–I shikon dhëmbët e parë të atij polici të gjatë? – më pyeste im atë kur isha fëmijë, sa herë që ai na dilte përpara. – Janë nga florinjtë e gjyshit tënd, që ky me dy të tjerë ia sekuestruan!/
nga Shpend Sollaku Noé/ Kanë ekzistuar disa familje në Berat që, sapo kam nisur t’i njoh më mirë, më është dukur vetja pjesë e tyre. Njëra nga ato është padyshim familja Lefta. Prej këtij mbiemri më ishte bërë virtualisht i afërt njëri prej tyre, profesori i matematikës Kostandin Lefta junior, sot në Louisville të SHBA. Më vonë gjeta rastësisht njëherë një nga fotot më interesante të risjella nga mjeshtrja Parashqevi Sahatçi. Bëhej fjalë për Ndini (Kostanndin) Leftën. Portret i shkrepur prej fotografit në një çast të qetë, që përcjell siguri edhe tek ata që e kundrojnë. Kur gjej dëshmi të tilla historike unë nxitoj t’i postoj tek grupi që administroj, Only Berat. Pastaj arrin gjithmonë diçka interesante që bën të kalojë në plan të dytë paparendësen. Rrallë ka të fakte të tillë që të mbërthejnë vëmendjen për më shumë se një ditë. Në këto pak raste i rikthehem disa herë atij fakti, deri sa t’i hyj në thelb. Diçka e tillë më ndodhi me foton që më bëri së pari të njohur Ndini Leftën. Ajo vetëm të joshte në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe të tërhiqte t’i hyje më thellë njohjes më të. Kush ka qenë ky burrë kaq i sigurtë në vetvete? Si ka vazhduar dhe është përmbyllur parabola e tij?
Prona si metaforë e djersës.
Rrëmoj dhe gjej që i jati Kostandin Leftës senior ka pasë qenë quajtur Sotir. Që vetë Ndini ka lindur në vitin 1885: djalë i vetëm me katër motra. Viti i lindjes së tij është edhe nisja e mbarësisë për të jatin, Sotir Leftën. Ai përforcon veprimtarine e tij tregtare me themelimin e një firme për lëndët e ndërtimit – kapitali fillestar prej 8000 frangash ari, jo pak për atë kohë. Selia e firmës ndodhej në qendër të Beratit, prapa ish Kinemasë Nacionale (kinemaja e vjetër). Hapësira në të cilën Ndini Lefta sistemonte lëndën e ndërtimit ishte e rrethuar me mur. Ajo, që më pas u bë kinema verore, prej shtetit të kuq duke ruajtur muret fillestare si rrethim për spektatorët.
Aktiviteti i Leftës senior u rrit dhe u konsolidua sidomos pas viteve 20’, kur ai nisi të importonte materialet prej Italisë. Leximi i dokumentave të shitblerjes është një shembull i shkëlqyer i reciprocitetit , ndershmërisë dhe korrektesës midis palëve. Veprimtaria e Ndin Leftës shtrihet ne më vonë në qytete të mëtujtshme të Shqipërisë, deri në Prizren e Prishtinë. Ajo tashmë jep shtysë edhe për të hapur veprimtari të tjera, si qe edhe rasti i Hotel “Vlora”-s, apo edhe i ullishtave, i banesave apo edhe i dyqaneve të shumta.
Ato vite qenë edhe kulmi i lulëzimit të ekonomisë beratase, kurrë më të përsëritur më pas. 80% e beratsve u forcuan si pronarë me më shumë se një aktivitet. Të tjerët u punësuan tek të parët në mënyrë aq të ndershme saqë nuk njihen kontestime të rëndësishme midis të dyja pjesëve të popullsisë beratase të kohës. E gjithë ky lulëzim bashkëqytetar kishte si shtysë nga nëndheu atë më fisniken e investimeve: djersën e trupit, të mendjes, dhe nderin e vënë në pëllëmbë e dorës, për t’u parë qartë nga të gjithë, shtet e popull. Këta ishin tregtarët e Beratit të athershëm, prej vepritarisë së ndershme të të cilëve lulëzuan edhe dege të reja të ekonomisë, u ringjallën ato të vjetrat, sipas ligjit më të hershëm të shoqërisë së qytetëruar njerëzore: atë të ekonomisë së tregut.
Kriminalizimi i tregut të lirë si rrënim i dinjitetit të njeriut.
Të gjithë – me përjashtim të kohës së flamës së kuqe – hidhnim apo dhe hedhim në treg diçka për të mbijetuar apo për të përmirësuar jetesën. Dikush nxjerr në shitje talentin, dikush shet edhe trupin, dikush tjetër blen nga të tjerë dhe e shet pak më shtrenjtë për të nxjerrë fitimin. Këta të fundit njihen me emrin tregtarë. Në përgjithësi janë këta që kanë impaktin më të drejtpërdrejtë më popullin. Nuk besoj që kjo kategori të ketë kaluar kohëra më të vështira se krizat botërore. Kjo, sigurisht, vlen nëse punonjësve apo sipërmarrësve të saj nuk u qëlloi fati i keq që të kishin lindur në vendet ku pllakosi murtaja e komunizmit.
