Prishtinë, 17 shkurt 2017 – Liderë nga e gjithë bota e kanë uruar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për nëntëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në urimin e tij për presidentin Thaçi, ka shkruar se e ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare.“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të uroj popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë suaj më 17 shkurt. Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA). E mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë”, ka shkruar presidenti amerikan në urimin e tij.Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeta II e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, me urimin e saj për pavarësinë, popullit të Kosovës i ka përcjellë edhe urime për sa më shumë lumturi në këtë vit.“Kam kënaqësinë e madhe për t’ju përcjellë, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia me rastin e shënimit të ditës tuaj shtetërore, së bashku me urimet e mia më të mira për lumturinë e popullit të Kosovës në vitin vijues”.Kurse, Presidentja e Konfederatës zvicerane, Doris Leuthard, në urimin e saj ka shprehur bindjen se besimi reciprok dhe miqësia që dy shtetet tona gëzojnë do të thellohen edhe më shumë.“Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është një mundësi e mirëpritur për mua që t’ju përcjell, Shkëlqesia Juaj, në emër të Këshillit Federal Zviceran urimet tona më të sinqerta dhe dëshirat më të mira për prosperitetin e vendit tuaj, si dhe për shëndetin dhe mirëqenien tuaj personale. Jam e bindur se besimi reciprok dhe miqësia që dy shtetet tona gëzojnë do të thellohen edhe në vitin vijues. Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar në urimin e saj Doris Leuthard, Presidente e Konfederatës zvicerane.Edhe lideri austriak, Alexander Van der Bellen, në telegramin e tij dërguar presidentit Thaçi ka uruar mirëqenie dhe të ardhme të begatë për Kosovën dhe qytetarët e saj.“Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Kosovës me kënaqësi të madhe ua përcjell urimet e mia më të ngrohta. Përfitoj nga kjo mundësi të ju dërgoj urimet e mia më të mira për mirëqenien tuaj, si dhe për një të ardhme të begatë të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar lideri austriak.Ndërkaq, Presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella, në urimin e tij ka shkruar se marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të njohin perspektiva gjithnjë e më të gjera në rrafshin politik dhe atë ekonomik.
“Me rastin e festës kombëtare, kam kënaqësinë që në emër të popullit italian dhe në emrin tim t’ju përcjell urimet më të sinqerta për mirëqenien e popullit mik kosovar. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona vazhdojnë të njohin perspektiva gjithnjë më të gjera në rrafshin politik dhe atë ekonomik. Italia mbështet plotësisht përpjekjet e Kosovës në forcimin e institucioneve të saj demokratike dhe në zbatimin e reformave që çojnë vendin drejt një integrimi të thellë evropian. Për këtë qëllim – rritjes demokratike dhe stabilitetit – Italia kontribuon vendosmërisht edhe përmes pjesëmarrjes së saj në misionet ndërkombëtare të tilla si EULEX-i e KFOR-i. Edhe vetë Kosova është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin rajonal, veçanërisht përmes vazhdimit të dialogut me Serbinë. Duke konfirmuar edhe një herë miqësinë e qëndrueshme dhe afërsinë e Italisë me shtetin tuaj, shpreh urimet e mia më të mira për mirëqenien tuaj dhe atë të popullit mik kosovar”, ka shkruar presidenti italian.
Presidentin Thaçi e ka uruar edhe i pari i shtetit hungarez.
Kreu i shtetit hungarez, János Áder, në urimin e tij është shprehur i nderuar për të dërguar urimet e tij të përzemërta për presidentin Thaçi dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e kremtimit të Ditës së Pavarësisë më 17 shkurt.“Kam kënaqësinë të theksoj se vitin që shkoi marrëdhëniet tona janë thelluar edhe më tej dhe së bashku me kontaktet tona intensive ne kemi krijuar një kornizë për të përmirësuar bashkëpunimin tonë ekonomik. Hungaria mbetet një mbështetëse e përkushtuar për të ardhmen tuaj evropiane dhe vazhdon të ndihmojë Kosovën në jetësimin e aspiratave të saj euroatlantike. Ju uroj sukses të vazhdueshëm dhe urtësi në kryerjeve e detyrave në detyrën tuaj të lartë”, ka shkruar Presidenti i Hungarisë, János Áder, në telegramin e tij.Një urim të përzemërt me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi e ka marrë edhe nga presidentja kroate, Kollinda Grabar-Kitaroviq.Në urimin e saj, Grabar-Kitaroviq shkruan se Republikën e Kosovës dhe Republikën e Kroacisë i lidh miqësia e përhershme e popujve tanë, bashkëpunimi, si dhe interesat dhe synimet e shumta të përbashkëta. Në këtë frymë, presidentja kroate e ka ftuar presidentin Thaçi edhe për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.
“Ju përcjell, në emrin e qytetarëve të Republikës së Kroacisë dhe në emrin tim, urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe përvjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës, si dhe dëshira të sinqerta për prosperitet dhe suksese të reja për shtetin tuaj dhe popullin mik të Kosovës. Republikën e Kosovës dhe Republikën e Kroacisë lidh miqësia e përhershme e popujve tanë, interesat dhe synimet e shumta të përbashkëta, bashkëpunimi në shumë fusha, posaçërisht përkushtimi për rritjen e prosperitetin dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Në këtë frymë, kam nderin të ju ftoj për vizitë zyrtare Republikës së Kroacisë. Besoj se një vizitë e juaja Kroacisë do t’i japë një shtyse të re zhvillimit të marrëdhënieve tashmë shumë të ngushta mes dy shteteve tona dhe do të ofrojë një mundësi për të shqyrtuar propozime të reja për të begatuar lidhjet tona edhe më tej. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore zë një vend të rëndësishëm. Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm të ardhmen e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian e në NATO dhe është e gatshme që të vazhdojë të ofrojë ndihmë dhe të ndajë njohuritë dhe përvojat të procesit të procesit të saj integrues euroatlantik. Me shpresë që juve, zotëri president, do ta kem rastin t’ju gostis sa më shpejt të jetë e mundur në Republikën e Kroacisë, ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar presidentja kroate Grabar-Kitaroviq.
