Luan Dode/
Për herë të parë në periudhën paskomuniste paraqitet një monografi mbi historinë e ngritjes dhe të veprimtarisë së Partisë Komuniste Shqiptare (PKSh) në periudhën e parë të jetës së saj, që përfshin harkun kohor nga ngritja në nëntor 1941 deri në ardhjen në pushtet në nëntor 1944. Në trajtimin e mëposhtëm, për orientim në kllapa katrore tregohen faqe të librit në fjalë, nga ku mund të gjendet burimi origjinal. Shtabi i komunizmit botëror – Internacionalja e Tretë Komuniste – (IK), që me akronimin rusisht u quajt shkurt Komintern, i cili në kohën kur lindi më 1919 ishte institucioni më i pasur në botë [2, 4-5], pasi kishte dështuar në Shqipëri për 20 vjet, në fillim të vitit më 1939 ngarkoi Patinë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) për të ndihmuar në ngritjen e një partie komuniste në Shqipëri [33]. Nga ky vendim dilnin prej Kominternit dhe fondet përkatëse për subvencionimin e partisë së re. Por, për shkak të Paktit të mos-sulmimit Molotov-Ribentrof, PKJ u zgjua nga gjumi jo kur Vehrmahti gjerman sulmoi dhe shkatërroi Jugosllavinë më 6-18 prill, por më 22 qershor 1941 kur ai sulmoi Bashkimin Sovjetik, burimi ideologjik e financiar për partitë komuniste. [35]
Kështu, në gusht-shtator të atij viti, të dërguar në Tiranë si të deleguar të PKJ e të pranuar edhe si përfaqësues të Kominternit, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha punuan për rreth tri javë për të vënë në hulli krerët e tre prej grupimeve kryesore komuniste – të Grupit Komunist të Korçës (GKK), Grupit Komunist të Shkodrës (GKSh) dhe Grupit Komunist të Të Rinjve (GKR) – për t’u bashkuar në një parti të vetme [40]. Dy instruktorët e PKJ uzurpuan KQ të PKSh [53-54].
Terrori kriminal filloi të indoktrinohej te komunistët shqiptarë prej dy emisarëve të PKJ që në ditët e para të punës së tyre. Dushan Mugosha shkruan se në një nga temat që zhvillonte nëpër mbledhje me komunistët shqiptarë përpara formimit të partisë komuniste ishte dhe “terrori individual”. Në një nga ato mbledhje ai kishte hasur kundërshtimin e Isuf Keçit anëtar i GKR, i cili duke shprehur pikëpamjen e grupi të vet, nuk ishte për terrorin individual [222].
Veterani komunist, këpucari Pandi Kristo [44, fundshënim nr. 4], ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror (KQ) të PKSh, më pas i dënuar me burg e internim prej shokëve të vet, duke përmendur vrasjet e para brenda radhëve komuniste – vrasjen e Niko Xoxit dhe të Gaqo Plakut – të cilët sipas tij u dënuan me vdekje nga treshja Miladin-Dushan-Enver –, thotë se deri para ardhjes së instruktorëve të PKJ nuk kishte pasur asnjë lloj praktike të tillë [222].
Në zgjedhjet e para lokale të Partisë, në krye të Komitetit Qarkor të Tiranës për periudhën dhjetor 1941 – prill 1942 u zgjodh Halit Petrela anëtar i ish-GKR i cili si i tillë në prill 1942 u përjashtua nga Partia. Pas prillit 1942 ‘Partia’ e dënoi me vdekje H. Petrelën si «i pakënaqur», “motivacion ky në modë në atë kohë”, shkuan militanti komunist ish-anëtar i KQ të Partisë së Punës (PPSh) – siç u quajt PKSh pas vitit 1948 –, Todi Lubonja, i cili shumë vite më pas i jetoi vetë burgjet e tmerrshme të pushtetit për të cilin luftoi. [Përkatësisht: 65, fundshënim nr. 5./ T. Lubonja, Nën peshën e dhunës: kujtime. Tiranë, Mësonjëtorja, 1998: 259.]
