-Qeveria e Kosovës miraton themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Sektorin Minerar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Gusht 2015/ Qeveria e Kosovës ka miratur vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Sektorin Minerar, i cili përfshinë ministritë e caktuara, por edhe subjektet e tjera që merren me këtë fushë, që të japin një orientim strategjik lidhur me zhvillimin e këtij sektori në të ardhmen.
“Në fushën e zhvillimit të sektorëve të minierave dhe minerareve, në fokusim të veçantë do të jetë çështja e Trepçës”, ka bërë të ditur kryeministri Isa Mustafa.
Në konferencën e djeshme për shtyp ai paralajmëroi Strategjinë dhe Ligjin për Trepçën, që do bëhen.
“Do të fillojmë në vjeshtën e këtij viti, edhe njërën edhe tjetrën, me rastin e kompletimit të Bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Poashtu, do të punojmë tani në Programin për hartimin e Strategjisë minerare dhe përmes saj do të detajizojmë orientimet tona në të ardhmen”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Në fushën e minierave, vijoi Mustafa, kryesisht kemi të bëjmë me ligje të cilat krijojnë kushte për siguri në punë, ndërsa theksoi se, tek Trepça tani në mënyrë konkrete po punohet në dy projekte në minerën në Stantërg.
“Projekti i parë është hapja e vendpunishteve të reja në horizontin e dhjetë dhe në horizontin e njëmbëdhjetë, dhe projekti i dytë është riaftësimi i vendpunishteve në horizontin e tetë dhe të nëntë. Është një investim diku rreth 1 milion e 400 mijë euro”, tha kryeministri kosovar.
Ai bëri të ditur edhe se, është arritur poashtu Marrëveshja lidhur me shfrytëzimin e subvencioneve për Trepçën.
“Por, edhe njëra edhe tjetra ka të bëjë vetëm me pjesën jugore të Trepçës, jo edhe me pjesën veriore, sepse në pjesën veriore akoma nuk është arritur marrëveshja me të”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
Çështje të zhvillimit ekonomik, pritet të jenë ndër temat e bisedës gjatë vizitës së sotme të kryeministrit Mustafa në komunën jugore të Mitrovicës, në të cilën është edhe miniera e Trepçës në Stantërg.
Në prill të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, pas të cilit u paralajmërua edhe një ligj i veçantë për Trepçën.
Drejtuesit e institucioneve të Kosovës gjatë vizitave në minierën në Stantërg kanë theksuar se institucionet kosovare do të angazhohen konkretisht që e ardhmja ekonomike e Trepçës të jetë e sigurt.
“Trepça ka nevojë që t’i përshtatet kushteve dhe rrethanave të ekonomisë së të tregut lirë, si e vetmja mënyrë që kapacitetet e saj prodhuese të rivitalizohen, të zgjerohen edhe më shumë, të rritet fuqia e saj eksportuese, që të gjenerojë zhvillim për vete, Kosovën dhe qytetarët e saj”, kanë theksuar ata.
Pasuria minerare e nëntokës së Trepçës arrin vlerën së paku 13 miliardë euro, sipas një studimi të fizibilitetit të kryer nga ekpertë vendorë dhe ndërkombëtarë, vite më parë, por mendohet se është edhe shumë më e madhe e në vlerë më të lartë.
Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para mëse 16 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.
Sipas historikut të Trepçës, hulumtimet gjeologjike kanë filluar në vitin 1924 nga gjeologët anglezë, ndërsa dy vite më vonë (në 1924) në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin Trepça Mines Limited, e cila merr në koncesion shfrytëzimin e këtij vendburimi minerar për 50 vjet, e në vitin 1930 fillon prodhimi provues i minirealizimeve të sulfurit dhe plumbit.