-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministrat Kujtim Shala e Arsim Bajrami ngushëlluan familjen Demolli/
PRISHTINË, 6 Mars 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Shkrimtari Arif Demolli ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, i lindur në 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës, u njoftua sot.
Në vendlindje mori mësimet e para, vazhdoi në Shkollën Normale dhe në Fakultetin Filozofik – gjuhë dhe letërsi shqiptare, në Prishtinë. Punoi në arsim, në gazetën “Bota e Re” të studentëve të Universitetit të Prishtinës, në Televizionin e Prishtinës, në revistat “Fjala” e “Pionieri” dhe në Ministrinë e Arsimit.Dy nga veprat, librat “Ballkonet e një qyteze” dhe “Pëllumbat e kujtimeve” i janë ribotuar edhe në Tiranë. Është autor dhe bashkautor edhe i disa librave të leximit, shkollorë.
Për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” mori Çmimin Pjetër Bogdani të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin “Pse gjirafa ka qafë të gjatë” mori Çmimin letrar Vehbi Kikaj.
Para një viti, në 15 shkurt, në ambientet e Ministrisë së Kulturës të qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa ka ndarë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, të vlerësuuar nga një juri profesionale, për shkrimtarin e mirënjohur Arif Demolli, në një ceremoni të veçantë me rastin e ndarjes së çmimeve letrare për veprat më të mira, aktivitet ky i organizuar në kuadër të axhendës zyrtare të manifestimeve për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me atë rast, laureati i shpërblimit më të rëndësishëm kosovar në letërsi, Arif Demolli, u shpreh se, “vetë edhe formulimi për vepër jetësore, pak më tingëllon si trishtueshëm, sikur erdh tek një pikë, sikur ka marrë fund gjithçka. Mirëpo unë besoj, kam dëshirë, dhe uroj të gjithë ata që e kanë fituar këtë çmim dhe do ta marrin, që kjo pikë të bëhet presje, dhe jeta të na vazhdoj dhe të krijojmë diçka të re”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi sot familjen Demolli. “Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, shkrimtarit të shquar të Kosovës e mikut tim të dashur, Arif Demollit. Ndarja nga jeta e Arifit, është një humbje e madhe për familjen, për miqtë, për letërsinë shqipe dhe për shtetin e Kosovës”, shprehet kryeministri.
Mustafa vlerëson se, Arifi me veprën e tij letrare dhe veprimtarinë intelektuale dha kontribut shumë të madh për zhvillimin e krijimtarisë artistike e letrare, si dhe të jetës arsimore e edukative në Kosovë.
“Brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta përkujtojnë përherë jetën dhe veprën e Arif Demollit . Andaj, më lejoni që në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj të madhe”, thekson në mesazhin e ngushëllimit kryeministri Mustafa.
Telegram ngushëllimi familjes Demolli i ka dërguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, duke u shprehur se, “Arif Demolli, me krijimtarinë e tij, ka dhënë shumë për artin letrar, duke punuar me devocion dhe duke kontribuuar në pasurimin e jetës intelektuale, arsimore e edukative për breza të tërë në Kosovë”.
Ndërsa, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në telegramin e ngushëllimit thekson se, “Arif Demolli ishte miku ynë, por në veçanti ishte dhe mbetet mik i madh i fëmijëve, sepse me krijimtarinë e tij letrare dhe me tekstet shkollore të hartuara nga ai, u rritën dhe u edukuan shumë breza”.