Këtu edhe fati i Ndin Leftës ngjan si dy pika uji me atë të qindra e mijrave shqiptarëve që ishin pasuruar me punë të ndershme, të tregtarëve në veçanti, por edhe më gjërë, sidomos të atyre që u shpallën kulakë – pronarëvë të tokave.
Si prelud i një fatkeqësie kombëtare, edhe në Berat nisën sekuestrimet, lënia rrugëve e familjeve fisnike, heqja e triskave të Frontit. Kjo për Leftët, në veçanti, zgjati deri ne vitin 1949, kur 64 vjeçari Ndin Lefta arrestohet dhe i nështrohet torturave. Qëllimi kryesor ishte që, pasi e keshin zhveshur prej pronave të patundshme, t’i zhvasnin edhe floririn dhe gjërat e tjera të çmuara. Ai reziston e nuk flet. Ata i sjellin në qeli edhe djalin e tij të madh, Sotirin. I torturojnë bashkarisht, por pa rezultat. I bëjnë presion duke i sjellë në qeli të shoqen. Ndini ka frikë se do ta torturojnë edhe atë. I pëshpërit: “Kur të shkosh në shtëpi, mblidhi fëmijët dhe thuaji: më mirë babanë apo floririn?”
E shoqja shkon e kthehet me përgjigjen. “Më mirë babanë.”
Ishte sinjali që gjërat e çmuara nuk mund t’i fshihnin dot më.
Prej shtëpisë së Leftëve në Kala zbritën poshtë në qytet pesë teneqe djathi të importit, atij italian, të mbushura me flori. Për të plotësurar poshtërimin, dy prej kutijave ia varin në qafë Ndini Leftës si hejbete që mbanin fshatarët, dhe e zbresin në këmbë të ngarkuar nga shtëpia në kala deri tek burgu. Gjatë gjithë itenerarit turpërues kishin kishin vënë në të dyja krahët njerëz të kënaqur që ulërinin: Poshtë tregtarët, poshtë kulakët!
Pas muzgut të gjatë, pak thërrime
Dekadat e kuqe prunë vetëm dëshpërim, papunësi, përçmim e shumë psherëtima nën syrin vëzhgues të Sigurimit. Në vitin 1955 Ndini Lefta u largua nga kjo botë në mjerim të thellë ekonomik e shpirtëror. Si të githë familjet e “prekura”. (O zot, kush e përdori i pari këtë term? Të prekur nga cila sëmundje, e civlizimit?).
Fati i pasardhësve të tij qe ai i shumicës së familjeve të ish pronarëve të para komunizmit.
Shpresat e mëdha të pas 1991-isht u shpërblyen me zhgënjime të njëpasnjëshme. Në gostinë makabre të grabitjeve të mbështura nga një ligj kriminal pronarëve të ligjshëm u mbetën vetëm thërrimet poshtë tryezës. Pasardhësit e Ndini Leftës arritën t’i kthejnë familjes vetëm një dyqan të vogël dhe dy baçe me ullinj. Për floririn e grabitur as që bëhej fjalë. Rreth objekteve të tjera Leftëve u kanë mbetur në dorë vetëm dokumentat e pronësisë.
Pronat si meteoritë të ngecur në majë të bajonetës.
E tillë ajo mbetet vetëm në shtete me regjime totalitare ose në derivatet e tyre. Shqipëria është shembulli tipik i këtyre derivateve. Bijtë e atyre që dje vishnin dhëmët me floririn e tjetrit, sot kanë përvetësuar edhe terrenet, edhe objektet e shpëtuar, i kanë shembur, i kanë modifikur apo kanë ndërtuar objekte të reja mbi mbi gërmadhat e mëparshme. Me vete kanë si mbështeje ligjin që e kanë miratuar ata vetë. Pasardhësve që kërkuan t’u rikthehen në mënyrë të ligjshme u treguan rrugët e mërgimit, si treguese më të mirë të idesë se atë që dikur baballarëve ua morën me forcë, sigurisht nuk kanë ndërmend t’ua dorëzojnë të tjerëve në tabakanë e mirësisë. Tashmë ata janë edhe më të armatosur se të parët shtetëzues me dhunë. Dhe dhuna vetëm me dhunë mund të përmbyset, sipas tyre. Në çdo veprim që lidhet me pronat ta thonë hapur: Jeni të zotët t’i merrni? Hajdeni, ne po ju presim, me gishtin në këmbëzën e armës.
Tashme ata të përqeshin jo vetëm me dhembë, por edhe me bedena të florinjta. Të kështjellave që vazhdojnë të ndërtojnë mbi turpet e pafund.I shikon ato bedena? të thonë sot bijtë e bijve. Janë të babait tim.