Në fillim të shtatorit 1943 veterani komunist marangozi Kristo Themelko, anëtar i KQ të PKSh, komisar politik i çetës së Pezës, (që po ashtu ka qenë burgosur e internuar nga Partia e vet), i shkruante Gogo Nushit (Sekretar politik i Komitetit të Partisë të rrethin të Tiranës): “Keq me ballistët, gjithkund duhet të luftohen me rreptësi që t’i zhdukim fare” [211, fundshënim nr. 2]. Më 25 tetor Themelko i shkruante Nushit se i kishin sjellë në Pezë dy të rinj ballistë “ish studentë”, të arrestuar si “të rrezikshëm”. Ai mendonte “me i pastrue këta derra në rast se janë të rrezikshëm”. Pasi pyeste çfarë duhej bërë me ta, me humor makabër shtonte: “ne jemi ushtarakë dhe do t’i zhdukim; sa për kështu jemi të fortë ne të Pezës”. Del se Myslim Peza, komandant i çetës dhe zëvendëskomisari Masar Shehu nuk ishin për vrasjen e dy të rinjve. Dy të rinjtë Besnik Ҫano 22 vjeç (Ҫano, në prill 1943 ndërpreu studimet në Itali dhe u kthye në atdhe për të luftuar kundër pushtuesit. U bashkua me Ballin Kombëtar.) dhe Qeramudin Sulo, 21 vjeç, pasi u mbajtën të arrestuar pak ditë në Pezë, u masakruan barbarisht dhe u vranë më 29 tetor 1943 diku midis Pezës e Kavajës nga Papa Hasani prej Manastiri dhe Leon Katarivasi nga Shkupi, të sjellë në Pezë prej Mugoshës [225].
Le të përmendim se në kongresin e VII të Kominternit u freskua çështja e luftës civile të ngritur në Kongresin II. Aty u tha: “Detyra kryesore e partive të Internacionales Komuniste është (…) kthimi i luftës imperialiste në luftë civile” [208]. Në raportin e përgatitur për Kominternin (të padërguar) Koço Tashko shkruante: “nuk harrojmë që edhe pas fitores në Frontin Sovjetik, do të kemi edhe një tjetër periudhë lufte civile brenda këtu në Shqipëri” [208, fundshënim nr. 4.]
Si hap paraprak drejt luftës civile mund të konsiderohen mynxyrat e kryera nga Brigada e Parë e UNҪ që u ngrit më 15 gusht 1943, me 556 partizanë të zgjedhur [197]. Ngritja e saj që përkoi me ardhjen e oficerëve të parë britanikë pranë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, u shoqërua pra me instruktimin e pajisjen e partizanëve. Komandant i Brigadës u caktua krimineli i njohur që në atë kohë, Mehmet Shehu ndërsa komisar politik marangozi Tuk Jakova anëtar i Politbyrosë së PKSh. Pas pesë ditësh Shtabi i Përgjishëm (ShP) emëroi zëvendëskomisar Dushan Mugoshën. Jakova ankohet se në Brigadë ishte një “askush” para Dushanit [197-8]. Tashti, duke qenë pranë shtabit komunist dhe komandant i Brigadës I, Mehmet Shehu e kuptonte pse nuk kishin qenë me vend kritikat që ai bashkë me të tjerë kishin bërë në adresë të çetave të rajonit të Korçës për mungesën e veprimtarisë luftarake kundër armikut [139] ; ata nuk e kishin kuptuar kush ishte armiku i vërtetë për komunistët. Herët Misioni Britanik do të arrinte në përfundimin se detyra kryesore që iu caktua Brigadës I nuk ishte lufta kundër pushtuesve por “për të luftuar kundërshtarët politikë” [197, 199]. Në studimin Partia Komuniste Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, jepen dokumente të cilat tregojnë qartë kërkesën e KQ të PKSh – mund të themi të dyshes Popoviç-Hoxha – ndaj bazës komuniste, për luftë civile [209-211, 212-214 , 216-218.]. Komunistët erdhën në fuqi tamam nëpërmjet të asaj lufte që u shoqërua me terror e me krime mizore.
