
Emira Bajçinca- Konjufca/
28 Nëntori përbën një moment themelor në krijimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar shqiptar. Kjo datë lidh tri ngjarje që janë shndërruar në shtylla të kujtesës kolektive shqiptare: ngritjen e flamurit nga Skënderbeu në vitin 1443, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912, sakrificën e familjes Jashari sikurse edhe daljen e parë publike të UÇK-së. Këto tri momente, të dokumentuara gjerësisht në historiografinë shqiptare (Krasniqi, 2012), e bëjnë 28 Nëntorin një simbol të vazhdimësisë kulturore, politike dhe shpirtërore të shqiptarëve.
Në Kosovë, 28 Nëntori nuk gëzon status festiv zyrtar për shkak të kufizimeve kushtetuese. Megjithatë në Kosovë 28 Nëntori shndërrohet çdo vit në një ditë përkujtimi, reflektimi dhe afirmimi identitar, duke treguar se vlerat shpirtërore dhe simbolike nuk kufizohen nga konstrukte ligjore. Ky fenomen përputhet me teorinë e “festave joformale kombëtare”, të cilat ekzistojnë paralelisht me festat shtetërore (Smith, 1991).
28 Nëntori i reziston çdo forme instrumentalizimi politik. Kjo ditë nuk buron nga vendimet administrative, por nga historia, nga sakrificat dhe nga konsensusi shoqëror. Prandaj, çdo tentativë për ta relativizuar, minimizuar apo politizuar bie përballë një vetëdije të qëndrueshme kolektive që e njeh këtë datë si gur themel të identitetit kombëtar.
Sepse 28 Nëntori është ndër ngjarjet më të rëndësishme që kanë formësuar vetëdijen kombëtare. Ngritja e flamurit në Vlorë më 1912, e udhëhequr nga Ismail Qemali, u bë akti që konsolidoi përpjekjet shumëvjeçare për krijimin e shtetit shqiptar dhe që shënoi shkëputjen nga Perandoria Osmane (Fischer, 1999). Për shqiptarët e Kosovës, kjo ngjarje ka qenë gjithmonë më shumë sesa histori: ajo ka qenë argumenti kryesor i përkatësisë kombëtare, sidomos në periudhat kur identiteti i shqiptarëve të Kosovës sfidohej politikisht, administrativisht ose ushtarakisht.
Diaspora shqiptare dhe rëndësia e saj në ruajtjen e 28 Nëntorit
Roli i diasporës shqiptare në ruajtjen e vlerave të 28 Nëntorit është thelbësor. Shqiptarët në mërgatë nga Evropa deri në Australi jo vetëm e festojnë këtë datë, por e ruajnë dhe e transmetojnë traditën në mënyrë të strukturuar dhe të organizuar. Ndër të gjitha komunitetet, ai i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është veçanërisht i rëndësishëm.
Shoqatat kulturore, organizatat historike, shkollat shqipe dhe qendrat komunitare shqiptare në SHBA organizojnë manifestime madhështore çdo vit, duke përfshirë fjalime, akademi përkujtimore, programe kulturore, ekspozita dhe aktivitete edukative. Këto ngjarje nuk janë vetëm ceremoni festive; ato janë institucione identitetformuese që mbajnë gjallë lidhjen me atdheun.
Diaspora shqiptare në SHBA ka luajtur gjithashtu rol politik vendimtar në përkrahjen e intervenimit ndërkombëtar në Kosovë në vitet ’90 (Judah, 2000). Në këtë kontekst, 28 Nëntori mbetet për ta një simbol i lirisë, rezistencës dhe identitetit politik, duke u shndërruar në një mjet të fuqishëm të mobilizimit historik dhe kulturor. Vlera e 28 Nëntorit nuk kufizohet në trojet shqiptare, por është e përhapur dhe e gjallë në çdo komunitet shqiptar në botë.
28 Nëntori në Kosovë nuk është vetëm një datë kalendarike, as vetëm një përkujtim historik; ai është një mekanizëm i fuqishëm identiteti, një hapësirë simbolike ku bashkohen historia, sakrifica, krenaria dhe përkatësia kombëtare. Përkundër kufizimeve ligjore, 28 Nëntori mbetet thellësisht i gjallë në shoqërinë kosovare dhe në mbarë kombin shqiptar, brenda e jashtë trojeve. Prandaj, Kosovës s’i grabitet dot 28 Nëntori sepse vlera e kësaj dite nuk buron nga ligji, por nga kujtesa, identiteti dhe uniteti i një kombi që e ka ruajtur këtë simbol ndër shekuj.