Nga Gani QARRI/
Votuesit e devotshëm që ndër vite besuan në premtimet e pa mbajtura të liderëve “parajsë-premtues”, tanimë për të satën herë ndjehen të tradhtuar nga ta, ndaj kësaj here kanë vendosur tua kthejnë shpinën atyre dhe të votojnë për më të mirët.
Por edhe skilet politike, sado që me zorrë nën këmbë, duke pasur parasysh gjendjen e tyre, janë përgatitur herët dhe kujdesur me kohë, për ta bërë fushatën e tyre parazgjedhore sa më joshëse dhe atraktive, duke shkruar në parulla të mëdha dhe paraqitur me kolorite tërheqëse në “Bilboarda” masiv, gardën e hajdutvë të vjetër-si trup e misionit të ri, anipse të gjithë njerëzit e këtij vendi e dinë se ata nuk kanë asnjë zanat tjetër përveç vazhdimit të “Specialitetit” të tyre për gllabërim, zhvatje dhe hajni.
Ndaj, votuesit kësaj radhe nuk duan të mashtrohen edhe një herë me të ashtuquajturat misione të improvizuara të ujqërve të vjetër, misione të cilat ashtu siç i nisën në fillim do ti vazhdojnë deri në fund, me avansimin e hajdutllëkut nga mandati i vjetër në mandatin e ri, derisa populli të mos i qoj ata, atje ku e kanë vendin.
Asgjë nuk është ashtu si do duhej te ishte, asnjë nga ofertat e tyre nuk u realizua me gjithë pompozitetin që u propaguan, nuk ka premtim që u mbajt dhe gjithmonë ndodhi e kundërta nga ajo që u tha dhe premtua.
Garda e të pasuruarve brenda natës edhe më tepër u pasurua, familjar, kushërinj, miq e të njohur të tyre përmes aksionit Blic-Pronto, sa qel e mbyllë sytë, pothuajse të gjithë u punësuan, kurse gjendja e të varfërve u rëndua edhe më zi, numri i tyre u shtua dhe të varfërit e ri e të vjetër u varfëruan edhe më tej.
Ata kaluan në mjerim total dhe të pariparueshëm, të cilëve jo rrallë u mungon edhe buka ne sofrën e thatë, fëmijët pa qanta, lapsa e veshmbathje që të mund të shkojnë në shkollë, por të cilat nuk i kanë.
Populli i lodhur nga zullumi, nëse kësaj radhe vërtet voton ndryshe dhe pas këtyre zgjedhjeve, nxjerr një forcë tjetër politike të parën,ai vërtetë më nuk dëshiron që prapë të negociohet me grupet e shënjuara dhe të orkestrohet ndonjë kompromis kundër vullnetit te tij, për të krijuar qeveri ,me ata të cilët sovrani i refuzoi.
Këtë herë, tek shumica e banorëve të këtij vendi, është krijuar bindja se votuesit kanë për të vendosur ndryshe në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, ndaj kjo i bën shqiptarët të shpresojnë se, pararoja e hajnave, nepotizmit dhe keqbërësve ordiner,më në fund po falimenton, megjithëse fatkeqësisht jo para ligjit dhe prokurorisë siç do duhej,sidomos me rastin e vdekjes së njerëzve të pa faj për mungesë kushtesh si në KEK e gjetiu, qoftë vdekje fëmijësh për munges barnash e ndihme financiare nëpër spitale, derisa ligji dhe prokuroria janë kthyer në mburojë “antiplumb” të tyre,ndaj mbetet vetëm dora e votuesit, verdikti i Popullit dhe zgjedhja e tij kësaj radhe-tjetërsoj,të vej rregull në këtë vend.
Gani Qarri
Cyrih,7 qershor 2014