• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vuçiq: Nuk njohim pavarësinë e Kosovës, s’kemi plane lufte

September 9, 2018 by dgreca

Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë, ishin mesazhet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ua transmetoi qytetarëve serbë të tubuar në Mitrovicën Veriore.

Fjalimin e tij, Vuçiq e mbajti në përmbyllje të vizitës dyditore në pjesën veriore të Kosovës. Aty, u prit nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, ndërkohë që qyteti ishte përplot me fotografi e pankarta që i dëshironin mirëseardhje Vuçiqit.

“Ua them, se ata që deklarojnë se unë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër”, tha Vuçiq. Sipas tij, krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore.

“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën”, tha Vuçiq, duke shtruar më pas pyetjet, sipas tij plotë dilema –“ku është kufiri sot?”.

“Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, nënvizoi ai.

Qytetarët në Mitrovicën e Veriut. 9 shtator, 2018.
Qytetarët në Mitrovicën e Veriut. 9 shtator, 2018.

Vuçiq tha se ka sjellë me vete plane konkrete për investime në dhjetë komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Se kur do të arrihet marrëveshja me shqiptarët, theksoi ai, kjo nuk mund të dihet. Por, nuk e përjashtoi mundësinë që diku pas një kohë, qoftë edhe pas 50 vjetësh, serbët dhe shqiptarët të jetojnë në fqinjësi dhe miqësi me njëri-tjetrin.

“Nuk është vizioni im për një Kosovë pa shqiptarë apo edhe më keq, një Kosovë pa serbë”, tha Vuçiq, duke tërhequr vërejtjen se vizioni i tij nuk mbështetet në mite, por në realitet.

Ai rikujtoi edhe fundvitet e 80-ta dhe vitet e 90-ta kur kishte nisur dhe më pas ishte shpartalluar ish-Federata Jugosllave dhe fjalimet e zjarrta të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.

“Kënduam, kush po thotë e kush po rren, që Serbia është e vogël”, tha Vuçiq.

Kjo këngë dhe plotë mitingje, sipas tij, u mbajtën në Knin të Kroacisë, në Sarajevë apo edhe në Prishtinë. Por, sot, si në Knin, ashtu edhe në Sarajevë e Prishtinë, nga një numër i konsiderueshëm, jetojnë vetëm qindra apo mijëra serbë. Para 30 vjetësh, theksoi ai, në Kosovë kishte tri herë më shumë serbë, sesa që ka sot. Andaj, ai tha se angazhohet për paqe dhe në asnjë mënyrë për luftë.

QYTETARËT IA BLLOKOJNË RRUGËN VUÇIQIT

Ndryshe, dita e dytë e vizitës së presidentit serb, ka nisur ditën e dytë të vizitës së tij në pjesën veriore të Kosovës, me një shëtitje në lagjen e quajtur “Lugina e Diellit”, që përfshinë një projekt të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin dhe strehimin e rreth 1 mijë e 500 banorëve serbë të zhvendosur.

Ndërkohë, njëri prej lokaliteteve në agjendën e Vuçiqit, vizita në Banjë të komunës së Skenderajt nuk është realizuar pasi që një grup qytetarësh shqiptarë nga kjo komunë kanë bllokuar rrugën.

Shoqatat e dala nga ish-strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo komunë, të mbështetura edhe nga politikanë lokalë atje, kanë ftuar qytetarët që të dalin në rrugë që nga orët e mëngjesit, për t’i pamundësuar Vuçiqit të shkojë në fshatin Banjë.

Duke iu përgjigjur kësaj ftese, qytetarët kanë bllokuar rrugën, duke vënë pengesa të ndryshme për të pamundësuar qarkullimin.

Thirrjeve për protestë u janë bashkuar asamblistë dhe përfaqësues politikë nga kjo komunë.

Edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se Vuçiq nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e bëra nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha Jashari.

Qytetarët bllokojnë rrugën.

