Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Shtator 2015/ Për javën e ardhshme është në axhendë vendosja e modaliteteve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, paralajmëron sot shtypi në Prishtinë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po punon me përkushtim për transformimin e FSK-së. Po bisedohet edhe me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, për të marrë përkrahjen e tyre për shndërrimin e FSK-së në FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës v.j.), sepse ajo do të jetë forcë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, citon gazeta Koha Ditore përgjigjen e Zyrës për komunikim publik, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Koalicioni qeverisës PDK-LDK, së bashku me partnerët e tjerë po punon në transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, bënte të ditur në 29 gusht kryeministri Isa Mustafa, duke theksuar edhe vlerësimin e përbashkët me zv/kryeministrin e parë, Hashim Thaçi.
“Unë dhe z. Thaçi kemi vlerësuar se nuk ka arsye të prolongohet transformimi i FSK-së dhe që ky transformim të varet nga vullneti i një subjekti politik”, shprehej ai.
Kreu i qeverisë së Kosovës, ritheksonte se FSK është forcë multietnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. “Me veprimet dhe aksionet e saj, pjesëtarët e FSK-së kanë treguar përkushtim në të gjitha situatat emergjente dhe rreziqet në çdo pjesë të vendit tonë dhe për çdo njeri. Janë treguar shembull në misionet humanitare”, shkruante Mustafa në ‘facebook’.
“Në rast të mungesës së mirëkuptimit për amendamente Kushtetuese, të cilat e tranformojnë FSK-në në FAK, Qeveria do të procedojë me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi FSK-në, me të cilin FSK do të merr të gjitha përgjegjësitë që ishin të parapara për FAK. Ndërsa, do ta ndryshojmë emrin e Ministrisë së FSK-së”, përfundonte kryeministri Mustafa.
Në 27 maj 2015, qeveria e Kosovës miratoi draftamendamentet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. “Draftamandamentet do të procedohen për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës. Miratimi i këtyre draftamendamenteve i hap rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe themelimit të Forcës së Armatosur të Kosovës”, u theksua me atë rast.
Kryeministri Mustafa theksonte se është esenciale që nuk po ndërtohen forca të armatosura mbi baza etnike, as mbi baza etnike të shumicës shqiptare, as mbi baza etnike të etniteteve tjera, për të cilat ka pasur trumbetime mjaft të mëdha në opinion së fundi. “Është një forcë unike, në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që përfshinë të gjithë pjesëtarët e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, ju ftoj që ne të procedojmë këto amendamente, ndërsa në Kuvend ne poashtu do të punojmë bashkërisht me të gjithë deputetët, edhe me përfaqësuesit e komuniteteve që të kemi pajtueshmërinë e tyre më vonë për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Mustafa në mbledhjen e qeverisë.
Vendimi për aprovimin e draftamendamenteve është aprovuar me dy vota kundër të dy përfaqësuesve të Listës Serbe në qeveri, zëvendëskryeministrit Branimir Stojanoviç dhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiç.
Ndërsa në 20 korrik, nga Kuvendi u njoftua se, “sa i përket propozim-amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të propozuara nga qeveria e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, me kërkesë të shumicës së përfaqësuesve të subjekteve politike, Kryesia vendosi t’u japë kohë partnerëve të koalicionit të zhvillojnë konsultimet”.
Por, opozita deklaroi se ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pasi nuk u pajtua “me vendimin e mazhorances që t’i tërheq nga pika e rendit të ditës ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”. Gjatë këtyre zhvillimeve, sipas raportimeve të medias në Beograd, serbët në Kuvendin kosovar “penguan formimin e Ushtrisë së Kosovës”.