Nga Astrit Lulushi/
Shqipërisë duhet t’i vij turp nga vetja kur sheh njerëz me talente që braktisin vendin dhe e gjejnë veten në shoqëri që krijon mundësi. Ermal Meta, Dua Lipa, Bebe Rexha, Rita Ora e të tjerë janë bërë me famë në botë. Por pse Shqipëria duhet të krenohet? Eshtë turp kombëtar kur vendi ku njeriu lind, që është vendi i vet, nuk krijon mundësi për të jetuar e realizuar shpresat. Shqipëria, shtet mbi 100 vjeçar merret ende me tranzicionin e pushtetit të vet, apo me pagesat me këste për ish të përndjekurit. Vendi duket sikur të ketë dalë nga një luftë civile, që thuhet se kurrë nuk ka patur, ndërsa njerëzit ushqehen me urrejtje të trashëguar. Qeveritë kanë ardhur e ikur sikurt të ishin kuislinge ose grupe a familje mafioze qe kujdesen për llogaritë e veta, vrasin, burgosin, pushojnë nga puna vetëm se kreu është paguar më shumë nga një tjetër. Qeverisja duket prej hajdutësh, njerëz të intrigave, poshtërsive, servilizmash, apo tjesht të hurrit e litarit. Dhe pastaj hedhim sytë përtej detit, gjejmë këtë-atë shqiptar të suksesshëm, mburremi dhe ushqejmë egon e sëmurë e krenarinë kur nuk kemi kokë.