Qytetarët e Skenderajt i bllokojnë rrugën Vuçiqit

Nisur nga gjendja e krijuar në këtë komunë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur që për shkaqe sigurie, kjo pjesë e agjendës së Vuçiqit të anulohet.Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se siguria e “qytetarëve është mbi të gjitha”.

Në pamundësi që të vizitojë rajonin e Drenicës, përkatësisht fshatin Banjë të Skenderajt, Vuçiq u është drejtuar me anë të telefonit banorëve serbë, të cilët ishin tubuar në këtë fshat që ta presin atë.

Ai ka thënë se i vjen keq që nuk ka arritur t’i vizitojë, duke sqaruar se këtë nuk ia kanë lejuar autoritetet e Prishtinës.

“Nuk kam mundur të kaloj tutje dhe nuk dua që t’u rrezikoj juve dhe sigurinë tuaj, kështu që ju lus të gjithë juve serbëve të fshatit Banje që të mbaheni të fuqishëm. Shteti i juaj do të jetë më ju”, u ka thënë atyre Vuçiq, përmes telefonit.

Në vendin ku u mbajt protesta qëndruan edhe trupat e KFOR-it.

“Sa i përket situatës aktuale në Kosovë, KFOR po punon në koordinim me institucionet në Kosovë dhe Policinë e Kosovës, në mënyrë që t’i ofrojë siguri presidentit të Serbisë. Askush nuk po e kërcënon zotin Vuçiq dhe siguria e tij është e garantuar. Sa i përket protestave përgjatë rrugës së fshatit Banjë, KFOR është në komunikim të ngushtë me Policinë e Kosovës, me qëllim që të largojë bllokadat dhe të mundësohet lëvizja e lirë. KFOR po punon që kjo gjë të bëhet në mënyrë paqësore, por është i gatshëm të ndërhyjë në përputhje me mandatin e tij, nëse kërkohet”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

LIQENI I UJMANIT JETIK PËR SERBËT DHE SHQIPTARËT

Në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti serb qëndroi në Zubin Potok e Zveçan. Kurse një ndalesë të veçantë kishte te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës).

Prej aty, Vuçiq bëri thirrje për një zgjidhje paqësore ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por edhe kishte këmbëngulur që pasuritë dhe burimet ekonomike, si Ujmani (Gazivoda) dhe Trepça janë, sipas tij, pasuri e Serbisë.

Vuçiq tha se Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

“Mendoj se në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin ballafaqohemi”, tha Vuçiq.

Aleksandar Vuçiq, u ka thënë përfaqësuesve serbë të komunave veriore të Kosovës se nuk është i sigurt se do të mund të arrihet marrëveshje në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ai është shprehur i gatshëm që bisedimet dhe angazhimet për një zgjidhje të pranueshme të vazhdojnë.

Ndërkaq, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, të zhvilluar në Zveçan, ai tha se me gjithë përpjekjet e mëdha, është gati e pamundur të arrihet një marrëveshje e pranueshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të dialogut të Brukselit, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Vuçiq tha se problemi shqiptaro- serb është shumë kompleks dhe nuk mund të zgjidhet brenda natës.

Vuçiq tha se arritja e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është e vështirë jo vetëm për shkak të dallimeve ndërmjet palëve, por edhe për shkak të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.“A do të thërras për luftë, jo këtë nuk do ta bëj që familjet e juaja t’i shtyj drejt vdekjes”, tha presidenti serb.

Ai tha se ka ardhur në Kosovë me idenë që të ruhet paqja, stabiliteti dhe t’i vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për problemet shekullore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Pjesa veriore e Kosovës e banuar nga shumica serbe, e cila po vizitohet nga presidenti serb, vazhdon të mbetet e ndikuar nga Beogradi, përkundër përpjekjeve disavjeçare të autoriteteve të Kosovës për integrimin e kësaj pjese.

