Ndriçim Kulla/
Krist Maloki një mendimtar brilant i viteve tridhjetë, sëmundjet tona shoqërore, shpirtin tonë të tallazitur, karakterin tonë të ashpër e të papërcaktuar e shikonte te filozofia që sollën pushtimet e huaja, sidomos dy perandoritë që qëndruan disa shekuj me radhë. Konkretisht Maloki, mendimtar i kësaj periudhe, problemin shqiptar e shihte te orientalizma e cila e kalbi në trup dhe në shpirt shqiptarin, duke ia shpërbërë fuqitë e tij fisnike dhe kombëtare. Ndryshe nga shumë të tjerë që orientalizmën shqiptare e shpjegonin vetëm si dhuratë të turqve K. Maloki këtë orientalizëm e gjeti 600 e ca vjetë më parë se turqit të pushtonin Shqipërinë. Orientalizma shqiptare – shprehet ky autor, – i ka rrënjët aty nga vitet 740 kur Shqipëria u bë pronë e Bizantit në Leonin e III-të të quajtur Isaurios. Është koha kur shqiptarët u detyruan nga Isaurios të dilnin nga kisha Romake (oksidentale) e të futeshin në labirinthet e errëta të Kishës Bizantine (orientale) të atëhershme. Për të nuk ishte aq e fortë dhe me peshë ndarja kishtare se sa ai shpirt skëterrë i administratës bizantine. Midis bizantizmës historike dhe orientalizmit shqiptar qëndron shenja e barazimit. Orientalizmi ynë është një dhuratë fatale e kristianizmit euro-aziatik. Me këtë origjinë ajo shkatërroi vetitë e larta ndërmjetësuese-kolektiviste, marrëdhëniet e shqiptarit me shqiptarin, dhe marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin dhe eprorët e tij. Biznatizma historike si një epidemi rrënimtare e shkatërroi dhe e deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit.