
Nga DANILO TAINO
Ukraina nuk mund të quhet një ushtar në fushën e shahut t’Evropës, e gatëshme të flijohet për një interes të hamendësuar sipëror. Së paku për dy arsye. I pari, të gjithë Kombet kanë të drejtën e patjetërsueshme të mos shohin heqjen me forcë të pjesëve të territoreve të tyre dhe kanë të drejtën të kenë një politikë të jashtëme që vendosin, jo të diktuar prej kërcënimeve t’armatosura të fuqive të tjera. E dyta, të flijohet qoftë edhe një pjesë e sovranitetit të Kievit përballë kërkesave të Putinit, do të ishte një fitore që do të trimëronte udhëheqësin rus në strategjinë e tij të ndarjes s’Evropës e të “rishikimit” të barazpeshave e modeleve të paqes që pasuan shëmbjen e Bashkimit Sovjetik tridhjetë vite më parë.
Ajo në të cilën synon njeriu i fuqishëm i Kremlinit nuk është aq një llokmë e Ukrainës: është të shpallë në të vërtetë kthimin në sferat e ndikimit që ngrinë Evropën gjatë Luftës së Ftohtë të shekullit të shkuar. Është kthimi në një botë, në të cilën janë disa fuqi, Kombe të mëdha, që mund të detyrojnë me forcë vullnetet e tyre dhe interesat e tyre Vëndeve më të vogla. Nëse ky synim i Moskës do të kishte sukses, e gjithë siguria evropiane, duke filluar nga Lindja e kontinentit por jo vetëm që aty, do të vihej në diskutim. Është diçka të cilën e sheh me interes edhe Kina e Xi Jinping-ut, e cila nuk fsheh synimin për të sjellë nën kontrollin e Pekinit në kohë jo të gjata ishullin e Taivanit dhe studjon si Perëndimi do t’a bllokojë Putinin apo se si do të lëshojë pe për të planifikuar pushtimin e asaj që e quan “provinca kryengritëse”.
Këtu hapet për Evropën një çështje qenësore. Tridhjetë vite pushimesh të historisë, pra që nga luftërat mes fuqive, të filluara me rënien e Murit të Berlinit, janë sot në fundin e tyre. Kjo do të ketë me gjasë pasoja të pallogaritëshme në vitet e ardhme, por sot detyron një vetëdijesim: kriza e Ukrainës tregon në mënyrë të padyshimtë se NATO ka më shumë arsye se kurrë të jetë, që kontinenti ka nevojë për më shumë nivele frikësimi kundrejt dëshirave të Putinit e që e para është solidariteti atllantik: ushtarak por edhe politik, diplomatik e mbi sanksione të rastit.
Për faktin se NATO kish humbur kuptimin e të qënit mbas mbarimit të Luftës së Ftohtë, flitet prej vitesh, veçanërisht n’Evropë. Donald Trump-i ngurues ndaj aleancave, e përçmonte. Por presidenti francez Emmanuel Macron shkoi edhe më tej dhe më 2019 foli për “vdekje trunore” të Organizatës. Trysnia e Putinit mbi Ukrainën, në të vërtetë ka ngritur plotësisht rolin e NATO-s, si nga nevoja e solidartitetit ndërmjet demokracive si nga pikpamja e frikësimit ushtarak. Jo më pak për të shtyrë Vëndet e lëkundura evropiane për të patur një politikë sigurie. Me ndryshimin që NATO ka një strukturë të gatëshme të mobilizohet në çdo çast: është vija e parë e trysnisë për të kërkuar të ndalojë që sulmi i Kremlinit të ketë sukses e të verë në shahmat sigurinë e Evropës. Dhe është froni i bashkimit të Perëndimit.
Në këto orë diplomacia ka një rol të rëndësishëm. Makroni në tavolinën e Putinit ka kërkuar ndonjë fije shprese, në dukje pa atë sukses që ndoshta as presidenti francez nuk e priste. Ministreja e Jashtëme britanike Liz truss mbajti në Moskë një qëndrim më t’ahpër. Shtetet e Bashkuarajanë vazhdimisht në fushë me nisma diplomatike e kërcënime sanksionesh të fuqishme. Ka mjaft rreziqe në këtë kalim. Njëri është të kërkojë zgjidhje me Kremlinin pa patur një frikësim bindës që t’a mbështesë: n’atë rast Putini me vështirësi do t’a merrte në konsideratë, nuk do të ndalej. Një tjetër është t’i jepej Moskës, në shkëmbim të mos mësymjes s’Ukrainës, atë që presidenti rus dëshiron, për shembull vënien e Kievit nën mbrojtjen e Moskës, të jetë e ndaluar të zgjedhë në mënyrë të pavarur aleancat dhe politikën ndërkombëtare; siç ishte Finlanda gjatë Luftës së Ftohtë.
Një Ukrainë ushtare me kokë të prerë ose e finlandizuar nuk do t’i jepte fund synimeve të Putinit, perkundrazi; do të krijonte paqëndrueshmëri në Bashkimin Evropian, duke filluar nga Lindja; do t’i jepte energji aleancës edhe se taktike e jo strukturore, ndërmjet regjimeve autoritare të Moskës e Pekinit; do të vinte në krizë besueshmërinë e Perëndimit demokratik. Pa një mbështetje të plotë të evropianëve dhe amerikanëve NATO-s – që është e gjallë, para së gjithash trurësisht – skenari mund të kthehet lehtësisht në realitet.
“Corriere della Sera” 11 shkurt 2022 Përktheu Eugjen Merlika