Po ashtu, kjo vizitë e presidentit serb, po realizohet në kohën kur nga tavolina e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel janë lansuar ide për ndryshimin e kufijve.(Kortezi Evropa e Lire)

Filed Under: Politike Tagged With: pavaresine e Kosoves, Vucic nuk njeh

Krerët e shteteve urojnë Pavarësinë e Kosovës

February 17, 2017 by dgreca

1-thaciPrishtinë, 17 shkurt 2017 – Liderë nga e gjithë bota e kanë uruar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për nëntëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në urimin e tij për presidentin Thaçi, ka shkruar se e ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare.“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të uroj popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë suaj më 17 shkurt. Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA). E mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë”, ka shkruar presidenti amerikan në urimin e tij.Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeta II e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, me urimin e saj për pavarësinë, popullit të Kosovës i ka përcjellë edhe urime për sa më shumë lumturi në këtë vit.“Kam kënaqësinë e madhe për t’ju përcjellë, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia me rastin e shënimit të ditës tuaj shtetërore, së bashku me urimet e mia më të mira për lumturinë e popullit të Kosovës në vitin vijues”.Kurse, Presidentja e Konfederatës zvicerane, Doris Leuthard, në urimin e saj ka shprehur bindjen se besimi reciprok dhe miqësia që dy shtetet tona gëzojnë do të thellohen edhe më shumë.“Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është një mundësi e mirëpritur për mua që t’ju përcjell, Shkëlqesia Juaj, në emër të Këshillit Federal Zviceran urimet tona më të sinqerta dhe dëshirat më të mira për prosperitetin e vendit tuaj, si dhe për shëndetin dhe mirëqenien tuaj personale. Jam e bindur se besimi reciprok dhe miqësia që dy shtetet tona gëzojnë do të thellohen edhe në vitin vijues. Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar në urimin e saj Doris Leuthard, Presidente e Konfederatës zvicerane.Edhe lideri austriak, Alexander Van der Bellen, në telegramin e tij dërguar presidentit Thaçi ka uruar mirëqenie dhe të ardhme të begatë për Kosovën dhe qytetarët e saj.“Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Kosovës me kënaqësi të madhe ua përcjell urimet e mia më të ngrohta. Përfitoj nga kjo mundësi të ju dërgoj urimet e mia më të mira për mirëqenien tuaj, si dhe për një të ardhme të begatë të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar lideri austriak.Ndërkaq, Presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella, në urimin e tij ka shkruar se marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të njohin perspektiva gjithnjë e më të gjera në rrafshin politik dhe atë ekonomik.

“Me rastin e festës kombëtare, kam kënaqësinë që në emër të popullit italian dhe në emrin tim t’ju përcjell urimet më të sinqerta për mirëqenien e popullit mik kosovar. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona vazhdojnë të njohin perspektiva gjithnjë më të gjera në rrafshin politik dhe atë ekonomik. Italia mbështet plotësisht përpjekjet e Kosovës në forcimin e institucioneve të saj demokratike dhe në zbatimin e reformave që çojnë vendin drejt një integrimi të thellë evropian. Për këtë qëllim – rritjes demokratike dhe stabilitetit – Italia kontribuon vendosmërisht edhe përmes pjesëmarrjes së saj në misionet ndërkombëtare të tilla si EULEX-i e KFOR-i. Edhe vetë Kosova është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin rajonal, veçanërisht përmes vazhdimit të dialogut me Serbinë. Duke konfirmuar edhe një herë miqësinë e qëndrueshme dhe afërsinë e Italisë me shtetin tuaj, shpreh urimet e mia më të mira për mirëqenien tuaj dhe atë të popullit mik kosovar”, ka shkruar presidenti italian.

Presidentin Thaçi e ka uruar edhe i pari i shtetit hungarez.