Letra urimi për këtë ditë kanë dërguar edhe Presidenti i Shqipërisë, Presidentja e Estonisë dhe Presidenti i Panamasë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në urimin e tij ka siguruar se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror. “I nderuar Zoti President, me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës. Përfitoj nga rasti të përshëndes, gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të organizatave më të rëndësishme të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane”, thuhet në letrën e presidentit Nishani.
Presidenti Nishani është shprehur se marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.“Ndaj edhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror. Me urimet më të mira e vëllazërore në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon letra e urimit e presidentit Nishani dërguar presidentit ThaçiPresidentja e Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid, në letrën e saj të urimit për presidentin Thaçi ka shkruar se është e sigurt se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen.“Më lejoni të ua përcjell juve dhe popullit të Kosovës urimet dhe dëshirat më të mira me rastin e lumtur të festës shtetërore të Republikës së Kosovës. Jam e sigurt se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen. Ju lutem, Shkëlqesia Juaj, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë si dhe dëshirat e mia më të mira për mirëqenien e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në letrën e presidentes Kaljulaid dërguar presidentit Thaçi.
Edhe Presidenti i Republikës së Panamasë, Juan Carlos Varela Rodríguez, e ka uruar presidentin Thaçi duke shprehur përkushtimin e tij për të punuar drejt konsolidimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.“Zotëri President, me rastin e kremtimit të përvjetorit të nëntë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në emër të popullit dhe qeverisë sime, me kënaqësi shpreh urimet më të ngrohta për popullin kosovar. Ju shpreh, Shkëlqesia Juaj, përkushtimin tim për të punuar drejt konsolidimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit, që fatmirësisht ekziston mes shteteve tona. Pranoni, zotëri President, respektin tim të thellë dhe shprehjen e konsideratës sime më të lartë dhe të veçantë”, ka shkruar presidenti Juan Carlos Varela Rodríguez në urimin e tij dërguar presidentit Thaçi.Më herët, presidenti Thaçi është uruar edhe nga krerë shtetesh dhe liderë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Zvicrës, Austrisë, Italisë, Hungarisë, Kroacisë, Malit të Zi, Belgjikës, Suedisë, Holandës, Emirateve të Bashkuara dhe San Marinos.
***
Për Ditën e Pavarësisë, presidentin Thaçi e ka uruar edhe Presidenti i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq.Në urimin e tij, presidenti Vujanoviq ka shkruar se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë një shembull i bashkëpunimit të mirë fqinjësor në rajon.“Në emër të qytetarëve të Malit të zi dhe në emrin tim, ju përcjell urimet e përzemërta për festën shtetërore, 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Republikës së Kosovës i uroj stabilitet dhe përparim të mëtejshëm, ndërkaq qytetarëve të Kosovës mirëqenie. Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë një shembull i bashkëpunimit të mirë fqinjësor në rajon. Ato kontribuojnë fuqishëm në stabilitetin e tij dhe në të ardhmen prosperuese evropiane të qytetarëve të të gjitha shteteve të rajonit. Jam i bindur se do të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta në këtë drejtim. I nderuar zotëri president, ju uroj shëndet dhe suksese në detyrën tuaj të lartë”, ka shkruar Vujanoviq.Edhe Madhëria e Tij, Mbreti i belgëve, Philippe, e ka uruar presidentin Thaçi me rastin Ditës së Pavarësisë.“Me rastin e festimit të përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ju përcjell, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia për mirëqenie dhe shëndet për ju dhe për qytetarët tuaj”, ka shkruar në telegramin e tij Mbreti Philippe.
Kurse, Madhëria e Tij, Mbreti Carl XVI Gustaf i Suedisë, uron mirëqenie për popullin e Kosovës në telegramin e tij dërguar presidentit Thaçi.“Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj të përcjell Shkëlqesia Juaj urimet e mia më të sinqerta dhe dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj, si dhe për mirëqenien e popullit të Kosovës”, ka uruar Mbreti i Suedisë.
Edhe Madhëria e Tij, Mbreti i Holandës, Willem-Alexander, në urimin e tij dërguar presidentit Thaçi ka përcjell dëshirat më të mira për popullin e Kosovës.“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj ju përcjell, Ekselenca Juaj, urimet dhe dëshirat e mia më të mira për mirëqenien e popullit të Kosovës”, ka shkruar Mbreti i Holandës.Princi i Kurorës i Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, në telegramin e tij përcjell urimet për mirëqenie, prosperitet dhe progres.“Kam kënaqësinë që me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, Shkëlqesisë Suaj dhe popullit tuaj mik të ua dërgoj urimet më të ngrohta miqësore duke ju dëshiruar mirëqenie, progres dhe sukses nën udhëheqjen tuaj të urtë”, ka shkruar në urimin e tij Princi i Kurorës i Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ndër urimet e tjera për Republikën e Kosovës që kanë arritur deri më tash është edhe një letër urimi për Ditën e Pavarësisë, që presidenti Thaçi e ka marrë nga Ministria e Punëve të jashtme e San Marinos.“Ju përcjellimet urimet tona më të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë, si dhe urimet më të mira për mirëqenien tuaj, për prosperitetin, progresin dhe mirëqenien e popullit mik të Republikës së Kosovës”, thuhet në urimin e Ministrisë së Jashtme të San Marinos.
Përgatiti për Diellin: Behlul JASHARI