtu edhe ndonjë individ dhe grup.
E quajmë të nevojshme të sjellim këtu mendimin dhe qëndrimin e I. Kadaresë: “Që çdo shkrimtar ka të drejtë të përdorë gjuhën, dialektin, madje nëndialektin që dëshiron, kjo hyn në lirinë e krijimit, dhe askush nuk mund t’i ndërhyjë. Që në institucionet shtetërore, në shtyp, TV, sistemin shkollor e tjerë bën të detyrueshëm gjuhën e njësuar, kjo, gjithashtu, nuk vihet në dyshim. Që ky njësim nuk prek asnjë fije traditën letrare, e cila në jetë të jetëvet do të lexohet e studiohet ashtu siç është shkruar, as për këtë nuk ka mëdyshje. Në tempull hyhet me dashuri, jo me sopatë në dorë”, Aleanca, 17 nëntor 1995.
Për Kadarenë, pra, është krejt normale që, krahas shqipes standarde, e cila është e detyrueshme për institucionet shtetëroe, të funksionojnë në letërsinë artistike edhe variante dialektore edhe nëndialektore. “Problemin e gegërishtes letrare nuk e fshijnë dot nga faqja e dheut as me njëqind intervista, as me njëmijë përbuzje. Fakti që sot e gjithë ditën ajo shkruhet edhe në Shqipëri, flet për të kundërtën. Ky variant letrar i shqipes është një pasuri e jashtëzakonshme – jo vetëm historikisht, nga që përmbledh në pesë shekuj letërsi, por edhe në gjendjen aktuale.”
E mbështesim mendimin e shkrimtarit tonë të madh – të Ismail Kadaresë, të shprehur për zgjidhjen e drejtë të shqipes sonë të përbashkët letrare, – njohës i thellë i kulturës sonë kombëtare – me porosinë që ajo të studiohet, të pasurohet, të pastrohet e të përparojë, kjo është politika jonë gjuhësore, por kurrsesi politikë për të ndërruar bazën dialektore të saj.
Kryesia e Akademisë sonë të Shkencave dhe të Arteve ka ngritur një komision të posaçëm me detyrë që të kujdeset për çështje të përgjithshme të përparimit e të përsosjes së gjuhës standarde shqipe. Siç dihet, një gjuhë standarde – edhe kjo jona nuk është dhënë si e tillë njëherë e mirë për gjithmonë; zhvillimi i saj nuk ka karakter statik, por ka një karakter dinamik. Komisioni ynë bashkëpunon me komisionin omonim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, atje është edhe selia e komisionit qendror. Komisionet lokale ndjekin pulsin e zhvillimit të gjuhës standarde shqipe, dhe kur hetojnë se ka ardhur koha që në të mirë të përsosjes së gjuhës standarde mund të kërkojnë që për ndonjë propozim të debatohet dhe në fund të miratohet përfundimisht.
——–
VEPRAT KRYESORE TË IDRIZ AJETIT
- Pamje historike e ligjërimit të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, Rilindja, 1960.
- Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra, Balkanoloski institut, Sarajevo, 1961.
- Kërkime gjuhësore, Rilindja, 1978.
- Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, Rilindja, Prishtinë, 1982.
- Studije iz istorije albanskog jezika, Akademija nauka i umetnosti Kosova, Rilindja, Prishtinë, 1982.
- Shqiptarët dhe gjuha e tyre, ASHAK, Prishtinë, 1994.
- Studime gjuhësore në fushë të shqipes II, Rilindja, Prishtinë, 1985.
- Studime gjuhësore në fushë të shqipes III, Rilindja, Prishtinë, 1985.
- Studime gjuhësore në fushë të shqipes IV, Rilindja, Prishtinë, 1989.
- Vepra 1, ASHAK, Prishtinë, 1997.
- Vepra 2, ASHAK, Prishtinë, 1998.
- Vepra 3, ASHAK, Prishtinë, 1998.
- Vepra 4, ASHAK, Prishtinë, 2001.
- Vepra 5, ASHAK, Prishtinë, 2002.
- Hyrje në historinë e albanistikës në planin përgatitor