Kreu i shtetit hungarez, János Áder, në urimin e tij është shprehur i nderuar për të dërguar urimet e tij të përzemërta për presidentin Thaçi dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e kremtimit të Ditës së Pavarësisë më 17 shkurt.“Kam kënaqësinë të theksoj se vitin që shkoi marrëdhëniet tona janë thelluar edhe më tej dhe së bashku me kontaktet tona intensive ne kemi krijuar një kornizë për të përmirësuar bashkëpunimin tonë ekonomik. Hungaria mbetet një mbështetëse e përkushtuar për të ardhmen tuaj evropiane dhe vazhdon të ndihmojë Kosovën në jetësimin e aspiratave të saj euroatlantike. Ju uroj sukses të vazhdueshëm dhe urtësi në kryerjeve e detyrave në detyrën tuaj të lartë”, ka shkruar Presidenti i Hungarisë, János Áder, në telegramin e tij.Një urim të përzemërt me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi e ka marrë edhe nga presidentja kroate, Kollinda Grabar-Kitaroviq.Në urimin e saj, Grabar-Kitaroviq shkruan se Republikën e Kosovës dhe Republikën e Kroacisë i lidh miqësia e përhershme e popujve tanë, bashkëpunimi, si dhe interesat dhe synimet e shumta të përbashkëta. Në këtë frymë, presidentja kroate e ka ftuar presidentin Thaçi edhe për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.

“Ju përcjell, në emrin e qytetarëve të Republikës së Kroacisë dhe në emrin tim, urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe përvjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës, si dhe dëshira të sinqerta për prosperitet dhe suksese të reja për shtetin tuaj dhe popullin mik të Kosovës. Republikën e Kosovës dhe Republikën e Kroacisë lidh miqësia e përhershme e popujve tanë, interesat dhe synimet e shumta të përbashkëta, bashkëpunimi në shumë fusha, posaçërisht përkushtimi për rritjen e prosperitetin dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Në këtë frymë, kam nderin të ju ftoj për vizitë zyrtare Republikës së Kroacisë. Besoj se një vizitë e juaja Kroacisë do t’i japë një shtyse të re zhvillimit të marrëdhënieve tashmë shumë të ngushta mes dy shteteve tona dhe do të ofrojë një mundësi për të shqyrtuar propozime të reja për të begatuar lidhjet tona edhe më tej. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore zë një vend të rëndësishëm. Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm të ardhmen e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian e në NATO dhe është e gatshme që të vazhdojë të ofrojë ndihmë dhe të ndajë njohuritë dhe përvojat të procesit të procesit të saj integrues euroatlantik. Me shpresë që juve, zotëri president, do ta kem rastin t’ju gostis sa më shpejt të jetë e mundur në Republikën e Kroacisë, ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar presidentja kroate Grabar-Kitaroviq.

Letra urimi për këtë ditë kanë dërguar edhe Presidenti i Shqipërisë, Presidentja e Estonisë dhe Presidenti i Panamasë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në urimin e tij ka siguruar se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror. “I nderuar Zoti President, me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës. Përfitoj nga rasti të përshëndes, gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të organizatave më të rëndësishme të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane”, thuhet në letrën e presidentit Nishani.

Presidenti Nishani është shprehur se marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.“Ndaj edhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror. Me urimet më të mira e vëllazërore në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon letra e urimit e presidentit Nishani dërguar presidentit ThaçiPresidentja e Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid, në letrën e saj të urimit për presidentin Thaçi ka shkruar se është e sigurt se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen.“Më lejoni të ua përcjell juve dhe popullit të Kosovës urimet dhe dëshirat më të mira me rastin e lumtur të festës shtetërore të Republikës së Kosovës. Jam e sigurt se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen. Ju lutem, Shkëlqesia Juaj, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë si dhe dëshirat e mia më të mira për mirëqenien e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në letrën e presidentes Kaljulaid dërguar presidentit Thaçi.

Edhe Presidenti i Republikës së Panamasë, Juan Carlos Varela Rodríguez, e ka uruar presidentin Thaçi duke shprehur përkushtimin e tij për të punuar drejt konsolidimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.“Zotëri President, me rastin e kremtimit të përvjetorit të nëntë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në emër të popullit dhe qeverisë sime, me kënaqësi shpreh urimet më të ngrohta për popullin kosovar. Ju shpreh, Shkëlqesia Juaj, përkushtimin tim për të punuar drejt konsolidimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit, që fatmirësisht ekziston mes shteteve tona. Pranoni, zotëri President, respektin tim të thellë dhe shprehjen e konsideratës sime më të lartë dhe të veçantë”, ka shkruar presidenti Juan Carlos Varela Rodríguez në urimin e tij dërguar presidentit Thaçi.Më herët, presidenti Thaçi është uruar edhe nga krerë shtetesh dhe liderë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Zvicrës, Austrisë, Italisë, Hungarisë, Kroacisë, Malit të Zi, Belgjikës, Suedisë, Holandës, Emirateve të Bashkuara dhe San Marinos.

