Kosovë-Sot konferencë e KQZ, rezultate preliminare të zgjedhjeve lokale/
-Media: Këto janë votat përfundimtare në nivel të Kosovës – LDK e para. Rezultatet për asamble komunale në shtatë komunat kryesore/
PRISHTINË, 24 Tetor-Gazeta DIELLI/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban sot në ora 13:30 konferencë për shtyp lidhur me procesin zgjedhor në Kosovë, bën të ditur njoftimi dërguar korrespondentit të Gazetës DIELLI.
Pritet të njoftohen rezultate preliminare të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, të cilat vazhdojnë të publikohen e përditësohen në ueb faqen zyrtare të KQZ të Kosovës.
Sipas medias që i refereohen këtij burimi, në bazë të votave të numëruara deri më tani për asambletë komunale, si parti politike LDK del të jetë partia më e madhe në vend, duke i ikur PDK’së me 14.872 vota. Vetëvendosje shumë afër me AAK’në.
Zgjedhjet lokale të 22 tetorit e kanë nxjerrë Lidhjen Demokratike të Kosovës partinë më të madhe në vend.
Në nivel vendi, LDK, që udhëhiqet nga Isa Mustafa, ka marrë gjithsej 173.967 vota në zgjedhjet lokale.
Lidhja ka lënë prapa vetes Partinë Demokratike të Kosovës, që në zgjedhjet lokale ka arritur të sigurojë 159.095 vota.
Kësisoj, PDK, e udhëhequr nga Kadri Veseli, ngec pas LDK’së për 14.872 vota në nivel vendi.
Lëvizja Vetëvendosje, që doli më e votuara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 11 qershor, ka pësuar një rënie të ndjeshme.
Partia, e udhëhequr nga Visar Ymeri, ka marrë 113.037 vota në zgjedhjet lokale të së dielës, duke u renditur e treta në nivel vendi.
Vetëvendosje ka 60.930 vota më pak se LDK, që është e para, dhe 46.058 vota më pak se PDK’ja, që zë vendin e dytë.
Jo shumë larg Vetëvendosjes ndodhet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilën votimi i së dielës e ka nxjerrë partinë e katërt më të madhe në Kosovë.
Partia e kryeministrit aktual të vendit, Ramush Haradinaj, në zgjedhjet lokale ka marrë 96.102 vota në nivel vendi, shkruan Express.
Më tej thekson se Komisioni Qendror Zgjedhor vazhdimisht po publikon rezultatet e fundit në ueb faqen e saj edhe rezultatet për asamble komunale.
Në qytetin e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje për asamble ka marrë 32.81%, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës 28.54%. Pra dallimi është edhe më i vogël se në garën për kryetar, ndërmjet Abrashit dhe Shpend Ahmetit.
Në Prizren, PDK ka marrë më së shumti vota për asambe. Kjo parti ka marrë 31.55% të votave. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje me 16.52%. Kurse LDK-ja e cila në Prizren nuk do të jetë as në balotazh, për asamble ka arritur të marrë 15.45% të votave.
PDK kryeson edhe në asamblenë e Ferizajt. Kjo parti ka arritur të merr mbi 30% të votave, duke lënë pas vetes LDK-në me 27.64% të votave, e e trera vjen VV-ja me 16.7%.
Peja do të jetë një nga qendrat e mëdha të Kosovës e cila nuk do të shkojë në balotazh, pasi Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka arritur mbi 50 për qind të votave.
Në këtë komunë LDK-ja ka arritur të marrë 37.54% të votave për asamble, duke lënë prapa AAK-në me 26.23%.
Edhe në Gjilan LDK-ja do ta ketë numrin më të madh të asambleistëve.
33.38% të votave i ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, 19.90% Lëvizja Vetëvendosje, kurse 17.72% PDK-ja.
29.38% të votave në asamblenë komunale i ka siguruar partia e Kadri Veselit në Mitrovicë.
Në këtë qytet ku do të ketë balotazh ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, LDK-ja do të jetë e dyta me asamble pasi ka marrë 20.07% të votave.
Kurse AKR ka marrë 17.25% të votave.
Në Gjakovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 24.79% të votave për asamble, kurse Alternativa e Kusari-Lilës ka 16.76% të votave.
Pra në disa komuna, përqindjet e partive dallojnë kur bëhet fjalë për kryetar të komunave dhe për asamble, shkruan Express./b.j/