Sokol Paja/
New York më 23 Mars 2022, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra organizoi një promovim mbresëlënës të librit “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” të studiueses Prof. as. Dr. Jonela Spaho, Dekane, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë. Nën prezantimin dhe drejtimin e promovimit nga Dr. Pashko Camaj, studiues të letërsisë, historisë, vatranë, miq, media, artistë, diplomatë e personalitete shqiptare në diasporë nderuan këtë promovim në respekt të një prej figurave të shquara kombëtare si Kristo Floqi. Studimi “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” paraqet jetën dhe veprën e gjërë të Kristo Floqit në Vatër, në Diell, në politikë, media, jurisprudencë, kulturë, komedi, dramaturgji, poezi por fokusohet veçanërisht te veprimtaria e Kristo Floqit si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti ku Floqi ishte një nga juristët më të shquar të kohës, sepse ishte organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip. Ambasador Mal Berisha theksoi në fjalën e tij se libri Profesoreshës Spaho përveç se sjell përpara lexuesit tonë një biografi shume të detajuar të një jete a-tipike, epike të një patrioti të madh me një fund të dhimbshëm – si i shumë patriotëve të tjerë shqiptar, që e preken fundin gjatë kohës së komunizmit – është një kontribut shumë i vyer në historinë e teatrit dhe fjalës artistike në kulturën tonë shqiptare skenike. “Është ky një kontribut i cili vjen natyrshëm në libër përkrah pasqyrimit të jetës së Floqit, dramave, vështirësive, angazhimeve të tij gjatë tërë jetës dhe në pika të ndryshme aty ku çështja shqiptare ishte më e pranishme, më e nxehtë dhe më e nevojshme për neve. Aty gjëndej ai përherë dhe përherë i gatshëm për sfidat” citoi në fjalën e tij Ambasador Mal Berisha. Emri i Kristo Floqit sipas Ambasador Berishës, tani radhitet përkrah dramaturgëve tanë më të mirë të letërsisë shqipe, ndërsa emri Prof Jonela Spahos, në radhën e historianëve por edhe të Estetëve tanë më të mire e një biografjeje shumë të mirë por edhe e një estetje që i mungonte kritikës sonë të teatrit. Ish editori i Diellit, Dalip Greca, tha se libri i studiueses Prof. as. dr. Jonela Spaho “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare”, mendoj se përbën përpjekjen të deritanishme më serioze për nxjerrjen nga errësira në dritë të personalitetit të njërit prej intelektualëve të elitës së kohës, avokatit, gjykatësit, ministrit, gazetarit, drmaturgut, komedianit, poetit, oratorit të shkëlqyer Kristo Floqi. Studiuesja Spaho, duke përdorur të gjitha burimet e kufizuar të literaturës së trashëguar, veçanërisht shënimet autobiografike të K. Floqit në katër vëllime, dokumentet në Arkivin e Shtetit, por dhe shtypin e kohës, dhe burime të tjera, ka bërë të mundur që të kemi ndër duar një studim të plotë, ku nuk mungojnë edhe detajet më të imta të jetës së tij të vështirë, deri në momentin e arrestimit dhe burgosjes nga diktatura komuniste. Autorja e librit ka arritë në përfundimin e argumentuar se: Kristo Floqi është pa dyshim një nga autorët më popullorë të letërsisë shqipe, veçanërisht dramaturgjisë dhe komedisë shqiptare në periudhën 1912-1939. Vepra e tij juridike, politike, publicistike dhe sidomos ajo letrare ka qënë e njohur gjerësisht në periudhën kur ai e shkroi atë, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, emri i tij u harrua ose u përmend shkarazi. Për ne vatranët, tha Greca, merr rëndësi të veçantë kontributi i Kristo Floqit dhënë në gazetën Dielli si organ i Besa-Besën, dhe roli prijës i tij në themelimin e Vatrës. Edhe pse koha që drejtoi Diellin ishte e shkurtër, 20 Shtator 1911- 28 prill 1912, por ai la gjurmë sepse vuri themelet e bashkimit të shoqatave në Federatën “Vatra”. Floqi i priu bashkimit edhe me oratorinë e tij, shkoi kudo ku jetonin shqiptarët, në 32 shtete të Amerikës, dhe zhvilloi më shumë se 1000 konferenca. Ai hartoi thirrjen për bashkim, drejtoi takimin e parë të shoqatave, dhe dha ndihmesë të madhe gjatë procesit të bashkimit si pjesë e komisionit themelues, proces që nisi me 11 dhjetor 1911 dhe përfundoi me 28 prill 1912. Floqi ishte kontributor edhe në krijimin e degëve të Vatrës. Sipas politologut Akri Çipa Kristo Floqi ndërton një profil të lakmueshëm që do të përfshinte aktivitetin e tij privat e publik në fushën e jurisprudencës, për të kaluar, me qartësimin e fatit të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, në poste qeveritare dhe të përfaqësimit politik. Megjithë rikthimet ciklike në profesionin e tij si jurist, angazhimi i Floqit në politikë mbetet tashmë konstante e pandryshuar. “Përgjatë këtyre viteve, ai do të shërbejë si Ministër i Arsimit, në një moment kur arsimi shqiptar lëngonte një prapambetje dhe mungesë zhvillimi të jashtëzakonshëm. Do të jetë përfaqësues i zgjedhur në parlament i Dibrës dhe i Korçës. Do të emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit e nënkryetar i tij. Përtej këtyre, si prokuror, gjyqtar dhe një nga mendjet më të artikuluara ligjore të atyre viteve, ai do të ketë një kontribut në sendërtimin e shtetit ligjor, duke nisur që nga qeveria e Ismail Qemalit dhe deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste” – tha ndër të tjera politologu Akri Çipa. Sipas studiuesit Dr. Paulin Marku rendësia e Kristo Floqit në historinë dhe kulturën shqiptare në SHBA, në krye të Gazetës Dielli dhe në shërbim të Vatrës e karakterizojnë, si një prej figurave më të spikatura ne diasporë dhe i lidhur ngusht me çështjen kombëtare duke demonstruar gadishmëri dhe bashkëpunim me shoqëri të ndryshme shqiptare. Pasi mori ftesen më 20 shtator 1911, nga Shoqëria Besa-Besen për të marrë gazetën “Dielli”, ai pati mundesi të shpaloste idene me synimin që shqiptarët të evitonin ndasitë dhe përçarjet krahinore dhe i mëshonte faktit se vetëm në qoftë se shqiptarët janë të bashkuar, siç ndodhi pak më vonë me bashkimin e shoqërive të ndryshme shqiptare në “Federaten Panshqiptare Vatra” dhe forcimin e gazetës “Dielli” dhe të “Vatrës”, komuniteti shqiptar shfaqej më i bashkuar duke shpërndarë frymën kombëtare në ShBA. Sipas studiuesit Dr. Paulin Marku, Kristo Floqi është një figurë e spikatur jo vetëm në aspektin letrar dhe publicistik, por dhe politik, emri i Kristo Floqit është përmendur e analizuar në shumë organe të shtypit të kohës, kur ai dominoi në jetën politike dhe shoqërore Fisnik në pamje, erudit në kulturën e tij, një personalitet poliedrik me botëkuptim të formuar nën ndikimin e disa kulturave, burrë i vërtetë shteti, orator dhe organizator i përkryer, ai i bënte vend vetes në të gjitha mjediset, shoqëritë dhe vendet ku ai jetoi pjesën më dinamike të jetës së tij. “Kjo monografi e profesoreshë Jonela Spahos nderon figurën dhe veprimarinë e Kristo Floqit, një mundësi shumë e mirë për lexuesit që të njihen me këtë vepër që i shërben letërsisë e dramaturgjisë por dhe fushave të tjera studimore për figurën e Kristo Floqit” theksoi në kumtesën e tij studiuesi Dr. Paulin Marku. Profesoreshë Jonela Spaho në përmbyllje të promovimit u ndal në aspekte të veçanta të jetës e veprimtarisë së Kristo Floqit, të kontributit të tij dhe mbi të gjitha të kalvarit të tij jetësor. Profesoreshë Spaho shpalosi për pjesëmarrësit në promovim risi dhe kontribute të panjohura më parë të Kristo Floqit dhe bëri të ditura episode të veçanta që e kanë shoqëruar kërkimin e saj shkencor rreth figurës së jashtëzakonshme të Kristo Floqit. Në përfundim të promovimit Proferoeshë Jonela Spaho i dhuroi Vatrës 100 usd kontribut në shënjë respekti e mirënjohjeje për organizimin dhe promovimin mbresëlënës. Festa e librit vazhdoi deri në orët e vona me biseda të ngrohta mes miqsh dhe trokitjet e gotave të verës, në një koktejl të servirur nga fisniku Toni Musaj.