***

 Për Ditën e Pavarësisë, presidentin Thaçi e ka uruar edhe Presidenti i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq.Në urimin e tij, presidenti Vujanoviq ka shkruar se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë një shembull i bashkëpunimit të mirë fqinjësor në rajon.“Në emër të qytetarëve të Malit të zi dhe në emrin tim, ju përcjell urimet e përzemërta për festën shtetërore, 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Republikës së Kosovës i uroj stabilitet dhe përparim të mëtejshëm, ndërkaq qytetarëve të Kosovës mirëqenie. Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë një shembull i bashkëpunimit të mirë fqinjësor në rajon. Ato kontribuojnë fuqishëm në stabilitetin e tij dhe në të ardhmen prosperuese evropiane të qytetarëve të të gjitha shteteve të rajonit. Jam i bindur se do të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta në këtë drejtim. I nderuar zotëri president, ju uroj shëndet dhe suksese në detyrën tuaj të lartë”, ka shkruar Vujanoviq.Edhe Madhëria e Tij, Mbreti i belgëve, Philippe, e ka uruar presidentin Thaçi me rastin Ditës së Pavarësisë.“Me rastin e festimit të përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ju përcjell, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia për mirëqenie dhe shëndet për ju dhe për qytetarët tuaj”, ka shkruar në telegramin e tij Mbreti Philippe.

Kurse, Madhëria e Tij, Mbreti Carl XVI Gustaf i Suedisë, uron mirëqenie për popullin e Kosovës në telegramin e tij dërguar presidentit Thaçi.“Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj të përcjell Shkëlqesia Juaj urimet e mia më të sinqerta dhe dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj, si dhe për mirëqenien e popullit të Kosovës”, ka uruar Mbreti i Suedisë.

Edhe Madhëria e Tij, Mbreti i Holandës, Willem-Alexander, në urimin e tij dërguar presidentit Thaçi ka përcjell dëshirat më të mira për popullin e Kosovës.“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj ju përcjell, Ekselenca Juaj, urimet dhe dëshirat e mia më të mira për mirëqenien e popullit të Kosovës”, ka shkruar Mbreti i Holandës.Princi i Kurorës i Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, në telegramin e tij përcjell urimet për mirëqenie, prosperitet dhe progres.“Kam kënaqësinë që me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, Shkëlqesisë Suaj dhe popullit tuaj mik të ua dërgoj urimet më të ngrohta miqësore duke ju dëshiruar mirëqenie, progres dhe sukses nën udhëheqjen tuaj të urtë”, ka shkruar në urimin e tij Princi i Kurorës i Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndër urimet e tjera për Republikën e Kosovës që kanë arritur deri më tash është edhe një letër urimi për Ditën e Pavarësisë, që presidenti Thaçi e ka marrë nga Ministria e Punëve të jashtme e San Marinos.“Ju përcjellimet urimet tona më të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë, si dhe urimet më të mira për mirëqenien tuaj, për prosperitetin, progresin dhe mirëqenien e popullit mik të Republikës së Kosovës”, thuhet në urimin e Ministrisë së Jashtme të San Marinos.

Përgatiti për Diellin: Behlul JASHARI

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Krerët e shteteve urojnë, pavaresine e Kosoves

Le Soir: Permes Ramush Haradinajt Beogradi sulmon pavarësinë e Kosovës

January 19, 2017 by dgreca

Duke pasur për cak të sulmit Ramush Haradinajn Beogradi sulmon pavarësinë e Kosovës/

Gazeta prestigjioze e Belgjikës në gjuhën frënge publikoi një shkrim të gjatë të ish Përfaqësuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmutit dhe politologut të njohur nga Belgjika me origjinë shqiptare Safet Kryemadhit.