Nga Brigada I, deri në tetor1943 në katundet Surrel, Priskë dhe Pravesh të rrethit të Tiranës janë torturuar e pastaj pushkatuar mbi 60 vetë. Me 9 tetor në katundin Priskë e Madhe të rrethit të Tiranës, Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha urdhëruan vrasjen pa gjyq të 13 nacionalistëve, mes tyre dhe 6 gjindarmëve të Postës së Gjindarmërisë së Priskës, të dorëzuar në besë. Ata u torturuan të gjithë. Me propozim të Shehut dhe me miratim të Ramadan Ҫitakut, anëtar i Politbyrosë së KQ të PKSh, rreh 16 tetorit Brigada I me komandant Shehun dhe komisar Jakovën pushkatoi në Malin me Gropa afër Labinotit (Elbasan) 140 karabinierë italianë të dorëzuar së bashku me disa oficerë, dy nënkolonelë dhe komandantin e karabinierisë në Shqipëri kolonelin Gamuçi, për t’iu marrë teshat. Kur ishte në Dumre, Mehmet Shehu, njëherazi kryetar i gjykatës së Brigadës I, urdhëroi pushkatimin e 60 ballistëve të dorëzuar në fshatin Matjan të Myzeqesë. Shehu dhe Jakova raportojnë se ndërkohë kishin bërë tre aksione kundër gjermanëve por nuk flasin për ndonjë ushtar gjerman të plagosur [223-4]. Problem ishin bërë dhe vrasjet brenda Brigadës I, që bënte çifti Shehu-Mugosha [199, në fundshënim nr.1; 222.]. Dejvid Smajli (David Smaili) shkruan për Shehun: “Lavdërohej se ai vetë kishte therur 70 karabinierë italianë të zënë robër” [197, në fundshënim nr.7.]. Më 18 tetor teqepunuesi Koçi Xox, anëtar i Politbyrosë së KQ të PKSh, i shkruante E. Hoxhës se “pas vrasjes së gjithë shtabit të Ballit në Devoll, 6 veta në një ditë prej çetave tona”, pritej të shpallej sot a nesër gjendja e luftës me Ballin [225]. Më 22 nëntor Enver Hoxha i shkruante Kristo Themelkos: “Përsa i përket atyre që kanë dezertuar (nga luftimet) e sidomos shokët si Stav(ri), mos i (përjashto nga Partia), po i thirr në Pezë, i (kalo) në gjyq dhe i pushkato” [226]. Nako Spiru i shkruante Popoviçit: “Më 7 mars 1944, Brigada I vrau Haki Blloshmin , zuri 200 robër (dhe) vrau disa nga krerët ballistë: Xhevdet Blloshmi, Bame Trebinja, Sadik Betrebi, Xheladin Ago Selca, Adem Ago Velçani, Adem Kapri dhe të birin e Hasan Bej Velçanit. (…). Në zonën Librazhd-Martanesh vrau 28 krerë të Ballit (sipas Ҫelo Hoxhës viktimat ishin banorë të thjeshtë të fshatit Peshk të Martaneshit” [226]. Me një letër të 21 marsit Hoxha dhe Spiro Moisiu (komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNҪ) urdhërojnë goditjen dhe marrjen e Pogradecit dhe të Starovës. Për Starovën porositej “kapja e bejlerëve” dhe “djegia e shtëpive të tyre”; për Pogradecin shpresohej që, “veç suksesit politik”, “mund të furnizojmë me veshmbathje dhe me ushqime forcat e Brigadës I” [226]. Në një letër të 22 prillit që Stefan Dh. Grabocka i dërgonte ShP te UNҪ shkruan se thuhet se në Grabockë nuk kanë mbetur më shumë se 7-8 shtëpi. Sipas tij “prej Korçe ishin kënaqur mjaft duke parë flakët e shtëpive të fshatit Dërsnik të ndritnin natën në errësirë” [227].
M. Popoviçi dhe bashkangjitur E. Hoxha me shokë, në vend të dënonin veprimet për rekrutime me forcë [Shih: Ҫelo Hoxha, Krimet e komunistëve …, p.sh.: 207, 217, 218, 219, et..] të cilat sillnin dezertime, jepnin udhëzime e urdhra për të dënuar dezertorët.
Një tufë aktesh kriminaliteti janë porositë e dhëna nga Enver Hoxha apo hapa të marra personalisht prej tij për zhdukje kushërinjsh e miqsh, shokësh komunistë apo personash të tjerë, me porosi dërguara N. Spirut, G. Nushit e të tjerëve për ‘dekorim’ (që kishte kuptimin “ekzekutim me plumb ballit”), si për shembull për Sotir Kondin, Zef Malajn ish-krytari i GKSh [306], për Anastas Plasarin një autoritet i Grupit Komunist Zjarri (GKZ) [308], Mustafa Gjinishin figurë sfiduese për E. Hoxhën, apo për Llazar Fundon. Për Fundon, që kishte qenë një veprimtar i shquar i Kominternit [Lazitch, B. and Drashkovitch, Biographicall…, California, 1986: 131.], por që kishte dënuar krimet e kryera nga Stalini [34, fundshënim nr. 4], Hoxha duke menduar se tregonte bindje ndaj Titos që kishte qenë nga kolonelët e Kominternit, jepte një porosi të llahtarshme: “Fundon, ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni” [133, fundshënim nr. 2]. Më 16 gusht 1944, në fshatin Ndëran të Zagorisë urdhëroi pushkatimin e përfaqësisë së Gjirokastrës të përbërë nga Xhemal Babameto, Neki Xheneti dhe Vehip Hasani, duke qenë vetë në Odriçan, disa kilometra nga Ndërani [Musta–Kokalari, 45]. Në shtator të vitit 1943, tashmë formalisht në krye të PKSh, Enver Hoxha ka shkuar personalisht në Fier për të organizuar vrasjen e shokut dhe kushëririt të vet Abas Omarit, djali i vajzës së “babait” të Enverit – të baba Ҫenit – i cili e kishte strehuar Enverin në Paris edhe pas prerjes së bursës universitare. Aksioni dështoi por pas ‘çlirimit’, më 1945 Abaz Omari u dënua me vdekje dhe u pushkatua, e jo siç pretendon E. Hoxha se qenka kapur nga partizanët të cilët e paskan pushkatuar. [Përkatësisht Hoxha, Vite të rinisë: 185./ Musta–Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, Tiranë 1966: 24-25.
Në ditët e zeza të ‘çlirimit’ të Tiranës komunistët vranë pa gjyq mbi njëqind vetë para portave të shtëpive, nëpër rrugë apo nëpër bodrume [299-300]. Përgjigjet që u ka dhënë E. Hoxha bashkëshorteve të Vesim Kokalarit dhe të Surja Kokalarit të vrarë në bimsat e një hoteli, janë çnjerëzore [Musta–Kokalari: 46, 50]. N. Spiru ka thënë: “Vrasjet në Tiranë janë një mur edhe më i madh” [308].
Rastet konkrete janë të shumta. Për ato që janë të dokumentuara nëpër arkiva rekomandojmë librin e Ҫelo Hoxhës me titull Krimet e Komunistëve gjatë luftës 1941-1945 (dokumente), Tiranë 2014, ku tregohen krimet e bëra nga PKSh dhe Ushtria Nacionalçlirimtare. Në fund të librit jepet një listë me 265 emra (të radhëve partizane) të cilësuar «Përgjegjës për krime lufte».
Për përgjithësime po paraqesim diskutime të bëra në Plenumin e 2-të KQ të PKSh të zhvilluar në Berat pak ditë para çlirimit, më 23-27 nëntor 1944, ku është shqyrtuar dhe lufta civile e terrorizmi si metodë pune në PKSh [305-309]. Enver Hoxha, duke dashur të tregohet se i rëndon shumë gjendja e krijuar, rrëfehet: “Jo vetëm te ushtari i thjeshtë, por edhe te anëtari i Partisë ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij që i dhimbset jeta e tjetrit (…) Shokët tanë e kanë humbur këtë gjë, e në radhë të parë, udhëheqësit, e përmbi ta anëtarët e Komitetit Qendror. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne (…) të zhdukin anëtarët e Partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”. “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu (Popoviçi) me Lirinë (Gegën) (…) Në këtë pikë unë isha pasqyra e Aliut”. Tuk Jakova, që hiqet sikur s’ka qenë i pranishëm në veprime terroriste masive, kritikon: “Qysh në fillim me lindjen e ushtrisë (…) zhvillohet tendenca terroriste. Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq dhe pa faj. Këtë frymë e ka futur Dushani. (…) Kështu ushtria sot duket sikur ka dalë të mbysë popullin”. Sipas H. Kapos: “Gjëja më e keqe ka qenë fryma terroriste si në organizatat (e Partisë) ashtu dhe në ushtri. (…) Shpirti terrorist ekziston edhe sot, edhe te përgjegjësit. (…) Këtë shpirt e ka futur Dushani që na fliste me simpati për një punë të tillë. (…) Te Shulja (K Themelko) unë shoh fytyrën e Dushanit e të Miladinit”. Manush Myftiu thotë: “Edhe në Vlorë ne kemi menduar se ata që s’ishin me ne, duhej të zhdukeshin. Kishim një listë prej 42 vetash që i kishim dënuar me vdekje dhe një pjesë e tyre s’kishte faj. (…) Me Mehmet Shehun kemi biseduar, meqë Shqipëria do të çlirohej shpejt dhe popullit do t’i jepej mundësia e zgjedhjeve, reaksionarët duheshin zhdukur që më parë”. Sejfulla Malëshova kritikon: “Mënjanë e vrasim Mustafa Gjinishin, në anën tjetër e paraqesim atë si hero përpara popullit dhe Partisë. (…) Me terror po i zgjidhim të gjitha punët. (…) I masim shokët nga brutaliteti dhe kriminaliteti”. Përfaqësuesi jugosllav që komandonte Plenumin, koloneli Velimir Stojniç, tha: “Në Partinë tuaj ka shumë shembuj që tregojnë se kanë rënë koka të pafajshme të anëtarëve të Partisë. (…) Unë jam dakord me Sejfullaun (Malëshovën) që thotë se Partia ka marrë rrugën e degjenerimit në një bandë kriminelësh”.
Raste karakteristike: N. Spiru ka thënë: “Kur ne shkojmë në Veri me forca kaq të gjera dhe vihemi në kontakt me popullin, në vend që të bashkohemi më shumë me popullin, ne i kallim atij tmerrin” [221].
Në një letër që Liri Gega, si përfaqësuese e KQ të PKSh pranë forcave partizane që kishin shkuar në Veri, i dërgon shokut të vet të ngushtë, Miladinit, shkruan: “Duke luftuar kundër reaksionarëve shqiptarë, nuk po i vjen radha të luftojmë gjermanët. Kam frikë se (…) do të harrojnë partizanët luftën me gjermanët” [222].
Në Plenumin e mësipërm Enver Hoxha dhe shokët e tij pohuan qartësisht se gjatë gjithë kohës së Luftës nuk kishin qenë veç nxënës së dy instruktorëve të PKJ – të Miladinit dhe të Dushanit –, dhe se praktikisht Komiteti Qendror i PKSh identifikohej me Miladin Popoviçin. (302-305)
Shtojmë se në botimin e librit Partia Komuniste Shqiptare në Luftën e Dytë Botërore mungojnë treguesit e emrave të njerëzve dhe termave gjeografike. Këto të dhëna gjenden dhe mund të kërkohen me postë elektronike pranë autorit (luandode@hotmail.com).