Shkrimi i plotë mund të lexohet në: http://plus.lesoir.be/node/78281#

Në këtë shkrim autorët sollën argumente të shumta që dëshmojnë se arrestimi i Ramush Haradinajt është arrestim i motivuar politikisht dhe i sajuar nga pushteti i Beogradit. Në mbështetje të kësaj teze autorët citojnë edhe thënien e Dobrica Qosiqit se “gënjeshtra është një karakteristikë e patriotizmit serb dhe se serbët gënjejnë për shkak të dashurisë dhe ndershmërisë”!

Mbi bazën e kësaj strategjie të mbështetur në gënjeshtra autorët sjellin dokumente nga i ashtuquajturi “Libër i Bardhë” i përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të kësaj lufte. Fletë-arresti kundër Ramush Haradinaj duhet të shihet si rezultat i kësaj strategjie.

Autorët përfundojnë shkrimin e tyre duke tërhequr vëmendje në faktet se “Ramush Haradinaj është hero i luftës heroike të popullit shqiptarë të Kosovës kundër politikës gjenociadare të Millosheviqit. Të veprohet në bazë të akuzave të Beogradit është përpjekje për të kriminalizuar këtë luftë dhe nga « populli i ndaluar » që u pavarësua rishtas të krijohet një “popull ilegjitim”. Është në nder të Francës që të mos mohojë angazhimin e saj të djeshëm, të rreshtuar në anën e shqiptarëve, për të pamundësuar që barbaria ta ketë fjalën e fundit siç pati deklaruar ish presidenti francez Jacques Chirac.

Filed Under: Komente Tagged With: Beogradi sulmon, Le Soir: Permes Ramush Haradinajt, pavaresine e Kosoves

JAHJAGA: GËZUAR PAVARËSINË E KOSOVËS, ËNDËRRA E SHQIPTARËVE GJATË NJË SHEKULLI

February 16, 2016 by dgreca

– Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës/
– Presidentja: Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri./
Prishtine, 16 shkurt 2016/
I nderuar Kryeministër Mustafa,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
I nderuar senator Korker,
I nderuar kongresist Terner,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues te misioneve ndërkombëtare në shtetin tonë,
Të nderuar familje të Dëshmorëve,
Qytetarë të dashur,
Zonja dhe zotërinj,
Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri.
Shteti ynë lindi me shumë mundime. Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t\’i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë.
Është pikërisht ky rrugëtim i jonë i përbashkët dhe përjetim i përveçëm për secilin prej nesh që e forcon themelin e Kosovës që e bëmë bashkërisht shtet. Na bën secilit t\’i gëzojmë privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit kosovar – përfshirë përgjegjësinë historike për ta përmbyllur këtë cikël shtetndërtimi – njëkohësisht. E bën Kosovën idealin e vetëm, sepse Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh.
Sakrifica për të arritur deri këtu na bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj, për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t\’i rikthyer në busullë të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tonë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë. Ju faleminderit që jeni përkrah nesh Ambasador Delawie, Kosova nuk ka mik më të madh. Ambasadorë të nderuar, ju faleminderit për mbështetjen e pakursyer.
Këtë vit më shumë se çdo vit tjetër i kemi përjetuar dhimbjet e rritjes. Në kontekst të tillë, mospajtimet janë kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të patestuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë. Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tonë. Kjo është ditë e shumëpritur, kjo është ditë e shenjtë që nuk shndërrohet në kontestim të dashurisë për atdheun.
Është e padiskutueshme që kemi shumë punë. Shumë punë për të kërkuar drejtësi për ata që nuk janë më. Punë për të përfshirë secilin qytetar, pa dallim etnie, në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët. Punë për t’i thënë jo korrupsionit që po monopolizon fuqinë në duart e një pakice që ia mohon të drejtën e barabartë për të konkurruar, punuar dhe për të krijuar mirëqenie qytetarit të Kosovës. Punë për të arsimuar gjeneratën e ardhshme. Për ta mbajtur atë të shëndoshë. Vendosmëri për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që nuk i kanë përfaqësuar interesat e qytetarëve denjësisht.
Padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi. Por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet. E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr gjeneratash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë.
Kosova do të ecë përpara, ballëhapur e e patrembur. Qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë insistues për të ardhmen e tyre të pakthyeshme evropiane, të palëkundur në besimin që ditët e mira për Kosovën vetëm sa kanë filluar.
Qytetarë të Republikës së Kosovës, Urime 8 vjetori i pavarësisë. Të jemi krenarë me arritjet tona të përbashkëta dhe të mos ndalemi të aspirojmë më shumë.
Gëzuar Kosovë!

Filed Under: Kronike Tagged With: E PATËN ËNDËRR, JAHJAGA: GËZUAR, pavaresine e Kosoves, PËR NJË SHEKULL, QË BREZAT

Përse nuk e feston opozita pavarësinë e Kosovës?!

February 13, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Opozita me tri partitë politike me programe e vizione të ndryshme nga njëra-tjetra, përkatësisht Vetëvendosja, AAK dhe Nisma, kanë thirrur qytetarët, që më 17 shkurt të protestojnë. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar se protesta e opozitës më 17 shkurt, ditën e pavarësisë së Kosovës, do të jetë protesta më e madhe në historinë e shtetit më të ri të Europës, duke shfaqur kështu dëshirën e fshaheu që kjo ditë mundësisht të shndërrohet në betejë e përleshje midis protestuesve dhe policisë së shtetit.
Data e 17 shkurtit 2008, pra shpallja e pavarësisë së Kosovës, ishte ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar, e barabartë me ngjarjen e 28 nëntorit 1912, sepse 17 shkurti plotësoi gjysmën e asaj që mungoi për një shekull nga dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali. Në Shqipëri nuk ka ndodhur, së paku prej 103 vjetësh, që në ditën e pavarësisë së vendit të protestohet. Ka patur lëvizje të majta e të djathta, qeveri të majta e të djthta, ka pasur kriza e konflikte politike të njëpasnjëshme, ka pasur mbretëri, diktaturë komuniste, demokraci në zhvillim, anarki, e mëgjithatë nuk ka ndodh ndonjëherë që ditën e pavarësisë së vendit të bëhet ndonjë protestë. Se dita e pavarësisë është si dita e Bajramit, apo si dita e Pashkëve, është ditë e shenjtë, me të cilën nuk guxon kurrkush në çdo lloj forme e për asnjë arësye të luajë.
Në Prishtinë po ndodh për herë të parë në histori që ditën e pavarësisë së Kosovës opozita të bëjë protestë. Ajo e ka thirrur protestën gjoja përkundër asosacionit të komunave serbe dhe vijës së demarkacionit. Por organizimi i saj në ditën e pavarësisë është një goditje që i jepet shtetësisë së Kosovës. Një goditje e rëndë, një goditje që nuk do ta kishin mundur ta fusnin në skenarin e tyre as armiqtë e kundërshtarët e shtetit të Kosovës e të kombit shqiptar. Të mobilizosh e të thërrasësh njerëzit në protestë ditën e shenjtë të pavarësisë do të thotë të kundërshtosh një proces të mundimshëm, të realizuar me shumë mund e sakrifica. Do të thotë të mohosh sakrificën e gjakun e dëshmorëve, do të thotë të shkelësh aspiratën e kombit tënd për liri. Të protestosh ditën e pavarësisë do të thotë se je kundër saj, pa thënë se për çfarë opsioni tjetër lufton e punon. Do të thotë se nuk pajtohesh me lirinë që shqiptarët dhe pakicat tjera në Kosovë e fituan pas çlirimit të Kosovës. E di se opozita thotë të kundërtën dhe këto që rendis këtu ia atribuon qeverisë. Dhe nuk është se nuk ka të drejtë në argumentin e saj. Por mjaftojnë 365 ditë të tjera ta shprehë revoltën e saj kundër qeverisë. Them 365 ditë të tjera se ky vit na ka qëlluar me 366 ditë. Një ditë, dita e pavarësisë, nuk është vetëm e qeverisë, është dita e opozitës dhe e të gjithë shqiptarëve papërjashtim, e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Megjithatë opozita zgjodhi pikërisht këtë ditë të shenjtë të reagojë me protest, qëllimi dhe rrjedha e së cilës është e frikshme.
A është kjo një tregues se në Kosovë po zhbëhet liria dhe pavarësia?! Derisa shqiptarët nuk kanë njohur ndonjë projekt tjetër se çfarë do të vijë pas kësaj, duhet menduar se opozita e Kosovës po lufton kundër vetëvetes, kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Argumenti se është qeveria përgjegjëse dhe se ajo po e zhbën pavarësinë e Kosovës mund të përdoret, siç thashë 364 ditë të vitit, por jo në të vetmen ditë të shenjtë të kombit, në ditën e pavarësisë. 17 shkurti është ditë e shenjtë, ditë e bekueme prej Zotit, prej kombit shqiptar dhe prej aleatëve tanë perendimorë, të cilët dikush nga Vetëvendosje i konsideron si “imperialistë”. Dita e pavarësisë është e paprekshme, siç nuk preken shenjtët dhe profetët, Krishti dhe Muhameti.
Por kush po e zhbën edhe formalisht pavarësinë e Kosovës? Revolucionarët majtistë bolshevikë të bashkuar me një pjesë të luftëtarëve për lirinë e Kosovës, madje me parulla nacionaliste. Me revolucionarët majtisë të vetëvendosjes, me aventurierët Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti është bashkuar edhe Ramush Hajredinaj dhe Fatmir Limaj, pastaj ndonjë tjetër pjestar i Luftës Çlirimtare të Kosovës. Analistët kanë theksuar se këta janë bashkuar me një qëllim tjetër, anullimin e krijimit dhe funksionimit të Gjykatës Sepciale, e cila do të shqyrtojë disa raste të inkriminimit të disa individëve, ndoshta dhe drejtues të UÇK-së, në periudhën e luftës e të pasluftës. Me shumë gjasa kjo është arësyeja kryesore dhe për këtë shkak ka nga ata deputetë në mazhorancë që i duartrokasin veprime të tilla anarkiste.
Kjo do të thotë se të dy palët, anëtarët e Vetëvendosjes, pjesa që nuk ka lidhje me luftën si dhe pjesa e lidhur me Luftën, janë bashkuar me një qëllim: Të kundërshtojnë faktorin ndërkombëtar në Kosovë. Kjo do të thotë se “qeni i shtëpisë po na e sjell ujkun në oborr”. Dmth po revokon pavarësinë dhe po ia bën një shërbim ujqve që e patën shqyer Kosovën për një shekull, për t’i rikthyer prapë në Kosovë. Ani pse parullat e tyre janë për “ta përzënë Serbinë nga Kosova”. Serbia nuk përzihet me parulla, por me zgjuarsi, me projekte konkrete, me bashkëpunimin e palëve, me harmoninë politike e sociale të Kosovës, me institucionalizimin e shtetit, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me funksionimin e parlamentit dhe institucioneve të tjera dhe mbi të gjitha me forcimin e aleancës së shenjtë të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera aleate europiane.
Uroj që protesta e 17 shkurtit të anullohet dhe Shpend Ahmeti në vend të vendosë pankarta e të bëjë thirrje për demonstratë antipavarësi, t’i rikthehet detyrimit ligjor që ka për të krijuar atmosferën e festës së pavarësisë, të asaj pavarësie që rrezikohet çdo ditë nga aventura të tilla.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Opozita, pavaresine e Kosoves, Përse nuk e feston

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!
  • Kosova para 32 viteve: Serbia ua ndaloi shqiptarëve edhe gazetën e vetme të përditshme Rilindja
  • FRANCE-SOIR (1949) / “NJË PLEBISHIT DUHET TË VENDOSË PËR FATIN E SHQIPËRISË…”— DEKLARATA E MBRETIT ZOG NË KAJRO

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT